Donika Gërvalla publikon një thënie të urtë të babait të saj, pas anulimit të mbledhjes së dy qeverive

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, pas anulimit të mbledhjes së dy qeverive ka reaguar me një thënie të babait të saj, Jusuf Gërvallës.

Ajo citoi thënien e Gërvallës duke thënë se “rruga e nderës asht ma e zorshmja, po ma e mira dhe vetmja rrugë e vërtetë për njeriun. Dhe, kush u mundue për nder, nder ka gjetë”.

Mbledhja mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë është anuluar dje nga Edi Rama, vendim këtë të cilin e bëri të ditur përmes një konference për shtyp.

Sipas zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziut, anulimi i kësaj mbledhjeje u bë njëanshëm, dhe se i njëjti kishte në plan të sjellte një mori marrëveshjesh në të mirë të qytetarëve të të dy shteteve.

“Mbledhjet e përbashkëta janë ndërmarrje të madhe organizative, të cilave u paraprinë një punë e madhe e ministrive për të përgatitur atë ditë. Nesër do të duhej të nënshkrueshin 13 marrëveshje të reja. Ato kishin synim t’i afronin ekonomitë tona, sistemet tona të drejtësisë, arsimit, kulturës, etj. Nuk do të ishte hera parë që do të takoheshim brenda ditës. Por është hera parë që një mbledhje e përbashkët anulohet në mënyrë të njëashme”, tha Kryeziu. /KultPlus.com

Fillon kalendari i Javës Kulturore në Portugali

Ministri i Kulturës Hajrulla Çeku dhe Ministrja e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, të shoqëruar nga delegacioni i MKRS dhe MPJ, mbrëmë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Lisbon të Portugalisë, ishin pjesë e aktiviteteve hapëse të Javës Kulturore të Kosovës.

11 vepra të reja iu shtuan ekspozitës së ambasadës teksa këndi i bibliotekës u hap dhe u mbush me tituj kosovarë. Gjatë bisedës me pjesëtarë të diasporës, ministri Çeku rikonfirmoi përkrahjen e shtetit për mbështetje të artit dhe artistëve, duke krijuar mundësi të reja të promovimit të tyre edhe jasht kufijve./ KultPlus.com

Konferenca e Sigurisë, Kurti: Zhvilluam 17 takime bilaterale me liderë e përfaqësues nga Evropa e bota

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren Donika Gërvalla, kanë marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku edhe kanë zhvilluar disa takime, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, Kurti njofton qytetarët për gjitha takimet që ka zhvilluar dhe gjithashtu çfarë është diskutuar.

“Për marrëdhëniet bilaterale dhe fushat e bashkëpunimit biseduam me kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas, me kryeministrin e Bullgarisë, Kiri Petkov, dhe me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimistar Kovaçevsik”, shkroi i pari i shtetit.

Në anën tjetër, Kurti njofton se së bashku me presidenten Vjosa Osmani, kanë takuar kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, ku theksuan rëndësinë e njohjes së shtetit të Kosovës nga Greqia, si hap i radhës i natyrshëm drejt thellimit të mëtutjeshëm të raporteve mes dy shteteve. Në takime të ndara me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajčák u diskutua për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Konferenca e Sigurisë është një takim vjetor për politikën ndërkombëtare. /KultPlus.com

Kurti në takim me presidentin e Kryqit të Kuq: Personat e zhdukur me forcë mbeten plagë e hapur e Kosovës që nga viti 1999

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po vazhdon takimet në Konferencën e Sigurisë, e cila po mbahet në Mynih të Gjermanisë, shkruan KultPlus.

Në një takim me Presidentin e Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, Peter Maurer, Kurti hapi temën e të pagjeturve të Kosovës në luftën e fundit.

“Personat e zhdukur me forcë mbeten plagë e hapur e Kosovës që nga viti 1999. 1617 persona ende konsiderohen të zhdukur. Progresi në këtë fushë është i një rëndësie të madhe për të gjitha familjet e pikëlluara”, shkroi Kurti në “Twitter”.

I pari i ekzekutivit, diskutoi së bashku me presidentin Maurer, mënyrat se si KNKK mund të ndihmojë me përvojë dhe ekspertizë.

Kurti në këtë konferencë është shoqëruar nga Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla. /KultPlus.com

Kurti për vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën: Kujtimi për këta heronj është i pashlyeshëm

Në 40 vjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, vizitoi kullën e familjes Gërvalla në Dubovik.

Aty u pritën nga Suzana Gërvalla, bashkëshortja e Jusuf Gërvallës dhe Donika Gërvalla, e bija e tij, si dhe familjarë e miq të veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare.

Nga aty, Kryeministri Kurti, Presidentja Osmani dhe Zëvendëskryeministrja Gërvalla, bën homazhe dhe vendosen kurorë me lule, te varrezat e Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës.

“Ne erdhëm sot në Dubovik, në 40 vjetorin e vrasjes së trefishtë në Shtutgart, më 17 janar 1982, kur u vranë Kadri Zeka e Jusuf e Bardhosh Gërvalla, që të vizitojmë kullën e lindjes, jetës dhe rritjes së tyre, por edhe varrin ku prehen ata, për të treguar kujtimin e pashlyeshëm dhe nderimin e pafund që kemi për këta heronj, të cilët na e dëshmojnë një luftë edhe para luftës çlirimtare. Meqenëse në vitet e ‘80-ta shqiptarët jo vetëm që persekutoheshin e burgoseshin, por edhe vriteshin nga regjimi i atëhershëm okupator, për shkak se dëshironin liri, republikë, demokraci e përparim”, tha kryeministri.

Tutje Kurti deklaroi se ata do të bashkëpunojnë edhe me shtetet e tjera, veçanarisht me Republikën Federale të Gjermanisë për të zbardhur të vërtetën.

“Si institucione të Republikës, si Qeveri e Kosovës, ne do të bashkëpunojmë me shtetet e tjera, në veçanti me Republikën Federale të Gjermanisë, në mënyrë që të marrim vesh sa më shumë e që të zbardhet e vërteta edhe sa i përket edhe urdhërdhënësve edhe ekzekutorëve, bindjet dhe orientimi dhe qendra e të cilëve natyrisht se dihet, mirëpo emrat e përveçëm të atyre natyrisht se duhet të ndriçohen dhe asisoj të mundësohet drejtësia e ndëshkimi, tha ai.

Kurti theksoi se jemi të vetëdijshëm për kufizimet që kemi, që pas kaq shumë kohësh të arrijmë përnjëherë të zbardhim gjithë ato vrasje, meqenëse janë të shumta, ndërkohë që edhe regjimet, të cilët kanë marrë pjesë në ato vrasje, nuk është se kanë vdekur përfundimisht e në plotni.

Në nderim të tre veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare, i pari i ekzekutivit, sot, në 40 – vjetorin e vrasjes së tyre, organizon Akademi Përkujtimore në Prishtinë. /KultPlus.com