Kozmonauti rus thyen rekord, kaloi mbi 878 ditë në hapësirë

Kozmonauti rus Oleg Kononenko vendosi të dielën një rekord botëror për kohën totale të kaluar në hapësirë, duke tejkaluar bashkatdhetarin e tij Gennady Padalka i cili kaloi më shumë se 878 ditë në orbitë, tha korporata hapësinore e Rusisë.

Kononenko pritet të arrijë gjithsej 1000 ditë në hapësirë më 5 qershor dhe deri në fund të shtatorit do të ketë 1110 ditë.

“Unë fluturoj në hapësirë për të bërë gjënë time të preferuar, jo për të vendosur rekorde” ,tha Kononenko për TASS në një intervistë nga Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës (ISS)

“Jam krenar për të gjitha arritjet e mia, por jam më shumë krenar që rekordin për kohëzgjatjen totale të qëndrimit njerëzor në hapësirë e mban ende një kozmonaut rus”.

59-vjeçari mori vendin e parë nga Padalka, i cili grumbulloi gjithsej 878 ditë, 11 orë, 29 minuta dhe 48 sekonda.

Bashkimi Sovjetik e trembi Perëndimin në vitet e para të garës hapësinore duke qenë i pari që nisi një satelit në orbitën e Tokës – Sputnik 1, në 1957 – dhe më pas kozmonauti sovjetik Yuri Gagarin u bë njeriu i parë që udhëtoi në hapësirë në 1961, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.

Por pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, programi hapësinor i Rusisë u përball me mungesa masive fondesh dhe korrupsion.

Zyrtarët nën presidentin Vladimir Putin janë zotuar në mënyrë të përsëritur se do ta kthejnë rënien e programeve hapësinore të Rusisë, megjithëse probleme serioze mbeten ende, sipas zyrtarëve dhe analistëve të hapësirës, transmeton Klankosova.tv./KultPlus.com

Homazhe për prof. Kalo në Akademinë e Shkencave

Homazhet për mjekun Isuf Kalo, i ndarë nga jeta pak ditë më parë, u mbajtën sot në mjediset e Akademisë së Shkencave.

Mes shumë bashkëpunëtorëve, miqve e personaliteteve që i dhanë sot lamtumirën e fundit, ishte edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, deputetë të Kuvendit, anëtarë të Akademisë së Shekncave si dhe personalitete të fushave  të ndryshme.

Ndërkohë Bashkia Tepelenë nëpërmjet rrjeteve sociale bëri të ditur se, ditën e shtunë, në Pallatin e Kulturës, “Mustafa Matohiti”, do të zhvillohen homazhet për të përcjellë në banesën e fundit “Qyetarin e Nderit”, të Tepelenës prof. Isuf Kalo. Ceremonia mortore do të zhvillohet në fshatin e tij të lindjes, Luzat.

Isuf Kalo lindi në vitin 1942 në Tepelenë. Studimet i përfundoi në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës në vitin 1964.

Prof. Kalo u specializua në disa vende evropiane për diabetologji dhe endokrinologji. Ai është një nga pionierët e këtij domeni në Shqipëri.

Për disa vite ka qenë kryetar i endokrinologjisë dhe sëmundjeve metabolike në Fakultetin e Mjekësisë dhe në Spitalin Universitar të Tiranës.

Profesor Kalo autor i disa librave mjekësor e jo vetëm, mbylli sytë përgjithmonë në moshën 80 vjeçare më 20 janar 2023, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë./atsh/ KultPlus.com

Në tentimin e shtatë, kalon në parim Projektligji për rimëkëmbjen ekonomike

Kuvendi i Kosovës më në fund i ka thënë po projektligjit për rimëkëmbjen ekonomike. Në tentimin e shtatë, votuan 64 deputetë pro për ta kaluar në parim këtë projektligj.

Kundër projektligjit kishin dalë partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Ndër pikat më të diskutuara në kuadër të këtij projektligji ka qenë ajo që ua mundëson qytetarëve të tërheqin dhjetë për qind të mjeteve nga fondi pensional.

Votimit i parapriu një debat mes kryeparlamentares Vjosa Osmani dhe shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, me kryeparlamentaren që u ankua se s’është kontaktuar fare nga Qeveria për projektligjin. Ajo konfirmoi votën pro teksa po ashtu kërkoi nga pushtetarët që në mes të dy leximeve të merren parasysh edhe vërejtjet e opozitës.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka kërkuar që sot të thirret edhe seanca për votim të dytë. Por, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani ka thënë se i dini procedurat dhe se kjo është seancë e jashtëzakonshme dhe nuk mund as të shtohen pika tjera. / Koha.net/ KultPlus.com