Historia e veçantë e gazetarit britanik, Rama i dhuron simbolin e Prishtinës, së shpejti do të shpallet edhe qytetar nderi

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka dhënë figurën e Hyneshës në Fron, gazetarit Vaughan Smith, në shenjë falënderimi për raportimin e këtij të fundit gjatë luftës në Prekaz, shkruan KultPlus.

Falënderimi erdhi në rastin kur shënohet Epopeja e UÇK-së, derisa Rama njoftoi se me rastin e 11 qershorit për ditën e çlirimit të qytetit, Smith do të shpallet Qytetar Nderi i Prishtinës.

“Vaughan vetë u vu në sprovë prej vdekjes. Snajperisti sërb e shënjestroi, dhe plumbi e goditi Vaughan-in. Por, në zallamahinë e përgjithshme dhe në përqendrimin për t’u tërheqë i sigurt drejt veturës së ndodhur me kilometra larg, Vaughan as nuk e kuptoi se ishte goditë. E mori vesh veç kur u kthye në veturë dhe nxori nga çanta e lidhur rreth brezit shaminë ku kish mbështjellë pakon e cigareve, një tufë prej 3 mijë markash gjermane dhe telefonin mobil me të cilin donte me i telefonu gruas. Telefoni ishte kthy në një deng copash metali, e plumbi kish mbetë i ngulitur në baterinë e tij. Markat gjermane e kishin të gjitha nga një vrimë të rrumbullakët mespërmes. Kur Vaughan çoi këmishën, pa një mavijosje të madhe në bark, por asgjë më shumë. Të mos e kishte çantën rreth brezit, plumbin do ta kishte në bark.”, shkroi Rama.

I pari i Prishtinës përgëzoi Smithin për punën gjatë luftës, ku tha se asnjë kameraman tjetër, nuk ia doli të vijë aq afër sa bëri britaniku autoblindave të Serbisë gjatë aktiti të rrënimit të shtëpive.

“Si videogazetar i pavarur, Vaughan ka fitu – individualisht dhe si pjesëtar i ekipeve – 28 çmime lajmesh. Shumicën e këtyre i ka për filmin “Lugina”, në të cilin portreton luftën në Kosovë, e i cili mbetet njëri nga dokumentarët më të vlerësuar që të jetë shfaqë në televizionet britanike. Në vitin 2010, kur unë po punoja në projekt-propozimin për konservimin e shtëpive-muze të familjes Jashari, Vaughan më dha shumë bujarisht të drejta të plota me i përdorë filmimet e tij”, u tha mes tjerash në postimin e Ramës.

Më 11 qershor, Smith do ta vizitojë Kosovën përsëri, me ç ‘ rast do të shpallet edhe qytetar nderi. /KultPlus.com