Jahjaga në Shtëpinë e Bardhë i shpreh Bidenit nevojën për intensifikim të angazhimit amerikan në Kosovë

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka marr pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimit për Gratë më të Guximshme të vitit, në Shtëpinë e Bardhë.

Jahjaga u takua me zonjën e parë të Amerikës, Jill Biden, si dhe i shprehu presidentit, Joe Biden nevojën që angazhimi i vazhdueshëm amerikan në Kosovë të intensifikohet.

Gjatë këtij takimi, Jahjaga bën me dije se ndau kujtime nga vizita e presidentin amerikan, Joe Biden dhe familjes së tij në Kosovë, në ceremoninë e emërimit të rrugës ‘Beau Biden”, që nderon punën e të birit të ndjerë të presidentit, njofton Klankosova.tv.

“Sot në Shtëpinë e Bardhë në Washington, me ftesën e Zonjës së Parë Jill Biden dhe Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken, ishte nder i veçantë të marr pjesë në ndarjen e çmimit për Gratë më të Guximshme të vitit”.

“E falenderova Dr. Biden për angazhimin e vazhdueshëm amerikan në Kosovë dhe nënvizova nevojën që ky angazhim të intensifikohet”.

“Ishte kënaqësi e veçantë ta takoj Zonjën e Parë, Dr. Jill Biden sot në Shtëpinë e Bardhë në Washington, DC. Gjatë këtij takimi, ndër të tjera, patëm rast të ndajmë kujtimet nga vizita e Presidentit Biden dhe familjes së tij në Kosovë, në ceremoninë e emërimit të rrugës ‘Beau Biden”, që nderon punën e të birit të ndjerë të Presidentit amerikan në vendosjen e themeleve të shtetit të së drejtës në Kosovë”, u shpreh kështu ish-presidentja në llogarinë e saj zyrtare të Facebook-ut.

“Si Presidente e Kosovës, në mars të vitit 2016, në Shtëpi të Bardhë i pata dorëzuar zotit Biden dekretin për emërimin e rrugës që lidh kryeqytetin e Republikës tonë me kampin ushtarak amerikan Bondsteel, si nderim në emër të popullit të Kosovës për kontributin e familjes Biden për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ishte ndër momentet më emocionuese të mandatit tim, të cilin e kujtoj me shumë krenari”.

“Sot, kjo rrugë qëndron si simbol i miqësisë të palëkundur me SHBA-të dhe përkushtimit të popullit të Kosovës për ta zhvilluar vendin si një vend të lirë, demokratik, të palëkundur në partneritetin tonë, të bazuar në vlerat tona të përbashkëta”.

Revista “Time” zgjedh Bidenin dhe Harrisin “Persona të Vitit”

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dhe Nënpresidentja e zgjedhur, Kamala Harris, së bashku janë zgjedhur si “Persona të Vitit” nga revista e njohur amerikane, “Times”.

Në njoftimin për ofrimin e këtij epiteti, revista shkroi se Biden dhe Harris ofruan ndreqje dhe përtëritje me një biletë të vetme, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Pas një fushate zgjedhore me tensione të shumtë, të ndodhur një mesin e një pandemie vdekjeprurëse, një krize ekonomike dhe një lufte me racizmin, Biden dhe Harris triumfuan në zgjedhjet që nxitën numrin më të madh të votuesve në shekullin e fundit.

“Për ndryshimin e rrëfimit amerikan, për dëshminë se forcat e ndjeshmërisë janë më të mëdha se tërbimet e përçarjes, për ofrimin e një vizioni të shërimit në një botë në vuajtje, Joe Biden dhe Kamala Harris janë Personi i Vitit 2020”, tha kryeredaktori dhe shefi ekzekutiv i kësaj reviste, Edward Felsenthal.

Në mesin e kandidatëve për ta marrë këtë titull ishin edhe Presidenti në largim i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, punëtorët shëndetësorë që janë duke ofruar ndihmë në luftën kundër pandemisë dhe pjesëmarrësit e lëvizjes për drejtësi racore, e cila u krijua pas vrasjes së afrikano-amerikanit George Floyd.

Personi i Vitit i kësaj reviste zakonisht është një individ, por viteve të fundit ka pasur raste kur janë nominuar disa persona për të njëjtën vepër.

Revista “Time” e kishte filluar traditën e përzgjedhjes së “Personit të Vitit” që nga viti 1927. Vitin e kaluar, këtë titull e mori aktivistja suedeze për mbrojtjen e klimës, Greta Thunberg. / KultPlus.com

Plot 81 laureatë të Çmimit Nobel e përkrahin Bidenin për president të ShBA-së

Tetëdhjetë e një fitues të Çmimit Nobel i kanë ofruar zyrtarisht përkrahje politikanit Joe Biden për t’u bërë president i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara. Ata kanë thënë se Joe Biden ka vullnet t’i dëgjojë ekspertët dhe e vlerëson lart përdorimin e shkencës për gjetjen e zgjidhjeve.

Laureatët e Nobelit, fitues të Çmimit Nobel në Kimi, Mjekësi dhe Fizikë, e theksuan rëndësinë që udhëheqësit e zgjedhur të marrin vendime duke u mbështetur në shkencë, sidomos gjatë një pandemie botërore, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.

“Asnjëherë në historinë e kombit tonë nuk ka pasur nevojë më të madhe që liderët tanë ta çmojnë vlerën e shkencës në hartimin e politikave publike”, thuhet në letrën e laureatëve të Nobelit.

“Gjatë karrierës së tij të gjatë në shërbim publik, Joe Biden vazhdimisht e ka dëshmuar vullnetin e tij që t’i dëgjojë ekspertët, njohjen e vlerës së bashkëpunimit ndërkombëtar në punë kërkimore shkencore dhe respektin e tij për kontributin që imigrantët e japin në jetën intelektuale të vendit tonë”, thuhet më tej në letrën e shkencëtarëve.

Sipas një burimi, personi që e organizoi këtë përkrahje grupore për kandidatin demokrat është Bill Foster në Illinois.

Ndryshe, Shtetet e Bashkuara janë vendi më i prekur në botë nga koronavirusi, ndërsa presidenti Trump është akuzuar ashpër për menaxhimin e situatës gjatë pandemisë./ KultPlus.com