Rikthim spektakolar për mbylljen e Festivalit DAM, Kelmendi: Shpërblimi më i madh është suksesi që i kemi sjellë vendit tonë

Uranik Emini

“Kori nuk është thjesht një hobi apo aktivitet pas shkollës, është një mënyrë jetese”, thotë një shprehje. Një gjë e tillë shihet edhe në performancat magjike të korit “Siparantum”, të cilët u rikthyen në DAM Festival, aty ku edhe filluan rrugëtimin e tyre, për të dëshmuar se madhështia vjen nga fillimet e vogla. Pas pushtimit të skenave më të njohura botërore, “Siparantum” në krye me Memli Kelmendin, vazhdoi në mënyrë unike afirmuese të ndezë shqisat dhe të qetësojë nervat e njerëzve të pranishëm në kishën “Shën Ndou” të mbushur plot, të cilët brohoritën në mënyrë spektakolare për njërin ndër koret më të suksesshëm në Kosovë dhe jo vetëm, shkruan KultPlus.

Mes shumë sfidave, DAM Festival e përmbylli edicionin e 17-të duke ofruar një programacion të pasur dhe gjithashtu edhe rikthimin e korit “Siparantum”.

Për të folur më shumë rreth asaj se çfarë kaluan gjatë këtij edicioni, organizatorja Rreze Kryeziu, tha për KultPlus se mungesa e një salle të duhur për të shtrirë në mënyrë të duhur performancat e tyre, po i përcjellë ata vit pas viti.

“Secili edicion i ka padyshim të mirat e veta, sepse në të kundërtën nuk do ta realizonim, por padyshim këtu përfshihen edhe sfidat. Ne vazhdojmë në edicionin e 17-të me radhë që të kemi mungesë të kushteve elementare, sikurse që është mungesa e një salle përkatëse dhe jo më kot është evidentuar edhe lëvizja e koncerteve prej një salle në sallën tjetër. DAM-i në edicionet e kaluara i ka realizuar sepse kemi pasur qëllim që të eksplorojmë hapësirat e ndryshme në mënyrë që të realizojmë koncertet tona, por kësaj radhe ky nuk ka qenë qëllimi pasi ka munguar një sallë përkatëse”, tha Kryeziu duke falënderuar edhe një herë tjetër të gjitha institucionet të cilat kanë ndihmuar në realizimin e këtij koncerti.

E pyetur në rikthimin e korit “Siparantum”, Kryeziu thotë se e tërë shoqëria e pret me entuziazëm rikthimin e tyre. “Kjo është evidentuar edhe sot, kur pyetëm publikun pas shfaqjes dhe gjithashtu edhe i kërkuam falje për temperatura të larta, thanë se nuk e kanë vërejtur një gjë të tillë pasi ata morën një freski shpirtërore nga performancat e korit”.

Në anën tjetër, kompozitori Memli Kelmendi tha për KultPlus se është shumë i kënaqur që janë rikthyer në përmbylljen e edicionit të 17-të, por kjo nuk do të thotë se do të përmbyllet edhe rrugëtimi i korit “Siparantum”.

“Rrugëtimi jonë besoj edhe duhet të jetë më i gjatë edhe pas nesh, kjo pasi muzika gjithmonë mbijeton. Ne sot kemi shpalosur një program kolosal dhe kemi shpalosur suksesin e festivalve që kemi përmendur disa herë. Veprat të cilat kemi qenë pjesëmarrës në skenat më të njohura botërore. Publiku mendoj që ka pasur rastin të përcjellë dhe të shijojë disa prej pikave të cilat ne i kemi interpretuar në festivale të ndryshme, e sonte i kemi paraqitur përpara publikut të Prishtinës. Një energji ndryshe, na ka munguar kjo atmosferë. Ne u rikthyem në Prishtinë pas dy viteve dhe të them të drejtën më ka marrë malli shumë dhe sonte jam ndjerë tamon si pjesë e shtëpisë sime. Dua të falënderoj Dardanin, Rrezen dhe gjithë stafin e Festivalit DAM për ftesën edhe për organizimin e tyre fantastik që kjo mbrëmje të jetë në shpirtin e secilit prej audiencës”, tha Kelmendi.

Veçantia e jashtëzakonshme e korit “Siparantum”

“Të gjithë njerëzit në korin “Siparantum” janë vullnetarë, edhe unë jam vullnetar edhe Agroni gjithashtu. As kryetari i korit nuk paguhemi për punën që e bëjmë. Shpërblimi më i madhi, pagesa më e madhe që ne e kemi është suksesi të cilin ia kemi sjellë vendit tonë, mendoj që kjo gjë nuk mund të blehet me pare. Do të thotë, mendoj që shpesh herë puna kur bëhet me pare është ndryshe, ajo punë që bëhet vullnetare dhe bëhët me shpirt, jehon ndryshe. Ne jemi duke e bërë punën me shpirt dhe jemi shumë të etur dhe e shohim se sa e nevojshme është prezantimi i kulturës dhe vendit tonë ndërkombëtarisht. Prandaj, këtë atmosferë po ia japim edhe vendit tonë”, tha ai, duke njoftuar se kori “Siparantum” ka ftesa të shumta, madje i ka të siguruar ftesat deri në vitin 2025.

Në shtator dhe tetor, kori “Siparantum”, siç njofton Kelmendi, do të paraqitet në dy skena të njohura të botës, derisa për shkak të konfidencialitetit nuk mundi të zbulojë diçka konkrete.

Pianisti kosovar, Agron Shujaku, i cili ka një bashkëpunim të ngushtë me korin “Siparantum”, tha për KultPlus se ky është festivali më i veçantë i korit ndonjëherë.

“Bashkëpunimi im me Memlin ka filluar në vitin 2019 kur kemi pasur një koncert dhe unë kam qenë një mysafir i ftuar në një pikë dhe që nga atëherë kemi qenë të pandashëm. Unë mendoj që kemi mbajtur koncerte shumë, por ky ka qenë më i miri që e kemi bërë, ndoshta sepse ka qenë edhe një finalizim i punës. Disa prej veprave i kemi performuar edhe nëpër Evropë dhe ato janë pjekur e janë ngritur çdo herë më mirë e më mirë, ky koncert ka qenë kulminacioni i kësaj pune, sidomos punës dy vjeçare prej pandemisë e deri në ditët e sotme”, tha Shujaku, duke shtuar pjesën se kori “Siparantum” është në një prej 6 koreve më kontribuese të këtij viti.

Baritoni Shaban Behramaj, korist dhe njëherish edhe solist i mbrëmjes, ka thënë për KultPlus se përveç tjerash, fakti që pas një mori koncertesh jashtë vendit, garave e fitoreve, kthimi në Kosovë ka një përgjegjësi më të madhe.

“Njerëzit janë mësuar të të shohin duke fituar nëpër gara të ndryshme, prandaj përgjegjësia tek ne është rritur dhe për këtë aryse kemi ardhur me këtë koncert siç ishte sonte. Jam shumë i lumtur dhe i nderuar që përveç si korist, në skenën e Filharmonisë së Berlinit, kam performuar edhe veprën e Memli Kelmendit si solist, kjo gjë më ka nderuar dhe jam shumë i lumtur që e interpretova edhe sonte këtu. Duartrokitjet kanë qenë të jashtëzakonshme, ngrohtësia e publikut shumë e madhe dhe pritja e tyre gjithashtu shumë e madhe, e për këtë gjë jam shumë falënderues”, tha ai.

Përmes tingujve të lavdishëm nga të gjithë anëtarët e korit, u shpreh edhe muzika si emocion, për të treguar edhe një herë fuqinë dhe madhështinë e një orkestre botërore. /KultPlus.com

Kitaristi Lorik Pylla solli magjinë e veprave moderne në natën e dytë të festivalit ReMusica

Era Berisha

Lorik Pylla, kitaristi i talentuar mbrëmë në festivalin ReMusica solli para publikut një program jo dhe aq të zakonshëm, me ç’rast ishin veprat e përzgjedhura për këtë mbrëmje ato të cilat rrallë herë dëgjohen në shoqërinë tonë. Performimi unik dhe diversiteti i teknikave, ishin dy shtyllat kryesore që përkuan me këtë natë e cila frymoi tërësisht në stilin modern, për të shpalosur kështu melodi e tinguj që rrëshqisnin mrekullisht në skenë dhe lehtazi depërtonin përballë të pranishmëve, shkruan KultPlus.

Pikërisht si në natën e parë, nata e dytë e priti kitaristin Lorik Pylla në Sallën e Kuqe, vend ky i cili po qëndronte gjithmonë i ndezur edhe pa asnjë trup mbi të. Me reflektorë në ngjyrë të kuqe, drita të ngrohta që vështronin nga lart skenën si dhe ndriçimi i posaçëm mbi kitaristin në një formë rrethore, rriste emocionet e publikut dhe parashikonte kahjen e kësaj mbrëmjeje të veçantë.

Fotografia: Rrahman Osmani

Njashtu si perdet në ngjyrë të zezë që ishin të lëshuara prapa karriges që qëndronte e vetmuar në skenë, i veshur në të zeza kokë e këmbë, doli kitaristi Pylla me një besueshmëri në vetvete dhe hapa preciz drejt skenës. Me një ndreqje të shpejtë të duarve të tij dhe kitarës, ai hyri direkt në veprën e parë të titulluar “Chiton” nga kompozitori Uros Rojko, vepër kjo që qysh në sekondat e parë vodhi shikimin dhe përqendrimin e të pranishmëve.

E vendosur përballë tij si një trup i dytë, ishte kitara ajo e cila vazhdimisht godiste fuqishëm atmosferën me nota dhe timbër të mrekullueshëm. Në anën tjetër, ishte vetë Pylla ai i cili ishte futur në hipnozën e kitarës, për t’iu bindur plotësisht asaj e për t’i qëndruar besnik deri në momentin e fundit. Ndërsa, me plot elegancë, ishin gishtërinjtë e kitaristit ato të cilat hynin vazhdimisht në labirintin e notave dhe jo vetëm. Ato herë trokitnin e herë të tjera dhe zhdjergshin nga maja e instrumentit e vazhdonin deri në fund të saj.

Shprehjet e fytyrës, lëvizjet e kokës dhe të njërës këmbë, efikasiteti dhe teknika gjallëruese e kitaristit, dëshmoi se interpretimi në kitarë sado i lehtë të duket nga jashtë, në fakt kërkon durim dhe përqendrim të jashtëzakonshëm. Andaj, në mesin e tingujve të lehtë ku njeriu herë pas here duhej dhe të sforconte veshët për të dëgjuar atë mrekulli, shfaqej një cikël i butë prej melodive të cilat me bukurinë e tyre vërshonin mbi ajër dhe pushtonin skenën nga vepra në vepër.

Fotografia: Rrahman Osmani

Përgjatë pothuajse dy orëve, kitaristi Pylla interpretoi vepra si: “12 Impressionistic Sketches” të Allan Willcocks dhe Tilman Hoppstock, “Homenaje a Debussy” dhe “Danza del Molinero” nga kompozitori  Manuel De Falla, “Due Canzoni Lidie” nga kompozitori Nuccio D’angelo, “Sonata për kitarë op.47“ nga A.Ginastera, duke kapur kështu dukshëm vëmendjen e çdo njeriu të pranishëm për të dëgjuar nga afër botën melodike të kitaristit, aty ku dhe shihej më së miri talenti i tij i cili në çdo vepër dilte jashtë për të përshëndetur secilin njeri në publik.

Po ashtu, në këtë mbrëmje si artistë të ftuar ishin dhe violinisti Rron Bakalli dhe baritoni Shaban Behramaj, të cilët së bashku me kitaristin Pylla, sollën veprën “Danza Espanola no.5” nga kompozitori Enrique Granados si dhe veprën premierë që vjen si porosi e festivalit ReMusica, e titulluar “Experior” e kompozuar nga Ersan Januzi. Ndërlidhja kitarës, violinës dhe vokalit vjen si një formacion jo i zakonshëm por që la mbresa të shumta e të veçanta në këtë mbrëmje. Tre trupa në skenë që ishin në posedim të tre talenteve, interpretuan këto dy vepra në një mënyrë tejet brilante, me ç’rast telat e kitarës dhe violinës dridheshin nën duart e pronarëve, ndërsa vokali i baritonit Behramaj dëgjohej me një kujdes të veçantë nga ana e publikut.

Ndërsa, vepra e njohur “Njëzet e pesë gërsheta” nga kompozitori Rafet Rudi, ishte veçantia e kësaj mbrëmje, ku ndonëse dallohej si më e shkurtra nga të gjitha veprat tjera, ajo la një gjurmë të ëmbël në skenë dhe jo vetëm. Në anën tjetër, ishte delikatesa e butë e kitaristit Pylla, ajo që vallëzonte si një hije e mëndafshtë mbi tërë instrumentin e kitarës, për të sjell kështu një program modern i cili do të mbahet mend për shumë gjatë si një nga programet më unike të festivalit ReMusica, ngase secila vepër qysh nga fillimi e deri në fund, fillonte si zjarri i qiririt dhe përfundonte në mënyrë precize dhe të saktë, si ndezja e një çibriti.

Fotografia: Rrahman Osmani

Pas gjithë kësaj nate ishte publiku në një numër të shumtë, ai i cili duartrokitjet dhe brohoritjet nuk i kurseu, duke e rikthyer në skenë përsëri kitaristin i cili me një buzëqeshje falënderonte për prezencën e tyre.

Fotografia: Rrahman Osmani

Për të treguar më shumë rreth programit si dhe përshtypjeve të tij për këtë mbrëmje, për KultPlus foli kitaristi Lorik Pylla.

“Ishte një atmosferë mjaft e mirë dhe e ngrohtë duke nisur qysh nga ndriçimi dhe gjithçka çfarë kanë bërë me skenën në këtë festival në një mënyrë profesionale, duke më bërë dhe mua të ndihem mjaft mirë. Ajo se çka më la më së shumti përshtypje është mikpritja e publikut të një programi mjaft eksperimental që e kam zgjedh me performu sonte, ngase është një muzikë moderne, muzikë të cilën unë e adhuroj shumë dhe më erdh mirë që edhe publiku e priti në një mënyrë mjaft të mirë”, thotë Pylla.

Sipas tij, muzika klasike moderne është njëra ndër adhurimet e tij dhe si pasojë edhe kitara është një instrument i dedikuar për të ardhmen dhe ai po beson dhe shpreson se kompozitorët të shkruajnë sa më shumë për këtë instrument për arsye të mungesës së një repertori.

“Deri më tani asnjëherë nuk kam luajtur një vepër premierë dhe sonte më erdhi rasti. Ishte një ndjenjë mjaft e mirë që iu dha rasti kompozitorit Ersan Januzi që atij t’i luhet vepra në prezencë fizike. Shpresoj se i ka pëlqyer. Ndërkaq, unë po ndihem mjaft mirë që jam pjesë e këtij edicioni, pasi që ky edicion i dedikohet mbrojtjes të natyrës dhe njëra nga veprat e luajtura sonte, kishte pikërisht këtë tematikë. Isha me fat që isha pjesë e këtij edicioni të festivalit ReMusica, e sidomos pas dy viteve pa publik, në këtë herë me publik, unë isha pjesë dhe ishte një ndjenjë tejet e veçantë”, thotë Pylla.

Fotografia: Rrahman Osmani

Po ashtu, baritoni Shaban Behramaj për KultPlus tregoi se kjo është hera e parë që ai performon si një solist në festivalin ReMusica.

“Së pari unë jam edhe pjesë e festivalit ReMusica dhe pa diskutim jam shumë i lumtur që festivali sivjet po rikthehet në formën fizike para publikut, që është diçka shumë e bukur duke pasur parasysh që dy vitet e kaluara kemi qenë online dhe normalisht ndjenja nuk është e njëjtë. Unë sonte pata mundësinë dhe kënaqësinë që po ashtu sonte të performoj në këtë festival si mysafir në koncertin recital të Lorik Pyllës, një kitarist i mrekullueshëm i ri dhe i talentuar, i cili vepron dhe jeton në Gjermani. Për mua është një ndjenjë tepër e veçantë për të performuar në skenën e ReMusicas pasi që është hera e parë që performoj si solist”, thotë Behramaj.

Sipas tij, veçantia e programit është që tematika jo vetëm e kësaj nate por e komplet edicionit, është lidhja direkte me ndryshimet klimatike, me ç’rast dhe vepra premierë e kompozitorit Ersan Januzi po ashtu lidhet me këtë tematikë. Po ashtu, një tjetër veçanti është bashkimi i kitarës, violinës dhe vokalit, një formacion jo i zakonshëm por i cilësuar si mjaft i lezetshëm.

“Më së shumti sonte më la përshtypje fakti që publiku ishte në një numër shumë të madh dhe fakti që publiku ka qëndruar deri në fund të koncertit duke marrë parasysh muzikën jo shumë të popullarizuar tek ne. Kjo për mu është shumë mbresëlënëse. Ndërkaq, performimi i një vepre premierë sonte ishte një ndjenjë e veçantë për shkak se është pothuajse si një vulë e vazhdimësisë së kësaj vepre në gjeneratat e ardhshme”, përfundon Behramaj.

Kujtojmë se edicioni i 21-të i festivalit ReMusica, “The Sound of Change”, trajton temën e ndryshimeve klimatike dhe bën thirrje për ndërgjegjësim tek publiku për veprim klimatik. E gjithë kjo, është reflektuar në programin e sivjetmë, duke u kujdesur që përmbajtja e tij të orientohet në këtë temë, me fokus në katër elementet e natyrës – Toka, Uji, Ajri dhe Zjarri.

Festivali ReMusica do të zgjasë deri më 21 prill. Ndërsa, sonte duke filluar nga ora 20:00 në Sallën e Kuqe vjen koncerti i radhës me kuartetin harkor Selini Quartet  nga Austria si dhe artisët e ftuar si: Zana Abazi Ramadani dhe Edon Ramadani.

 Fotografia në ballinë: Rrahman Osmani / KultPlus.com