Jahjaga në Shtëpinë e Bardhë i shpreh Bidenit nevojën për intensifikim të angazhimit amerikan në Kosovë

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka marr pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimit për Gratë më të Guximshme të vitit, në Shtëpinë e Bardhë.

Jahjaga u takua me zonjën e parë të Amerikës, Jill Biden, si dhe i shprehu presidentit, Joe Biden nevojën që angazhimi i vazhdueshëm amerikan në Kosovë të intensifikohet.

Gjatë këtij takimi, Jahjaga bën me dije se ndau kujtime nga vizita e presidentin amerikan, Joe Biden dhe familjes së tij në Kosovë, në ceremoninë e emërimit të rrugës ‘Beau Biden”, që nderon punën e të birit të ndjerë të presidentit, njofton Klankosova.tv.

“Sot në Shtëpinë e Bardhë në Washington, me ftesën e Zonjës së Parë Jill Biden dhe Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken, ishte nder i veçantë të marr pjesë në ndarjen e çmimit për Gratë më të Guximshme të vitit”.

“E falenderova Dr. Biden për angazhimin e vazhdueshëm amerikan në Kosovë dhe nënvizova nevojën që ky angazhim të intensifikohet”.

“Ishte kënaqësi e veçantë ta takoj Zonjën e Parë, Dr. Jill Biden sot në Shtëpinë e Bardhë në Washington, DC. Gjatë këtij takimi, ndër të tjera, patëm rast të ndajmë kujtimet nga vizita e Presidentit Biden dhe familjes së tij në Kosovë, në ceremoninë e emërimit të rrugës ‘Beau Biden”, që nderon punën e të birit të ndjerë të Presidentit amerikan në vendosjen e themeleve të shtetit të së drejtës në Kosovë”, u shpreh kështu ish-presidentja në llogarinë e saj zyrtare të Facebook-ut.

“Si Presidente e Kosovës, në mars të vitit 2016, në Shtëpi të Bardhë i pata dorëzuar zotit Biden dekretin për emërimin e rrugës që lidh kryeqytetin e Republikës tonë me kampin ushtarak amerikan Bondsteel, si nderim në emër të popullit të Kosovës për kontributin e familjes Biden për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ishte ndër momentet më emocionuese të mandatit tim, të cilin e kujtoj me shumë krenari”.

“Sot, kjo rrugë qëndron si simbol i miqësisë të palëkundur me SHBA-të dhe përkushtimit të popullit të Kosovës për ta zhvilluar vendin si një vend të lirë, demokratik, të palëkundur në partneritetin tonë, të bazuar në vlerat tona të përbashkëta”.

Fondacioni Jahjaga lanson koleksionin “One in Three and All for One”, synohet fuqizimi ekonomik i grave

Fondacioni Jahjaga mbrëmë ka lansuar koleksionin e ri të veshjeve të brendit ”One in Three”, brend ky që është iniciativë e Fondacionit Jahjaga dhe ka për qëllim fuqizimin ekonomik të grave përmes punës në fushën e rrobaqepësisë, shkruan KultPlus.

Atmosfera mbrëmë në Vendum Lounge në Prishtinë nisi qysh në orën 19:00, atëherë dhe kur ambasadorë, pjesëmarrës nga bota e biznesit, showbizit dhe fytyra të shumta publike po mbushnin hapësirën dalëngadalë. Të mbledhur të gjithë për brendin “One in three”, emërtimi i së cilit ka për qëllim rritjen e vetëdijes për shkallën e dhunës me bazë në gjini, duke pasur parasysh që në nivel global, një në tre gra përjeton dhunë, të gjithë pjesëmarrësit bisedat e tyre i drejtonin rreth veshjeve të cilat në një kënd po qëndronin të kuruara deri në pikë të fundit.

Këtij koleksioni i janë bashkuar figura të ndryshme publike dhe aktivistë të cilët kanë kontribuar drejtpërdrejtë në fuqizim ekonomik të grave, duke ofruar dizajne të veshjeve për këtë koleksion. Më pas, këto produkte janë qepur me shumë dashuri dhe përkushtim nga gratë e angazhuara në këtë projekt.

Ngjarja është shoqëruar nga fjalime prej ish-presidentes Atifete Jahjaga (Presidente e Republikës së Kosovës 2011-2016) dhe Carolin Ziadeh, Përfaqësuese Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, ndërkaq veshjet janë prezantuar nga individë të njohur për publikun të cilët kanë kontribuuar në koleksion duke i dizajnuar këto veshje.

“Ky projekt me brendin “Një në tre” është një kreacion i cili është punuar nga fillimi me shumë dashuri, me shumë pasion dhe për qëllim kryesor ka pasur fuqizimin ekonomik të grave dhe vajzave përmes punës së tyre të dorës dhe pavarësimin e tyre financiar. Fatkeqësisht, ne të gjithë e dimë që tregu i punës nuk është një hapësirë e barabartë për të gjithë, sidomos kur bëhet fjalë për vajzat dhe gratë. Pikërisht për këtë arsye, fondacioni Jahjaga vitin e kaluar ka lansuar këtë projekt me qëllimin e vetëm, pikësëpari që të shkëputet ky zinxhir i dhunës që po shtohet ndaj vajzave dhe grave të Kosovës”, thotë Jahjaga.

Sipas saj, para disa muajve, ky projekt ka filluar vetëm me një dyqan virtual me disa gra kreatore, me një vizion dhe pasion të jashtëzakonshëm për të punuar kreacione, por tani disa muaj më pas, po lansohet edhe linja e dytë.

“Ne e dimë që Kosova ka pasur dhe ka gra të zonja të cilat e kanë dëshmuar veten dhe po e dëshmojnë veten dita ditës, por ato gra nuk do të mund të kishin arritur këtu ku janë sot, pa kaluar një numër të madh të sfidave. Një në tre gra në botë është viktimë e dhunës fizike apo psikike përbrenda familjes. Mjafton vetëm një individ që të ngritë zërin apo të marrë një iniciativë për të vetëdijesuar shoqërinë. Ne që jemi mbledhur sot në këtë masë është një tregues i qartë që neve duhet të përçojmë një mesazh të rëndësishëm që dhuna nuk lejohet dhe të arrihet barazia mes nesh”, përfundon ajo.

Ndërkaq, përfaqësuesja speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Carolin Ziadeh, ka thënë se është një privilegj që ajo ishte mbrëmë në mesin e tyre.

“Është privilegj të jem këtu sot. Ky projekt është një demonstrim i gjallë i një rruge të suksesshme drejt barazisë gjinore”, ka thënë ajo.

Kështu krejt në fund u prezantuan edhe veshjet e mahnitshme nga vetë figurat e pranishme që janë pjesë e këtij koleksioni.

Deri më tani, Fondacioni Jahjaga ka lansuar dy koleksione –One in three: Atifete Jahjaga dhe One in Three: Hope, duke ofruar mundësi pune për disa gra, dhe duke zgjeruar punën synojmë të punojmë më tutje drejt fuqizimit ekonomik dhe pavarësisë financiare të grave.

Veshjet mund ti gjeni edhe online KËTU. / KultPlus.com

Jahjaga vazhdon lobimin për të dhunuarat gjatë luftës

Ish Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, po e vazhdon lobimin e saj për të dhunuarit gjatë luftës. Kësaj rradhe ajo ka qenë në Islandë për të debatuar për këtë problem shkruan KultPlus.com

“Sot në Forumin Global Grave Lidere në Reykjavik, Islandë në vazhdimësi të lobimit tim për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, diskutova për rëndësinë e trajtimit të kësaj kauze, në mënyrë që të arrihet një paqe më e qëndrueshme”, ka shkruar Jahjaga në Facebook.

Tutje, ajo ka thënë se kjo temë duhet të jetë në krye të prioriteteve.

“Inkuadrimi i të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, posaçërisht grave, në agjenda të paqes dhe sigurisë është rrënjësor në procese që do të jenë më jetëgjatë”.

Jahjaga me thirrje për përkrahjen e fëmijëve të braktisur

Ish Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, po e përkrah kampanjën “iseeyou” kampanjë kjo që angazhohet për fëmijët e lënë pas dore, shkruan KultPlus.com

“Fëmijët që janë lënë pas dore, të braktisur, pa përkujdesje prindërore, të abuzuar, ose të shpërngulur janë kudo, por ne jo gjithmonë i shohim ata. Ata janë të padukshëm.

Ju mund ta ndryshoni këtë.

Bashkohuni me fushatën #iseeyou për të siguruar të drejtën e secilit fëmijë për kujdes dhe mbrojtje, pavarësisht nëse fëmijët jetojnë me prindërit tyre apo jo.

Le t’i bëjmë të dukshëm të gjithë fëmijët”, ka shkruar Jahjaga në Facebook.