MKRS: Galeria këtë vit do të blejë vepra të artistëve vendorë me vlerë 400 mijë euro

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur se këtë vit Galeria Kombëtare do të ketë mundësi të blejë vepra artistike  të artistëve vendorë në vlerë prej 400.000 eurosh.

MKRS ka njoftuar gjithashtu se këtij projekti i ka paraprirë ndarja e buxhetit prej 1 milion eurosh gjatë tre viteve të fundit, ku edhe ka ndodhur pika e kthesës në koleksionimin e artit për Kosovë.

Postimi i Plotë:

Gjatë tri viteve të fundit është shënuar pikë kthyese për koleksionimin e artit në vendin tonë, pas ndarjes së buxhetit prej 1 milion eurosh nga Qeveria e Kosovës për blerje të veprave.

Në vitet 2022 dhe 2023, Galeria Kombëtare e Kosovës ka pasuruar Fondin me 148 vepra të reja nga artistët vendas.

Për më tepër, koleksioni është plotësuar me 120 punime nga koleksioni i Hotelit Grand duke përfshirë këtu disa nga artistët më të njohur në vend si dhe me 75 vepra të reja nga artistë të përzgjedhur të cilët morën pjesë në Bienalen Nomade Evropiane, Manifesta 14, e organizuar në Prishtinë.

Ndërsa, përmes blerjeve direkte të cilat janë menaxhuar nga stafi i GKK-së, koleksioni pati moment transformues në historinë e tij duke u pasuruar me vepra të rëndësishme nga shtatë artiste të njohura si Alije Vokshi, Violeta Xhaferi, Valbona Zherka, Lala Meredith-Vula, Feriha Rada, Hyrije Krypa dhe Zake Prelvukaj. Kjo nismë shënon ndryshim thelbësor në historitë mbizotëruese të artit në vend, duke korrigjuar neglizhencën ndaj artisteve gra brenda historisë të artit dhe institucionit.

Galeria Kombëtare e Kosovës këtë vit do të bëjë blerje të reja me buxhet prej 400.000 eurosh, duke vazhduar me hulumtime më të gjerësishme për artistët modern dhe bashkëkohorë në kontekstin vendor./KultPlus.com

Përkujtohet ideologu i Rilindjes Kombëtare, Jeronim De Rada

Më 28 shkurt të vitit 1903, ndërroi jetë ideologu i Rilindjes Kombëtare, Jeronim De Rada.

Jeronim de Rada u lind më 19 nëntor 1814, në një katund të vogël të Kalabrisë të quajtur Macchia Albanese. Pasi kreu kolegjin e San Benedeto Ullanos, studioi për drejtësi në Universitetin e Napolit.

Në vitin 1836, kur ishte 22 vjeç botoi “Milosaon”, librin e tij të parë. Milosao është një përrallë historike me vjersha në gjuhën shqipe. Jeronim de Rada e arriti kulmin e krijimtarisë së tij në vitin 1866 kur botoi në Firence “Këngët e Milosaos”. Ky libër përmban rapsoditë më të bukura shqiptare, të cilat autori i kishte mbledhur në kolonitë shqiptare të Kalabrisë dhe të Napolit. Këto këngë i patën sjellë me vete të shpërngulurit (arbëreshët) dhe u transmetuan gojë më gojë nga brezi në brez për katër shekuj.

Më 1840 botoi poemën “Serafina Topia“, e cila më tepër se një himn dashurie është një himn për bashkimin e shqiptarëve. Gjatë viteve 1847-1848 botoi “Rrëfimet e Arbrit”, e cila përbëhet nga katër novela romantike.

Më 1861 botoi “Parimet e estetikës”, më 1864 “Lashtësia e kombit shqiptar” dhe më 1866 “Rapsodi e një poeme arbëreshe”.

Veprën e fundit Jeronim de Rada e shkroi në vitin 1900 në moshën 86 vjeçare. Jeronim de Rada u martua më 1850 me arbëreshen Madalena Melkji, me të cilën pati katër djem. Fatkeqësitë familjare, vdekja e gruas dhe e djemve nuk e mposhtën atë, por dhimbjen e ktheu në forcë duke vazhduar veprimtarinë krijuese. Në këtë kohë shkroi poemën “Skënderbeu i pafat“.

Biblioteka Kombëtare Shqiptare, Memorandum Bashkëpunimi me ‘St. Clement of Ohrid’

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Piro Misha, nënshkroi sot, Memorandumin e Mirëkuptimit për Bashkëpunim me drejtorin e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare “St. Clement of Ohrid” të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Rahmetula Kuqi.

Ky memorandum synon bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët në aspektin e kërkimit akademik dhe të përhapjes kulturore, bashkëpunimit shkencor në fushën e bibliotekonomisë, kërkimit shkencor dhe fushave të lidhura me to, si: bibliografisë, informacionit shkencor, koleksioneve të rralla etj.

Në kuadër të këtij memorandum, do të organizohen veprimtari të përbashkëta kulturore e shkencore, si: konferenca, ekspozita, botime të përbashkëta, shkëmbime e dhurime botimesh etj. Të dy drejtuesit e Bibliotekave Kombëtare e cilësuan si “shumë të rëndësishëm nënshkrimin e këtij Memorandumi, që hap udhën e bashkëpunimit të ngushtë dypalësh”./atsh/KultPlus.com

Nënë Tereza në veshje kombëtare (FOTO)

Gonxhe Bojaxhiu, e njohur botërisht si Nënë Tereza ose Shën Tereza e Kalkutës është nobelistja shqiptare që pjesën më të madhe të jetës së saj ia kushtoi bamirësisë, shkruan KultPlus.

Ajo lindi në Shkup (sot Republika e Maqedonisë), atëherë pjesë e Vilajetit të Kosovës në Perandorinë Osmane. Pasi kishte jetuar në Maqedoni për tetëmbëdhjetë vjet, ajo u shpërngul në Irlandë dhe më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj.

Nënë Tereza themeloi Misionaret e Bamirësisë, një kongregacion fetar katolik, i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 vende.

KultPlus sot ju sjellë një fotografi të rrallë të Nënë Terezës me motrën e saj, Age Bojaxhiu. Fotografia është shkrepur në vitin 1923, në Konsullatën Kombëtare të Vajzave Prizrenase./ KultPlus.com

Biblioteka Kombëtare nderon përmes një ekspozite, akademikun Eqrem Çabej

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, përmes një ekspozite “In memoriam”, përkujton akademikun Eqrem Çabej, në 115-vjetorin e tij të lindjes. Ekspozita  sjell në vëmendje të publikut trashëgiminë e tij të jashtëzakonshme në shkencat shqiptare, si figura më përfaqësuese e vlerave të akademizmit shqiptar; protagonist e bashkëthemelues i saj, albanolog; me njohje të gjerë e vlerësim të lartë në të gjitha qendrat e studimeve shqiptare brenda dhe jashtë vendit.

Kjo ekspozitë sjell një pjesë modeste të krijimtarisë së tij, si: “Studime etimologjike në fushë të shqipes”; “Problemi i vendit të formimit të gjuhës shqipe”; “Studime gjuhësore”; “Studime për fonetikën historike të gjuhës shqipe”; “Studime shqiptare : vepra të zgjedhura”; “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”; “Për gjenezën e literaturës shqipe”; “Hyrje në indoevropianistikë : leksionet e Prishtinës”; “Vepra e Gjon Buzukut në vështrim gjuhësor historik”; “Hyrje në historinë e gjuhës shqipe”; “Në botën e arbëreshëve të Italisë : përmbledhje studimesh”; “Shumësi i singularizuar në gjuhën shqipe”; “Në tridhjetëvjetorin e vdekjes së Nobert Jokli” etj.

Eqrem Çabej bëri një punë të madhe sidomos për studimin e gjuhës së Gjon Buzukut, veprën e të cilit edhe e ribotoi të transliteruar dhe të traskribuar “Meshari i Gjon Buzukut (1955)  botim kritik”.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Sallën Shkencore të BKSh-së./atsh/KultPlus.com