‘Javët e Kulturës Shqiptare’ në Austri s’i ndal as pandemia

“Javët e Kulturës Shqiptare” janë ngjarjet më të rëndësishme kulturore, artistike dhe sportive të komunitetit shqiptarë në Austri. Ato tashmë kanë krijuar emër, traditë, janë bërë institucion në vete, jo vetëm për aktivitetet e llojllojshme por, edhe si vendtakim, bashkim dhe përafrim me njëri-tjetrin.

Edhe pse në kohë pandemie, “Javët e Kulturës Shqiptare në Austri 20-21” edhe këtë vit do të organizohen. Për të shtatin vit më radhë këto aktivitete mbajnë vulën e organizimit të Këshillit Koordinues i Shoqatave Shqiptare në Austri.

Me moton “Bukë, kripë e zemër”, “Javët e Kulturës”, vijnë para publikut shqiptarë dhe austriakë për të treguar traditën, bujarinë, mikpritjen dhe zemërgjerësinë e popullit tonë.

“Planin për organizimin e “Javëve të Kulturës” e kishim mbaruar para pandemisë. Gjithçka tjetër ishte shumë sfiduese, duke filluar që nga pasiguria se a do të lejohen të mbahen aktivitetet. Situata më e komplikuar ishte nga fakti se sallat do duhej rezervuar. Megjithatë, momenti i relaksimit erdhi kur ne si “Këshillë Koordinues i Shoqatave”, vendosëm që mos të konkretizojmë asgjë deri një muaj para eventeve”, tha Kaltrina Durmishi, kryetare e KKSHSHA-së.

Të merret iniciativë për të organizuar të gjitha këto aktivitete në këtë kohë të pakohë, natyrisht që nuk ishte edhe aq e lehtë.
“Të marrësh vendime, duhet të kesh guxim. Kur ke guximin, tejkalohet gjithçka. Ne e kishim guximin dhe vendimi për të organizuar nuk ka qenë i vështirë. Pjesa më e vështirë ndoshta kanë qenë konsultimet më të gjithë anëtarët dhe shoqatat bashkëpunuese, ngase kishte mendime të ndryshme. “Javët e Kulturës” janë bërë institucion në vete dhe do të ishte e dhimbshme nëse kishim qenë të detyruar për t’i anuluar këto aktivitete”, thekson Kaltrina për Albinfo Austria, transmeton KultPlus.

Programi i Javëve të Kulturës në Austri

Në fokus të aktiviteteve do të jenë tri data kryesore
Ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit “Javët e Kulturës” do të fillojnë nga muaji tetor dhe do të përfundojnë në muajin shkurt. “Këtë vit kemi menduar që përveç aktiviteteve tjera, në fokus t’i kemi tri data kryesore. Për nder të shtetit mik, Austrisë, do të fillojmë me 26 tetor, në Ditën e Pavarësisë së Austrisë, për të vazhduar me 28 Nëntor dhe për t’i përfunduar aktivitetet me 17 Shkurt, ditën e Pavarësisë së Kosovës”, shpjegon Kaltrina.

Një nga aktivitetet kryesore që edhe do të bëj hapjen e “Javëve të Kulturës” do të jetë koncerti “Classic meets Ethno” me 26 tetor i cili do të gërshetoj muzikën klasike dhe atë etno. “Fati jonë i mirë është se në Austri kemi një numër të madh artistësh të cilët kanë krijuar emër në botën e artit. Ky koncert do t’i bëj bashkë të gjithë ata për të na sjell një mbrëmje të paharrueshme për audiencën shqiptare dhe miqtë austriak e ndërkombëtarë. Në këtë koncert do të përformojnë: Flaka Goranci, mezzosoprano, Eno Peçi koreograf dhe balerinë, Rina Kaçinari, Zaimir Kabo në piano dhe me violinë, Aurel Qirjo i cili do të vij enkas nga Londra”, shprehet Kaltrina duke shtuar se ky koncert ka zgjuar interesim shumë të madh për pjesëmarrje të komuniteti tonë në Austri.

Për gjatë katër muajsh, do të këtë aktivitete të llojllojshme: si koncert klasik i gërshetuar me etno, turnir shahu, turnir futbolli, promovim libri, orë letrare, koncerte muzikore me këngë dhe valle shqiptare, mbrëmje rinore, shfaqje filmi, një panair shqiptarë ku do të përfshihen: punime dore, veshje kombëtare, promovim i produkteve shqiptare që janë në Austri, ecje në natyrë, e shumë të tjera.

Për shkak të ndryshimeve të masave nga dita në ditë që po merren nga qeveritë shtetërore, ekziston një drojë se ndonjë nga aktivitetet edhe mund të anulohet. “Frikën më të madhe e kemi për aktivitetet që do zhvillohen në muajin nëntor. Ka shumë spekulime që mund të këtë një mbyllje të lehtë, ndonëse ende as qeveria austriake nuk ka dhënë detaje. Deri më tani në nëntor është në pyetje vetëm eventi nga Shoqëria Kulturore Artistike “17 Shkurti” e cila zakonisht ka mbledhur deri në 1500 veta. Zotëri Tahir Turkaj ka më shumë se 25 vjet që asnjëherë nuk e ka humbur organizimin e manifestimit të festës së “28 Nëntorit”. Megjithatë, duhet të jemi të gjithë të kujdesshëm, të ruajmë shëndetin tonë duke mbajtur distancën dhe maskat dhe të respektojmë rregullat e institucioneve shtetërore austriake. Nuk dëshirojmë asnjë i infektuar të dal në aktivitetet tona”, tha kryetarja Durmishi.

“Javët e Kulturës Shqiptare në Austri” këtë vit janë përkrahur kryesisht nga institucionet austriake. Poashtu gatishmëri për të mbështetur këto aktivitete kanë premtuar edhe Rrjeti i Bizneseve Shqiptarë në Austri dhe disa kompani të tjera shqiptare. /albinfo/ KultPlus.com

Javët e Kulturës Shqiptare dërgojnë polifoninë shqiptare në teatrin vjenez

Javët e Kulturës Shqiptare fillojnë sot aktivitetet të cilat kanë për qëllim të dërgojnë në skenat vjeneze format autentike të të shprehurit të kulturës së trashëguar dhe të krijimtarisë bashkëkohore shqiptare, shkruan KultPlus.

Javët e Kulturës Shqiptare vitin e kaluar kanë bashkuar balerinët me famë botërore Eno Peçi me muzikantë të rijnë shqiptarë nga Lugano të cilët bashkë përmes baletit modern kanë sjellë një riorkestrim të muzikës qytetare shqiptare. Po ashtu vitin e kaluar ndër të tjera është prezantuar edhe krijimtaria artistike e Jakup Ferrit.

“Vitin e kaluar kemi shfaqur krijimtarinë artistike të Jakup Ferrit; kemi sjellë festivalin e njohur botërisht DokuFest-in përmes produksioneve të suksesshme kinematografike nga regjisorë, producentë e aktorë shqiptarë në një nga kinot më të famshme në Vjenë; muzikantë shqiptarë të zhanrit klasik kanë gërshetuar klasiken austriake me atë shqiptare; pastaj muzikën bashkëkohore përmes grupit Offchestra, e shumë të tjera, ku të gjitha kanë marrë vëmendjen maksimale dhe janë përfolur gjatë” , shkruhet në njoftim.

Javët e Kulturës Shqiptare kanë paralajmëruar se këtë vit do të bëjnë edhe një hap më të madh, duke e sjellë në teatrin vjenez polifoninë shqiptare si kulturë jomateriale me vlera universale e mbrojtur nga UNESCO.

“Përmes Ansamblit Polifonik Saz’iso për të cilët kjo shfaqje është premierë në Austri dhe për neve janë kryefjala e Javëve të Kulturës 2018, pastaj do të ketë edhe muzikë origjinale Gheg Rock shqiptare përmes grupit Jericho, shfaqje teatrale të artistes së Rita Gjeka ndërsa do të bashkohen në performancë virtuozët si violinisti Shkelzen Doli, sopranoja Flaka Goranci, dirigjenti Michael Maciaszczyk dhe Orkestra Austriake e Dhomës për të sjellë tingujt e muzikës shqiptare”, shkruhet në njoftim.

Po ashtu në këtë mbrëmje do të prezantohen dhe muzikantët e njohur shqiptarë si Rina Kaçinari, Adnan Dragaj (Humus), Orges Toce, Agim Llapashtica, Alfred Bushi, Gramos Goranci e Kori i Grave ‘Lyra’ që të gjithë që veprojnë në Austri, bashkohen në një mbrëmje unike që shënon hapjen e Javëve të Kulturës.
Aktivitet e Javës së Kulturës Shqiptare do të vazhdojnë aktivitetet deri më 8 dhjetor. / KultPlus.com

Offchestra përmbyllë “Javët e Kulturës Shqiptare në Austri”

Të shtunën në Vjenë, përfundojnë “Javët e Kulturës Shqiptare”, me një mbrëmje të veçantë, siç e kanë quajtur organizatorët, shkruan KultPlus.

Kjo mbrëmje e 9 dhjetorit, përmbyllë përfundimin e rreth 12 aktiviteteve të “Javëve të Kulturës Shqiptarë në Austri”. Në këtë mbrëmje do të performojë grupi i njohur kosovar Offchestra, ndërsa mysafir nga Shqipëria e Kosova do të jenë Flamur Lokaj dhe Genci Treni-Gega për disa këngë në fillim të koncertit.

Pas koncertit ERLI & ANYLA (powered by NEEDLE VINYL BAR) do ta marrin rolin e DJ-te dhe do t’i argëtojnë të pranishmit deri në orët e vona… Krejt kjo ndodhë në SCHWARZBERG (ish OST Klub), Schwarzenbergplatz 10,1040 Wien me fillim nga ora 20:30./ KultPlus.com

Eno Peçi sonte me performancë në “Javët e Kulturës Shqiptare” në Vjenë

Në kuadër të Javës të Kulturës Shqiptare në Austri, sonte në Vjenë mbahet njëri ndër projektet më të veçanta.

Bëhet fjalë për balerinin e njohur ndërkombëtarisht Eno Peçi, i cili do të dhurojë një performancë baleti të quajtur “Balet në pikturë” së bashku me partneren e tij austriake Mila Schmid nën tingujt e muzikës shqipe nga grupi Za ft. Sibling.

Bëhet e ditur se këta të fundit janë të njohur në Vjenë për artin e tyre të performancave të muzikës së vjetër shqipe, dhe gjithashtu e veçanta tjetër e tyre është se i gjithë grupi përbëhet nga anëtarë të familjes (dy motra dhe vëllai).

Kjo mbrëmje, e cila fillon nga ora 19:30 në Quellenstrasse të Vjenës, pritët të vizitohet edhe nga shumë austriakë, për shkak të emrit të madh që ka arritur ta krijojë Eno Peçi.
Vendi: Quellenstrasse 149, 1100 Wien Ora: 19:30. / KultPlus.com

Nisin “Javët e kulturës shqiptare në Austri”

Më 17 nëntor janë hapur edhe zyrtarisht “Javët e kulturës shqiptare në Austri”.

Të shndërruara tanimë në traditë, “Këshilli Koordinues i Shoqatave Shqiptare në Austri” në bashkëpunim me shoqatat tjera shqiptare të cilat veprojnë në shtetin austriak dhe përkrahjen e partnerëve të ndryshëm, arriti të organizojë aktivitete nga më interesantet dhe më të larmishmet me qëllim të përfaqësimit dhe prezantimit dinjitoz të kulturës shqiptare dhe njëherësh integrimit të komunitetit shqiptar në Austri.

Hapja solemne e këtij aktiviteti u bë në Gebietsbetreuung të Vjenës me hapjen e ekspozitës “Muscle Memorie’’ të krijuesit shqiptar Jakup Ferri.

Të pranishëm ishin rreth 300 persona në mesin e të cilëve edhe përfaqësues të Ambasadës së Kosovës dhe Shqipërisë në Vjenë si dhe përfaqësues të ministrisë së Diasporës së Kosovës.

Të gjithë u pritën me pije dhe ushqime tradicionale shqiptare, të sponsorizuara nga kompani shqiptare që veprojnë në Vjenë si dhe të sjellura edhe nga vet Kosova, poashtu edhe me pijen tradicionale austriake verën e vluar.

Ekspozitën e udhëhoqën moderatorët nga Kosova dhe Shqipëria Fjolla Doli dhe Franc Jakova, kurse fjalën hapëse e pati nikoqiri i mbrëmjes udhëheqësi i Gebiets Betreuung Christoph Gollner dhe gjithashtu kryetari i Këshillit Koordinues Ermal Vejsa.

Kuratorja e mbrëmjes ishte Stephanie Friedrich e cila bëri përshkrimin dhe prezantoni veprat dhe vet artistin Jakup Ferri.

Veprat e tij u sollën në Vjenë enkas nga galeria e tij në Amsterdam për “Javët e kulturës shqiptare”në Austri.

Mbrëmja vazhdoi me muzikën e veçantë të kompozitorit të ri, artistit Visar Kasa dhe grupit të tij muzikor.

“Javët e kulturës shqiptare në Austri“ do të vazhdojnë edhe me aktivitete të tjera që do të zhvillohen ditëve në vijim.

Të gjitha këto realizohen falë bashkëpunimit me Ministrinë e Diasporës së Kosovës, ambasadën e së Shqipërisë në Austri, ambasadën e Kosovës në Austri, Rrjetin e Bizneseve Shqiptare në Evropë, firma me pronarë shqiptar që veprojnë në Austri, vullnetar dhe aktivistë të Këshillit Koordinues të Shoqatave Shqiptare në Austri./ KultPlus.com

Së shpejti nisin “Javët e Kulturës Shqiptare” në Austri

13 aktivitete të ndryshme duke filluar nga pikturat, filmi, vallëzimi, muzika, shahu dhe futbolli, do të zhvillohen gjatë “Javëve të Kulturës Shqiptare” në Austri.

Nga 17 nëntori deri më 9 dhjetor do të jenë disa javë plot aktivitete dhe evente kulturore shqiptare në Austri.

Organizatorët e Këshillit Koordinues të Shoqatave Shqiptare (KKShShA) në Austri, më këtë projekt kanë për qëllim ruajtjen e identitetit kombëtar, promovimin e vlerave kulturore shqiptare në Austri, ngritjen e nivelit të kulturës, integrimin sa më të mirë të shqiptarëve në të gjitha fushat e jetës austriake, arritja e audiencës austriake dhe ndërgjegjësimi i diasporës shqiptare në Austri mbi vlerat kulturore dhe artistike të kombit të tonë.

Gjatë këtyre ditëve publiku shqiptarë por edhe ai austriak do të kanë mundësinë të përcjell 13 aktivitete të ndryshme duke filluar nga pikturat, filmi, vallëzimi, muzika, shahu dhe futbolli. Java e kulturës do të filloj në Vjenë më 17 nëntor me hapjen e ekspozitës nga piktori Jakup Ferri, dhe do të përfundoj me një mbrëmje festive ku do të performojë grupi Offchestra./ KultPlus.com