Përfundon edicioni i pestë i Novelave Grafike Shqiptare

Në ambientet e odeonit të Muzeut Historik Kombëtar u zhvillua konkursi i Novelave Grafike Shqiptare ku u ndan dhe 8 çmime për pjesëmarrësit.

Ky event i cili këtë vit zhvilloi edicionin e tij të 5-të është kthyer në një traditë të përvitshme duke sjell pranë publikut krijime të veçanta dhe duke i dhënë një mbështetje të madhe artistëve të cilët punojnë dhe zhvillojnë këtë zhanër të grafikës.

Në këtë konkurs u ndan 8 çmime ditën e djeshme, ku tre prej tyre ishin çmimet klasike që u vlerësuan me një mbështetje materiale, në mënyrë që artistët të vazhdojnë të investojnë në rrugëtimin dhe talentin e tyre.

Me çmim të parë me punimin më të mirë në këtë konkurs u vlerësua Artiol Izri, me çmim të dytë Klejdi Domi dhe me çmimin e tretë Adrian Engjëlli. Çmimet e tjera ishin vlerësues dhe inkurajues që gjithashtu edhe për këta të fundit kishte një ndihmë financiare.

Në këtë konkurs morën pjesë 46 pjesëmarrës të moshës nga 14-18 vjeç. Pjesëmarrësit vinin nga shkolla artistike të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë.

Ky projekt vlerësohet nga Ministria e Kulturës e cila ishte edhe organizatore, si një mënyrë mjaft e mirë për të ndihmuar brezat e rinj të artistëve, me qëllim edukimin dhe formimin cilësor nëpërmjet arteve. Konkursi i Novelave Grafike ka rezultuar shumë i suksesshëm në të pestë edicionet e zhvilluara. Duke parë interesin e madh të artistëve, Ministria e Kulturës disa ditë më parë ka hapur konkursin për edicionin e radhës që do të zhvillohet vitin e ardhshëm. /aa/ KultPlus.com