Kulla e famshme Eiffel në gjendje të mjeruar

Kulla e famshme franceze Eiffel është e mbushur me ndryshk dhe ka nevojë për riparime të plota, por në vend të kësaj po i jepet një bojë kozmetike prej 60 milionë eurosh përpara Lojërave Olimpike 2024 në Paris, sipas raporteve konfidenciale të cituara nga revista franceze “Marianne”, njoftoi CNN.

Kulla prej hekuri, e lartë 324 metra, e ndërtuar nga Gustave Eiffel në fund të shekullit XIX, është ndër vendet turistike më të vizituara në botë, duke mirëpritur rreth gjashtë milionë vizitorë çdo vit.

Megjithatë, raportet konfidenciale nga ekspertët e cituar nga “Marianne” sugjerojnë se monumenti është në një gjendje të keqe dhe i mbushur me ndryshk.

“Është e thjeshtë, nëse Gustave Eiffel do të vizitonte vendin, ai do të pësonte një atak në zemër”, i tha revistës “Marianne” një menaxher i paidentifikuar.

Kompania që mbikëqyr kullën, “Societe d’Exploitation de la Tour Eiffel” (SETE), nuk mund të kontaktohej menjëherë për komente.

Kulla aktualisht po i nënshtrohet një rilyerjeje që kushton 60 milionë euro në përgatitje të Olimpiadës 2024, hera e njëzetë që ajo rilyhet.

SETE heziton të mbyllë kullën për një kohë të gjatë për shkak të të ardhurave turistike që do të humbasin. / KultPlus.com

Kulla Eiffel zgjatet për 6 metra

Kulla Eiffel tashmë është 6 metra më e lartë nga sa ishte deri tani. Kulla, e ndërtuar nga Gustave Eiffel në shekullin XIX, tashmë është 330 metra e lartë, pas instalimit në majën e saj të një antene digjitale radiofonike.

Gjatë ndërtimit të saj, kulla Eiffel kaloi Monumentin e Uashingtonit duke u bërë struktura më e lartë në botë e ndërtuar nga njeriu, titull që e mbajti për katër dekada, dhe që ia mori godina “Chrysler” e ndërtuar në Nju-Jork në vitin 1929.

Kulla e gjitha prej hekuri është ndër atraksionet turistike më të vizituara në botë, sipas TripAdvisor. Prej aty janë instaluar antena transmetimi prej më shumë se 100 vitesh, çka ka bërë që lartësia e saj zyrtare të ndryshojë disa herë.

Antena më e fundit u vendos me helikopter, në një operacion që zgjati më pak se 10 minuta./A2CNN/ KultPlus.com