Himni i Flamurit

Më 11 dhjetor 1947, në Bukuresht të Rumanisë ndërroi jetë Aleksandër Stavre Drenova, i njohur si Asdreni, një nga poetët më të njohur shqiptarë dhe autori i Himnit Kombëtar (Flamurit) Shqiptar.

KultPlus ju sjell poezinë “Himni i Flamurit”.

Himni i Flamurit

Rreth flamurit të përbashkuar,
Me një dëshirë me një qëllim,
Të gjithë Atij duke u betuar,
Të lidhim besën për shpëtim.

Prej lufte veç ai largohet,
Që është lindur tradhëtor,
Kush është burrë nuk frikohet,
Po vdes, po vdes si një Dëshmor.

Në dorë armët do ti mbajmë,
Të mbrojmë Atdheun në çdo vend,
Të drejtat tona ne s’i ndajmë,
Këtu armiqtë s’kanë vend.

Se Zoti vet e tha me gojë,
Që kombe shuhen përmbi dhè,
Po Shqipëria do të rrojë,
Për të, për të luftojmë ne./ KultPlus.com

Bateritë e ‘Tony Drum Studio’ sjellin magjishëm Himnin e Flamurit

Bateristë të shumtë në kuadër të ‘Tony Drum Studio’ për nder të ditës së 28 Nëntorit kanë sjellur perfomancën e tyre më të re, shkruan KultPlus.

Teksa jemi mësuar që vargjet e Himnit të Flamurit të përcjellen me plotë emocione nga interpretues të shumtë, kësaj radhe këta bateristë kanë lënë që melodia të flas vetë.

Instrumentet e shumta muzikore dhe manovrimet me gishtat e performuesve kanë sjellur një version tejet të këndshëm të Himnit të Flamurit.

Një melodi e fuqishme e dalë nga bateritë, e mbështjellur me ndjenjat që përçohen te audienca me Himnin e Flamurit, kanë bërë që ky interpretim të del fantastik.

Kujtojmë që ‘Tony Drum Studio’ herën e kaluar kanë bërë bujë nëpërmjet interpretimit të Bareshës. / KultPlus.com

Shqiptarja e Teatrit Historik të Romës këndon “Himnin e Flamurit” (VIDEO)

Mexosopranoja e njohur lirike, pjesë e Teatrit Historik të Romës, Irida Dragoti, përmes një video rrëfen nga Italia situatën atje.

“Situata në Itali është shumë e rëndë, çdo ditë ka lajme të trishta, por ne po mundohemi të kemi shpresë. Gjatë kësaj kohe në shtëpi po mundohemi të jemi me familje, të bëjmë sport, muzikë e të jemi afër njëri-tjetrit. Këtë izolim duhet ta shohim pozitiv.”

Këngëtarja bën apel për më shumë kujdes ndaj COVID-19.

Krejt në fund të mesazhit ajo e këndon edhe refrenin e Himnit të Flamurit. / KultPlus.com

“O Flamur gjak, o flamur shkabë, o vënd e vatr’ o nën’ e babë”

Hymni i Flamurit

Poezi nga Fan Noli.

O Flamur gjak, o flamur shkabë,
O vënd e vatr’ o nën’ e babë,
Lagur me lot, djegur me flagë,
Flamur i kuq, flamur i zi.

Fortesë shkëmbi tmerr tirani,
S’të trëmp Romani, as Venecjani,
As Sërp Dushani, as Turk Sulltani,
Flamur i math për Vegjëli

Flamur që lint Shën Kostandinin,
Pajton Islamn’ e Krishtërimin,
Çpall midis feve vllazërimin,
Flamur bujar për Njerëzi.

Me Skënderben’ u-lavdërove
Dhe në furtun’ i funtmi u-shove,
Me Malon prapë lart vrapove,
Yll i pavdekur për Liri.

Sa shpesh pastaj për-dhe u-shtrive
Me zjarr e zi u-ndeze u-nxive,
Po çdo mizor me shpat’ e grive,
O fushë-kuq, o shkabë-zi.

Përpjetë pri-e Shqipërinë,
Përlintj’a shpirtin dhe fuqinë,
Diell për vllanë, yrnek për fqinë
Për botën ëndr’ e qjell i ri.

Himni shtetëror i Kosovës mbush 11 vjet

Himni shtetëror i Republikës së Kosovës sot mbush 11 vjet nga miratimi në Kuvendin e Kosovës, që kishte shpallur pavarësinë disa muaj më parë, në 17 shkurtin historik të vitit 2008.

Propozimi me shifrën “Europa” u miratua në 11 qershor 2008 në një seancë të veçantë të Kuvendit 120 anëtarësh si Himn shtetëror i Republikës së Kosovës, me 72 vota për, 15 kundër dhe 5 abstenime.

Kompozitori Mendi Mengjiqi është autor i melodisë pa tekst, e përzgjedhur mes 134 propozimeve të paraqitura në konkursin publik për Himnin. Komisioni për Simbolet Shtetërore të Kosovës kishte dërguar në Kuvend tre propozime, ndërsa Kryesia e Kuvendit dhe shefat e grupeve parlamentare nxorën në votim vetëm propozimin e parë – melodinë me shifrën “Europa”, transmeton KP.

seancë plenare, deputetët u ngritën më këmbë për të nderuar himnin e Republikës së Kosovës, të transmetuar në sallën e Kuvendit.

Në prag të 15 qershorit 2008, ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës, shteti i ri i Kosovës me himnin i plotësoi simbolet shtetërore, pasi Kuvendi kishte miratuar edhe flamurin e stemën që në 17 shkurt, në ditën e shpalljes së Pavarësisë.

Himni shtetëror i Republikës së Kosovës kishte një konkurrencë të madhe, nga 134 propozimet 110 ishin nga Kosova, ndërsa 24 nga shtetet tjera të botës: 7 prej Francës, 5 prej Shqipërisë, nga 2 prej Gjermanisë, Suedisë e Sllovenisë, nga 1 prej SHBA-së, Britanisë së Madhe, Holandës, Rusisë, Zelandës së Re dhe Kroacisë.

Kompozitori Mengjiqi menjëherë pas miratimit të melodisë ka thënë se pret që me kohë ajo të bëhet edhe me tekst.

147 vite nga lindja e Asdrenit, autori i Himnit të Flamurit

Më 11 prill 1872 në Drenovë të Korçës lindi Aleksandër Stavre Drenova, më i njohur me emrin e tij të stilografit Asdreni, një nga poetët më të njohur shqiptarë, përcjellë KultPlus.

I mbetur jetim qysh në fëmijëri ai u detyrua të braktiste shkollën e mesme dhe të mërgonte në Rumani më 1889. Bëri punë të ndryshme dhe kaloi një jetë me vështirësi. Mori pjesë gjallërisht në përpjekjet e kolonisë së shqiptarëve të Bukureshtit në luftën për çlirimin kombëtar dhe u shqua si veprimtar i saj. Nisi të shkruante poezi dhe publicistikë nga fillimi i shek. XX. Në krijimet e para poetike, të cilat i përmblodhi në librin “Rreze dielli” (1904), Asdreni vijoi traditat e poezisë së Naim Frashërit, lartësoi dashurinë për atdheun, nxiti bashkatdhetarët të rreshtoheshin në luftën për çlirim nga zgjedha turke. Vepra më e rëndësishme e Asdrenit, “Ëndrra e lotë” (1912) shquhet për pasurinë e motiveve, frymën demokratike dhe nivelin e denjë artistik. Në krijimet e këtij vëllimi poeti demaskoi ashpër pushtuesit e huaj, i këndoi heroizmit të masave popullore në kryengritjet e armatosura të viteve 1911-1912, fshikulloi parinë frikacake dhe oportuniste, e cila iu resht detyrës ndaj atdheut («Zëri i kryengritësve», «Krerëve tradhëtorë», «Çpërblimi»). Te ky vëllim u përcaktuan tiparet themelore të krijimtarisë së Asdrenit: fryma luftarake, karakteri demokratik, interesimi për problemet shoqërore, notat e ligjërimit të gjallë. Ajo shënoi një hap në kalimin nga romantizmi te realizmi në letërsinë shqiptare. Në krijimtarinë e Asdrenit motivi i luftës për çlirim kombëtar u ndërthur me idenë e luftës shoqërore, në shumë vjersha gjeti pasqyrim pakënaqësia e njeriut të thjeshtë ndaj shoqërisë borgjeze të kohës, është gjithashtu autor i Himnit të Flamurit, një himn kombëtar për të gjithë shqiptarët.

Ngjarja që pasoi, shembja e shtetit të lirë kombëtar, shkaktuan tek poeti një dëshpërim të thellë, që u shpreh në krijimet e periudhës 1914-1920 («Shqipëria më 1914» etj.). Në gjysmën e parë të vitit 20, nën ndikimin e lëvizjes demokratike, poezia e Asdrenit përjeton një hov të ri. Në një sërë veprash të kësaj kohe poeti shprehu aspiratat e masave popullore për drejtësi shoqërore. Në heroin e poemës “Burri i dheut” (1920), Asdreni mishëroi përfaqësuesin e vegjëlisë që derdhi gjakun më 1920 për dëbimin e pushtuesve italianë dhe për një të ardhme më të mirë. Në këtë periudhë poeti shkroi një radhë vjershash të rëndësishme si «Hymni i festës», «Fisnikët e Shqipërisë», «Republika shqiptare», në të cilat demaskoi forcat e vjetra shoqërore dhe antipatriotike, që përvetësuan frytet e sakrificave të masave popullore në luftën për çlirim dhe nisën të sundojnë vendin sipas interesave të tyre. Dështimi i Revolucionit Demokratikoborgjez të qershorit 1924 e forcoi frymën e pesimizmit dhe të fatalizmit në krijimtarinë e Asdrenit (Psallme murgu, 1930, dhe një varg krijimesh poetike të viteve 30). Herë-herë poeti u përpoq të çlirohej nga ndikimet moderniste: në poemën «Trashëgimi» (1935) kritikoi qeverinë për krizën ekonomike e cila në atë kohë kishte përfshirë thuajse mbarë rruzullin. Vëllimin e vet të katërt Kambana e Krujës nuk e botoi dot me gjallje. Në vjershat e viteve të fundit të jetës përshëndeti ngadhënjimin e revolucionit popullor në Shqipëri.

Poeti, publicisti dhe patrioti shqiptar, Asdreni, vdiq më 1947 në Bukuresht, Rumani. / KultPlus.com