Rikonstruktohet biblioteka në qytetin e Peshkopisë, 74 mijë libra për lexuesit

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku njëhersh drejtuese politike e qarkut të Dibrës, e shoqëruar nga ministrja për Rininë, Bora Muzhaqi dhe kryetari i bashkisë së Bulqizës, Rahmi Spahija vizituan sot bibliotekën në qytetin e Peshkopisë.

Zëvendëskryeministrja Balluku bëri të ditur se biblioteka është rikonstruktuar dhe se fondi i librave është i mirëmbajtur.

Tashmë, informoi ajo, kësaj biblioteka i është shtuar edhe salla e leximit, e cila mungonte deri sot.

Biblioteka e parë në qytetin e Peshkopisë daton në vitin 1945. Ajo u hap në një ambient privat të një mësuesi, i cili e kaloi pronën e tij në dispozicion të lexuesve.

Nga 1700 libra në vitet 1950, sot kjo bibliotekë ka arritur të ketë 74 mijë libra të të gjitha zhanreve dhe fushave në gjuhën shqipe dhe gjuhë të huaja. Po ashtu në këtë bibliotekë janë të ruajtura edhe  gazetat që prej vitit 1904.

Ky fond ju shërben 5300 anëtarëve të resgjistruar./atsh/KultPlus.com

Biblioteka Kombëtare Shqiptare, Memorandum Bashkëpunimi me ‘St. Clement of Ohrid’

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Piro Misha, nënshkroi sot, Memorandumin e Mirëkuptimit për Bashkëpunim me drejtorin e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare “St. Clement of Ohrid” të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Rahmetula Kuqi.

Ky memorandum synon bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët në aspektin e kërkimit akademik dhe të përhapjes kulturore, bashkëpunimit shkencor në fushën e bibliotekonomisë, kërkimit shkencor dhe fushave të lidhura me to, si: bibliografisë, informacionit shkencor, koleksioneve të rralla etj.

Në kuadër të këtij memorandum, do të organizohen veprimtari të përbashkëta kulturore e shkencore, si: konferenca, ekspozita, botime të përbashkëta, shkëmbime e dhurime botimesh etj. Të dy drejtuesit e Bibliotekave Kombëtare e cilësuan si “shumë të rëndësishëm nënshkrimin e këtij Memorandumi, që hap udhën e bashkëpunimit të ngushtë dypalësh”./atsh/KultPlus.com

Në Kamzë hapet një bibliotekë e re, i shërben mbi 16 mijë të rinjve

Një bibliotekë e re iu shtua Kamzës falë thirrjes së dytë për infrastrukturë rinore nga Agjencia Kombëtare e Rinisë.

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla dhe kryetari i bashkisë Kamzë, Rakip Suli vizituan ambientet më të reja rinore, të pasuruara me mbi 1000 libra, për të shtuar dijet.

Pjesë e bibliotekës është edhe një sallë rinore bashkëkohore për të zhvilluar aktivitete që rrisin përfshirjen, zhvillimin dhe socializimin e të rinjve.

Kjo bibliotekë u mundësua falë thirrjes së dytë për projektpropozime rinore, të financuar  me mbështetjen e qeverisë shqiptare, nëpërmjet AKR-së. Në bashkinë Kamzë përfitojnë nga përdorimi efikas i godinës, 16 379 të rinj.

Këtë vit, thirrja për projektpropozime rinore për njësitë e vetëqeverisjes vendore synoi rikonstruksionin, ndërtimin, rindërtimin dhe funksionin e objekteve publike, pjesë e infrastrukturës rinore si: qendra rinore, biblioteka dhe qendra rekreative për të rinjtë./atsh/KultPlus.com

Në Manastir hapet biblioteka e parë shqipe

Sot është hapur Biblioteka e parë shqipe, në qytetin e Alfabetit, në Manastir nga iniciativa e studentes Emira Selimi, përmes donacioneve të shumta shkruan KultPlus.

“Faleminderit Kombi im, ju e themeluat Bibliotekën e parë shqipe në Manastir. Kjo Bibliotekë sot u hap”, ka shkruar Selimi në facebook.

Kjo ceremoni e hapjes së kësaj biblioteke, u përcoll edhe nga Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili ka thënë se ruajtja e gjuhës është thirrje për ruajtjen e identitetit kombëtar.

“Në 115 vjetorin e alfabetit shqip, në Manastirin e shenjtë të shqipes që bëri bashkë gegë e toskë, myslimanë dhe të krishterë për abecene që kemi sot. Ta ruash dhe të lëvrosh gjuhën amtare nuk është thjesht një thirrje për ruajtjen e një trashëgimie kulturore. Ajo është thirrje për të ruajtur identitetin kombëtar”, ka shkruar ai.

Hapja e kësaj Biblioteke u inicua nga studentja Selimi, e cila kohë më parë publikoi iniciativën për ta shpëtuar shqipen nga asimilimi në Manastirin e alfabetit shqip.

“Çfarë vendos Zoti, nuk e ndal dot njeriu. Faleminderit Zot që më mbrojte gjatë gjithë kësaj periudhe të vështirë,” ka shkruar Selimi në facebook./KultPlus.com

Biblioteka Kombëtare nderon përmes një ekspozite, akademikun Eqrem Çabej

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, përmes një ekspozite “In memoriam”, përkujton akademikun Eqrem Çabej, në 115-vjetorin e tij të lindjes. Ekspozita  sjell në vëmendje të publikut trashëgiminë e tij të jashtëzakonshme në shkencat shqiptare, si figura më përfaqësuese e vlerave të akademizmit shqiptar; protagonist e bashkëthemelues i saj, albanolog; me njohje të gjerë e vlerësim të lartë në të gjitha qendrat e studimeve shqiptare brenda dhe jashtë vendit.

Kjo ekspozitë sjell një pjesë modeste të krijimtarisë së tij, si: “Studime etimologjike në fushë të shqipes”; “Problemi i vendit të formimit të gjuhës shqipe”; “Studime gjuhësore”; “Studime për fonetikën historike të gjuhës shqipe”; “Studime shqiptare : vepra të zgjedhura”; “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”; “Për gjenezën e literaturës shqipe”; “Hyrje në indoevropianistikë : leksionet e Prishtinës”; “Vepra e Gjon Buzukut në vështrim gjuhësor historik”; “Hyrje në historinë e gjuhës shqipe”; “Në botën e arbëreshëve të Italisë : përmbledhje studimesh”; “Shumësi i singularizuar në gjuhën shqipe”; “Në tridhjetëvjetorin e vdekjes së Nobert Jokli” etj.

Eqrem Çabej bëri një punë të madhe sidomos për studimin e gjuhës së Gjon Buzukut, veprën e të cilit edhe e ribotoi të transliteruar dhe të traskribuar “Meshari i Gjon Buzukut (1955)  botim kritik”.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Sallën Shkencore të BKSh-së./atsh/KultPlus.com

Biblioteka e Tetovës rrezikon të mbyllet

Mbi 20 vjet Biblioteka e Tetovës, po funksionon pa kushte elementare. Në një hapësirë prej vetëm 200 metra katrore, janë të vendosura në rafte mbi 83.000 libra mes të cilave mezi kalohet. Me tavane të ulëta, lagështi e dritë të tepërt që ndikon në shkatërrimin e librave.

Me dhjetëra herë, punëtorët e kësaj biblioteke përmes televizionit Alsat kanë alarmuar për kushtet e vështira, duke kërkuar një hapësirë më të madhe për të zhvilluar këtë veprimtari, por Ministria e Kulturës, asnjëherë nuk ndërmori masa për dislokimin e bibliotekës në një vend me sipërfaqe dhe kushte të duhura. Dhe sikur kjo të mos mjaftojë, ditë më parë, Ministria e Kulturës ka njoftuar organet e Shtëpisë së Kulturës ku është e vendosur edhe biblioteka, se e njëjta do të hiqet nga ai vend, dhe do të vendoset tek klasat e Fakultetit të Artit Muzikor, ku kushtet, sipas të punësuarve në bibliotekë, janë ende më të këqija.

“Faktikisht e gjitha është me kërkesë të Ministrisë së Kulturës pas çka Qeveria  pritet të sjellë vendim që në hapësirat ku gjendet Biblioteka e Tetovës, do të vendoset Delegacioni i Bashkësisë Evropiane, kurse në pjesën tjetër do të kalojë Biblioteka e Tetovës. E njëjta do të kalojë aty ku aktualisht gjendet Fakulteti i Arteve të Universitetit të Tetovës”, tha Vullnet Fejzullahu, Shtëpia e Kulturës “Iljo Anteski Smok”.

Ky dislokim, sipas drejtoreshës së bibliotekës së Tetovës, nënkupton edhe mbylljen e këtij institucioni, sepse, vendi ku planifikohet të locohet biblioteka, nuk ka aspak kushte as për vendosjen e librave e as për numrin e madh të lexuesve që ka kjo bibliotekë, e që në numër janë mbi 5.000.

“Kjo nga ana jonë është pritur negativisht dhe punëtorët kanë frikë se ne gjithë kohës pra me vite kërkojmë kushte më të mira se në këto kushte mezi veprojmë, e neve duan t’na japin hapësirat e klasave të Fakultetit të Arteve Muzikore, që janë klasa të ngushta me tavane të ulëta nuk plotësojnë aspak kushtet për funksionim të bibliotekës. Me këtë dislokim gjysma e fondit të librave do dëmtohet dhe as që do mund të funksionojmë, aty thjesht do mund të funksionojmë si magazinë dhe kjo çon drejt mbylljes së bibliotekës”, u shpreh Rezearta Ismaili, Drejtoreshë e bibliotekës së Tetovës.

Përveç mungesës së hapësirës për vendosjen e gjithë fondit të librave në biblioteke, si pasojë e të cilës, mbi 50.000 tituj rinë nëpër depotë e Shtëpisë së Kulturës, në gjendje të mjerueshme janë edhe gazetat ditore të vendit, të cilët ruhen që nga viti 1944, por që në mungesë të kushteve, janë hedhur në nënkulmin e Shtëpisë së Kulturës. /alsat.mk/KultPlus.com

Suela Jorgaqi, shqiptarja në krye të bibliotekës “Pestalozzi” në Cyrih


Pestalozzi Bibliothek Hardau është një nga bibliotekat më të frekuentuara në Cyrih dhe ajo udhëhiqet tashmë nëntë vjet nga drejtoresha Suela Jorgaqi.

E apasionuar pas gjuhëve dhe kulturave të ndryshme, Suela Jorgaqi studimet i përfundoi në Fakultetin për Gjuhë të Huaja, në Tiranë. Në vitin 2000 fati i saj ishte të takonte një çift zviceran, i cili do ta ndihmonte më pas për të studiuar në Chur. Studimet për shkencë informacioni i hapën dyert Suelës për të bërë punën që ajo kishte dashur gjithmonë, të jetë afër librave dhe afër njerëzve që i duan librat, sikurse ajo.

“Universiteti që kreva në Chur për shkencë informacioni më hapi dyert. Në fillim punova në sindikatën Unia, që ishte një punë jete, bëja aksione për barazinë gjinore, këshilloja punëtorët për ligjet e të drejtat e punës, flisja 5 gjuhë në ditë. Pastaj kur u hap biblioteka ndërkulturore ku jam tani, më kërkuan për të punuar në këtë projekt të ri ndërkulturor dhe meqë është diçka e re në Cyrih, thashë menjëherë po! Unë gjithmonë kam qenë e interesuar të punoj me njerëz që vijnë nga kultura të ndryshme. Si fillim më morën si zëvendësuese të drejtoreshës dhe që prej 9 vjetësh jam drejtoreshë e Pestalozzi – Bibliothek Hardau. Dashuri për librat po, por mbi të gjitha dashuri për njerëzit. Dhe kur i lidh njerëzit me librat, lindin projekte shumë të bukura”, thotë Suela në intervistën për albinfo.ch.

2000 libra shqip në “Pestalozzi”, sa kanë interes shqiptarët për të lexuar?

Në bibliotekën “Pestalozzi” gjenden libra në 13 gjuhë të ndryshme, përfshirë edhe shqipen. Rreth 2000 libra në shqip, në zhanre të ndryshme, ofrohen për mosha të ndryshme.

“Ne kemi libra në 13 gjuhë, një nga të cilat është edhe shqipja. Specifika e bibliotekës janë librat me temë ndërkulturore, për të mësuar gjermanisht, libra pedagogjikë, libra me tematikë midis botëve të ndryshme, libra për të pakësuar paragjykimet e për të mësuar më shumë për botët e ndryshme që na rrethojnë. Kemi një asortiment prej 2000 librash shqip që qarkullojnë vazhdimisht, sepse blejmë rregullisht libra të rinj. Jam me fat që jam në kontakt dhe me librin shqip, që është pjesë e pandashme imja. Dhe librat i kemi për moshën nga 0 deri 99 vjeç, në të gjitha zhanret e ndryshme”, ka sqaruar Suela.

Tutje, ajo thotë se veprat e autorëve shqiptarë që gjenden në bibliotekë nisin nga Ismajl Kadareja, Fatos Kongoli, e deri tek autorët e sotshëm: Shqipe Sylejmani, Lea Ypi, etj.

Kur flet për librin dhe shqiptarët, Suela thotë se shqiptarët duhet të frekuentojnë më shumë bibliotekat.

“E rëndësishme është të hapim sytë dhe të përfitojmë sa më shumë të jetë e mundur nga kulturat e tjera që i kemi kaq pranë. Kjo është e ndërsjellë, si për zviceranët ashtu edhe për nacionalitetet e tjera që na rrethojnë. Shqiptarët duhet të vijnë më shumë t’i vizitojnë bibliotekat, jo vetëm të blejnë libra kur janë me pushime. Me një kartë biblioteke mund të lexosh 1 milion libra, kjo është motoja jonë”, shton ajo.

Sfidat e menaxhimit të një biblioteke funksionale

E pyetur për sfidat në menaxhim, Suela përmend organizimin që duhet të ketë në mes të punëtorëve që shërbejnë në bibliotekë. Kualifikimi i duhur është ai që i bën kolegët e saj të jenë pjesë e një biblioteke funksionale, që ofron aktivitete nga më të ndryshmet.

“Po është e vështirë dhe interesante njëkohësisht. Sfidat e një biblioteke janë ta bësh stafin që të mendojë dhe funksionojë si unë. Koleget e mia janë shumë të kualifikuara, flasin disa gjuhë, zotërojnë aftësi të bëjnë disa aktivitete në të njëjtën kohë. Nuk është çudi që ne jemi bërë pikë organizimi dhe aktivitetesh për shumë komunitete, sidomos për atë shqiptar. Kështu tek ne ndodhin kurse gjermanishte, lexime në gjuhë të ndryshme, kurse për joga, animacione për fëmijë në shumë gjuhë, etj.”, ka thënë ajo.

Një nga arsyet që biblioteka vazhdon të jetë e frekuentuar, është përshtatja e saj në botën digjitale.

“Patjetër, sot lexohet ndryshe. Ne kemi integruar edhe shumë oferta për ebooks, sepse njerëzit që nga Korona janë bërë komodë, dmth duan çdo gjë në shtëpi. Në përgjithësi statistikat e librave në bibliotekat gjermanishtfolëse tregojnë që lexohet më pak ose më saktë huazohen më pak libra”, ka shtuar Suela.

Shqipëria, vendi ku i mbush bateritë

Edhe pse me shumë angazhime në drejtimin e bibliotekës, Suela e viziton shumë shpesh Tiranën. Atje, ajo kalon një kohe intensive duke takuar familjen dhe shoqërinë. Ajo thotë se pikërisht në Shqipëri, nën shoqërinë e njerëzve të afërt, ajo i mbush bateritë.

“Unë jam shumë e lidhur me Shqipërinë. Shkoj shpesh dhe i mbledh njerëzit e mi të dashur dhe dua t’i kem pranë. Shpesh më thonë dhe shoqet e mia që jetojnë në Tiranë nuk shihemi, por kur vjen ti, na mbledh të gjithëve. Sa herë që shkoj, është një kohë shumë intensive për mua, aty ku unë mbush bateritë dhe mundohem të takoj kaq shumë njerëz, familje, shoqe, saqë kur kthehem këtu “jam shumë e lodhur, por edhe e lumtur”, thotë Suela.

Orari i punës

Biblioteka Pestalozzi Hardau, e hapur nga e marta deri të premten nga ora 14.00 deri në 19.00 dhe të shtunave nga ora 10.00 deri në 16.00, në Norastrasse 20, 8004 Zyrih, afër Albisriedenplatz. Informacione të mëtejshme gjeni tek www.pbz.ch. / KultPlus.com

Dhjetë bibliotekat më mbresëlënëse në botë (FOTO)

Edhe nëse nuk i përkushtoheni shumë librit dhe leximit, nuk mund ta mohoni madhështinë e këtyre 10 bibliotekave.

KultPlus ua sjell më poshtë, përzgjedhjen e bërë nga Google Art.

BIBLIOTEKA “GEORGE PEABODY”, BALTIMOR, SHBA

Biblioteka me pesë nivele konsiderohet aq e bukur sa që nganjëherë edhe martesat mbahen brenda atriumit neo-grek. Gjithçka aty është financuar nga një djalë i mirë i quajtur George Peabody.

BIBLIOTEKA E BIRMINGAMIT, ANGLI

Eksterieri u kompletua në vitin 2013, me 5,357 unaza të mbivendosura, si nderim për lagjen e bizhuterisë në qytet. Ajo u hap zyrtarisht nga aktivistja Malala Yousafzai.

BIBLIOTEKA “CLEMENTINUM”, PRAGË, ÇEKI

Ndërtesa e stilit barok u ndërtua nga jezuitët më 1622. Legjenda thotë se ndërtimi nisi me një libër, ndërsa përfundoi me 20 mijë.

“DHOMA MBRETËRORE PORTUGEZE E LEXIMIT”, RIO, BRAZIL

Me koleksionin më të madh të librave portugezë jashtë Portugalisë, biblioteka është themeluar nga 43 emigrantë politikë për të promovuar kulturën kombëtare në Brazil.

BIBLIOTEKA PUBLIKE, NJU-JORK, SHBA

Kjo është biblioteka më e njohur nga filmat, si nga “Day After Tomorrow” (2004) apo “Sex and the City” (2008).

BIBLIOTEKA E VJETËR E KOLEGJIT TË TRINISË, DUBLIN, IRLANDË

Është 61 metra e gjatë, e dekoruar me tavane të harkuar dhe buste mermeri të autorëve të famshëm. Vëllimi më i famshëm aty është “Libri i Kellsëve” – dorëshkrim në latinisht që përmban katër ungjijtë e Dhiatës së Re.

LIBRARIA E QYTETIT, SHTUTGART, GJERMANI

Gjithçka duket si piramidë e përmbysur. Panelet e kulmit emitojnë dritë të kaltër edhe natën, ndërsa një pjesë e koleksionit është e qasshme për 24 orë – në atë që quhet “Libraria e të pagjumëve”.

BIBLIOTEKA “ALEXANDRINA”, ALEKSANDRIA, EGJIPT

Dhomat e leximit priren kah deti si orë diellore. Muret e granitit janë të dekoruara me shkronjat e qindra gjuhëve.

BIBLIOTEKA “MARCIANA”, VENECIA, ITALI

Ndërtesa e kohës së Renesancës ka një nga koleksionet më të mëdha në botë të teksteve klasike. Pos 750 mijë librave, brenda mund të shihni edhe veprat e Titianit dhe Tintorettos.

BIBLIOTEKA PUBLIKE, TAIPEI, TAJVAN

Biblioteka me materiale ekologjike e pastron ujin, punon me panele diellore dhe ventilim natyral. Brenda janë mbi 20 mijë libra në gjuhën angleze dhe kineze. 

Biblioteka e re 272 milionëshe e Dubait është “oqeani” i ri i dijes

Dubai njihet si vendi i shkëlqimit, ndërtesave gjigande, hoteleve luksoze dhe qendrave tregtare vezulluese, përshkrimi i botës së vërtetë kapitaliste.

Mes gjithë rrëmujës, gjendet një oaz i bukur qetësie, ku vizitorët mund të përfshihen brenda një libri, të hapin laptopët e tyre dhe të punojnë apo studiojnë, të mahniten pas dorëshkrimeve të rralla dhe botimeve të para në ekspozitën e katit të shtatë të BibIiotekës Mohammed Bin Rashid, e cila u hap në Qershor.

Hyrja në bibiliotekë është falas për të gjithë, vendas e turistë, me vende që duhet të rezervohen më parë. Bibilioteka mbart një etiketë çmimi tipike për Dubain sepse ndërtimi i saj kushtoi 1 miliardë Dihramë ose 272 milionë Dollarë. Emri u vendos në nder të sheikut Mohammed Bin Rashid Al Maktoum, drejtuesi i Dubait, i cili njoftoi për ndërtimin e saj në vitin 2016.

Mbi 1.1 milionë kopje të printuara dhe dixhitale ndodhen brenda kësaj ndërtese prej 54.000 metra katrorë, që pritet të mbledhin turmat e apasionuara pas kulturës dhe jo konsumit. Forma e bibiliotekës i përngjan një libri të hapur, në të vërtetë është frymëzuar nga një mbajtëse librash ku dikur vendosej Kurani i shenjtë.

9 biblioteka të dedikuara medias, arteve, biznesit, gazetave ndërkombëtare, hartave dhe atlaseve, librave për fëmijë e të rritur dhe një koleksion thesaresh të çmuara të arkivës ndodhen në këtë “shtëpi” gjigande.

Koleksioni vijon të zgjerohet, por që tani shifrat e tij janë mbresëlënëse. Përveç kopjeve të shtypura dhe dixhitale, vizitorët kanë akses në mbi 6 milionë kopje shkrimesh akademike, 73.000 partitura, 75.000 video,  35.000 gazeta ndërkombëtare dhe 5000 të përditshme historike që mbulojnë një periudhë 325-vjeçare.

Dhe kur nevojitet një pushim, ka edhe një kafene./tvklan.al/ KultPlus.com

Biblioteka e dorëshkrimeve që do të botohen pas 100 vjetësh

Disa nga autorët më të famshëm në botë kanë shkruar dorëshkrime që nuk do të botohen për një shekull – pse?

Nga Richard Fisher

Në një pyll në veri të Oslos në Norvegji, më shumë se 200 njerëz u mblodhën për të parë një ceremoni. Ata kishin ecur në një kortezh – disa me qentë e të tjerë me fëmijët e tyre – përgjatë shtigjeve me zhavorr, të drejtuara nga shigjeta në tokë të bëra nga ashkla druri të spërkatura. Ajri mbante një aromë gjilpërash pishe, trungje të djegura dhe kafe të fortë norvegjeze.

Në destinacionin e tyre – një pyll i mbjellë së fundmi – njerëzit u ulën ose u përkulën në një shpat të mbushur me pemë bredh. Çdo pemë ishte ende vetëm rreth 1 metër (3 këmbë) e lartë, por një ditë, kur bredhi të jetë më shumë se 20-30 herë më i madh, ata do të japin letrën për një koleksion të veçantë librash. Të gjithë atje e dinin se nuk do të jetonin për ta parë këtë të ndodhte, as nuk do të arrinin t’i lexonin librat.

Kjo ishte ceremonia e Bibliotekës së Ardhshme 2022, një projekt arti 100-vjeçar i krijuar për të zgjeruar perspektivat e njerëzve për kohën dhe detyrën e tyre ndaj pasardhësve. Çdo vit që nga viti 2014, artistja skoceze Katie Paterson – së bashku me homologen e saj norvegjeze Anne Beate Hovind dhe një grup të besuarve – ka ftuar një shkrimtar të shquar të dorëzojë një dorëshkrim dhe komisionimi do të vazhdojë deri në vitin 2113. Më pas, një shekull pas projektit filloi, më në fund do të publikohen të gjitha.

Filloi me autoren Margaret Atwood, e cila shkroi një tregim të quajtur Scribbler Moon, dhe që atëherë biblioteka ka kërkuar parashtrime nga e gjithë bota, me vepra të romancierit anglez David Mitchell, poetit islandez SjónElif Shafak të TurqisëHan Kang nga Koreja e Jugut dhe poeti vietnamezo-amerikan Ocean Vuong.

Këtë vit, autori zimbabvean Tsitsi Dangarembga dhe shkrimtari norvegjez Karl Ove Knausgaard erdhën në pyll për të dorëzuar tregimet e tyre (së bashku me autorët e kthyer Mitchell dhe Sjón). Të ndaluar nga zbulimi i përmbajtjes së veprës së tyre, ata mund të ndajnë vetëm titujt: Dangarembga e quajti të sajën Narini dhe Gomarin e saj – Narini rrjedh nga një fjalë zimbabveane për “pafundësi” – ndërsa Knausgaard paraqiti një titull më enigmatik, thjesht: Libri i verbër.

Të gjitha dorëshkrimet do të ruhen për gati një shekull brenda sirtarëve prej xhami të mbyllur në një cep të fshehur të bibliotekës kryesore publike të Oslos, brenda një depoje të vogël prej druri të quajtur Dhoma e Heshtjes. Në vitin 2114, sirtarët do të zhbllokohen dhe pemët do të copëtohen – dhe 100 histori të fshehura për një shekull do të publikohen më në fund me një hap.

Autorët – dhe të gjithë të tjerët që ishin në Oslo atë të dielë – e dinin se me siguri nuk do të jetonin për ta parë këtë të ndodhte. “Është një projekt që nuk po mendon vetëm për ne tani, por për ata që nuk kanë lindur”, shpjegon Paterson. Madje, shton ajo, “shumica e autorëve nuk kanë lindur ende”.

Pra, pse të ndërtohet një bibliotekë ku askush sot nuk mund t’i lexojë librat? Dhe çfarë mund të mësohet nga historia e saj deri tani?

Projekti “Biblioteka e së ardhmes” është një nga projektet e shumta artistike që kam hasur vitet e fundit dhe që synon të nxisë të menduarit afatgjatë. Gjatë viteve të fundit, unë kam shkruar librin tim të quajtur Pamja e gjatë, që është arsyeja pse bota duhet të transformojë perspektivën e saj të kohës. Gjatë rrugës, kam dëgjuar një kompozim muzikor që do të luajë për 1000 vjet, kam lexuar një poemë të pafund të ngulitur në një rrugë holandeze një shkronjë në një kohë dhe kam marrë një ftesë me kornizë për një festë në vitin 2269.

Kjo nuk do të thotë se Biblioteka e së Ardhmes duhet parë si një akt sakrifice. As nuk besohet, siç sugjeroi dikur një kritik, se është një kapsulë kohore elitare që përjashton njerëzit. Disa mund të argumentojnë se qëllimi kryesor i një biblioteke është vënia e librave në dispozicion për të gjithë, por projekti ofron përfitime të tjera të ndryshme për ata që merren me të në ditët e sotme.

Të zbulosh dhomën e heshtur është si të hasësh një portal në një botë tjetër. Pasi të keni ngritur një sërë shkallësh lëvizës në pesë kate – duke kaluar studentët që punojnë në tavolina dhe fëmijët duke shfletuar librat me figura – ju mbërrini në atë që duket si një shpellë prej druri, në një cep të qetë mes rafteve të librave. Pasi të keni hequr këpucët, mund të hyni.

Brenda, kreshtat përgjatë mureve rrethojnë hapësirën e vogël me 100 sirtarë xhami të mbyllur, një për secilin prej dorëshkrimeve. “Ndihet si të jesh brenda një peme”, thotë Paterson. “Është mjaft magjike, sepse është shumë e vogël dhe intime: e rrethuar nga unaza pemësh, me dritë që shkëlqen nëpër sirtarët e dorëshkrimeve”.

Në fund të fundit, Biblioteka e së Ardhmes është një shprehje shprese – një deklaratë besimi në mundësitë që mund të kenë përpara fëmijët tanë për një kohë të gjatë.

Kur fola me Paterson, ajo vuri në dukje se ndërsa ajo vetë nuk do t’i lexonte kurrë librat, kishte të paktën një pjesëmarrës në ceremoni – djali i saj, i cili do të ishte në të 90-at në shekullin e 22-të. Gjatë fundjavës, ai nuk kishte asnjë ngurrim të endej me autorët e famshëm dhe t’u bënte atyre pyetje. Gjatë një momenti solemniteti të qetë, duke parë shkrimtarët që hynin në dhomën e heshtjes për të vendosur dorëshkrimet e tyre në sirtarë, ai bërtiti: “ÇFARË KA BRENDA?” (Në fakt kjo është ajo që të gjithë po mendonin.) Mitchell – ende me çorape pasi hoqi këpucët për të hyrë në dhomë – u ul pranë tij në dyshemenë e bibliotekës dhe i tregoi atë që kishte parë. Më pëlqen të imagjinoj se ai zbuloi edhe disa detaje rreth historisë së tij sekrete, por kjo sigurisht që do të ishte e ndaluar.

Më pas, Paterson kapi dorën e djalit të saj dhe e çoi brenda për ta parë nga afër. Ai nuk e dinte akoma, por ky vend, pylli dhe komuniteti që mblidhet këtu një herë në vit, do të ishin pjesë e jetës së tij dhe të nënës së tij për dekadat e ardhshme – një fije që përshkon jetët e të dyve, dhe ndoshta shumë përtej. /GSH / KultPlus.com

Libri i huazur 70 vite më parë, i kthehet bibliotekës

Libri i huazuar në vitin 1940 është kthyer tani në bibliotekën e Qarkut të Ann Arbor të Michiganit.

Tappan Rowland Fisher, një mësuese arti, kishte huazuar një libër të studimeve shoqërore, por në bibliotekë e ktheu nusja e saj, Kari Magill, pas më shumë se 70 vjetësh, shkruan Foxnews, përcjell KultPlus.

“Ju lutemi pranoni këtë kthim të vonuar të librit, ndoshta mund të hiqni dorë nga gjoba, pasi Maria vdiq në 1967?”, ka shkruar në një letër Magill kur e kishte dorëzuar librin.

Aktualisht, biblioteka për librat e vonuar ka një tarifë ditore prej 25 centëh, por familja Fisher ka arritur t’i shmanget kësaj tarife. / KultPlus.com

Hapet Këndi Arkivor në ambientet e bibliotekës ‘Marlin Barleti’ në Shkodër

Nga sot të gjithë të apasionuarit dhe të interesuarit shkodran, për dokumentet që ruan dhe administron arkivi i shtetit nuk është më e nevojshme të paraqiten në sallën e studimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave në Tiranë.

Këndi Arkivor është hapur në një nga sallat e Bibliotekës “Marlin Barleti” falë mbështetjes së Bashkisë Shkodër dhe Bibliotekës së qytetit.

Në çeljen e këtij Këndi Arkivor ishin kryetarja e Bashkisë Shkodër Voltana Ademi, drejtori i Drejtorisë së Inspektimit në DPA, Dr. Endrit Musaj dhe drejtori i Bibliotekës, Maxhid Cungu.

Gjatë këtij përurimi u bë dhe një demonstrim i këtij shërbimi nga specialisti i DPA, Myrteza Sharra.

Drejtori i Drejtorisë së Inspektimit në DPA Dr. Endrit Musaj tha se “ky kënd vlen vetëm për qëllime studimore, për dokumente të një karakteri tjerë me natyrë biografike apo pronësie, DPA këtë shërbim e ofron nëpërmjet Postës Shqiptare, ku çdo kërkesë merr përgjigje nëpërmjet këtij shërbimi”.

Në fjalën e saj kryetarja e bashkisë Shkodër, Voltana Ademi u shpreh se “në këtë projekt bashkia e Shkodrës ka marrë pjesë duke ofruar infrastrukturën e domosdoshme që lidhen me pajisjet kompjuterike, shërbimin e internetit dhe personelin që do të vihet në dispozicion, pikërisht për t’i shërbyer të gjithë atyre studiuesve që mund të jenë studentë, pedagogë e të tjerë, të cilët do të vijnë dhe do të asistohen për mënyrën se si mund të operojnë me këtë sistem”.

Procedurat, forma dhe të gjitha rregullat e këtij Këndi Arkivor funksionojnë njësoj si në Sallën e Studimit në Tiranë.

Ky kënd ka si qëllim për të qenë sa më pranë studentëve, akademikëve po dhe publikut të gjerë për të bërë kërkime në këtë hapësirë studimore.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave me këtë iniciativë të saj ka si qëllim shtrirjen e Këndeve Arkivore në sa më shumë vende brenda dhe jashtë vendit, që kërkimi dhe hulumtimi mbi dokumente të jetë për të gjithë njësoj. /atsh/ KultPlus.com

‘E kam imagjinuar gjithnjë parajsën si një lloj biblioteke’

Dita Ndërkombëtare e Librit dhe të drejtave autoriale është përzgjedhur të jetë 23 prilli, si datë me kuptim simbolik për letërsinë botërore. Në këtë datë të vitit 1616, kishin vdekur autorët Uilliam Shekspir nga Anglia dhe Miguel de Cervantes nga Spanja.

I pari konsiderohet si shkrimtari më i madh i të gjitha kohërave dhe vendeve, ndërsa i dyti është autori i veprës më të përkthyer në botë “Don Kishoti”. Kjo datë lidh edhe autorë tjerë në ditën e lindjes a vdekjes së tyre: Inca Garcilaso de la Vega, Maurice Druon, Halldór Kiljan Laxness, Vladimir Nabokov, Josep Pla dhe Manuel Mejia Vallejo.

Ndërkaq sot, KultPlus ju sjell një thënie tejet të njohur të Jorge Luis Borges e cila flet për rëndësinë e madhe të librit e bibliotekës:

”E kam imagjinuar gjithnjë parajsën si një lloj biblioteke”

Kjo datë shënohet në botë që nga viti 2003, ndërsa është pazgjedhur në vitin 1995 me qëllim të kontribuojë në mbarë botë për të drejtat e autorit duke inkurajuar të gjithë, e në veçanti të rinjtë për të zbuluar kënaqësinë e leximit. Kjo datë është edhe një thirrje për të rritur respektin për kontributet e pazëvendësueshme të autorëve dhe librit në progresin social dhe kulturor të njerëzimit. / KultPlus.com

Vihet gurëthemeli i Qendrës Kulturore në lagjen ‘Kodra e Trimave’, vlerësohet si projekt i jashtëzakonshëm

Mundësi për kënde të reja të leximit, shfrytëzimit të një hapësire kulturore dhe zhvillimit të aktiviteteve të ndryshme po i shtohen Prishtinës, më saktësisht lagjes ‘Kodra e Trimave’, përmes një projekti tejet të nevojshëm për këtë pjesë, shkruan KultPlus.

Pikërisht sot, pas përfundimit të të gjitha procedurave dhe prokurimit, e po ashtu edhe nënshkrimit të kontratës, filluan punimet për ndërtimin e Qendrës Multifunksionale Kulturore me fokus Bibliotekën në lagjen ‘Kodra e Trimave’, ku për të përcjellë nga afër dhe për të hedhur gurë-themelin e parë, të pranishëm ishin edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe drejtori i Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha.

Duke pasur parasysh të gjitha investimet në infrastrukturë dhe aktiviteteve të ndryshme, Shpend Ahmeti  potencoi se rëndësia e këtij objekti është në shërbim të leximit dhe funksioneve të tjera kulturore të cilat do të duhej të ishin pjesë e përditshme e çdo njeriu.

“Përkundër disa investimeve që janë zhvilluar në këtë lagje në vitet e fundit, duke përfshirë çerdhen më të madhe në Prishtinë dhe plotë rrugë tjera, megjithatë kjo lagje ka mbetur një prej lagjeve më të pabarabarta me lagjet e tjera”, tha Ahmeti.

Sipas Ahmetit, edhe nëse ata do të kishin shpenzuar të gjithë buxhetin e Prishtinës në lagjen ‘Kodra e Trimave’, përsëri do të nevojiteshin edhe 10 vite për tu barazuar me lagjet e tjera për shkak të mungesës së investimeve në këtë pjesë.

Tutje ai pohoi se kjo lagje tanimë është e favorizuar, “Por ende nuk kemi dalur në plus, prandaj edhe po mendojmë të sjellim sa më shumë projekte në këtë lagje”, potencon Ahmeti.

Projekti përfshin gjithsej 150 ditë punë duke filluar nga sot dhe ka një buxhet afro 141 mijë euro, dhe për rëndësinë e saj dhe vlerat kulturore foli edhe drejtori Adrian Berisha duke e konsideruar këtë projekt si të jashtëzakonshëm.

“Projekti është mjaft i rëndësishëm, veçanërisht për lagjen ‘Kodra e Trimave’, duke pasur parasysh se në tërë këtë lagje nuk ka as edhe një qendër të vetme kulturore të tillë, prandaj është edhe e jashtëzakonshme që ky projekt do të ndërtohet”, tha Berisha.

Shoqëria e cila është në mungesë të mundësive të shfrytëzimit të një biblioteke, ka pabarazuar qytetarët me komunitetet e tjera të cilat tashmë kanë një bibliotekë. Por edhe pse në mungesë të saj, disa qytetarë hasën në një problem të vogël ku nxënësit që kanë përdorur një rrugë për të hyrë në shkollën ‘Hilmi Rakovica’, tanimë është mbyllur për shkak të rreziqeve përgjatë punimeve.

Për këtë shqetësim të qytetarëve u kujdes edhe vetë drejtori i Drejtorisë për Kulturë, i cili tha se çdo kërkesë dhe sugjerim i banorëve do të trajtohet me shumë seriozitet.

“Qëllimi i Komunës së Prishtinës është një qëllim i mirë, për të rinjtë të cilët mund të kalojnë kohë duke u fokusuar në edukim dhe kulturë, prandaj edhe pas vendosjes së gurë themelit do të diskutohet për një gjuhë të përbashkët në mënyrë që nxënësit të kalojnë në një rrugë të përshtatshme, gjithmonë duke pasur parasysh që të mos rrezikohet jeta e askujt”, përfundon Berisha

Ky projekt u mundësua nga Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Universitetin UBT dhe Studio G+A Architects për donacionin e projektit kryesor, udhëhequr nga Arbër Sadiki dhe ideuar nga Rilind Sadiku. / KultPlus.com

10 bibliotekat më të veçanta në botë

Thonë, mos e gjyko një libër nga kopertina e tij. E njëjta gjë vlen për bibliotekat në të gjithë botën. Eshtë brendia ajo që mund ta krijojë një histori të bukur.

Më poshtë të rënditura gjeni 10 bibliotekat më të mrekullueshme në të gjithë botën.

1. Biblioteka dhe Muzeu “The Morgan”, New York, Shtetet e Bashkuara

Gjendet në zemër të New York-ut. “The Morgan” përfshin një bibliotekë, muze, salla shfaqjesh, dhe njëkohësisht është shtëpia e koleksionit privat të librave të financierit, JP Morgan. Ajo është gjithashtu shtëpia e një koleksioni të madh të shtypjeve, vizatimeve dhe librave të shtypur para vitit 1500 të artistëve evropianë si Leonardo, Michelangelo dhe Rembrandt. Në raftet e bronzta të bibliotekës gjenden dorëshkrimet origjinale të Sir Walter Scott dhe Honoré de Balzac.

2. Biblioteka e qytetit Stuttgart, Gjermani

Moderne, minimaliste dhe estetikisht e këndshme – këto janë vetëm disa fjalë për të përshkruar Bibliotekën e Qytetit të Stuttgartit. Biblioteka është hapur në vitin 2011, dhe i ngjan një piramide të përmbysur. Me hapësirën e tij të hapur dhe shkallët që lidhin bibliotekën shumëkatëshe, ofron një vend unik për të lexuar.

3. Biblioteka e Manastirit Strahov, PragëÇeki

E ndërtuar në vitin 1679, “Biblioteka e Manastirit Strahov” luajti një rol të rëndësishëm në historinë çeke dhe është “shtëpia” e mijëra shtypjeve të bëra midis shekujve 16 dhe 18. Po ashtu, është e njohur për afresket biblike që “të lënë pa frymë”. Biblioteka ka dy salla: sallën teologjike dhe sallën filozofike, të cilat janë të gjitha të dekoruara me shkëlqim.

4. Biblioteka Abbey Admont, Austri

Biblioteka e Abontit Admont është një nga manastiret më të vjetra dhe më të mëdha në botë. Eshtë shtëpia e 70,000 mijë vëllimeve. Ambientet e brendshme janë zbukuruar me afreske dhe skulptura nga dy artistë të mëdhenj të periudhës barok, Bartolomeo Altomonte dhe Joseph Stammel.

5. Biblioteka Tianjin Binhai, Kinë

E quajtur si “Syri” për shkak të sferës në mes të bibliotekës, si dhe pamjes së saj unike nga jashtë që i ngjan një syri gjigand, kjo bibliotekë me pesë nivele është projektuar nga firma arkitektonike Hollandeze. Kjo bibliotekë është shtëpia e 200,000 mijë librave.

6. Biblioteka Publike e Stokholmit, Suedi

Projektuar nga arkitekti i njohur suedez Gunnar Asplund dhe themeluar në vitin 1928, Biblioteka Publike e Stokholmit është ikona më e njohur e qytetit, për strukturën e saj cilindrike. Biblioteka publike është gjithashtu e para në Suedi me rafte të hapura që u jep vizitorëve lirinë e qasjes pa ndihmën e stafit, një koncept ky i frymëzuar nga bibliotekat amerikane.

7. Biblioteka e Kolegjit Trinity Dublin, Irlandë

Mban 200,000 mijë nga librat më të vjetër në raftet e saj prej lisi. Po ashtu ka edhe objekte historike dhe dorëshkrime, si Libri i Kells dhe Libri i Durrow ー prezantuar nga Henry Jones, Peshkopi i Meath etj.

8. Biblioteka Alexandrina, Egjipt

“Biblioteka Alexandrina” gjendet në bregun e Detit Mesdhe në Aleksandri, pranë një pishine të madhe reflektuese. Biblioteka e Aleksandrisë dikur konsiderohej një nga bibliotekat më të mëdha dhe më domethënëse të botës antike. Ajo ka hapësirë në raft për tetë milion libra dhe gjithashtu “strehon” një qendër konferencash, katër muze, katër galeri arti, 15 ekspozita të përhershme, një planetar dhe një laborator të restaurimit të dorëshkrimeve.

9. Biblioteka Vasconcelos, Meksikë

Njihet gjithashtu si Megabiblioteca (mega-biblioteka) në Meksikë. Dizajni unik i rafteve dhe ballkoneve të grumbulluara në mënyrë asimetrike dhe muret transparente, nxjerrin iluzionin e librarive me levitim. Ndjenjës së saj të mrekullisë i shtohet një instalim i përhershëm arti nga Gabriel Orozco që është skeleti i një balene që qëndron mbi sallën qendrore të bibliotekës. Biblioteka është projektuar nga arkitektët meksikanë, Alberto Kalach dhe Juan Palomar

10. Biblioteka e Universitetit të Artit Tama, Japoni

Kjo bibliotekë njihet si një arritje arkitektonike për konceptin e saj. Është ndërtuar në vitin 2007 dhe që atherë dizajni i saj modern mbetet i përjetshëm, me harqe prej betoni, mure qelqi dhe mobilje minimaliste. /op/ KultPlus.com

Mbledhësit e plehrave ndërtuan një bibliotekë për librat e braktisur

Kjo është një histori në lidhje me një bibliotekë , e gjetur në Ankara, kryeqyteti i Turqisë.

Ajo që e bën atë të veçantë, është se nuk është një bibliotekë e zakonshme. Mbledhësit turq të plehrave marrin meritë për këtë ngjarje.

Ata kishin idenë për të mbledhur të gjithë librat që gjetën në rrugë. Kjo ndodhi sepse besojnë se librat nuk kanë datë skadence, kështu që ata filluan veprimin. Ata e çmuan vlerën e këtyre librave, kështu që në vend që t’i hiqnin qafe, vendosën t’i mbanin në bibliotekën e tyre, për të cilën nuk kishin ide se shumë shpejt do të bëhen kaq të popullarizuara.

Si filloi gjithçka?

Ata kanë mbledhur libra për muaj të tërë, por hap pas hapi numri i librave që zotëronte biblioteka u bë gjithnjë e më e madh. Ndërsa njerëzit dëgjuan për idenë, banorët filluan të dhurojnë libra direkt, në vend që t’i hidhnin tutje.

Ideja fillestare ishte të mirëmbahej biblioteka vetëm për nevojat e punonjësve dhe familjeve të tyre. Por ndërsa popullariteti po rritej gradualisht, ajo u hap për publikun në shtator të vitit të kaluar. Tani, biblioteka ka 6000 libra në zotërim.

Ndryshe, ekziston një seksion për fëmijë, i mbushur me libra komik dhe një seksion tjetër për kërkimin shkencor. Për më tepër, vizitorët dygjuhësh mund të gjejnë libra në anglisht dhe frëngjisht gjithashtu. / KultPlus.com

Pas tetë bibliotekave, Tirana bëhet edhe me 6 tjera

Pas suksesit me tetë bibliotekat e para, Bashkia e Tiranës do të hapë në kryeqytet edhe 6 të tjera.

Në buxhetin për vitin 2021, Bashkia e Tiranës ka parashikuar një fond të veçantë për bibliotekat e reja me qëllim nxitjen e leximit tek të rinjtë.

Krahas funksionit të tyre kryesor, atë të një “shtëpie” të librit dhe për leximin e shtypit të shkruar, bibliotekat e reja janë konceptuar nga Bashkia e Tiranës si një mjedis që mund të shfrytëzohen nga komuniteti i zonës edhe për takime dhe aktivitete të ndryshme shoqërore.

Investimi më i fundit në këto biblioteka është dhe “BiblioTech”, iniciativa e radhës së Bashkisë Tiranë dhe UNICEF Shqipëri, me qëllim krijimin e hapësirave të reja për fëmijë e të rinj me pasion Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit. Nëpër “BiblioTech-a” herë pas here do të zhvillohen sesione informuese rreth sigurisë online, bullizmit kibernetik, mbrojtjes dhe reagimit të shpejtë në rast sulmesh online dhe abuzimesh ndaj të miturve.

Gjithashtu, një kalendar trajnimesh për fëmijë e të rinj për sigurinë online, kodim, web, robotikë, programim e shumëaftësit të reja që kanë lidhje me teknologjinë do të jenë fokusi i punës në BiblioTech.

Ekspertët më të mirë vendas do të orientojnë dhe udhëzojnë nxënës të 9-vjeçareve dhe gjimnazistë të shkollave teknike dhe të përgjithshme për të kuptuar gjithnjë e më shumë për TIK-un, për sigurinë dhe mbrojtjen online si dhe do të asistojnë në krijimin e produkteve të para teknologjike duke përdorur pajisjet moderne të instaluara pranë BiblioTech-ave.

Mjediset e BiblioTech-ave do të shfrytëzohen edhe për zhvillimin e sesioneve informuese dhe aktiviteteve nga më të ndryshme në dobi të komuniteteve, gjithnjë me synim trajtimin e temave mbi teknologjinë. /a.a/ KultPlus.com

Mbyllet biblioteka “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë

Biblioteka “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë ka njoftuar sot se nga data 9 nëntor e deri më datë 13 nëntor do të qëndrojë e mbyllur, përcjellë KultPlus.

Objekti i bibliotekës do të qëndrojë i mbyllur për shkak të punimeve që do të bëhen në objekt (renovimi i dyshemesë).

Ky vendim për mbyllje të objektit ka ardhur në bashkëveprim me drejtorinë e kulturës së komunës së Prishtinës, drejtorinë e bibliotekës, menaxherëve të projektit dhe operatorit punues. / KultPlus.com

Eric Klinenberg: Për të ripërtërirë shoqërinë, filloni me bibliotekën

Nga Eric Klinenberg, profesor i Sociologjisë në Universitetin e New Yorkut

Ky institucion vendimtar po shpërfillet pikërisht atëherë kur na nevojitet më shumë.

A është jashtë mode biblioteka publike?

Zëra të fuqishëm të shoqërisë duket se ndajnë këtë mendim. Vitet e fundit, rëniet drastike të qarkullimit të librave në disa rajone të vendit, bënë që kritikë të shquar të sillnin prova se tashmë bibliotekat nuk kryejnë më atë funksion të rëndësishëm të dikurshëm. Nëpunës të panumërt këmbëngulin se në shekullin e 21-të, kur kaq shumë libra janë digjitalizuar, kur në internet mund të gjesh kaq shumë kulturë dhe njerëzit rëndom ndërveprojnë virtualisht, nuk është e nevojshme ndihma që ofronte dikur biblioteka.

Aktualisht burimet e bibliotekave thuajse po shterojnë. Në disa qytete, edhe në qytete të begata si Atlanta, degë të tëra po shkojnë drejt mbylljes. Në San Jose, Kaliforni, aplikacionet “Facebook”, “Google” dhe “Apple”, kanë bërë që buxheti i bibliotekave publike të ngushtohet jashtëzakonisht shumë.

Mirëpo, problemi me të cilin po përballen bibliotekat në ditët e sotme nuk është i parëndësishëm. Në të vërtetë, në Nju Jork, por edhe në shumë qytete të tjera, tirazhi i librave të bibliotekës, frekuentimi i programeve dhe orët që shpenzohen mesatarisht në to, janë gjithnjë në rritje. Problemi i vërtetë me të cilin po ballafaqohen bibliotekat është se po frekuentohen nga shumë njerëz, për një shumëllojshmëri të gjerë qëllimesh, ngase sistemet e bibliotekave dhe punonjësit e tyre janë të mbingarkuar.

Bibliotekat po nënçmohen dhe braktisen pikërisht në momentin kur ato janë më të vlerësuara dhe të nevojshme. Përse kjo ndërprerje? Pjesërisht vjen për shkak të parimit themelor të bibliotekës publike – që të gjithë njerëzit meritojnë shërbim falas, një hyrje të lirë në kulturën dhe trashëgiminë tonë të përbashkët – çka nuk përputhet me logjikën e tregut që sundon shoqërinë tonë. Po ashtu, edhe për faktin se shumë pak njerëz me ndikim e kuptojnë funksionin e rëndësishëm që luajnë bibliotekat në komunitetet moderne.

Bibliotekat janë shembulli i asaj çfarë unë e quaj “infrastrukturë sociale”: hapësirat fizike dhe organizimet, të cilat modelojnë mënyrën se si bashkëveprojnë njerëzit. Bibliotekat jo vetëm që sigurojnë qasje të lirë tek librat dhe materialet e tjera kulturore, por ofrojnë gjithashtu edhe shërbime të tilla, si shoqëri të reja për të rriturit, de fakto shërbim për fëmijët e prindërve të punësuar, mësimdhënie për emigrantët dhe hapësira publike në shërbim të të varfërve, të pastrehëve dhe të rinjve.

Së fundmi kalova gati një vit duke bërë hulumtime etnografike në bibliotekat e qytetit të Nju Jorkut. Gjithnjë më sillej ndërmend, se sa të rëndësishme janë bibliotekat, jo vetëm sa i përket gjallërisë në lagje, por edhe për ndihmesën në trajtimin e gjithfarëlloj problemesh personale.
Për të moshuarit, sidomos vejushave, vejanëve dhe ata që jetojnë vetëm, bibliotekat janë hapësira për kulturë dhe shoqëri, përmes klubeve të librit, netëve të filmave, kurset e qepjes dhe klasave të artit, ngjarjeve aktuale dhe informatikë. Për shumë njerëz biblioteka është vendi kryesor ku ata ndërveprojnë me persona të brezave të tjerë.

Për fëmijët dhe adoleshentët, bibliotekat ndihmojnë në rrënjosjen e etikës së përgjegjësisë, për veten dhe fqinjët e tyre, duke u mësuar se ç’do të thotë të marrësh hua dhe të kujdesesh për diçka publike, mandej ta rikthesh atë në mënyrë që ta marrin edhe të tjerë pas teje. Për prindërit e rinj, gjyshërit dhe kujdestarët që ndihen të tensionuar, kur shikojnë një të mitur ose një foshnjë pranë vetes, bibliotekat janë një dhuratë hyjnore.

Në shumë lagje, veçanërisht në ato ku të rinjtë nuk janë të listuar në programe zyrtare pas-shkollore, bibliotekat janë tejet të kërkuara nga të rinjtë dhe adoleshentët që duan të kalojnë kohë me moshatarë të tyre. Një prej arsyeve mbetet fakti, se ato qëndrojnë hapur, mund ta përdorë kushdo dhe falas. Arsyeja tjetër është se anëtarët e stafit të bibliotekës i mirëpresin; madje në shumë degë caktojnë hapësira të veçanta që adoleshentët të rrinë me njëri-tjetrin.

Për të vlerësuar rëndësinë e mirëfilltë të bibliotekave, mjafton të krahasoni hapësirën shoqërore të bibliotekës me hapësirën shoqërore të qendrave tregtare. Vërtet janë pjesë të vlefshme të infrastrukturës sociale, por jo gjithkush mund t’ia lejoj vetes frekuentimin e tyre dhe jo të gjithë klientët që paguajnë janë të mirëpritur të qëndrojnë për një kohë të gjatë.

Të moshuarit dhe të varfrit shpesh do t’i shmangin absolutisht qendrat tregtare, sepse ushqimi është tepër i shtrenjtë dhe u duket sikur nuk i përkasin atij ambienti. Frekuentuesit e kahmotshëm të bibliotekave që njoha në Nju Jork më kumtuan, se po ashtu nuk ndjeheshin të mirëpritur në kafenetë e reja në modë, bare dhe restorante që janë kaq të zakonshme në lagjet e mëdha të qytetit. Të varfrit dhe të pastrehët dashamirës të librit, as që u vete në mendje të futen në këto vende. Përvoja u ka mësuar se thjesht qëndrimi jashtë një restoranti luksoz mund të nxisë menaxherët të thërrasin policinë. Gjithsesi, rrallëherë shohim një oficer policie të futet në një bibliotekë.

Kjo nuk nënkupton që bibliotekat janë gjithmonë vende të paqta dhe të qeta. Gjatë rrugëtimit të kërkimit tim, përjetova një sërë debatesh të nxehta, përplasje fizike dhe situata të tjera të pakëndshme, ndonjëherë përfshiheshin persona me probleme mendore ose nën ndikimin e drogës.

Mirëpo, probleme të tilla janë të pashmangshme në një institucion publik, për më tepër kur lejohet hyrja për të gjithë, veçanërisht kur klinikat e drogës, strehët e të pastrehëve dhe bankat e ushqimit u largohen vazhdimisht – dhe shpesh i referohen bibliotekës! – këta kanë më shumë nevojë për ndihmë. Të mrekullon fakti se sa rrallë ndodhin këto ndërprerje, se si menaxhohen në mënyrë civile dhe sa shpejt e rimerr tempin e saj biblioteka.

Çiltërsia dhe shumëllojshmëria që demonstrohet në bibliotekat e lagjes, dikur konsiderohej si shenjë dalluese e kulturës urbane. Por kjo ka ndryshuar. Edhe pse qytetet amerikanë po rriten gjithnjë e më shumë etnikisht, nga pikëpamja racore dhe nga ana kulturore, rëndom mbeten të ndara dhe të pabarabarta, me disa lagje që po i largohen ndryshimit – nganjëherë qëllimisht, nganjëherë vetëm për shkak të rritjes së shpenzimeve – veçanërisht kur bëhet fjalë për racën dhe klasën sociale.

Bibliotekat janë llojet e vendeve ku njerëzit me prejardhje, pasione dhe interesa të ndryshme mund të përfshihen në gëlimin e kulturës demokratike. Ato janë vendet ku sektorët publikë, privatë dhe filantropikë mund të punojnë së bashku, për të arritur diçka më shumë sesa linja e kuqe.

Këtë verë, revista “Forbes” botoi një artikull, ku argumentonte se bibliotekat nuk kishin një qëllim të përcaktuar dhe nuk meritonin mbështetje publike. Autori, një ekonomist, sugjeronte që “Amazon” të zëvendësonte bibliotekat me dyqanet e shitjes me pakicë dhe pretendonte se shumica e amerikanëve do të preferonin një opsion të tregut të lirë. Përgjigja e publikut, veçanërisht nga bibliotekarët, por edhe nga zyrtarë publikë dhe qytetarët e zakonshëm, u kundërshtua kaq fort saqë “Forbes” e fshiu artikullin nga faqja e internetit.

Duhet të kemi kujdes. Sot, si qytetet, ashtu edhe rrethinat po vazhdojnë të ripërtërijnë veten, kërkesa e tyre cinike pohon se qeveria nuk ka asgjë të mirë për të kontribuar në këtë proces, si rrjedhojë është e rëndësishme që institucionet si bibliotekat të marrin vlerësimin që meritojnë. Vlen të përmendet, se “liber”, rrënja e fjalës nga latinishtja “bibliotekë” nënkupton njëherazi “libër” dhe “të lirë”. Bibliotekat përfaqësojnë dhe shërbejnë si shembulli i diçkaje që i lypet mbrojtje: institucionet publike që – madje edhe në epokën e atomizmit, polarizimit dhe pabarazisë – shërbejnë si shtylla të shoqërisë civile.

Nëse kemi ndonjë shans për të ristrukturuar një shoqëri më të mirë, biblioteka si infrastrukturë sociale është pikërisht ajo që na nevojitet. / KultPlus.com

Pesë bibliotekat më të mëdha në botë që duken sikur kanë dalë nga përrallat më të bukura

Vende me dritë, të qeta, me shumë libra, ngjyra dhe ndjesinë sikur po kalon kohën në një botë tjetër.

Këto janë disa nga ndjesitë që të sjellin libraritë aq më tepër kur ato janë aq të mëdha sa duken pjesë të filmave. Hidhni një sy biblioteka në botë të cilat mund ti vizitoni nëqoftëse ju bie rruga.

1-Biblioteka Tianjin Binhaiajo që gjendet brenda kësaj biblioteke të jep një frymëzim të pafund, imagjinoni që ndërtesa është po aq e jashtëzakonshme! Sikur të mos kishte arsye të mjaftueshme për të shkuar në Kinë, një vizitë në një bibliotekë si ajo “Tianjin Binhai” të shton dëshirën më shumë. E hapur që nga viti 2017, është një kryevepër arkitekturore që përmban një auditor të shkëlqyeshëm sferik.

2- Biblioteka “Cărtureşti Carusel”, e vendosur në Bukuresht brenda një ndërtese të shekullit të 19-të, është një përfaqësim i bukur i kulturës së vjetër dhe të re të Rumanisë. Është një hapësirë për të lexuar dhe shoqërua. Ajo përfshin një bistro dhe një galeri kushtuar artit bashkëkohor. Ajo ishte projektuar që të ketë një ritëm dhe simetri rreth një qendre shumë të ngjashme me një karusel në bazë të të cilin u emërua.

3-Një vizitë në dhomën e gjatë në Bibliotekën e Kolegjit Trinity në Dublin duket sikur është në një lundrim letrar në një anije të kushtueshme, shekullore. Biblioteka u ndërtua në mes të viteve 1712 dhe 1732 dhe dhoma e gjatë është 65 metra e lartë, e mbushur me 200,000 nga librat më të vjetër të bibliotekës dhe me një linjë të gjatë mermeri të shkrimtarëve dhe filozofëve të mëdhenj.

4-Biblioteka Stift Admont është më e madhja në botë, e mbushur me dizajne europian barok, përfunduar në 1776 dhe jashtëzakonisht madhështore. Për të thonë se ka histori të shkruar në eshtrat e saj, si dhe në librat e saj.

5-Pjesë e kësaj liste është dhe biblioteka vetëm për juristët në Iowa, në zemër të Amerikës. Është fizikisht e madhe dhe e zbukuruar me shkallë me spirale, mermerët dhe llambadarët që strehojnë një koleksion të librave ligjor shumë të specializuar të ligjit shtetëror dhe federal ligjor, rregullator dhe të çështjeve të ndryshme që kanë lidhje me këtë degë. /botimetliving/ KultPlus.com

2004, viti kur u dogj biblioteka e Dukeshës Anna-Amalia, restaurimi i së cilës kushtoi rreth 12-të milion euro

Më 2 shtator të vitit 2004, u dogj biblioteka e Dukeshës Anna-Amalia në Vajmar të Gjermanisë, restaurimi i të cilës kushtoi rreth 12 milion euro, shkruan KultPlus.

Mbi 50.000 libra u dogjën, 62.000 të tjerë u dëmtuan nga nxehtësia, flakët apo uji i zjarrëfikësave. Rreth 37.000 libra që ishin e dëmtuar janë restauruar ndërkohë. Kosto e përgjithëshme për blerjet e reja të librave bashkë me restaurimin ka arritur në rreth 67 milionë euro.

Kjo bibloteke që u ndertua në vitin 1691 nga duka ëilhelm Ernst, është drejtuar prej disa vitesh nga shkrimtari i madh, Gëte. / KultPlus.com

Milan Kundera dhuron bibliotekën dhe arkivat e tij në vendlindje

Shkrimtari Milan Kundera, 91 vjeç, autori i veprës së famshme “Lehtësia e padurueshme e Qënies”, vendosi të dhurojë bibliotekën dhe arkivin e tij privat në bibliotekën e qytetit të vendlindjes së tij Brno në Republikën Çeke, ku ai kaloi fëmijërinë e tij.

Menaxhimi i bibliotekës në Brno njoftoi se i gjithë koleksioni i librave të Kunderës do të transferohet nga Parisi, ku jeton artisti, në Republikën Çeke gjatë vjeshtës.

Shkrimtari i famshëm dhuron gjithashtu librat e tij të përkthyer në çekisht dhe dyzet gjuhë të tjera, si dhe artikuj të gazetave që ai shkroi, recensione dhe përmbledhje të veprës së tij, fotografi dhe vizatime.

Gjithçka do të jetë në dispozicion të publikut, kryesisht në versionin dixhital, deklaroi biblioteka në Brno.

Ikje nga regjimi

Milan Kundera është shkrimtari bashkëkohor më i famshëm dhe më i lexuari me origjinë çeke. Ai jeton në Paris që nga viti 1975, kur iku nga regjimi komunist i Çekosllovakisë.

Libri i tij i fundit është “Injoranca”, shkruar në frëngjisht dhe botuar në vitin 2000.

Kundera jeton në izolim. Ai ka udhëtuar në Republikën Çeke për vite me radhë, por pa dhënë kurrë deklarata për gazetarët. /tesheshi.com/ KultPlus.com

10 bibliotekat më të bukura në botë

Pavarësisht nëse jeni lexues i pasionuar, arkitekt, apo udhëtar kurioz, këto 10 biblioteka të qyteteve janë vlen të vizitohen. Nga ato të vjetrat e deri tek ato modernet, këta tempuj të dijes janë ndërtuar për të na joshur, për të na lënë përshtypje dhe për të na inspiruar!

Biblioteka George Peabody – Baltimore, USA

Biblioteka “George Peabody” në Baltimore, është një senzacion i vërtetë. Ndërtimi i kësaj katedrale neo-klasike e librave kishte përfunduar në vitin 1878 dhe mban brenda vetes rreth 300.000 vëllime, të cilat kryesisht i dedikohen artit, historisë dhe letërsisë Amerikane dhe Angleze.

Ekziston diçka vërtetë romantike për këtë Bibliotekë. Brenda saj krenarisht qëndron atriumi, hapësira 5 katëshe e hapur në mes, me një dysheme mermeri bardh e zi dhe me kolona të argjendta. Si rrjedhim, kjo Bibliotekë është një vend i popullarizuar për dasma dhe për ngjarje tjera të veçanta private.

Biblioteka Kombëtare e Kinës – Beijing, Kinë

Biblioteka Kombëtare e Kinës

Me një koleksion prej 31 milion artikujve, kjo Bibliotekë është më e madhja në Azi. Nuk janë vetëm materialet për lexim ato që mahnisin. Brenda saj ju do të gjeni një hapësirë të hapur 4 katëshe, e cila përdoret si sallë për lexim, e cila vazhdimisht është e mbushur me student që pregaditen për teste universiteti.

Biblioteka Kombëtare e Kinës

Trinity College Library – Dublin, Ireland

Trinity College Library

Ecni brenda Dhomës së Gjatë të kësaj bibilioteke të shekullit të 18 – të dhe do të ndjeheni se jeni vendosur brenda “Luftës së Yjeve”. Kjo sallë me libra 65 metra e gjatë ka ngjashmëri të madhe me arkivin e tempullit Jevi nga episodi i II – të i “Star Wars”.

Trinity College Library

Për ta shtuar edhe më shumë magjinë, kjo Bibliotekë është shtëpia e shumë vëllimeve të veçanta duke përfshirë “The Book of Kells”, dorëshkrimet e ndriçuara të katër Ungjijve të parë të Testamentit të Ri që datojnë nga viti 800.

Dhoma Mbretërore Portugeze e Leximit – Rio de Janeiro, Brazil

Në vitin 1873, emigrantët në Rio de Janeiro vendosën ta ndërtojnë një Bibliotekë Portugeze në vendbanimin e tyre të ri. Pas 15 viteve, ideja e tyre u bë realitet kur Real Gabinete Português de Leitura (Dhoma Mbretërore Portugeze e Leximit) i hapi dyert e saj elegante për publikun.

Duke paraqitur përmbledhjen më të madhe dhe më të vlefshme të literaturës Portugeze jashtë vendit, shumë studentë vijnë për ta nxënë një ulëse të këtë dhomë madhështore të leximit, përmbi së cilës qëndron një kupolë xhami, e krijon një ndriçim ideal për lexim.

Biblioteka e qytetit të Shtutgartit – Shtutgart, Gjermani

Keni humbur në Shtutgart? Ju nuk do ta keni problem ta gjeni Bibliotekën e Qytetit. Kjo strukturë nëntë katëshe, gjatë ditës shkëlqen një si një Kub përrallorë nga xhami, gjatë perëndimit të diellit skuqet dhe gjatë muzgut rrezaton drita të kaltërta të ndriçuara .

Më nje kontrast të madh më pamjen e jashtme, brendësia e kësaj biblioteke është dizajnuar me një ngjyrë të bardhë të pacënuar. Mrekullisht, ajo nuk duket si Spital falë radhitjes së kujdesshme të librave dhe vizitorëve të shumtë, të cilët i sjellin jetë kësaj qendre moderne të librit.

Beleuchtung neue Bibliothek

Biblioteka Publike e New Yorkut – New York, SHBA

Kjo Bibliotekë konsiderohet e katërta më e madhja në Botë. Si më madhështorja nga të gjitha institucionet në degën kryesore mbi Avenyn e Pestë (Fifth Avenue), Biblioteka Publike e New Yorkut është e njohur për koleksionet e saj të librave.

Lexuesit e qetë në dhomës kryesore të leximit më harkun e lartë, më llambat dhe dritaret e saj të mëdha dhe tavanin dekorativ, janë diçka që duhet shijuar patjetër.

Bibliothèque Sainte Geneviève – Paris, Francë

Kur ndërtimi i kësaj Biblioteke kishte përfunduar në vitin 1850, kjo ishte konsideruar si njëra ndër objektet kulturore më të bukura në Botë, me arkitekturën e saj moderne dhe tubacionet e saj të hekurta.

Sot pas më shumë se 150 viteve, kjo ndërtesë mund të duket edhe jo shumë moderne, por bukuria dhe eleganca e saj janë të padiskutueshme.

Biblioteka Publike – Seattle, SHBA

Dega qëndrore e Bibliotekës Publike të Seattle është, thënë butësisht, shumë tërheqëse për syrin. Janë të harruara ditët e rafteve të pluhrosura dhe interiorit të ashpër. Brenda kësaj biblioteke është një ambient që mund të ketë ardhur vetëm nga e ardhmja.

E dizajnuar nga arkitekti i famshëm holandez Rem Koolhaas, kjo strukturë futuriste nga çeliku dhe çelqi veçohet me panelin diagonal rrjetëzues dhe një shumëllojshmëri të pazakontë të këndeve kubiste.

Biblioteka Kombëtare e Republikës Çeke – Pragë, Çeki

Kjo Bibliotekë Baroke në Pragë është hapur në vitin 1722, dhe mban brenda vetes mbi 20.000 vëllimet botërore më të rëndësishmet nga letërsia mjekësore dhe teologjike.

Jo domosdoshmërisht duhet të jeni “në bord” me letërsin për të qenë i ndriçuar. Mjafton t’i hidhini një sy artit në tavanin e kësaj biblioteke me afreske përshkruese dhe koleksionin e saj me globuset e plasaritura. Kjo Bibliotekë ishte ndërtuar nga Jezuitët në fund të shekullit 18 –të.

Biblioteka Mbretërore – Kopenhagë, Danimarkë

E quajtur më dashuri si “Diamanti i Zi” për shkak të fasadës së saj shkëlqyese me Mermer, ky exterior ultra modern ju lejon të bëni një hap prapa në kohë për tek objektet e vjetra të Bibliotekave përmes një Atriumi të ndriçuar nga Dielli.

Gjatë verës, mjedisi përreth i kësaj bukurie të zezë, është i zënë me qiftet e dashuruara, të cilët shëtiten rreth ujit dhe nga studentët të cilët me ndonjë libër në dorë, qetësisht shtrihen për të kapur rreze Dielli.

Komuna e Vitisë rihap bibliotekat publike, por me disa kushte

Komuna e Vitisë, konkretisht drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport ka rihapur sot bibliotekën e të rriturve dhe të fëmijëve për lexuesit vitias. Bibliotekat publike brenda shtëpisë së kulturës “Gursel e Bajram Sylejmani” në Viti, ishin mbyllur si masë parandaluese kundër përhapjes së virusit pandemik COVID-19.

Megjithatë rihapja e bibliotekës është bërë me disa kushte e ndër to është vetëm marrja dhe kthimi i librave por jo edhe shfrytëzimi i hapësirave për lexim brenda bibliotekave.

Milot Lala, Drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport në Viti, ka bërë të ditur se bibliotekat publike të komunës në qytetin e Vitisë, janë rihapur në koordinim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Por ai shtoj se për shkak të pandemisë duhet të zbatohen disa kushte dhe kjo është në të mirën e shëndetit publik.

“Bibliotekat publike në qytetin e Vitisë janë rihapur nga sot për lexuesit vitias dhe atë në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Megjithatë dua të njoftoj lexuesit se në sektorin e të rriturve dhe të fëmijëve mund të bëhet vetëm marrja dhe kthimi i librave, por fatkeqësisht nuk mund të shfrytëzohen hapësirat për lexim. Kjo si masë parandaluese kundër përhapjes së virusit pandemik COVID-19 dhe në interes të shëndetit publik”, u shpreh drejtori Lala.

Ai tha se kusht tjetër është që lexuesit të cilët marrin libra të jenë me masa mbrojtëse si dorëza dhe maska dhe kërkoj nga ta që të mos grumbullohen, por të vijnë vetëm ata që marrin dhe kthejnë libra për lexim. Gjithashtu të dy bibliotekat do të punojnë me gjysmë orar nga e hëna deri të premten dhe atë prej orës 08:00 deri 12:00. Bëhet me dije se kjo gjë do të vlej deri në një vendim tjetër që do të merret në koordinim me institucionet përgjegjëse. / KultPlus.com