Jimmy, kitaristi i ”Led Zeppelin”, mbush 80 vjeç

Legjenda James Patrick “Jimmy” Page, një nga kitaristët më me ndikim në historinë e rock-ut, mbush 80 vjeç.

Në vitin 2012, së bashku me Robert Plant dhe John Paul Jones, ai mori nderimet e Qendrës Kennedy nga Presidenti Obama, nderimi më i lartë që u jepet njerëzve që kanë ndikuar në kulturën amerikane përmes arteve.

Në fushën muzikore ai ka marrë çdo lloj vlerësimi: ka hyrë dy herë në ”Rock and Roll Hall of Fame”, si anëtar i ”Yardbirds” dhe ”Led Zeppelin”.

Ai krijoi një stil dhe një konceptim të rolit të instrumentit që janë bërë një kod universal, transversal ndër zhanre dhe breza. Në vitin 2010 ai u rendit i dyti në listën e Gibson-it me pesëdhjetë kitaristët më të mirë.

Para se të hynte në skenën e madhe, në gjysmën e dytë të viteve ’60, fillimisht me ”Yardbirds” dhe më pas me ”Led Zeppelin”.

Page ishte, së bashku me Big Jim Sullivan, kitaristi më i kërkuar në studiot angleze të regjistrimit.

Ashtu si shumica e rockerëve anglezë të moshës së tij, Page mbush 80 vjeç.

Në vitin 1998 ”Led Zeppelin” ishin të ftuar në ”Festivalin e Sanremos”, ku ata kënduan, në playback, ”Most Hight”.

Vdekja e Bonham dhe fundi i ”Led Zeppelin” shënojnë një kufi në karrierën dhe jetën e Jimmy Page. / atsh / KultPlus.com

Ribashkimi i Oasis do vinte për gjeneratat e reja

Ish-kitaristi i Oasis, Bonehead, ka thënë që ribashkimi i bendit do t’ia vlente për shkak të impaktit në gjeneratat e reja.

Muzikanti, emri i së cilit është Paul Arthurs, foli për Radio X të hënën, ku e diskutoi edhe mundësinë e riformimit të Oasis.

“I shikoj dhjetë rreshtat e parë kur luajmë me Liamin në salla, dhe janë 16-17-vjeçarë”, ka thënë Boneheadi.

“Këta nuk kanë lindur para se të niste karrierë Oasis. Prandaj, nëse do të kishte ribashkim, dot’ia vlente për ta? A po dëgjon, Liam? A po  dëgjon, Noel?KlanKosova/KultPlus.com

Kitaristi Lorik Pylla solli magjinë e veprave moderne në natën e dytë të festivalit ReMusica

Era Berisha

Lorik Pylla, kitaristi i talentuar mbrëmë në festivalin ReMusica solli para publikut një program jo dhe aq të zakonshëm, me ç’rast ishin veprat e përzgjedhura për këtë mbrëmje ato të cilat rrallë herë dëgjohen në shoqërinë tonë. Performimi unik dhe diversiteti i teknikave, ishin dy shtyllat kryesore që përkuan me këtë natë e cila frymoi tërësisht në stilin modern, për të shpalosur kështu melodi e tinguj që rrëshqisnin mrekullisht në skenë dhe lehtazi depërtonin përballë të pranishmëve, shkruan KultPlus.

Pikërisht si në natën e parë, nata e dytë e priti kitaristin Lorik Pylla në Sallën e Kuqe, vend ky i cili po qëndronte gjithmonë i ndezur edhe pa asnjë trup mbi të. Me reflektorë në ngjyrë të kuqe, drita të ngrohta që vështronin nga lart skenën si dhe ndriçimi i posaçëm mbi kitaristin në një formë rrethore, rriste emocionet e publikut dhe parashikonte kahjen e kësaj mbrëmjeje të veçantë.

Fotografia: Rrahman Osmani

Njashtu si perdet në ngjyrë të zezë që ishin të lëshuara prapa karriges që qëndronte e vetmuar në skenë, i veshur në të zeza kokë e këmbë, doli kitaristi Pylla me një besueshmëri në vetvete dhe hapa preciz drejt skenës. Me një ndreqje të shpejtë të duarve të tij dhe kitarës, ai hyri direkt në veprën e parë të titulluar “Chiton” nga kompozitori Uros Rojko, vepër kjo që qysh në sekondat e parë vodhi shikimin dhe përqendrimin e të pranishmëve.

E vendosur përballë tij si një trup i dytë, ishte kitara ajo e cila vazhdimisht godiste fuqishëm atmosferën me nota dhe timbër të mrekullueshëm. Në anën tjetër, ishte vetë Pylla ai i cili ishte futur në hipnozën e kitarës, për t’iu bindur plotësisht asaj e për t’i qëndruar besnik deri në momentin e fundit. Ndërsa, me plot elegancë, ishin gishtërinjtë e kitaristit ato të cilat hynin vazhdimisht në labirintin e notave dhe jo vetëm. Ato herë trokitnin e herë të tjera dhe zhdjergshin nga maja e instrumentit e vazhdonin deri në fund të saj.

Shprehjet e fytyrës, lëvizjet e kokës dhe të njërës këmbë, efikasiteti dhe teknika gjallëruese e kitaristit, dëshmoi se interpretimi në kitarë sado i lehtë të duket nga jashtë, në fakt kërkon durim dhe përqendrim të jashtëzakonshëm. Andaj, në mesin e tingujve të lehtë ku njeriu herë pas here duhej dhe të sforconte veshët për të dëgjuar atë mrekulli, shfaqej një cikël i butë prej melodive të cilat me bukurinë e tyre vërshonin mbi ajër dhe pushtonin skenën nga vepra në vepër.

Fotografia: Rrahman Osmani

Përgjatë pothuajse dy orëve, kitaristi Pylla interpretoi vepra si: “12 Impressionistic Sketches” të Allan Willcocks dhe Tilman Hoppstock, “Homenaje a Debussy” dhe “Danza del Molinero” nga kompozitori  Manuel De Falla, “Due Canzoni Lidie” nga kompozitori Nuccio D’angelo, “Sonata për kitarë op.47“ nga A.Ginastera, duke kapur kështu dukshëm vëmendjen e çdo njeriu të pranishëm për të dëgjuar nga afër botën melodike të kitaristit, aty ku dhe shihej më së miri talenti i tij i cili në çdo vepër dilte jashtë për të përshëndetur secilin njeri në publik.

Po ashtu, në këtë mbrëmje si artistë të ftuar ishin dhe violinisti Rron Bakalli dhe baritoni Shaban Behramaj, të cilët së bashku me kitaristin Pylla, sollën veprën “Danza Espanola no.5” nga kompozitori Enrique Granados si dhe veprën premierë që vjen si porosi e festivalit ReMusica, e titulluar “Experior” e kompozuar nga Ersan Januzi. Ndërlidhja kitarës, violinës dhe vokalit vjen si një formacion jo i zakonshëm por që la mbresa të shumta e të veçanta në këtë mbrëmje. Tre trupa në skenë që ishin në posedim të tre talenteve, interpretuan këto dy vepra në një mënyrë tejet brilante, me ç’rast telat e kitarës dhe violinës dridheshin nën duart e pronarëve, ndërsa vokali i baritonit Behramaj dëgjohej me një kujdes të veçantë nga ana e publikut.

Ndërsa, vepra e njohur “Njëzet e pesë gërsheta” nga kompozitori Rafet Rudi, ishte veçantia e kësaj mbrëmje, ku ndonëse dallohej si më e shkurtra nga të gjitha veprat tjera, ajo la një gjurmë të ëmbël në skenë dhe jo vetëm. Në anën tjetër, ishte delikatesa e butë e kitaristit Pylla, ajo që vallëzonte si një hije e mëndafshtë mbi tërë instrumentin e kitarës, për të sjell kështu një program modern i cili do të mbahet mend për shumë gjatë si një nga programet më unike të festivalit ReMusica, ngase secila vepër qysh nga fillimi e deri në fund, fillonte si zjarri i qiririt dhe përfundonte në mënyrë precize dhe të saktë, si ndezja e një çibriti.

Fotografia: Rrahman Osmani

Pas gjithë kësaj nate ishte publiku në një numër të shumtë, ai i cili duartrokitjet dhe brohoritjet nuk i kurseu, duke e rikthyer në skenë përsëri kitaristin i cili me një buzëqeshje falënderonte për prezencën e tyre.

Fotografia: Rrahman Osmani

Për të treguar më shumë rreth programit si dhe përshtypjeve të tij për këtë mbrëmje, për KultPlus foli kitaristi Lorik Pylla.

“Ishte një atmosferë mjaft e mirë dhe e ngrohtë duke nisur qysh nga ndriçimi dhe gjithçka çfarë kanë bërë me skenën në këtë festival në një mënyrë profesionale, duke më bërë dhe mua të ndihem mjaft mirë. Ajo se çka më la më së shumti përshtypje është mikpritja e publikut të një programi mjaft eksperimental që e kam zgjedh me performu sonte, ngase është një muzikë moderne, muzikë të cilën unë e adhuroj shumë dhe më erdh mirë që edhe publiku e priti në një mënyrë mjaft të mirë”, thotë Pylla.

Sipas tij, muzika klasike moderne është njëra ndër adhurimet e tij dhe si pasojë edhe kitara është një instrument i dedikuar për të ardhmen dhe ai po beson dhe shpreson se kompozitorët të shkruajnë sa më shumë për këtë instrument për arsye të mungesës së një repertori.

“Deri më tani asnjëherë nuk kam luajtur një vepër premierë dhe sonte më erdhi rasti. Ishte një ndjenjë mjaft e mirë që iu dha rasti kompozitorit Ersan Januzi që atij t’i luhet vepra në prezencë fizike. Shpresoj se i ka pëlqyer. Ndërkaq, unë po ndihem mjaft mirë që jam pjesë e këtij edicioni, pasi që ky edicion i dedikohet mbrojtjes të natyrës dhe njëra nga veprat e luajtura sonte, kishte pikërisht këtë tematikë. Isha me fat që isha pjesë e këtij edicioni të festivalit ReMusica, e sidomos pas dy viteve pa publik, në këtë herë me publik, unë isha pjesë dhe ishte një ndjenjë tejet e veçantë”, thotë Pylla.

Fotografia: Rrahman Osmani

Po ashtu, baritoni Shaban Behramaj për KultPlus tregoi se kjo është hera e parë që ai performon si një solist në festivalin ReMusica.

“Së pari unë jam edhe pjesë e festivalit ReMusica dhe pa diskutim jam shumë i lumtur që festivali sivjet po rikthehet në formën fizike para publikut, që është diçka shumë e bukur duke pasur parasysh që dy vitet e kaluara kemi qenë online dhe normalisht ndjenja nuk është e njëjtë. Unë sonte pata mundësinë dhe kënaqësinë që po ashtu sonte të performoj në këtë festival si mysafir në koncertin recital të Lorik Pyllës, një kitarist i mrekullueshëm i ri dhe i talentuar, i cili vepron dhe jeton në Gjermani. Për mua është një ndjenjë tepër e veçantë për të performuar në skenën e ReMusicas pasi që është hera e parë që performoj si solist”, thotë Behramaj.

Sipas tij, veçantia e programit është që tematika jo vetëm e kësaj nate por e komplet edicionit, është lidhja direkte me ndryshimet klimatike, me ç’rast dhe vepra premierë e kompozitorit Ersan Januzi po ashtu lidhet me këtë tematikë. Po ashtu, një tjetër veçanti është bashkimi i kitarës, violinës dhe vokalit, një formacion jo i zakonshëm por i cilësuar si mjaft i lezetshëm.

“Më së shumti sonte më la përshtypje fakti që publiku ishte në një numër shumë të madh dhe fakti që publiku ka qëndruar deri në fund të koncertit duke marrë parasysh muzikën jo shumë të popullarizuar tek ne. Kjo për mu është shumë mbresëlënëse. Ndërkaq, performimi i një vepre premierë sonte ishte një ndjenjë e veçantë për shkak se është pothuajse si një vulë e vazhdimësisë së kësaj vepre në gjeneratat e ardhshme”, përfundon Behramaj.

Kujtojmë se edicioni i 21-të i festivalit ReMusica, “The Sound of Change”, trajton temën e ndryshimeve klimatike dhe bën thirrje për ndërgjegjësim tek publiku për veprim klimatik. E gjithë kjo, është reflektuar në programin e sivjetmë, duke u kujdesur që përmbajtja e tij të orientohet në këtë temë, me fokus në katër elementet e natyrës – Toka, Uji, Ajri dhe Zjarri.

Festivali ReMusica do të zgjasë deri më 21 prill. Ndërsa, sonte duke filluar nga ora 20:00 në Sallën e Kuqe vjen koncerti i radhës me kuartetin harkor Selini Quartet  nga Austria si dhe artisët e ftuar si: Zana Abazi Ramadani dhe Edon Ramadani.

 Fotografia në ballinë: Rrahman Osmani / KultPlus.com

Në përvjetorin e vdekjes përkujtojmë këngën e papublikuar të George Harrison

Sot mbushen plot 20 vite nga vdekja e kitaristit të pakrahasueshëm, George Harrison, shkruan KultPlus.

Edhe kur po vdiste, George Harrison nuk mund t’i shpëtonte shtypit. Që kur Beatles u bënë të famshëm në fillim të viteve 1960, ata shikuan çdo lëvizje të tij, ashtu si të gjithë grupit. George e urrente atë pjesë të famës. Ai i quajti mediat një bandë “bedelesh”.

KultPlus sot po kujton këngën e tij të papublikuar më parë.

Kënga e papublikuar e muzikantit dhe kompozitorit britanik, George Harrison, e titulluar “Hello Miss Mary Bee”, e vitit 1968, u shkrua për mikeshën e Harrison, Mary Bee, në të njëjtën periudhë kur doli në treg albumi i tij i parë solo “Wonderwall Music”.

Kënga është e regjistruar në një kasetë duke përfshirë edhe disa regjistrime alternative të hiteve të Beatles dhe disa letra të shkruara për Bee ndërsa Harrison ishte në Indi me gruan e tij, Pattie Boyd. / KultPlus.com

Ndërron jetë në moshën 73-vjeçare kitaristi i njohur anglez, Peter Green

Bashkëthemeluesi i grupit “Fleetwood Mac” Peter Green ka ndërruar jetë sonte në moshën 73-vjeçare, njofton familja e tij, përcjellë KultPlus.

Me trishtim të madh familja e tij njoftoi për ikjen e tij në amshim gjatë kësaj fundjave.

Green ka qenë kitarist me ndikim të madh muzikor. Ai mori pjesë ne themelimin e grupit në Londër më 1967 me të cilin korri mjaft suksese. /KultPlus.com

“Jemi një popull që kemi kulturë europiane, por neve nuk na lejohet të shkojmë fizikisht në perëndim”

Teksa i afrohemi Amfiteatrit të Tiranës, tingujt e kitarës rrëfejnë ardhjen e tij. Petrit Çeku i ulur në karrige mban në duar të vetmen kitare me të cilën luan prej 6 vitesh, klasiken e Ross Gutmeier.

Përpiqet të përqendrohet, të kuptojë akustikën për koncertin e së shtunës në mbrëmje si solist, derisa kureshtia e medies e shkëput nga bota e tij muzikore. Rrëfen se është i lumtur për këtë rikthim të tijin në Tiranë në kuadër të “Albanian guitar festival”, të organizuar nga Denis Bizhga, shef i Departamentit të Kitarës në liceun ”Jordan Misja”. “Është një festival që e glorifikon kitarën si instrument dhe jam i kënaqur që unë mund të jap kontributin tim”, shprehet artisti.

Interpreton në skena prestigjioze ndërkombëtare prej më shumë se një dekade, e gjatë kësaj kohe mes shumë përballjeve skenike me publikun është krijuar tek ai një lloj inflacioni ndjesish. “Por pavarësisht kësaj, unë i veçoj koncertet që mbaj në vendlindje, Prishtinë e në Shqipëri, pasi më zgjojnë ndjesi të larta emocionale.

Tirana është si një vendlindje e dytë për mua, është pjesë e mëmëdheut. Edhe pse kudo që shkoj, mundohem ta trajtoj çdo koncert njësoj, për shkak se jam në shërbim të muzikës, paraqitja para publikut shqiptar vetvetiu ndryshon emocionet tek unë”, tregon ai për “Panoramën”. Vlerëson mikpritjen e publikut në trevat shqiptare, që, sipas tij, përpiqet t’i mëshojë një kulture, që mbetet relativisht në margjina.

“Kjo edhe për shkak të mungesës së fondeve e një sërë arsyesh të tjera. Por, e theksoj, se është pikërisht publiku që frekuenton këto koncerte ai që e mban gjallë kulturën në Shqipëri e Kosovë”. Për Petritin janë po aq të rëndësishme edhe performancat skenike në Kroaci, ku jeton prej 15 vitesh, e ku publiku, siç edhe ai pohon, e njeh shumë mirë. KITARA SI TRASHËGIMI Lidhja e tij me kitarën, nis që fëmijërinë e tij të hershme, kur i ndikuar nga xhaxhai e i ati, kitaristë amatorë, ai do të niste t’i afrohej këtij instrumenti, fillimisht duke e trajtuar si një lodër.

“Në familjen time ekzistonte një mënyrë specifike e luajtjes në kitarë, të gjithë luajnë me gishta edhe janë shumë të aftë në atë që bëjnë”. Ndikimet e të atit nga kitara klasike, falë studimeve në Sarajevë do të linin shenjë edhe te Petriti. “Natyrisht që në vetëdijen e një fëmije të vogël kjo muzikë lë gjurmë”. E kujton ende kitarën e parë, dhuratë nga xhaxhai i tij, e me të cilën do të luante pjesë nga Francisco Tarrega, si “Lagrima”, “Alhambra”, të cilat ende i ka pjesë të repertorit të tij. “Është interesant fakti se im atë ma pati mësuar ‘Recuerdos del Alhambra’ me vesh, kur unë ende nuk dija të lexoja notat. Dhe ende sot, unë refuzoj t’i shikoj notat kur interpretoj këtë pjesë”.

Edhe pse në skenë interpreton prej 24 vitesh, karriera e tij ndërkombëtare nisi 12 vite më parë në Pittalugia (Alessandria) të Italisë. “Aty fitova një konkurs, dhe qe një event që shënjoi jo vetëm karrierën time ndërkombëtare, por edhe një garë me veten. Pasi është e lehtë të ngjitesh në skenë, por sfida është të qëndrosh aty”. Një sfidë të cilën ai e ka fituar duke qenë autokritik me veten. “Është një proces i vështirë, pasi unë ndërgjegjësoj veten se kjo nuk është e mjaftueshme që të mbes në këtë pozitë në skenën ndërkombëtare. Kjo e bën punën time edhe pak spirituale, psikologjikisht të vështirë, por gjithçka në mënyrë të shëndetshme”.

Shumëkush e lakmon për udhëtimet e tij në mbarë botën, por ai e tregon këtë si një tjetër sfidë që ka ndaj vetes, gjithmonë për të njëjtin qëllim. “Edhe kur mbërrij atje ku kam koncertin, unë luaj në kitarë”.

Ndërsa jeta e tij vërtitet rreth koncerteve nëpër botë, tek artisti pasioni dhe entuziazmi për të performuar në skenë kanë mbetur të njëjta. “Ajo që ka ndryshuar është publiku. Tanimë performoj në skena të mëdha, ku njerëz nga shumë vende të botës udhëtojnë prej së largu për të parë koncertet e mia. Vitin e kaluar kam marrë pjesë në një turne, ku kanë marrë pjesë 20 mijë spektatorë çdo natë. E në fund të tij, kam reflektuar se kisha interpretuar para një gjysmë milionë njerëzish. Pra, ka ndryshuar numri i publikut, skena, por emocionet kanë mbetur po ato”.

Rrëfen se koncertet e tij janë bërë kaq intensive, sa tanimë e ka të vështirë ta kujtojë se ku ka performuar pak kohë më parë. “Dikush më takoi pak kohë parë e më tha se më kishte dëgjuar gjatë koncertit në Mynih, disa muaj më herët. Unë i thashë: Kjo s’është e mundur se unë nuk kam qenë në Mynih. Masandej, ai më tregoi foton. Dhe po, unë kisha qenë atje, por nuk e mbaja mend”. Por ka një performancë që Petriti e ruan të gjallë në kujtesën e tij. “Më kujtohet shumë mirë dalja ime e parë publike. Ka qenë në shkollë të muzikës. Kam pasur jashtëzakonisht emocione dhe nuk e harroj kurrë”. Në udhëtime nëpër botë, ku ai i dhuron magjinë e tingujve të kitarës artdashësve, i ka ndodhur që mes shumë artistëve të njohur të takojë edhe kolegë shqiptarë.

“Para disa vitesh në Gjermani pata mundësi të takohem e të dëgjoj Jonian Kadeshën, është një violinist që ‘t’i merr mendtë’, i jashtëzakonshëm. Ne kemi shumë artistë të tillë, madje mund të them se disa prej këngëtarëve më të mirë operistikë që kam dëgjuar janë shqiptarë. Ekspresiviteti i Çekut ka depërtuar së fundmi te një masë më e gjerë publiku përmes një videoje virale që e bën atë edhe celistin e famshëm të “2Cellos”, protagonist të një Adagio-je emocionuese si rrallëherë.

“Stjepan Hauser është një celist me një ndjeshmëri shumë të lartë dhe kjo më ka afektuar edhe mua, bën që kur performojmë bashkë të stimulojmë njëritjetrin në evidentimin e disa ndjenjave”. Po aq i ndikuar nga sensibiliteti i artistit shqiptar ka qenë edhe celisti kroat, aq sa është shprehur se: “Bota ndaloi kur po performoja me të talentuarin Petrit Çeku”. KOSOVA Për të folur për Kosovën dhe atë çka është shqiptare, Petrit Çeku ka zgjedhur kinemanë, natyrisht pa përjashtuar muzikën. Çka ishte nisur si dokumentar për virtuozin e muzikës klasike që në 2014-ën ishte gati të incizojë Suitat e Bahut për violonçelin në Spanjë, në vijim u bë një film udhëtimi për kufij e ilegalitet. “Sarabande” kanë fokus dy shokë që udhëtojnë mes ideve të Lindjes dhe Perëndimit, së shkuarës dhe së tashmes. Kufijtë mbeten ende një problem për Kosovën, të rinjtë ëndërrimtarë, e artistit ky fakt i dhemb e njëherazi i duket absurd.

“Situata në të cilën gjendet Kosova, për sa i përket pozitës së njerëzve, është e papranueshme brenda Europës. Pasi pavarësisht se si paraqitet nëpër statistika, ne jemi një popull që kemi kulturë europiane, ose së paku proeuropiane. Kemi shumë gjëra që na lidhin me Perëndimin. E them unë, e shumë të tjerë”. Si një dëshmi të vogël, mes shumë të tjerash, artisti rrëfen faktin se ai vetë është rritur, duke ditur se kush është Sebastian Bach. “Kam pasur pllakat e tij në shtëpi, kemi lexuar libra që na rrëfejnë e kanë të bëjnë me Perëndimin. Pra, kemi një kulturë të përgjithshme, që është e lidhur me Perëndimin, por neve nuk na lejohet të shkojmë fizikisht në Perëndim.

Ky është një lloj krimi mbi njerëzimin që na ndodh ne, për arsye politike që nuk kanë të bëjnë me ne. Filmi ‘Sarabande’, në mënyrë shumë të sofistikuar e tregon këtë, vështirësitë e një kosovari. Dhe ky film shënjon herën e parë ku unë flas për identitetin tim, si kosovar dhe jam shumë i lumtur që Kaltrina Krasniqi e çoi këtë film në atë nivel”. Ndërkohë, herën e fundit që interpretoi në Shqipëri ishte i shoqëruar nga orkestra e RTSH-së e publiku i Tiranës e ktheu përmes duartrokitjeve në skenë.

“Kompozitori Hector Berlioz ka thënë se kitara është si një orkestër e vogël dhe ka një kapacitet të jashtëzakonshëm për t’i përçuar publikut atë çka mund të gjesh në një orkestër”. Publiku i kësaj së shtune pati mundësi të shijojë kapacitetin orkestral e simfonik të një kitare të vogël, me vetëm 6 tela nën mjeshtërinë e Çekut. Është e vërtetë që kitara ka një kapacitet jashtëzakonisht të madh për t’i imponuar publikut, që është çështje e një orkestre të ndodhë aty”. Publiku i Tiranës pati rastin për të ndjerë nga afër kapacitetin orkestral, simfonik të një kitareje të vogël me 6 tela, nën mjeshtërinë e Çekut/ Panorama /KultPlus.com