Vdes ikona e gazetarisë kosovare, Shaban Arifaj

Lorik Arifaj, gazetar i Radio Televizionit të Kosovës ka njoftuar se sot në moshën 69 vjeçare ka vdekur babai i tij, Shaban Arifaj, i cili për vite me radhë ka qenë ikona e televizionit kosovar.

“Te dashur miq,

Me dhimbje te thelle, ju njoftojme se sot ne moshen 69 vjecare ka nderruar jete baba jone Shaban Arifaj. Per detajet rreth varrimit ju njoftojme nderkohe, pasi qe trupi ndodhet ne Shkup.Ju jemi mirenjohes per mesazhet mbeshtetese qe na keni dhene gjate gjithe kohes.Ne u munduam ne maksimum, por Zoti e deshi kete engjull prane.Do te te duam baba jone deri sa te kemi fryme. PUSHO NË PAQE”, ka shkruar Lorik Arifaj.

Shaban Arifaj kishte lindur më 6 maj, 1952, në Istog ku kishte kryer shkollimin fillor dhe të mesëm.

Kishte studiuar gjuhën dhe letërsinë shqipe në Fakultetin Filologjik të UP-së. Kishte mbaruar edhe studimet e larta për gazetari si dhe studimet post-universitare nga lëmi i komunikimeve masive dhe kishte fituar titullin Master (Msc) i shkencave në komunikimin masiv dhe gazetari.

Në vitin 1974, Shaban Arifaj nis punën në Radiotelevizionin e Prishtinës si spiker, gazetar dhe redaktor. Pas mbylljes së RTP-së nga regjimi serb, ai shkruan për gazetat dhe revistat që botoheshin në Prishtinë si “Shkëndija”, “Kosovarja”, “Fjala”, “Dielli” etj. Ndërkohë, ai filloi të raportojë për Radio Zagrebin nga Prishtina dhe Brukseli ku kishte hapur radio stacionin “Radio Kosova” ku kryente punën e kryeredaktorit duke raportuar njekohësisht për ngjarjet kryesore nga Brukseli. Ai ka punuar edhe si korrespondent i radios “Zëri i Kosovës” në Kopenhanger Kanalen (Danimarkë) dhe për radion publike të Suedisë. Shaban Arifaj ka raportuar për ngjarje të ndryshme nga Viena, Uashingtoni, Montreali, Otava, Brukseli etj. ndërkaq nga viti 1992-1997, ishte redaktor përgjegjës në Radiotelevizionin shqiptar (RTSH), redaksia e Kosovës.

Nga viti 1999, ai kishte punuar si redaktor dhe redaktor përgjegjës për 10 vjet rresht në Radiotelevizionin e Kosovës (RTK). Krahas punës në RTK dhe RTSH, ai kishte ndjekur edhe një varg seminaresh për ngritje të vazhdueshme profesionale si në Virginia të SHBA-ve, Montreal të Kanadasë, Selanik të Greqisë etj. Në Institutin e Medies së Kosovës, kishte përfunduar trajnimin duke e marrë titullin e trajnerit të gazetarisë.

Krahas gazetarisë, ku kishte realizuar raporte, kronika, intervista etj., ai kishte shkruar edhe tekste të ndryshme publicistike, pastaj tregime, drama, romane siç janë “Eklipsi në mesditë”, “Dialogu me fqinjin”, “Harmonia në temperaturën minimale”, “Katraligu”, “Kosova në udhëkryqet ballkanike”, dhe librin shkencor “Gjuha, zëri dhe figura në radiotelevizion”. / KultPlus.com

Djaloshi 12 vjeçar detyron shkollën në Suedi të përfshijë Kosovën në librat shkollorë

Nxënësi shqiptar, Dielli, një djalë 12 vjeçar me prejardhje nga Kosova, ka vërejtur se në librat e tij shkollor mungon Kosova. Ai e ngriti zërin për këtë çështje, gjë kjo që detyroi shkollën të ndryshojë librat duke e përfshirë edhe Kosovën në to.

Këtë e bëri të ditur nëna e Diellit, Aurora Pirraku Eriksson e cila është politikane shqiptare e angazhuar në radhët e Partisë Socialdemokrate për Besim dhe Solidaritet (Soialdemokrater för tro oh solidaritet), në qytetin Västerås të Qarkut Västmanland në Suedi.

“Krenare si nënë dhe si shtetase e Kosovës që djali im Dielli 12 vjeç vuri në dukje faktin se në librat e shkollës Kristiansborgsskolan Västerås të Suedis, nuk ishte Kosova. Ai ngriti zërin dhe sot kjo shkollë i ndryshoj librat. Një shkrepse i vë zjarrin pyllit dhe një çelës i vogël hap dyer te medha”, ka shkruar Aurora. / KultPlus.com

111 vjet nga themelimi i gazetës “Dielli”, editori i parë i saj ishte Fan Noli

Sot është ditëlindja e 111-të e gazetës “Dielli”, të vetmes gazetë që vjen nga koha e Rilindjes Kombëtare, dhe që ende botohet në print SHBA, dhe e përditshme online e rrjetet sociale.

Me 15 Shkurt 1909, 36 ditë pas mbylljes së Gazetës”Kombi”, e cila pushoi së botuari me 10 Janar 1909, nisi të ndriçoi Dielli i  shqiptarëve të Amerikës. Gazeta “Dielli” ishte gazetë e Shoqatës Kombëtare  Besën-Besën, e themeluar me 6 Janar 1907, Shoqatë që drejtohej nga Fan S. Noli-Kryetar, Goni Katundi-nënkryetar, Angelo Stefanson(Katundi)- arkëtar , Nini Fani Katundi- sekretar, ndërsa:John Gjoka,  Mihal Panajot Katundi, Lazo Kozma, Nisi Kozma dhe Lambi Josif, përbënin Komisionin e pleqësisë. Shumë prej bordit drejtues ishin me origjinë nga Katundi. Menaxher i Diellit ishte George Konda Gjoleka (Gjergj Konda).

Editor i parë i Diellit ishte Fan S. Noli (edhe pse emri i tij si editor nuk u shkrua ne faqet e gazetes derisa DIELLI u bë prone e Federatës VATRA)- është se Faik Konica, u lakua për tu emëruar drejtor i Diellit shumë kohë më pas se sa Dielli nisi botimin. Kjo ndodhi në mbledhjen e Shoqatës Besa-Besë të datës 14 Mars 1909, pra një muaj pasi kishte nisë botimi i Dielli, ai mberriti 8 muaj me vone; numri i parë i gazetes i edituar prej tij do të dilte me 22 tetor 1909, pra 8 muaj gazeta doli me Fan S Nolin. Emri i Faik Konicës u publikua në Diellin me numër rendor 30, dhe i takon 22 tetorit 1909. Numerikisht 29 numrat e parë i drejtoi Fan S. Noli. /KultPlus.com

NASA regjistron për herë të parë “frymëmarrjen” e Diellit

Duket si muzikë në sfond në një film fantastiko-shkencor.

Është ”frymëmarrja” e Diellit, e kapur për herë të parë nga sonda ”Parker” e NASA-s, e cila regjistroi tingullin e erës diellore, të ngarkuara kryesisht me grimca protonesh dhe elektronesh, ”të dëbuara” nga Dielli me shpejtësi supersonike.

Valët e plazmës, të bëra nga grimca të ngarkuara elektrike, lëvizin nga një frekuencë në tjetrën duke lëvizur në erën diellore si një shfletues mbi valët.

“Këto ndërrime krijojnë zhurma më intensive më afër Diellit sesa Tokës”, vërejnë ekspertët e NASA-s.

Era diellore lëshohet nga rajoni sipërfaqësor i Diellit, kurora, dhe është e aftë të ndikojë në jetën në Tokë dhe në hapësirë.

Astronomët e kanë studiuar atë për më shumë se 60 vjet, por ende janë të befasuar nga disa prej sjelljeve të saj.

Dielli të jep përshtypjen se në br endësi të tij ka një motor të brendshëm që e ngroh. /KultPlus.com

Teleskopi kap pamje të rralla të Diellit

Pamjet e një teleskopi të fuqishëm në Hawaii, kanë shfaqur detaje të rralla të sipërfaqes së Diellit.

Dielli është kapur nga teleskopi i vendosur në malin vullkanik Maui, tre mijë metra në lartësi mbidetare.

Image

Detajet e reja ofrojnë më shumë të dhëna për Diellin dhe ndikimin që ka në Tokë.

Në një pamje të turbullt mund të vërehet gazi që mbulon pjesën më të madhe të diellit, që është 93 milionë milje larg Tokës, transmeton KTV.

Brenda strukturave të ngjashme si qeliza, që kanë madhësinë e shtetit të Teksasit, mund të shihen plasmat e nxehta që ftohen dhe fundosen në sipërfaqen e errët të diellit.

Shpërthimet magnetike që ndodhin në diell mund t’i pengojnë satelitët, bllokojnë GPS-ët dhe mund të ndikojnë në rrugëtimin e ajrit nëpër tokë.