Hapet Pavijoni i Kosovës në Festivalin e Kanës

Për të shtatin vit me radhë Qendra Kinematografike e Kosovës vazhdon prezencën në festivalin e Kanës me pavijon në tregun më të madh të filmit në botë ‘Marche Du Film’.

Dje ka filluar edicioni 71 i Festivalit të Kanës dhe Kosova ka pavijonin e përbashkët me Shqipërinë i cili do të jetë i hapur deri me 18 maj 2018 në lokacionin të ri në “Village International” i cili është afër Greqisë, SHBA-së, Çekisë, Sllovakisë, Bulgarisë dhe vendeve tjera të ish-Jugosllavisë.

Qendra Kinematografike e Kosovës në treg do të promovoj filmat e fundit Kosovar në kategori dhe faza të ndryshme të zhvillimit, gjithashtu do të ketë shumë takime me partner ndërkombëtar të kinematografisë, fonde filmi, përfaqësues të festivaleve të mëdha ndërkombëtare dhe producent e distributor të ndryshëm.

Gjatë kësaj kohe përveç përfaqësuesve nga QKK, pavijonin e Kosovës pritet ta vizitoj edhe Ministri i Kulturës, z.Kujtim Gashi.

Qendra Kinematografike e Kosovës së bashku me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë së Shqipërisë do të organizojnë një koktej rasti për të gjithë bashkëpunëtorët e fondeve të filmit, producent, distributor e përfaqësues të festivaleve./KultPlus.com

Shqipëria në festivalin e Kanës me filmin ”Derë e hapur”

Filmi “Open door” është përzgjedhur midis tre filmave nga rajoni për t’u shfaqur në Kanë në work in progres.

Filmi me skenar nga Florenc Papas dhe Ajola Daja, me regji nga Papas ka financim nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Producenti Eno Milkani shprehet entuziast për këtë prezantim në Kanë, ku në këtë pjesë shfaqen filma që janë në fazën e pas prodhimit.

Filmi do shfaqet para distributorëve dhe programuesve të festivaleve dhe në këtë kuadër do të ketë biseda në lidhje me shitjen ose dërgimin në festivale, ndërkohë që filmi është në proces.

”Open door” (Derë e hapur) tregon historinë e dy motrave që do të ndërmarrin një rrugëtim, duke u ballafaquar hera-herës me forcën e sistemit tradicional-patriarkal. Personazhi kryesor është Elma, që është një vajzë e re shqiptare e cila jeton ilegalisht në Itali. Ajo është shtatzënë dhe babai i fëmijës tashmë është në burg. Pas depërtimit nga policia italiane, duke mos ditur kujt t’i drejtohet për ndihmë, ajo vendos të kthehet tek motra e saj e madhe, Rudina.

Të dy motrat do të nisin një rrugë të gjatë me veturë drejt shtëpisë së babait të tyre tradicional. Ndërsa Rudina nget veturën, Elma do bëj ç’të mundet për të mos shkuar atje. Filmi ka në qendër tre personazhe, dy motrat Rudina dhe Elma dhe djalin 5 vjeçar të Rudinës.

Tema që trajtohet është përplasja mes tradicionales dhe modernes midis brezave e cila është e pranishme dhe sot. “Derë e Hapur” merret me këtë tematikë edhe pse nuk kërkon të thotë se e gjithë shoqëria jonë është tradicionale dhe hera- herës patriarkale, por kërkon të thotë se këto forma ekzistojnë akoma dhe janë të pranishme në shoqëri.Xhirimet e filmit janë bërë vjet në vjeshtë dhe premiera në Shqipëri sipas producentit pritet nga fundi i këtij viti.

Festivali i filmit këtë vit zhvillohet në Kanë nga data 8 deri më datë 18 maj, dhe është një nga ngjarjet e botës së kinematografisë./KultPlus.com