Këshilltari Julien Ezanno shpreh gatishmërinë e plotë për të mbështetur zhvillimin e kinematografisë kosovare

Julien Ezanno – Këshilltar i Çështjeve Bilaterale në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë të Francës, përfundoi vizitën speciale në Kosovë në cilësinë e ekspertit të jashtëm të kinematografisë, për procesin e hartimit të koncept-dokumentit të kulturës.

Takimin e parë ai e realizoi me Ministrin Çeku dhe zyrtarët e Ambasadës së Francës në Kosovë ku u diskutua edhe rreth bashkëpunimit Kosovë-Francë që do të konkretizohet së shpejti në fushën e kinematografisë, përmes marrëveshjes për bashkëprodhim filmik mes film bërësve të Kosovës dhe Francës.

Ezanno në kuadër të kësaj vizite ishte edhe në Qendrën Kinematografike të Kosovës dhe Kosova film. Gjithashtu mbajti një punëtori një ditore me akterë të ndryshëm institucional, të pavarur dhe edukativ të kinematografisë kosovare dhe një punëtori tjetër me akterët e festivaleve të filmit dhe kinemave të Kosovës.

Ai shprehi gatishmërinë e plotë për të mbështetur zhvillimin e kinematografisë Kosovare përmes bashkëpunimit Kosovë-Francë në nivel të legjislacionit dhe bashkëprodhimit. / KultPlus.com

Franca dhe Kosova synojnë të arrijnë marrëveshje për bashkëprodhim të filmave

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, është shprehur shumë i lumtur pas pjesëmarrjes në javën e Filmit Frankofon, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Çeku ka bërë të ditur se Kosova dhe Franca synojnë të nënshkruajnë një marrëveshje që do të përfshinte bashkëprodhimin e filmave mes kineastëve të Kosovës e Francës.

Në panel ishin të pranishëm Ambasadorja e Francës, Marie-Christine Butel, Pascal Brunet, Drejtor i Relais Culture Europe, Julien Ezanno nga Qendra Kinematografike e Francës dhe Lum Çitaku nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Kjo konferencë vjen pas nënshkrimit të deklaratës së përbashkët më 16 nëntor për të avancuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Francës në fushat e kulturës, arsimit dhe diplomacisë publike. /KultPlus.com

May be an image of 4 people and indoor