Violinisti Arsim Gashi e pianisti Andi Duraku, dy artistët e rinj që u prezantuan në Festivalin DAM

Në Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës DAM, që tashmë po shënon edicionin e 18-të, në mbrëmjen e dytë ka sjell dy instrumentistë të rinj, të cilët kanë treguar zotësinë e tyre në dy instrumente, njëri në violinë e tjetri në piano, shkruan KultPlus.

Audienca e pranishme në Bibliotekën Universitare ka shijuar programin e këtij koncerti me veprat: Edvard Grieg, Eugène Ysaÿe dhe Camille Saint-Sawns, të cilët kanë pas rast të shijojnë edhe paraqitjen e Okrestrës së Harqeve, të cilët ishin pjesë e kësaj mbrëmje.

Ky festival do të zgjasë deri më 9 shtator, kurse edhe në mbrëmjen e sotme do të ketë mbrëmje artistike, që do të paraqiten artistë të përfshirë në kuadër të edicionit të 18-të./ KultPlus.com

Kaltrina Miftari dhe Lirika Pula sollën mrekullinë e ndërlidhjes së muzikës instrumentale me atë vokale në ‘DAM Fest’

Era Berisha

Një ndjenjë paqësore e krejtësisht mbizotëruese e cila erdhi në një formë komplekse u pasua pikërisht nga ngjyrimet e guximshme të zërit të veçantë së sopranos Kaltrina Miftari, në një ndërlidhje unike me instrumentin e klaviçembalit nën interpretimin e Lirika Pulës, me ç’rast sot atmosfera në DAM Festival vallëzoi mes melodive të qeta por plot pasion e të cilat u shoqëruan me elemente diversive që gjatë tërë kohës përçonin një ndjenjë drame e tensioni, shkruan KultPlus.

Nata e katërt e Festivalit Dam në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinsë dhe Sportit ka mbledhur rreth vetes një numër të konsiderueshëm të artdashësve të muzikës klasike. Sot, skena që tashmë është e njohur për publikun, u shfaq po njëlloj por e njëjta çdo herë vë në pah lojën mjeshtërore të instrumentistëve e edhe lëvizjet e ndryshme të performuesve. Pesë drita të ngrohta të vendosura lart mbi kokën e skenës, katër reflektorë me ngjyrë të kaltër si dhe perdet e zeza e të lëshuara deri në platformë, ishin elementet kyçe që përcollën magjinë muzikore prej fillimit deri në fund.

Ndërsa, duartrokitjet e të pranishmëve që mirëpritën interpretueset në skenë dhe qetësia pasuese, ishin shenjat e fundit që nisën këtë mbrëmje të mbushur deri në kupë me stilin barok.

Hijeshia e sopranos Kaltrina Miftari dhe eleganca e instrumentistes Lirika Pula, u dallua që në momentin kur ato shkelën skenën me prezencën e tyre për të thumbuar kështu jo vetëm me dukjen e tyre delikate por edhe me gërshetimin e interpretimit të tyre. Atmosfera e ngrohtë brenda sallës u gjallërua butësisht me veprat e kompozitorëve të njohur botërorë si: John Dowland, Thomas Campion, Geroge Frederic Handel, Antonio Cesti, Jean-Philippe Rameau dhe Henry Purcell, duke sjell kështu melodi e tinguj të cilat burimin e kishin të zhytur në një fuqi të jashtëzakonshme.

Në ndërkohë, ishin veprat si: “E pur cosi in un giorno… Piangero la sorte mia” dhe “Thy hand Belinda … When I’m laid”, të cilat magjepsën të pranishmit me ndjeshmërinë e tingujve plot lezet, delikatesën e melodive të lehta klasike si dhe bukurinë e të interpretuarit të pakrahasueshëm, duke depërtuar kështu deri në misterin e fshehur brenda qenies njerëzore e çelur atë ndjenjën e mbyllur me çelës.

Pastaj veprat solo të instrumentistes Lirika Pula, si: “Sarabanda nga suita në d-mol HWV 437” dhe “Les Sauvages”, e dërguan publikun brenda portës pianistike, aty ku dominonin lëvizjet e luhatjet e vogla të tërë trupit, dinamika e shtypjes së tasteve si dhe meloditë e tingujt që ndryshonin varësisht vijës melodike që herë vendosej mbi një urtësi e herë tjera derdhej në një përdëllim të pamëshirshëm pa ndalesë.

Përgjatë pothuajse një ore, veprat si: “If my complains could passions move”, “Fine knacks for ladies”, “My love hath vowed”, “Never weather beating sail”, “Intorno all’idol moi”, “If music be the Food of Love”, dhe “Music for a while”, ishin ato të cilat po shënonin kryevepër pas kryevepre për të dëshmuar se një ndërlidhje e muzikës instrumentale dhe asaj vokale, krijon një natë madhështore e krejtësisht të shkëlqyer porsi një diamant, shkëlqimi i së cilës kaplon vëmendjen e dëshirën e çdo kujt.

E këtë e dëshmoi edhe publiku i cili me duartrokitjet e shumta dhe buqetat me lule, solli edhe një herë në skenë të dy këto interpretuese të mrekullueshme.

Ndërsa, për të treguar më shumë rreth koncertit dhe emocioneve pas tij, për KultPlus foli pianistja Lirika Pula.

“Mbrëmja e sotme ishte rezultati i një pune intenzive së bashku me Kaltrinën, një knaqësi e madhe të luash në klaviçembalo e të interpretosh vepra të një repertori të tillë, të zgjedhura mjeshtërisht nga Kaltrina”, thotë Pula.

Sipas saj, klaviçembalo si instrument është pak më i veçantë dhe pianistët e Kosovës nuk e kanë pasur fatin të njohin e të punojnë me të deri në vitet e fundit, andaj edhe koncerti është konsideruar si një eksperiencë unike. 

“Përshtypjet ishin nga më të mirat si nga ana jonë e poashtu edhe nga ana e publikut, të cilit iu dhurua një program më ndryshe nga e zakonshmja. Ishte një program i këndshëm me vepra kryesisht nga epoka baroke dhe renesanse, përcjelljet e të cilave zakonisht luhen në piano, ndërkaq për këtë koncert janë përshtatur për klaviçembalo”, përfundon Pula.

Po ashtu, sopranoja Kaltrina Miftari për koncertin i cili ishte i paraparë të mbahet në muajin shtator por për çka është dëshiruar prezenca e publikut, tregoi përshtypjet e saj për KultPlus.

“Me pianisten Lirika Kasapolli, kemi një bashkëpunim shumë të mirë tash e disa vjet. Koncerti ishte tërësisht me vepra të kohës së renesancea; barok. Mendoj se përcjellja me çembalo e ka bërë edhe më të veçantë dhe autentik”, thotë Miftari.

Sipas saj, për koncerte të tilla ata mundohen që sa ma shpesh të sjellin tek publiku i Prishtinës, bashkë me kontratenorin Safet Berisha, i cili është konsideruar i profilizuar në këtë stil shume të ndjeshëm dhe të veçantë. 

“Muzika dhe arti në përgjithësi ka nevojë të shfaqet dhe të vlerësohet. Mendoj se edhe publiku është pjesë integrale e koncertit”, përfundon Miftari.

Ndërkaq, ‘DAM Fest’ do të zgjasë deri më 26 nëntor ku publiku do të ketë mundësi të shijojë e përjetojë koncerte të artistëve të shkëlqyer nga vendi dhe Ballkani. / KultPlus.com

Zanë Abazi dhe Melos Buza sjellin magjinë e sonatave për flaut dhe piano në ‘Dam Fest’

Zanë Abazi dhe Melos Buza sollën magjinë e tingujve të sonatave për flaut dhe piano në natën e dytë të festivalit ‘DAM’ që po mbahet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, transmeton KultPlus.

Koncerti filloi me sonatat e kompozitorit francez, Francis Poulec ‘Allegretto malinconico’ , ‘Cantilena : Assez lent’ dhe ‘Presto giocoso’, të shoqëruara në vetëm dy instrumente, flautën dhe pianon.

Të pozicionuar në mes të sallës dyshja Abazi dhe Buza sollën melankolinë e vetë muzikës klasike përmes flautës dhe pianos.

Në programin e kësaj nate ishin edhe veprat e kompozitorëve të tjerë të njohur si Kazuo Fukushima dhe Sergei Prokofiez, e ndërkaq veçantia e kësaj mbrëmje ishte interpretimi i këngës ‘TAH-They are here’ e kompoziorit shqiptar Bardh Dubovci e që është fituesi i ‘çmimit të publikut’ në garën e 2-të të Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë 2021.

E për të shpjeguar programin e këtij recitali, për KultPlus ka folur flautistja, Zanë Abazi, e cila fillimisht falënderon organizatorët që ia mundësuan të jenë pjesë e këtij festivali, të cilin ajo e përshkruan si një kënaqësi të paparashikuesme.

 “Une i kam marrë dy sonata të cilat nuk janë muzikë kontemporane por janë të shkruajtura në shekullin 20-të dhe i kam marrë dy vepra që janë shkruajtur në vitin 1956 ‘Mei’ nga Fukushima dhe e cila është e tëra e shkruajtur në stilin kontemporan  si dhe vepra e fundit në të cilën kam lujtur është vepra e fituesit në garën e 2-të të Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë, Bardh Dubovci e cila poashtu është e shkruajtur në stilin kontemporane.”- thotë Abazi  për programin që ata prezantuan në këtë mbrëmje.

Ndërkaq, ‘DAM Fest’ do të zgjasë deri më 26 nëntor ku publiku do të ketë mundësi të shijojë koncerte të artistëve nga vendi dhe Ballkani./KultPlus.com

Nata e parë e ‘DAM Fest’ sjell interpretimin klasik të veprave të njohura shqiptare

Flonja Haxhaj

Të mërkurën mbrëma, Salla e Kuqe e Pallatit të Rinisë në Prishtinë ishte e rezervuar për koncertin e sopranos, Zana Abazi – Ramadani dhe orkestrës kamerale ‘New Born’, të drejtuar nga dirigjenti Edon Ramadani që shënoi fillimin e edicionit të 16 të festivalit ‘DAM Fest’, shkruan KultPlus.

Në natën e parë të festivalit ndërkombëtar ‘DAM Fest’ , artistët sollën interpretimin klasik të veprave të njohura shqiptare.

Fikja e dritave në sallë, shënoi edhe fillimin e koncertit ku u soll në versionin e muzikës klasike kënga ‘Asaman’ e më pas ajo ‘O moj bukuroshe’. Interpretimi i këtyre këngëve nga sopranoja Zana Abazi – Ramadani përcolli një atmosferë të veçantë në sallë e që vazhdoi deri në fund të koncertit.

Sopranoja Abazi – Ramadani solli më pas një interpretim të pashoq të këngës ‘Mallëngjimi’ të autorit Rashid Krasniqi e që ngriti publikun në këmbë, e pas përfundimit duart u shoqërua me duartrokitje të panumërta.

Në programin e natës së parë të festivalit ‘DAM’ ishin edhe këngët si ‘E kujtoj atë takim’ e autores Panvera Badivuku, ‘Baresha’ e Rexho Mulliqit, ‘Vetë ke mbet’’ nga Gjergj Kaçinari, ‘O luce di quest’ e Gaetano Donizetti, ‘Adagio’ e kompozitorit spanjoll Joaquin Rodrigo, ‘Valsi i Lumturisë’ e kompozitorit Avni Mula, ‘Lamtumirë’ nga Muharrem Qena. Koncerti u përmbyll me këngën ‘Unë biri yt Kosovë’ e që në interpretimin e sopranos Abazi-Ramadani, solli emocion të madh në publik.

Organizatorja e këtij festivali, Rreze Kryeziu, ka folur për KultPlus për edicionin e sivjetmë të ‘DAM Fest’  i cili është shtyrë disa herë që nga muaji mars për shkak të masave anti-COVID. Ajo tregon se festivali ka dillua me ansamblin ‘Neë Born’ pasi vetë edicioni i 16 i këtij festivali u planifikua të jetë i tillë.

“Fokusi jonë për ediiconin  e 16-të është literatura ballkanike dhe jo vetëm, janë vetëkrijuesit, krijuesit  e rinj dhe performuesit e rinj nga bakllkani. Krahas promovimit, ne dëshirojmë që t’i arijmë shkëmbimet kulturore në rajon fillimisht. Çka na ka shtyrë që programi të jetë si i tillë është edhe vetë pandemia dhe vetë kjo situatë në të cilën edhe lëvizja është më lehtë e garantueshme e artistëve nëse ata vijnë nga rajoni.” – thotë më tutje Kryeziu duke folur për edicionin e 16 të këtij festivali.

Ndërkaq pas përfundimit të kësaj mbrëmje foli edhe sopranoja Zana Abazi – Ramadani, e cila foli më shumë reth përzgjedhjes së vprave që u interpretuan në natën hapëse të ‘DAM Fest’.

“Këto vepra erdhën sepse kemi mungesë shumë të veprave shqiptare që janë të njohura dhe mundohemi që sa më shumë që këto vepra t’i plasojmë edhe jashta vendit. Dua ta përgëzoj edhe Edon Ramadanin sepse ky ishte kryesori ai që i orkestori dhe aranzhoi të gjitha këto vepra shqiptare për këtë formacion të orkestrës’- tha Abazi – Ramadani për KultPlus.

Për përzgjedhjen e këngëve që u prezantuan në natën  e parë të festivait ‘DAM’ ka folur për KultPlus edhe dirigjenti Edon Ramadani i cili thotë se janë duke punuar që ta pasurojnë më shumë literaturën me orkestrime për muzikën klasike.

“Ne këngë dhe vepra kemi shumë, por nuk kemi shumë të aranzhuara dhe të lëna të shkruara që pastaj t’i interpretojmë, por po mundohemi që pak nga pak ta pasurojmë literaturën  e aranzhmaneve dhe orkestrimeve në këtë rast për këtë lloj formacioni dhe pse jo standard por sadopak po mundohemi që përmes programit që kemi zgjedhur  me orkestrën kamerale ‘New Born’, që ëstë kryesisht program shqiptar po mundohemi që të sjellim një frymë sadopak klasike”  thotë Ramadani.

Ndërkaq, ‘DAM Fest’ do të zgjasë deri më 26 nëntor ku publiku do të ketë mundësi të shijojë koncerte të artistëve nga vendi dhe Ballkani./KultPlus.com

Festivali Ndërkombëtar i Muzikës ‘DAM’ shtyhet për në tetor

Festivali Ndërkombëtar i Muzikës ”DAM”, i paraparë të fillojë nesër më datë 31 gusht, është shtyrë për në tetor të po këtij viti, përcjell KultPlus.

Në faqen zyrtare të Festivalit, në rrjetin social Facebook është bërë e ditur se arsyeja e shtyrjes së këtij festivali përkon me rregullat e reja anticovid.

Ju informojmë se edicioni i 16-të i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës DAM, i paraparë të mbahet nga 31 gusht deri më 5 shtator 2021, do të shtyhet për muajin tetor (10-14.10.2021). Kjo, pas miratimit të masave të reja kundër përhapjes së COVID-19, vendim i marrë nga Qeveria e Republikës së Kosovës më 29.8.2021. Shpresojmë që numrat e të infektuar do të shkojnë drejt rënies dhe nuk do të kemi humbje jetësh në mënyrë që të mund të takohemi sërish. Ndryshe Gara e 2-të e Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë, do të mbahet në formatin “online” ashtu siç edhe është paralajmëruar. Nga data 6-10 shtator koncertet dhe garën do i sjellim në formatin e video koncerteve të xhiruara.
Deri në takimin e radhës, VAKSINOHUNI dhe ruani shëndetin!
”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

Edhe vepra ”Goca e Kaçanikut” u prezantua në hapjen e DAM, Rauf Dhomi i mrekulluar nga “West Coast Symphony Orchestra”

Festivali Ndërkombëtar i Muziktarëve të Rinj (DAM) trembëdhjetë vite më parë, kishte lindur si një dëshirë e studentëve të Fakultetit të Artit për të promovuar punën e tyre. Për këto trembëdhjetë vite ky festival ka bërë që Prishtina , dhe jo vetëm, të kumbojë nga tinguj të ndryshëm të instrumentistëve vendorë dhe të huaj. Festivali ka sjellë emocione, ndërsa Kosova, ky vend i vogël është bërë i dashur dhe i njohur për shumë instrumentistë, pikërisht nga ky festival. Tradita ka vazhduar edhe këtë vit, shkruan KultPlus.

Alberina Haxhijaj

Hapjen e edicionit të 13-të të Festivalit DAM në Prishtinë e bëri orkestra “West Coast Symphony Orchestra”. Dirigjenti Bujar Llapaj i cili që nga viti 2007 është dirigjent permanent i kësaj, orkestre nëVankuver të Kanadasë pati premtuar herën e kaluar kur ishte në Prishtinë se do e sjellë këtë orkestër edhe në Kosovë. Kështu premtimi i tij u realizua këtë vit duke shënuar edhe hapjen e edicionit të 13-të të Festivalit DAM.

“Ideja e tureve tona, duke përfshirë edhe këtë në Prishtinë është që të ketë shkëmbim të kulturave, që publiku shqiptarë të dëgjojë kompozitor kanadez apo amerikanë dhe ne të luajmë vepra të kompozitorëve shqiptarë. Kultura është ura më e mirë që bashkon njerëzit, muzika është një nga gjuhët që nuk ka shumë keqkuptime dhe është universale, nuk ka fjalë që të djegin vetëm tinguj që të japin kënaqësi. Ky ishte koncerti i gjashtë dhe i fundit i turnet. Kemi pasur si pikë kryesore pikërisht festivalin DAM për shkak tëpromovimit të veprave të reja dhe talenteve”, u shpreh dirigjenti për KultPlus.

Në hapje të këtij festivali nuk mungoi as publiku i cili çdo herë po i qëndron besnik festivalit DAM. Një gjë të tillë e ka vënë re edhe dirigjenti por edhe anëtarët e orkestrës. Ai tregoi sesi çdo herë se publiku më i mirë është në Prishtinë dhe është për t’u çuditur interesimi që kanë të rinjtë për muzikën klasike dhe për festivale të tilla. Ndërsa nuk harron që të përgëzon edhe kompozitorët kosovarë duke treguar se mundohet sa më shumë të marrë vepra të kompozitorëve shqiptar dhe ato ti luaj në Kanada.
Kjo mbrëmje filloi me premierën botërore të koncertit për klarinetë dhe trombon, kompozuar nga kompozitori Kreshnik Aliçkaj, që është shkruar tre muaj më parë. Si soliste në klarinetë erdhi Gwynneth Jones, kurse në trombon Jim Hopson. Kurse kompozimi nuk ka qenë i lehtë për kompozitorin Aliçkaj për shkak të formacionit.

“Është një formacion jo shumë i lehtë për me e shkru, pasi që tromboni dhe klarineta janë dy instrumente të ndryshme edhe pse janë frymore, gjithashtu dallojnë edhe për nga ngjyra dhe regjistri dhe si kompozitor është dashur që të kem shumë kujdes në trajtimin e këtyre instrumenteve”, tha ai për KultPlus duke u shprehur i kënaqur për interpretimin që ju bë veprës së tij.
Mbrëmja vazhdoi me “Qyteti” nga suita “WestCoast” pastaj mr koncert për soprano saksofon dhe orkestër, Julia Nolan e cila interpretoi në saksofon u shpreh se kjo performancë në Prishtinë ishte më e mira për të.

“Audienca ishte shumë e ngrohë, qyteti është i bukur dhe çdo gjë ishte e mrekullueshme edhe grupi po ndihet i rehatshëm, dhe duke e ditur që ky ishte koncerti jonë i fundit dhe më pas do të shkojmë në shtëpi ishte edhe më i veçantë. Tashmë jemi duke diskutuar pasi që dëshirojmë që të kthehemi përsëri”, tregoi ajo.

Programi i kësaj mbrëmje përfundoi fuqishëm me interpretimin e uverturës nga opera ”Goca e Kaçanikut”. Kompozitori Rauf Dhomii cili ishte në publik bëri diçka që rrallë herë e bënë kur interpretohen veprat e tij. Ai ju bashkua orkestrës në skenë për t’i falënderuar për interpretimin që i bënë veprës së tij, si dhe për të përgëzuar dirigjentin të cilin ai e konsideron një maestro.

“Kur filluan akordimet e orkestrës në fillim mendova se janë amatorë për faktin se akordimi te profesionistët nuk zgjatë. Kjo ishte hera e parë që kam gabuar. Orkestra me dirigjimin e Bujar Llapaj, pasi që shumica ishin amator, por me dirigjimin e tij këtë tingëllim nuk do ta dëgjoni kurrë në Prishtinë, përveçse me këtë dirigjent. I thash faleminderit shumë që më dhe mundësin të të quaj i çmendur, pasi që vetëm një i çmendur di të lexoj aq mirë partiturën. Nuk ka një frazë që nuk është përpunuar ashtu si unë e kam menduar dhe kjo ishte një nga interpretimet më të mira të veprës sime”, u shpreh ai për KultPlus, duke theksuar se kjo vepër është luajtur edhe nga Filharmonia e Kosovës disa herë, mirëpo nuk kishte pasur një interpretim të tillë.

Por organizimi i këtij festivali nuk është i lehtë asnjëherë për organizatorët. Drejtori i Festivalit Dardan Selimaj u shpreh se financiarisht festivali ka probleme si asnjëherë tjetër.
“Besojmë që vitin e ardhshëm do të kemi mundësi të eksperimentojmë më shumë me hapësirat. Kemi ansamble të niveleve botërore dhe ansamble që nuk janë në këtë nivel.Kjo na jep mundësinë që të krahasojmë vetën. Edhe te ne ka instrumentistë që mund të koncertojnë nëpër skena të ndryshme dhe ka progres në anën kualitative, mirëpo në infrastrukturë jo. Kushtet dhe rrethanat të cilat ne punojmë janë të pakrahasueshme me orkestrat e tjera”, u shpreh ai, duke theksuar se nuk sheh vullnet politik as për ndërtimin e sallës koncertale, pikërisht për faktin se ata që flasin për këtë, asnjëherë nuk marrin pjesë nëpër festivale dhe koncerte. Pra nuk e përjetojnë sesa e vështirë është dëgjimi i koncerteve në salla të tilla alternative.

Mbrëmë fuqishëm filloi një edicion tjetër i suksesshëm i Festivalit DAM edhe përkundër problemeve që hasin organizatorët e të cilat shpesh herë nuk vërehen nga të pranishmit. Ky koncert ishte udhëprijës i koncerteve dhe organizimeve të shumta që do të ketë deri më3 prill, në kuadër të këtij edicioni./KulPlus.com

“Vienna World Orchestra” në Prishtinë më 31 mars

Ansambli 8 anëtarësh “Vienna World Orchestra” do të mbajë koncert në Prishtinë në kuadër të edicionit të 13-të të DAM Festivalit.

Orkestra e cila në muajin shkurt pati koncert në njërën nga sallat më prestigjioze të Vjenës “Musikverein”, do sjellin materialin e tyre muzikor përpara publikut të Prishtinës në mbrëmjen e 31 marsit në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare në Prishtinë.

Anëtare e këtij formacioni është edhe violonçelistja nga Kosova, Rina Kaçinari, e cila prej shumë vitesh jeton dhe vepron në Vjenë. Anëtarët e tjerë të orkestrës vijnë nga Austria, Irani, Kuba dhe Turqia.

“Vienna World Orchestra” duke pasur në përbërjen e saj anëtarë nga vende të ndryshme, një pjesë e të cilëve kanë kaluar nëpër rrugën e migrimit, arrin të përçojë frekuenca të tilla duke i mundësuar publikut të zbulojë humanitetin e tyre të përbashkët.

Koncerti është mbështetur edhe nga Ambasada Austriake në Prishtinë përveç mbështetësve të tjerë të festivalit.

DAM do të mbahet nga 29.03 deri më 03.04.2018 dhe në koncertet e këtij edicioni do të prezantohet mbi 300 muzikantë nga Amerika, Evropa dhe Azia.