84 vite nga vdekja e Ndre Mjedës

Ndre Mjeda, ishte njëri ndër poetët,  veprimtarët dhe atdhetarët më të shquar të kohës. Ai krahas Fishtës, Gurakuqit, Nolit, Mosit, veproi në drejtim të zgjimit dhe kalitjes së ideve përparimtare, pavarësisht petkut të tij fetar. I pajisur me dije  filozofike, gjuhësore, fetare, shoqërore, Mjeda me tërë qenien iu kishte përkushtuar arsimimit dhe përparimit të bashkëkombësve, të cilët në kohën e tij, të paarsimuar kombëtarisht, analfabetë e të nëpërkëmbur nga fuqitë e mëdha dhe nga Perandoria Osmane, po përpëliteshin mes Lindjes e Perëndimit.

I orientuar drejt vlerave demokratike dhe botës së qytetëruar, Ndre Mejda përfaqësonte intelektualin model të kohës, me një kulturë të shëndoshë kombëtare e shoqërore, me një modesti karakteristike të njerëzve të rangut të tij dhe me një botë të pasur krijuese, të cilën e vuri në shërbim të arsimimit dhe emancipimit të shqiptarëve pa dallin krahine, feje e bajraku. Veprimtaria poetike, gjuhësore, filozofike e fetare e Mjedjes është mjaft e thellë si nga përmbajtja ashtu edhe nga qasja që iu ka bërë problemeve të caktuara. Ai ka shkruar poezi antologjike, të cilat me të drejtë janë prezantuar në abetaret shqipe dhe në librat shkollorë. Janë të mirënjohura poemat e tij si: “Endrra e jetës”, Vaji i Bylbylit, Liria, Lissus, Scodra e të tjera. 

Ndre Mjedja u lind  në Shkodër nga i ati Jakë Zefi  dhe ëma Luçije  Thaçi. I ati ishte me origjinë nga Mirdita ndërsa e ëma nga Malësia e Pukës. Si i ri me intelekt të zhvilluar, i talentuar dhe studioz, tërhoqi vëmendjen e jezuitëve, të cilët menduan ta bënin prift. Në edukimin e tij patën ndikim shkrimtari jezuit Anton Xanoni (1863-1915) dhe poeti françeskan Leonardo de Martino (1830-1923). Ai vazhdoi më pas studimet fetare në Spanjë, Itali e Poloni. Në fillim ndenji tre muaj në pranverë 1880 në fshatin Cossé-le-Vivien afër Lavalit në perëndim të Francës, kurse më pas ndoqi një kolegj në manastirin Kartuzian të Porta Coeli-t në veri të Valencias në Spanjë, ku studioi për letërsi.

Më 1883 e gjejmë në Kroaci, ku studion retorikë, latinisht dhe italisht në një institut jezuit në Kraljevica (ital. Porto Re) në bregdetin dalmat. Nga 1884 deri në fillim të vitit 1887 u stërvit në një kolegj që drejtohej atje nga Universiteti Gregorian i Romës, kurse më 1887 u transferua në një kolegj Gregorian tjetër në Kieri (Chieri), në juglindje të Torinos, ku ndenji deri në fund të atij viti. Në fillim dha mësim në një shkollë të lartë fetare në Kroaci.

Në këto vite Ndre Mjedja filloi të shkruajë poezi shqip, ndër to edhe vjershën melankolike mjaft të lexuar “Vaji i bylbylit”, botuar më 1887 në broshurën Scahiri Elierz (Poeti i nderuar), ku shpreh mallin për vendin e tij. Po e kësaj periudhe është vjersha Vorri i Skanderbegut. Tema e shqiptarit në mërgim, që e merr malli për atdheun nën zgjedhën turke, ishte më se e zakontë në letërsinë e Rilindjes, sidomos në dhjetëvjeçarin pas dështimit të Lidhjes së Prizrenit. Edhe shumë vjersha të tjera nga penda e tij u kushtohen temave të tilla kombëtare. Por në poezinë e Mjedës ndihet ndikimi jo vetëm i kulturës rilindëse të kohës, por edhe i mësuesit të tij Leonardo De Martino, poetit katolik shkodran, përmbledhja poetike e të cilit e përpunuar bukur me 442 faqe e në dy gjuhë L’Arpa di un italo-albanese (Harpa e një italo-shqiptari) kishte dalë në Venedik më 1881. Po aq ndihet në vargun e Mjedës edhe ndikimi i poetëve bashkëkohës të Italisë: atdhetarit Xhozue Karduçi (Giosuè Carducci, 1835-1907), medituesit Xhovani Paskoli (Giovanni Pascoli, 1855-1912), të ndjeshmit Gabriele D’Anuncio (Gabriele D’Annunzio, 1863-1938) si dhe i letërsisë latine të lashtësisë klasike.

Nga 1887 deri më 1891 Mjeda dha muzikë në kolegjin Marko Xhirolamo Vida (Marco Girolamo Vida) në Kremona buzë lumit Po, qytet i kompozitorit Klaudio Monteverdi (1568-1645) dhe i Antonio Stradivarit (1644-1737). Atje, dhe në Soresina, ai vazhdoi të shkruajë poezi e njëkohësisht iu përkushtua përkthimit të letërsisë fetare. Më 1888 Propaganda Fide në Romë botoi librin e tij,  Jeta e Shën Gjon Berhmansit, për një shenjtor jezuit nga Brabanti (1599-1621), kurse më 1892 Përngjasim i Zojës së Bekueme përkthyer nga spanishtja. Më pas ai do të botonte një përkthim nga Katekizmi i madh në tre vëllime, Historia e shejtë, dhe një jetëshkrim të Shën Alojsius nga Gonzaga (1568-1591).

Nga viti 1891 Mjeda studioi për disa vjet në fakultetin teologjik të kolegjit Gregorian të Krakovit në Poloninë katolike. Atje u njoh me veprat filologjike të albanologëve Gustav Majer (Gustav Meyer, 1850-1900) dhe Holger Pedersen (1867-1953). Vjersha e Mjedjes Gjûha shqype, e shkruar në dhjetor 1892, iu përkushtua gjuhëtarit austriak Majer, vepra monumentale e të cilit Etymologisches Wörterbuch der albanesischen Sprache (Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe) kishte qenë botuar një vit më parë në Strasburg. Veprat e Majerit dhe Pedersenit zgjuan te Mjedja interesimin për historinë dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, që do të vazhdonte edhe në vitet e mëvonëshme dhe do të kthehej në një ndihmesë për vetë problemin e alfabetit, nëpërmjet punës së tij me tekstet shkollore dhe studimet për autorët e vjetër katolikë Pjetër Budi (1566-1622) dhe Pjetër Bogdani (rr. 1630-1689).

Më 1893 poetin e gjejmë në Goricia buzë kufirit italo-slloven, kurse pas një viti përsëri në Kraljevica, ku dha mësim filozofi e teologji e ku shërbeu si bibliotekar në kolegjin Gregorian. U emërua profesor i logjikës e më pas i metafizikës. Thuhet se më 1898, në gjirin e jezuitëve të Kraljevicës shpërtheu një konflikt, me sa duket për lidhjet e tyre me Austro-Hungarinë dhe me Vatikanin. Hollësitë e skandalit nuk njihen me saktësi, por dihet se Ndre Mjeda u përfshi njëfarësoj në këtë konflikt dhe menjëherë u përjashtua apo dha dorëheqjen atë vit nga Urdhri Jezuit.

Më 1899, me ndihmën e të vëllait Lazër Mjedja, peshkop i Sapës që më 1896 e më pas kryepeshkop i Prizrenit e kryepeshkop i Shkodrës, e sidomos me ndihmën e Prenk Doçit (1846-1917), abati me influencë i Mirditës dhe vetë poet i lëvizjes kombëtare, Ndre Mjeda u emërua mësues në Vig, në krahinën malore të Mirditës. Gjithashtu mori pjesë në fillim në veprimtarinë e shoqërisë letrare Bashkimi, që ishte themeluar atë vit në Shkodër me mbështetjen austro-hungareze nga Preng Doçi, Ndoc Nikaj dhe Gjergj Fishta.

Më 1901 bashkë me të vëllanë themeloi shoqërinë Agimi, e cila krijoi një alfabet (alfabet ky i nji komisioni t’Ministrisë s’punëve të jashtme t’Austro-Hungarisë, me bazë alfabetin kroat) dhe botoi një varg librash për shkollat mbi bazën e këtij alfabeti. Për veprimtari patriotike autoritetet osmane e arrestuan. Me këtë alfabet Ndre Mjedja dhe Anton Xanoni botuan një numër këndimesh për shkollat shqipe, ndër to Këndimet për shkollat e para të Shqypnisë, i cili përmbante një numër tekstesh në prozë të shkruara nga Mjedja. Në fillim të shtatorit 1902, Mjeda u ftua në Hamburg për të marrë pjesë në Kongresin e 13-të Ndërkombëtar të Orientalistëve, ku lexoi një kumtesë me titull De pronunciatione palatalium in diversis albanicae linguae dialectis (Mbi shqiptimin e palataleve në dialektet e ndryshme të gjuhës shqipe). Interesimi i zjarrtë i Mjedës për çështjen e alfabetit të shqipes bëri që ai, pavarësisht nga problemet me autoritetet osmane, të marrë pjesë në Kongresin e Manastirit më 1908, ku alfabeti i tij Agimi humbi para atij Bashkimi të Gjergj Fishtës. Më 1908 në Kongresin e Manastirit bashkë me At Fishtën, Luigj Gurakuqin, Hilë Mosin dhe Mati Logorecin si përfaqsues i Shkodrës dhe variantit të karaktereve latine, u zgjodh anëtar i Komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes, ndërsa më 1916-1917 ishte anëtar i Komisia Letrare Shqipe.

Në periudhën e hovit të lëvizjes demokratike (1920-1924) Ndre Mjeda mori pjesë në jetën politike të kohës dhe u zgjodh deputet. Pas dështimit të Revolucionit Demokratiko-borgjez u tërhoq nga jeta politike dhe punoi si prift i thjeshtë në Kukël.

Nga viti 1930 qe mësues i gjuhës dhe letërsisë shqiptare në kolegjin jezuit në Shkodër, ku edhe vdiq më 1 gusht 1937.

Poema romantike e njohur Vaji i bylbylit u shkrua më 1887; në të ndihen fryma patriotike dhe nota përmallimi, që shquanin paraardhësit e tij L. De Martinin, N. Bytyçin etj. Vepra përmbyllej me thirrjen drejtuar shqiptarit që të ngrihej për të fituar lirinë. Që nga kjo kohë e deri më 1917 kur pa dritën e botimit vëllimi me vjersha Juvenilia, Ndre Mjeda shkroi, por nuk botoi gati asgjë. Të kësaj kohe janë poema tjetër romantike I tretuni, në të cilën është derdhur malli për atdheun, për njerëzit dhe natyrën e vendit me bukuritë e saj, vjersha Shtegtari, Malli për atdhe, Gjuha shqype, Bashkoniu !etj. Krahas krijimeve të përshkuara nga notat elegjiake, Ndre Mjeda hartoi edhe vepra poetike, në të cilat tema patriotike u trajtua në frymën e poezisë luftarake të Rilindjes, si Liria (1910-1911). Në të gjeti jehonë kryengritja e malësorëve të Shqipërisë së Veriut më 1911, qëndresa dhe aspirata e tyre e zjarrtë për drejtësi shoqërore dhe për tokë. Grishja e poetit që fshatarët të ngriheshin për t’u çliruar nga zgjedha e rëndë shoqërore, ndërthuret me besimin se lufta e vegjëlisë do të sjellë lirinë. Në këtë vepër gjeti pasqyrim demokratizmi i Ndre Mjedës, që përbën bashkë me patriotizmin, anën më të fortë të botëkuptimit dhe të krijimtarisë së tij. Vjersha “Mustafa Pasha në Babunë” fshikullon pavendosmërinë dhe qëndrimin e lëkundshëm të parisë feudale në luftë kundër zgjedhës së huaj. Në poemën e njohur Andrra e jetës nëpërmjet pamjeve poetike prekëse, autori zbuloi tragjedinë e malësorëve të varfër, që rronin në zgrip të jetës, mjerimin dhe padijen e madhe, ku ata ishin kredhur. Botën shpirtërore të personazheve të poemës, ndjenjat dhe mendimet e tyre, poeti i dha me mjete të kursyera dhe mjeshtëri.

Fazës së dytë të krijimtarisë së Ndre Mjeda e cila nisi pas Luftës I Botërore, i përkasin poemat në tingëllima (sonete) “Scodra” dhe “Lissus”, ku, përmes historisë së lashtë të dy qyteteve evokohet e kaluara e hershme e popullit tonë, sidomos fryma luftarake dhe liridashëse e stërgjyshërve të tij, ilirëve. Duke vijuar në këtë kohë traditën e poezisë së Rilindjes Kombëtare, Ndre Mjedja shprehu kështu mospajtimin e tij me regjimin reaksionar që sundonte vendin.

Në prodhimin poetik të Ndre Mjedës, zënë vend edhe vjershat për fëmijë. La edhe disa shqipërime të goditura nga Gëtja, T. Grosi, etj. Romantik në thelb, Ndre Mjedja bëri një hap përpara drejt realizmit, ai kishte kërkesa të larta dhe tregoi mjeshtëri të rrallë poetike.

Ndre Mjeda dha ndihmesën e tij edhe në fushën e gjuhësisë. Puna e tij u zhvillua në, gramatikë, leksikologji, filologji. Krijoi alfabetin që u zbatua prej shoqërisë Agimi me kriterin shkencor për çdo tingull një shkronjë, duke përdorur shenjat diakritike. Dha ndihmesë të shënuar në lëvrimin e gjuhës letrare. Në historinë e gramatologjisë shqiptare janë për t’u përmendur Vërejtje mbi artikuj e premna pronës të gjuhës shqipe (1934), Mbi shqiptimin e qellzoreve ndër dialektet e ndryshme të gjuhës shqipe (1902). Ndre Mjedja është ndër të parët gjuhëtarë shqiptarë që u morën me studimin dhe transkriptimin e veprave të letërsisë sonë të vjetër. Transkriptoi pjesërisht veprën e P. Bogdanit (1930) dhe të P. Budit (1932), shkroi për dialektin shqiptar të Istries (1932) dhe për Perikopenë e ungjillit të shek. XIV-XV (1933).

Ndre Mjedja është njëri nga poetët më të mëdhenj të letërsisë shqipe. Me një frymëzim të parë romantik e djaloshar ai ka krijuar poemën e mallit e të dhembjes personale (Vaji i bylbylit). Me njohjen e jetës autentike të botës shqiptare ai ka krijuar poemën e botës shqiptare (“Andrra e jetës”). Me kërkime në njohjen e rrënjëve kulturore e historike ai ka krijuar tufat e tingëllimeve (Lissus, Scodra). Me rebelimin e tij personal e rebelimin nacional ai ka krijuar poemën e revoltit dhe himnin e lirisë (Lirija).

Mjedja mbetet mjeshtër i pashembullt i formës e i gjuhës poetike në shqip dhe mjeshtri më i madh i tingëllimit në shqip deri më sot. / KultPlus.com

Mbi funksionin e intelektualit

Nga Arbër Ymeri

Shpesh kemi rastisur t’i dëgjojmë shprehjet: punë intelektuale apo qëndrim intelektual. Por në fakt a e dimë se cili është thelbi dhe kuptimi i këtyre shprehjeve? Intelektuali në shoqërinë të cilën ne jetojmë, por pothuajse edhe në shoqëritë më të gjera kuptohet si një individ që është i arsimuar dhe që qëndron në nivelin e atij që merret me teori, shkencë, kulturë, filozofi, letërsi etj. Por konteksti filozofik i shpjegimit të këtij nocioni por edhe i funksionit të tij është shumë më i gjerë dhe më i ndërlikuar.

Evropa mesjetare njihte më tepër klerikë se sa intelektual. Dihet që politika, institucionet e shoqërisë arti dhe letërsia morën vulën e teologjisë. Njerëzit e arsimuar në shumicën e tyre lidheshin me institucionet kishtare midis të cilave ishin edhe universitetet. Edhe kur ishin laik profesorët e universiteteve nuk përplaseshin me shërbyesit e pushtetit shpirtëror të njohur dhe të ngulitur. Por, ata të cilën u përplasen pësuan nga inkuizicioni. Kategoritë e ndryshme të inteligjencës bashkëkohore u krijuan dhe u reformuan me kohë. Gjykatësit dhe funksionaret vareshin nga monarkia, ndërsa dijetaret ishin të detyruar të luftonin kundër dijes që kishte konotacion dogmatik dhe në kundërshtim me këtë të mbronin të drejtën për studime dhe kërkime të lira.

            Pas periudhës së mesjetës dhe këtij zhvillimi të hovshëm të inteligjencës vjen koha edhe e iluminizmit si lëvizje  shoqërore dhe kulturore, që kishte për qëllim fundin e rendit feudal dhe zvogëlimin e influencës së religjionit ku në kundërshtim me këtë të mbizotëronte dija racionale dhe arsyeja të bëhej si gjykatësi kryesor i çdo gjëje. Pra afërsisht shekulli XVIII ishte koha kur termi intelektual u shfaq dhe pothuajse u bë pjesë e literaturës filozofike dhe shkencore. Kuptimi i këtij termi ka pak a shumë konotacion edhe historik. Kjo nuk nënkupton se nuk ka pasur intelektual edhe më herët, duke e analizuar kontekstin kësaj problematike ne mund të shkojmë qysh në antike dhe të gjejmë intelektualin e parë që është pikërisht Sokrati, që sot flitet jashtëzakonisht shumë për promovimin e filozofisë së tij.

Por në fakt kush është intelektual dhe cila është detyra e tij? Ky nocion sikurse edhe shumë nocione të tjera ka kuptime të ndryshme nga filozofë dhe mendimtarë të ndryshëm. Raymond Aron në veprën e tij “Opiumi i intelektualeve” theksonte se aftësimi që kërkohet për të marrë titullin intelektual rritet me shtimin e numrit të punonjëseve që nuk punojnë me krahë, pra rritet dora-dorës me zhvillimin e ekonomisë. Por në vendet e pazhvilluara çdo njëri i diplomuar quhet intelektual. Dhe në këtë rast përdorimi i këtij emri ka brenda një të vërtetë. Aron, merr një shembull këtu: Një djalë i ri i ardhur në Francë nga një vend arab dhe që kryen studimet e larta në shkollat franceze, për vendin e tij merr disa qëndrime dhe sjellje që janë tipike për njerëzit e arsimuar dhe të kulturuar. Kësisoj “fshatari” i diplomuar duket atje si një shkrimtar nga Perëndimi.

Aron thekson se marrëdhëniet e intelektualeve me klasat drejtuese varen njëherazi si nga të parët po ashtu edhe nga të dytët. Sa ma tepër duket se të parët qëndrojnë larg nga shqetësimet e atyre që qeverisin, administrojnë krijojnë pasuri, aq më tepër profesionistët e parasë shprehin përbuzje ndaj profesionistëve të fjalës. Sa më tepër duket se të privilegjuarit ngrenë krye ndaj kërkesave të ideve bashkëkohore dhe nuk janë të aftë të sigurojnë pushtetin e shoqërisë, ose përparimin ekonomik aq më tepër intelektualet janë të prirur ndaj kundërshtisë. Nderimi dhe emri i mirë që shoqëria ju krijon njerëzve të mendimit ndikon edhe mbi gjykimin që japin këta të fundit mbi njerëzit e praktikës.

Jean – Paul Sartre, një filozof tjetër gjithashtu francez, me prirje ekzistencialiste dhe refuzues i çmimit nobel, është i pakontestueshëm dhe shumë referencial në pikëpamjen e tij mbi funksionin e intelektualit. Sartre në veprën e tij “Situatat” në vitin 1965, duke e përkufizuar intelektualin në ekzistencën e tij shkruante: “tërësia e intelektualeve si një llojshmëri e njerëzve që kanë marrë famë në sajë të punimeve që mbështetën në inteligjencë, dhe që e keqpërdorin këtë famë për të dal jashtë fushës dhe për t’i kritikuar shoqëritë dhe strukturat sunduese”. Ai thekson se nuk mund të quhen intelektual shkencëtarët që punojnë në fisionin e atomit për t’i perfeksionuar armët bërthamore, ata janë vetëm shkencëtarë. Por, nëse po këta shkencëtarë, të frikësuar nga fuqia shkatërruese e armëve që i kanë zbuluar vetë, tubohen dhe e nënshkruajnë një manifest për të nxitur opinionin që t’i kundërvihet përdorimit të bombës atomike, atëherë bëhen intelektual. Pra intelektuali për Sartre-in është shkencëtari dhe dijetari që e kapërcen profesionin  dhe e keqpërdor famën e tij për t’i kontribuar shoqërisë.

Nga këto dy pikëvështrime besoj se u pa qartë se çfarë është intelektuali dhe cili duhet të jetë funksioni i tij. Të dalim pak nga rrafshi filozofik ne atë praktik për të dhënë një mendim lidhur me atë se a kemi ne intelektual në shoqërinë tonë dhe a kanë ndonjë rolë ata? Pa dyshim se e kaluara jonë, ka qenë e udhëhequr nga personalitete shumë emblematike me një bagazh jashtëzakonisht të gjerë të dijes dhe shkencës, ku kontributi i tyre ishte pothuajse vendimtar në lirimin dhe pavarësimin e vendit, mjafton këtu të përmenden ndër shumë të tjerë vetëm dy emra Fehmi Agani dhe Ukshin Hoti. Ku ky i dyti u kthye nga universiteti i Harvard – it në Krush për të dhënë kontributin e tij.

Arbër Ymeri – Ligjërues i filozofisë / KultPlus.com