“Vals për të rinjtë”, balerini Eno Peçi: Të bëhemi bashkë

Balerini shqiptar me famë botërore, Eno Peçi do të jetë nesër në sheshin “Skënderbej”, për të sjellë valsin e famshëm vjenez, në kuadër të aktiviteteve të “Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022”.

Aktiviteti “Vals me të rinjtë”, që do të zhvillohet në datën 6 korrik, organizohet nga Kongresi Rinor Kombëtar në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë dhe Ambasadën e Austrisë në Tiranë.

“Valsi që kemi përgatitur me 5 balerinë të tjerë shqiptarë, nuk do jetë ai valsi profesional, por do jetë paksa më i thjeshtë, më i lëvizshëm, vals pak më i thyer, më i përditësuar. E rëndësishme është atmosfera dhe të bëhemi bashkë”, u shpreh balerini Eno Peçi.

Ndërkohë, drejtoresha e Rinisë, në bashkinë e Tiranës, Aspasjana Kongo theksoi se përzgjedhja e kësaj rryme ishte se valsi arrin të përçojë një mesazh shumë të mirë për të rinjtë.

“Mendoj se ka një lidhje mes të rinjve dhe balerinit. Kur ai ka qenë imazhi i Koncertit të Vjenës, shumë të rinj kanë folur për atë performancë. Kështu që ne menduam që ekziston një lidhje, por kjo erdhi në fakt edhe si propozim nga Ambasada austriake, kështu që thjesht u bënë dy gjëra bashkë”, tha zonja Kongo, duke ftuar të gjithë të rinjtë, për një leksion të hapur valsi, nesër, në orën 20:00./atsh/ KultPlus.com

Eno Peçi me shfaqje në Teatrin e Operës dhe Baletit të Lubjanës

Në datën 11 nëntor, në Teatrin SGN të Operas dhe Baletit në Lubjanë, balerini dhe koreografi shqiptar Eno Peçi, së bashku me koreografët Leo Mujić dhe Jakopo Godani, do të venë në skenë veprën “Strune- Strings”.

Eno Peçi do të prezantohet me pjesën “Angel”, me muzikë të kompozitorit, Alban Berg.

Peçi ditën e sotme ka qenë i ftuar edhe në ambientet e ambasadës shqiptare në Slloveni ku është takuar me ambasadorin Pëllumb Qazimi.

Eno Peçi dhe koreografia e tij janë prezantuar në një numër shtetesh si Austri, Shqipëri, Kosovë, Gjermani, Luksemburg, Hungari, Zvicër, Rusi, Itali, Japoni, etj. Ndërsa si balerin ai ka qenë i pranishëm në shumë skena të botës.

Ai është bashkuar me Operën Shtetërore të Vjenës në vitin 2000, duke qenë balerini i parë shqiptar që performon live në Vjenë. Ndërkohë, në vitin 2009 ai ka filluar edhe karrierën në koreografi. / KultPlus.com

Mrekullia e koreografisë së Eno Peçit nëpërmjet videos, vjenezët e vlerësuan si një prurje të re (VIDEO)

Nën moton “Mbretëresha e natës” mbrëmjen e së enjtes është prezantuar “Opernball”, evenimenti më i madh artistik i kryeqytetit austriak, koreografi që i është besuar koreografit shqiptar Eno Peçi, shkruan KultPlus.

Ricardo Leitner ka shkruar për këtë koreografi, i cili ka specifikuar se prej se i përcjellë prezantime të tilla, një koreografi që shfrytëzon në këtë mënyrë hapësirën, nuk e ka parë në jetë, dhe sipas tij, ai punën e Peçit e ka vlerësuar si një punë të mrekullueshme, dhe si një risi në koreografinë vjenezë, pasi që, sipas tij, koreografët e tjerë kanë përsëritur njëri tjetrin, por Eno Peçi solli diçka të re.

Kjo shfaqje ka pas audiencë mbi 5 mijë mysafirë VIP nga të gjitha fushat jetësore në Austri.

Eno ka zgjedhur edhe vet që të performojë në këtë mbrëmje  me valsin “Abendblätter” të Zhak Offenbach, ku kanë qenë të përfshirë shumë balerinë. Për më shumë, shikojeni videon e kësaj performance më të madhen në Vjenë, e që i është besuar koreografit shqiptar Eno Peci./KultPlus.com

Gjithçka gati: Koreografia e Eno Peçit bën hapjen e ‘Opernball’ sonte në Vjenë

Opera shtetërore e Vjenës pritet të shndërrohet sonte në sallën më të bukur të vallëzimit në botë. Nën moton “Mbretëresha e natës” sonte do të mbahet “Opernball”, evenimenti më i madh artistik i kryeqytetit austriak, raporton albinfo.ch.

Mbi 5 mijë mysafirë VIP nga të gjitha fushat jetësore në Austri pritet të jenë të pranishëm. Afro 2 milionë shikues llogaritet që do të ndjekin nga televizioni këtë mbrëmje gala. Për shkak të pjesëmarrjes në një samit të BE-së do të mungojë kancelari Sebastian Kurz.

Në anën tjetër nuk do të mungojnë fytyra të njohura botërore që vijnë si mysafirë specialë. Tashmë ka arritur në Vjenë aktorja e famshme italiane, Ornela Mutti e cila është e ftuar si përcjellëse në këtë mbrëmje e biznesmenit të njohur në Austri, Richard Lugner.

Por, sapo mysafirët do të zënë vendin e tyre, të gjithë sytë do të jenë të drejtuar në hapjen e kësaj mbrëmjeje artistike. E kjo i është besuar koreografit shqiptar në Austri, Eno Peçit, raporton “albinfo.ch.

„Eno Peçi është anëtar i Baletit shtetëror të Vjenës që prej 20 vitesh dhe balerin solo që nga viti 2009. Koreografi bën hapjen e „Opernball“ për herë të dytë pas vitit 2018. Një zgjedhje e mirë kjo, pasi Peçi është një koreograf i shquar, i cili përveç në Vjenë, ka krijuar balet edhe në Moskë dhe në qytetin e tij të lindjes, në Tiranë“, shkruajnë mediat austriake./albinfo.ch

Nga Filharmonia e Vjenës vjen në Prishtinë, Eno Peçi me premierë në Baletin Kombëtar të Kosovës

Qendrim Badalli

 “Trëndafilat e jugut” ishte valsi më i gjatë që u luajt nga kërcimtarët e Baletit Shtetëror të Vjenës, në ambientet magjike të vilave perandorake, ku në rolin kryesor interpretoi balerini i njohur shqiptar, Eno Peçi. Kjo ishte hera e parë që një balerin shqiptar u ngjit në këtë skenë ku me paraqitjen e tij mrekulloi publikun.

Por, as ky sukses dhe asnjë tjetër nuk e ndanë nga vendlindja ku ai kthehet herë pas herë për të realizuar ndonjë shfaqje. Por, Kosova deri më tani për të ishte një destinacion i paprekur. Por jo më, ai erdhi për të realizuar një shfaqje me Trupën e Baletit të Kosovës dhe me një tematikë shumë të ndjeshme, shkruan KultPlus.

Kur ekipi i KultPlus arriti në Teatrin Kombëtar të Kosovës, provat gjenerale të shfaqjes “Exil” kishin filluar dhe skenën e kishin zënë balerinët të cilët dukeshin të relaksuar. Aty ishte edhe koreografi i mirënjohur, Eno Peçi, i cili po jepte udhëzimet e fundit për balerinët. Kështu, të enjten në Teatrin Kombëtar të Kosovës do të jepet premiera e shfaqjes “Exil”, shkruan KultPlus.com

Tema e kësaj shfaqjeje ka të bëjë me ikjen e njerëzve nga Shqipëria në fundvitet e nëntëdhjeta, specifikisht ka të bëjë me një periudhë të konsideruar të errët për Shqipërinë, pra për vitin 97-të kur vet prindërit kanë dashur t’i largojnë fëmijët e tyre nga Shqipëria për një jetë më të mirë, pavarësisht mos dëshirës së këtyre të fundit.

Në një intervistë ekskluzive për KultPlus, Eno Peçi ka dhënë përshtypjet e tij rreth shumë çështjeve që lidhen me shfaqjen dhe jo vetëm.

Në lidhje me ecurinë e provave të deritanishme për shfaqjen “Exil”, Peçi është shprehur shumë i kënaqur.

”Kanë shkuar goxha mire, çdo gjë po ecën në procesin siç duhet të eci dhe jemi me kohë shumë mirë. Kemi filluar gati nga e diela me provat gjenerale. Aq më shpesh i bëjnë balerinët lëvizjet aq më mirë edhe mësohen dhe i kuptojnë edhe gabimet që bëjnë. Është në rrjedhën e duhur dhe çdo gjë po ecën mirë”.

Peçi ka shprehur edhe përshtypjet e tij rreth Prishtinës, meqë është hera e parë që e viziton si dhe rreth trupës së baletit, dhe për të dyja këto ka zgjedhur fjalë të mira.


“Është hera e parë  që kam ardhur në Prishtinë, në Kosovë, sepse nuk kam qenë ndonjëherë, dhe është po ashtu edhe hera e parë që bashkëpunoj me Trupën e Baletit të Kosovës. Nuk e kam ditur çfarë do të më priste, një energji e qytetit që është shumë e qetë, shumë kthjelluese, dhe më ka pëlqyer shumë, plus edhe energjia e teatrit e artistëve që janë këtu, janë shumë të dëgjuar, shumë të përkushtuar dhe mund të them se kemi punuar shumë. Kemi dalë në mëngjes dhe jemi kthyer në natë”.

Koreografi i njohur, nuk sheh ndonjë dallim mes skenave teatrale në kuptimin e zakonshëm që e njohim, teksa përkushtimin për punën e ka vërejtur si veçanti të Baletit të Kosovës. Ai ka folur edhe për rëndësinë e punës me dashuri.


“Në çdo teatër që shkon kanë edhe ato vetitë e tyre. Nuk mund të bëhet ndonjë krahasim, të themi se ata janë më keq apo më mirë, por krahasimi që mua më befasoi është përkushtimi që artistët mundohen t’i bëjnë gjërat ashtu si dua unë dhe rezultati është shumë i shpejtë, në atë kohë rekorde që ne kemi. Për mua gjëja më e rëndësishme është të duash të bësh diçka dhe dashuria që ke për kërcimin, nëse këto gjëra ekzistojnë është në dorën time që balerini të shkojë në procesin e duhur dhe rezultatit që unë kërkoj”.

Eno Peçi konsiderohet edhe si ambasador i vendit, por për të kjo varet ekskluzivisht nga dashuria që ke për punën dhe nga puna që e bënë me dashuri.

”Sigurisht është një përgjegjësi, sepse nëse unë si artist dhe krijues mundohem ta bëjë punën time aq më mirë, pra nëse unë punën time e dua shumë dhe nëse e bëj me qejf, pra nuk e bëj se duhet ta bëj, dhe nëse kjo gjë funksionon dhe ecën më tej, unë në të njëjtën kohë jam edhe një ambasador i mirë për vendin tim, çdo gjë është e lidhur”.

Duke komentuar solidaritetin që e kemi parë ditëve të fundit mes shqiptarëve këndej dhe andej kufirit ai ka thënë: “Të thuash faleminderit është e paktë”, teksa tutje ka thënë se bashkëpunimi mes shqiptarëve nuk është çështje mendimi, por diçka e natyrshme.

“Të thuash faleminderit është e paktë.  Është një gjë shumë e madhe, shqiptarët e Kosovës kanë qenë në krah të shqiptarëve, si të themi vëllai i madh me vëllain e vogël, janë dy shtete që jemi të gjithë shqiptarë. Në të njëjtën kohë sa jam në Prishtinë, nuk shoh dallime mes nesh. Kjo që e bëjmë nuk është diçka që e mendojmë ta bëjmë apo jo, është diçka e natyrshme dhe kjo mua si shqiptar që jam nga Shqipëria më befason. Ky është një solidaritet dhe një gjë e jashtëzakonshme”.

Premiera e shfaqjes “Exil” vjen këtë të enjte në ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe ekipi i KultPlus-it do të jetë aty për ta përcjellë shfaqjen dhe për ta mbajtur të informuar lexuesin. /KultPlus.com






Eno Peçi nderohet me titullin ‘Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut’

Kur është fjala për Eno Peçin, duhet ta pranojmë se kemi një simpati të shprehur dhe të argumentuar për këtë artist. I talentuar, i papërtuar, i dashur dhe shumë bashkëpunues ai është simbol i artistit që kufijtë nuk i njeh.

Ky vit përkon me vitin kulturor Shqipëri-Austri dhe në kuadër të tij po mbahen një seri aktivitetesh që kanë në qendër pikërisht kulturën e dy popujve. Eno Peçi ka dhënë një kontribut të padiskutueshëm në lartësimin e talentit dhe kulturës shqiptare në këtë vend mik. Në vizitën që Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Ilir Meta zhvilloi në Austri, në prani të përfaqësuesve të Ministrisë së Jashtme të Austrisë si dhe të personaliteteve të artit, balerinit dhe koreografit Eno Peçi ju dorëzua një prej nderimeve më të larta të Shqipërisë, titulli “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.

Në dorëzimin e këtij titulli presidenti i Republikës së Shqipërisë u shpreh:

“Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij, si ambasador i shkëlqyer i imazhit të Shqipërisë në Austri dhe nëpër botë, unë kam nderin t’i akordoj atij një nga titujt më të lartë të Shqipërisë, “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.

Duke prezantuar këtë vlerësim për të gjithë ndjekësit e tij në mediat sociale vetë Eno ka shkruar:

“Ndjehem pafundësisht mirënjohës, i nderuar dhe krenar të marr nga “Presidenti i Shqipërisë” Titullin e lartë: “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut” pas film – dokumentarit “Solisti” në Kinemanë Urania nga Gjergj Mazi”. /Opusalb/ KultPlus.com

“Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” iu dorëzua sot Eno Peçit

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka nderuar me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, solistin e Operas Shtetërore të Vjenës dhe koreografin e mirënjohur shqiptar, Eno Peçi.

Përmes një statusi në “Facebook”, kreu i shtetit shkruan se Peçi ka spikatur në skenat europiane duke nderuar veten dhe kombin shqiptar të tërësi.

“Me mirënjohje të thellë i dorëzova Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, solistit të Operas Shtetërore të Vjenës dhe koreografit tonë të mirënjohur Eno Peçi. Talenti i spikatur dhe përkushtimi i palodhur e kanë ngjitur atë në majat më të larta të skenës europiane dhe botërore, duke nderuar veten dhe vendin e tij”./ KultPlus.com

Eno Peçi sonte me performancë në “Javët e Kulturës Shqiptare” në Vjenë

Në kuadër të Javës të Kulturës Shqiptare në Austri, sonte në Vjenë mbahet njëri ndër projektet më të veçanta.

Bëhet fjalë për balerinin e njohur ndërkombëtarisht Eno Peçi, i cili do të dhurojë një performancë baleti të quajtur “Balet në pikturë” së bashku me partneren e tij austriake Mila Schmid nën tingujt e muzikës shqipe nga grupi Za ft. Sibling.

Bëhet e ditur se këta të fundit janë të njohur në Vjenë për artin e tyre të performancave të muzikës së vjetër shqipe, dhe gjithashtu e veçanta tjetër e tyre është se i gjithë grupi përbëhet nga anëtarë të familjes (dy motra dhe vëllai).

Kjo mbrëmje, e cila fillon nga ora 19:30 në Quellenstrasse të Vjenës, pritët të vizitohet edhe nga shumë austriakë, për shkak të emrit të madh që ka arritur ta krijojë Eno Peçi.
Vendi: Quellenstrasse 149, 1100 Wien Ora: 19:30. / KultPlus.com

Eno Peçi zbret në skenën shqiptare me premierën “Exil-Deja vu” (VIDEO)

Virtuozi, solisti i parë i Operas së Vjenës, vjen për herë të parë në Shqipëri me një krijim të tijin si koreograf, shkruan KultPlus.

Eno Peçi nuk është vetëm ambasadori më i mirë i vendit të tij në botë, por dhe virtuozi që koreografon duke ndarë me pasion të madh krijimtarinë e tij me balerinet e TKOB.

Premiera e kësaj shfaqje është më 25 nëntor, kurse repriza do të jetë edhe më 26 nëntor, në sallën e Universitetit të Arteve. Për këtë shfaqje tashmë kanë filluar të shiten biletat./KultPlus.com


Inva Mula me koncert në Vjenë, përfshihen edhe shumë artistë të famshëm shqiptarë

“Vienna Salutes To Tirana”, është koncerti që do të mbahet në Vjenë të Austrisë, shkruan KultPlus.

Artistja kryesore që do ti paraprijë këtij koncerti është Inva Mula, koncert i cili do të ngërthejë edhe shumë artistë të rëndësishëm shqiptarë si: Genc Tukici, Eno Peci, Olen Cezari e Gëzim Myshketa.

Koncerti do të mbahet në shenjë të marrdhënies diplomatike mes Shqipërisë dhe Austrisë, dhe kjo ngjarje artistike është mbështetë nga Ambasada e Shqipërisë në Vjenë dhe Ambasada e Austrisë në Tiranë.
Koncerti do të mbahet sonte, në Konzerthaus të Vjenës, në Mozart- Saal, me fillim në ora 19:30./KultPlus.com

Inva Mula me koncert në Vjenë, përfshihen edhe shumë artistë të famshëm shqiptarë

“Vienna Salutes To Tirana”, është koncerti që do të mbahet në Vjenë të Austrisë, shkruan KultPlus.

Artistja kryesore që do ti paraprijë këtij koncerti është Inva Mula, koncert i cili do të ngërthejë edhe shumë artistë të rëndësishëm shqiptarë si: Genc Tukici, Eno Peci, Olen Cezari e Gëzim Myshketa.

Koncerti do të mbahet në shenjë të marrdhënies diplomatike mes Shqipërisë dhe Austrisë, dhe kjo ngjarje artistike është mbështetë nga Ambasada e Shqipërisë në Vjenë dhe Ambasada e Austrisë në Tiranë.
Koncerti do të mbahet më 16 nëntor, në Konzerthaus të Vjenës, në Mozart- Saal, me fillim në ora 19:30./KultPlus.com