Sot mbahet mesha e Pashkëve në Katedralen ‘Shën Nënë Tereza’

Në vigjilje të Pashkëve sot mbahet mesha në Katedralen “Shën Nënë Tereza”.

Kësaj meshe do t’i prijë ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji, përcjell Klankosova.tv.

Mesha e Pashkëve pritet të fillojë nga ora 11:00.

Ndërkaq, mbrëmë ipeshkvi foli edhe për rëndësinë e festës së Pashkëve dhe rolin e Shën Nënë Terezës që shërbeu për të mirën e njerëzimit në mbarë botën.

“Drita e Krishtit mbi ne dhe zjarri i dashurisë që ndizet brenda nesh e ka bërë botën më të mirë, nëpërmes të shenjtëve të kishës dhe një nga ato ka qenë Shën Nënë Tereza, bija e kishës sonë që ia kemi kushtuar këtë katedrale”, është shprehur ai.

Sot, dita kur Nënë Tereza mori nënshtetësinë shqiptare

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se më datë 14 shkurt të vitit 1990, mori nënshtetësinë shqiptare Shenjtorja Tereza.

Nënë Tereza, siç e njohi bota mbarë Anjezë Gonxhe Bojaxhiun pasi iu kushtua murgërisë në moshën 18-vjeçare, u lind më 26 gusht 1910 në Shkup. Gonxhja ishte fëmija i tretë që vinte si fryt i kurorës së vënë mes Nikollë Bojaxhiut dhe Drane Barnajt.

Pasionet e saj vajzërore ishin mësuesia, të shkruarit, diktimi i poezive dhe muzika, të cilat të marra në asambël pasqyrojnë ndijimet e thekshme që e prinë drejt vokacionit sipëror, fesë.

Më 26 shtator 1928, Nënë Tereza do ta linte Shkupin për të nisur misionin e saj fisnik në shërbim të të pamundurve, pa ditur se prej kësaj dite, do t’u jepte lamtumirën për së gjalli nënës dhe motrës së saj. U vendos në Kalkutë të Indisë, ku fillimisht qe mësuese, sikurse dëshironte hershëm. Më pas, u caktua drejtoreshë e shkollës së vajzave.

Në kuadër të shërbesës së përkushtuar ndaj nevojtarëve, themeloi urdhërin “Misionaret e Dashurisë” (1951). Për këtë përulësi të pashembullt, do të vlerësohej në vitin 1979 me çmimin Nobel për Paqe, prej nga ku u mësua botërisht kombësia e saj shqiptare. /KultPlus.com

27 vjet nga koha kur Nënë Tereza pranoi çmimin Qytetar Nderi e Shteteve të Bashkuara

Çmimi Qytetar Nderi i Shteteve të Bashkuara , është çmimi më i madh për jo-amerikanët.

Çmimi Qytetar Nderi i Shteteve të Bashkuara, është çmimi më i madh për jo-amerikanët. Vetëm shtatë persona kanë qenë të nderuar me këtë çmim në historinë e Shteteve të Bashkuara, pesë pas vdekjes, dhe dy persona ndërsa ende ishin gjallë, Nënë Tereza dhe Sir Winston Churchill.

Më 16 nëntor 1996, një vit para vdekjes së saj, Agnese Gonxhe Bojaxhiu, e njohur në botë si Nënë Tereza, u bë personi i vetëm së bashku me Churchill që ishte nderuar me çmimin Qytetar Nderi i SHBA-së, ndërsa ende ishte gjallë.

Edhe pse murgesha shqiptare e cila ishte laureuar me Çmimin Nobel të Paqes dhe çmimin e Presidentit për Medaljen e Lirisë ajo kishte qëndruar pak kohë në Shtetet e Bashkuara, të Misionareve të Bamirësisë, që ajo e kishte themeluar në vitin 1950, duke hapur një kuzhinë që shërbente supë, në strehimoret e emergjencës, për shtëpi pleqsh dhe strehimeve të tjera në të gjithë vendin.

Ajo ishte njoftuar nga ambasadori amerikan në Indi për dhënien e çmimit Qytetare Nderi, në vendin në të cilin Nënë Tereza arriti në vitin 1929, duke e quajtur murgeshën 86-vjeçare, “një bijë të Amerikës”. / KultPlus.com

20 vjet nga lumturimi i Nënë Terezës nga Papa Gjon Pali II

“Me gjak, unë jam shqiptare. Me shtetësi, jam indiane. Me besim, jam murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, i përkas botës. Për nga zemra ime, i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit”, janë fjalët e thëna nga Nënë Tereza, që jetën e saj, ia përkushtoi të varfërve.

Si sot 20 vjet më parë, Papa Gjon Pali II lumturoi Nënë Terezën e Kalkutës, proces që u finalizua me shenjtërimin e saj nga Vatikani, në 4 shtator 2016.

“Me autoritetin tim apostolik, ne garantojmë se shërbëtorja e nderuar Nënë Tereza e Kalkutës do të quhet e lumturuar tani e në vazhdim”, deklaroi atëherë Papa.

Anjeza Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza, lindi me 1910 nga prindër shqiptarë. Ajo i mori mësimet e para në një shkollë në qytetin e Shkupit dhe në moshën 18 vjeçare u dorëzua murgeshë. Pasi u specializua në Irlandë u vendos në Indi, ku në vitin 1950 themeloi urdhrin e murgeshave, të quajtur “Misionarët e Bamirësisë”.

Nga ky moment, Nenë Tereza do të bëhej nënë e të gjithëve dhe jetën e saj do t’ia kushtonte të varfërve. Urdhri i Nënë Terezës numëron mbi 4,000 misionarë dhe është shtrirë në mbi 100 vende të botës. Nënë Tereza, nuk e pranoi asnjëherë famën. Ajo ka thënë, se gjithçka e bënte për hir të dashurisë së Zotit.

Ajo udhëtonte për të kryer misionin e saj me një automjet gjysmë të shkatërruar. Kur Papa Pavli VI kryente një vizitë në Indi në 1964 i dhuroi asaj limuzinën e tij. Ajo e shiti atë për të siguruar fonde për koloninë e lebrozëve, të cilët i ndihmonte.

Liderë nga e gjithë bota e kanë vizituar atë. Ish-kryeministri i Indisë, Indira Gandi, pas takimit që bëri me të dha këtë koment: “Të takosh Nënë Terezën do të thotë të përjetosh ndjenjën e inferioritetit dhe atë të pushtetit të madh të mirësisë dhe të fuqisë së dashurisë”.

Ajo vazhdoi me vetëmohim të predikonte mesazhin e saj të dinjitetit njerëzor dhe respektit për çdo qenie njerëzore të lindur apo jo. / KultPlus.com

Nënë Tereza në veshje kombëtare (FOTO)

Gonxhe Bojaxhiu, e njohur botërisht si Nënë Tereza ose Shën Tereza e Kalkutës është nobelistja shqiptare që pjesën më të madhe të jetës së saj ia kushtoi bamirësisë, shkruan KultPlus.

Ajo lindi në Shkup (sot Republika e Maqedonisë), atëherë pjesë e Vilajetit të Kosovës në Perandorinë Osmane. Pasi kishte jetuar në Maqedoni për tetëmbëdhjetë vjet, ajo u shpërngul në Irlandë dhe më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj.

Nënë Tereza themeloi Misionaret e Bamirësisë, një kongregacion fetar katolik, i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 vende.

KultPlus sot ju sjellë një fotografi të rrallë të Nënë Terezës me motrën e saj, Age Bojaxhiu. Fotografia është shkrepur në vitin 1923, në Konsullatën Kombëtare të Vajzave Prizrenase./ KultPlus.com

Veliaj: Dita e përkujtimit ndaj veprës së ndritur, humane e hyjnore të Nënë Terezës

Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj përcolli një mesazh në Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës.

“Sot, kremtimi i Shenjtërimit të Nënë Terezës! Kjo është dita e përkujtimit ndaj veprës së ndritur, humane e hyjnore të Nënë Terezës, shembullit të jashtëzakonshëm të dashurisë”, shkruan Veliaj.

Misionarja shqiptare Agnes Gonxhe Bojaxhiu për më shumë se 45 vjet u shërbeu të varfërve, të sëmurëve dhe jetimëve.

Nënë Tereza vdiq më 5 shtator 1997, në moshën 87-vjeçare. /ATSH /KultPlus.com

Dy ngjarjet më të bukura që i ka përjetuar Nënë Tereza, dëshmi e dashurisë së vërtetë

Shën Nënë Tereza është thesar i papërsëritshëm, si në mësim e porosi ashtu edhe në veprimtarinë e saj të dashurisë, bamirësisë dhe humanizmit. Për të shpjeguar konceptin e dashurisë së vërtetë, atë dashuri e cila arrin deri në fund, derisa sa dhemb, Shën Nënë Tereza tregon dy ngjarje të bukura dhe unike që i ka përjetuar në jetën e saj, si dëshmi, provë e gjallë si realizohet ajo.

Ngjarja e parë

Unë nuk do ta harroj kurrë, se si dy të rinj para shumë kohësh erdhën në shtëpinë tonë dhe më dhanë një shumë të madhe parash. Unë i pyeta: ‘Ku i keni marrë të gjitha këto para?’. Ata thanë: ‘Ne jemi martuar para dy ditësh. Para se të martohemi, kishim vendosur, që mos të blejmë rroba martese. Ne nuk bëmë dasmë. Paratë e dasmës jua japim Juve.’ Dhe unë e di saktësisht, se ç’do të thotë në vendin tonë, në një familje hindu, të mos blesh rroba martese dhe të mos bësh dasmë. Prandaj i pyeta përsëri: ‘Po, përse? Përse vepruat kështu?’ Ata thanë: ‘Ne e duami njëri-tjetrin aq shumë, sa që gëzimin e dashurisë duam ta ndajmë me njerëzit, të cilëve ju u shërbeni.’ Si e përjetojmë ne gëzimin e dashurisë? Si e përjetojmë ne këtë? Tek japim, derisa dhemb.

Ngjarje e dytë

Para se unë të shkoja në Etiopi, në Kalkutë erdhën disa fëmijë të vegjël tek unë. Ata kishin dëgjuar, se unë do të shkoja atje. Ata kishin ardhur, sepse kishin dëgjuar nga motrat, që fëmijët në Etiopi vuanin shumë. Ata vinin, dhe secili prej tyre jepte diçka, disa edhe ato pak para që kishin. Një djalosh i vogël erdhi tek un dhe më tha: ‘Unë nuk kam asgjë, nuk kam para, thjeshtë nuk kam asgjë. Por, e kam këtë copë çokollate. Dhe ti merre me vete dhe jepua fëmijëve në Etiopi!’ 
Ky djalosh i vogël dashuronte me shumë dashuri, sepse ai mbase për herë të parë në jetën e vet, mbante një copë çokollate në dorë. Dhe e dha atë. E dha plot gëzim, për ta ndarë me të tjerët, për ta zbutur sadopak dhimbjen e dikujt tjetri në Etiopinë e largët. Kjo do të thotë gëzim i dashurisë: të japësh, derisa të dhemb. I dhembte Krishtit, që na donte neve, sepse ai vdiq në kryq, për të na mësuar neve se si duhet të duami. Kjo është rruga, se si duhet të duami edhe ne: derisa të dhemb.

(Pjesë nga libri: Leo Maasburg, Nënë Tereza. Histori Magjepsëse, Shtëpia Përkujtimore e Nënë Terezës, Shkup 2010, f. 88-89.)

Rama: Nënë Tereza, shqiptarja që i dëshmoi botës forcën e dashurisë dhe dhembshurisë

Kryeministri Edi Rama përcolli mesazh në Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës.

“5 Shtatori, Dita e Madhe e Shenjtërimit të Nënë Terezës, shqiptares që i dëshmoi botës forcën e dashurisë dhe dhembshurisë. “Në vend se të mallkosh errësirën ndiz një qiri” – Nënë Tereza”, shkroi Rama në rrjetet sociale.

Misionarja shqiptare Agnes Gonxhe Bojaxhiu, lindi në Shkup,  në vitin 1910. Më 1928 shkoi në Indi, ku iu përkushtua ndihmës ndaj të varfërve. Në vitin 1948 ajo u bë një qytetare indiane dhe themeloi urdhrin e Misionarëve të Bamirësisë në Kalkuta, në vitin 1950, duke marrë famë për punën midis të varfërve dhe atyre që po vdisnin në atë qytet.

Për më shumë se 45 vjet ajo u shërbeu të varfërve, të sëmurëve, jetimëve dhe të vdekurve, ndërsa drejtoi zgjerimin e Misionarëve të Bamirësisë, fillimisht në Indi dhe më pas në vende të tjera, duke përfshirë bujtina dhe shtëpi për më të varfërit dhe të pastrehët.

Nënë Tereza vdiq më 5 shtator 1997, në moshën 87-vjeçare.

Në njohje të rolit të bamirësisë në zbutjen e krizave humanitare dhe vuajtjeve njerëzore brenda dhe midis kombeve, si dhe të përpjekjeve të organizatave dhe individëve bamirës, ​​duke përfshirë punën e Nënë Terezës, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, përmes një rezolute, caktoi 5 shtatorin, ditën e vdekjes së Nënë Terezës, si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë./atsh/KultPlus.com

Në Tiranë hapet ekspozita për nder të Nënë Terezës, marrin pjesë Osmani e Begaj

Në oborrin e Pallatit Presidencial në Tiranë, është hapur ekspozita me rastin e përvjetorit të vdekjes së Nënës Terezë.

Në këtë aktivitet po marrin pjesë të dy presidentët: Bajram Begaj, president i Shqipërisë dhe Vjosa Osmani, presidente e Kosovës.

Në këtë ekspozitë janë të shfaqura fotografi e dokumente nga arkivat e 3 vendeve shqipfolëse (Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni e Veriut), e që kanë të bëjnë me humanisten shqiptare.

Pas këtij aktiviteti presidentet do të vendosin kurora në monumentin ‘Nënë Shqipëri’.

Kjo ngjarje po organizohet në kuadër të vizitës dy ditore të shefes së shtetit të Kosovës në Tiranë./KlanKosova/KultPlus.com

7 vite nga shenjtërimi i Nënë Terezës

Sot janë bërë 7 vite nga Shenjtërimi i Nënë Terezës, shkruan KultPlus.

Shën Nënë Tereza u shpallë e shenjtë më 5 shtator të vitit 2016. Shenjtërimi i saj u bë para shtatë vitesh, pasi u njohën dy mrekulli të Nënë Terezës, të rasteve të shërmit të njerëzve, pas vdekjes së saj në vitin 1997.

Nënë Tereza, e njohur si Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, është shqiptare e lindur më  26 gusht 1910 në Shkup.

Misioni i saj jetësor ishte t’u dilte në ndihmë njerëzve në nevojë, si njerëz të varfër, të sëmurë, të vetmuar, të pastrehë etj, i cili mision e bëri të pavdekshme në mendjet dhe zemrat e njerëzve në mbarë botën./KultPlus.com

Kryeministri Kurti për Nënë Terezën: Fjalët e saj tashmë janë kthyer në postulate të sjelljes së shpirtrave njerëzorë mes tyre

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori sot pjesë në hapjen solemne të edicionit të tretë të manifestimit tradicional kulturor – shkencor “Drita e Gonxhes”, e njëkohësisht ka bërë homazhe te shtatorja e “Nënë Terezës”, në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.

26 gushti i sivjetëm na ka bashkuar sot në qendër të Prishtinës dhe na ka mbledhur këtu në sheshin Nënë Tereza, për më tepër pranë shtatores së Nënë Terezës, për të hapur aktivitetet në Kosovë të manifestimit kulturor dhe shkencor “Drita e Gonxhes”, e nisi fjalën e tij para të pranishmëve kryeministri Kurti, i cili më pas foli për biografinë e Nënë Terezës.

Kryeministri Kurti tha se 26 gushti është data e saj e lindjes, kurse 27 gushti është data e pagëzimit të saj nga Don Zef Ramaj.

“Anjeze Gonxhe Bojaxhiu ka lindur sikur sot, plot 113 vite më parë, më 1910 në Shkup, atë botë kryeqendra e Vilajetit të Kosovës. Ishte vajza e Nikollë Bojaxhiut, i lindur në Prizren në një familje të ardhur nga Fani i Mirditës dhe i nënës Drane Barnaj nga Novosella e Gjakovës. Vajzë shqiptare e një patrioti, e cila lindi në periudhën osmane dhe që ishte fëmijë kur vendi i saj u pushtua nga fqinjët, gjatë Luftës së Parë Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore. Pas vdekjes së babës Kolë kur ajo ishte pothuajse 9 vjeçare, Anjeze Bojaxhiun e rriti nana Drane, sikur edhe vëllaun dhe motrën e saj, Lazërin dhe Agen.”

Pasi foli për biografinë dhe rrugëtimin e saj, kryeministri tha se personi Anjeze Gonxhe Bojaxhiu vdiq 87 vjeçare, më 5 shtator 1997, por figura e Nënë Terezës si Tereza e Kalkutës dhe si Shën Tereza, vazhdon të frymëzojë miliona njerëz në mbarë botën, teksa fjalët e saj tashmë janë kthyer në postulate të sjelljes së shpirtrave njerëzorë mes tyre.

Duke uruar që aktivitetet e këtij manifestimi të shkojnë mirë dhe mbarë si këtu në Prishtinë, ashtu edhe në Shkup e në Tiranë, kryeministri u shpreh me shpresë që “Drita e Gonxhes” të përhapë dritë nga shembulli që Gonxhe Bojaxhiu, Nënë Tereza dha me jetën e saj për njerëzoren e secilit ndër ne./rtv21/KultPlus.com

‘Sillu në mënyrë që, në vend të mëshirës, të gëzosh respekt’, poezia e Nënë Terezës për gruan

facebook sharing button

Nga Nënë Tereza

Mos harro se lëkura rrudhet,
e flokët mbulohen me borë;
Ditët bëhen vite…
por më e rëndësishmja
nuk ndryshon kurrë!

Forca jote e bindja jote s’njohin moshë.
Shpirti yt e shtrin pëlhurën e merimangës
që mosha ta endi mbi fytyrë!

Pas çdo pikarritje, ka një pikënisje.
Pas çdo suksese, një zhgënjim.
Përderisa je gjallë, gjallëro!

Në qoftë se të mungon çka bëje më parë,
bëje përsëri,
mos rri duke parë fotografi
të zverdhura nga koha!
Mos e lerë të ndryshket hekuri
që ke brenda vetes.

Sillu në mënyrë që, në vend të mëshirës,
të gëzosh respekt.
Kur të rëndojnë vitet e s’mundesh më të vraposh,
ec shpejt.
Kur s’do të mundesh as të ecësh shpejt,
ec!
E kur as të ecësh s’do të mundesh,
përdore shkopin e shko…
Veç për t’u ndalë,
ti kurrë mos ndalo!/KultPlus.com

Nënë Tereza në veshje kombëtare (FOTO)

Gonxhe Bojaxhiu, e njohur botërisht si Nënë Tereza ose Shën Tereza e Kalkutës është nobelistja shqiptare që pjesën më të madhe të jetës së saj ia kushtoi bamirësisë, shkruan KultPlus.

Ajo lindi në Shkup (sot Republika e Maqedonisë), atëherë pjesë e Vilajetit të Kosovës në Perandorinë Osmane. Pasi kishte jetuar në Maqedoni për tetëmbëdhjetë vjet, ajo u shpërngul në Irlandë dhe më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj.

Nënë Tereza themeloi Misionaret e Bamirësisë, një kongregacion fetar katolik, i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 vende.

KultPlus sot ju sjellë një fotografi të rrallë të Nënë Terezës me motrën e saj, Age Bojaxhiu. Fotografia është shkrepur në vitin 1923, në Konsullatën Kombëtare të Vajzave Prizrenase./ KultPlus.com

25 vite që kur Nënë Tereza u shpall qytetar nderi i SHBA-së

Më 16 nëntor 1996, Anjezë Gonxhe Bojaxhiu alias Nënë Tereza (Shën Tereza e Kalkutës), murgesha katolike romake me përkatësi etnike shqiptare dhe nënshtetësi indiane, u shpall qytetar nderi i Shteteve të Bashkuara.

“Populli i Amerikës është vërtet mirënjohës për shërbimin tuaj të palodhur dhe përkushtimin për të mirën më të madhe”, tha Presidenti Clinton në një letër të paraqitur së bashku me dokumentet e nënshtetësisë.

“Kjo është një dhuratë e Zotit. Kam frikë se nuk jam e denjë për këtë”, tha Nënë Tereza pasi mori dokumentet nga ambasadori amerikan Frank G. Wisner. Ceremonia u zhvillua në selinë e Misionarëve të Bamirësisë në Kalkuta (Kolkata) të Indisë.

Shtetësia nderi e SHBA-së është dhënë vetëm tre herë të tjera – kryeministrit britanik të kohës së luftës Winston Churchill; Diplomatit suedez Raoul Wallenberg, i cili besohet se ka shpëtuar të paktën 20,000 hebrenj nga nazistët; dhe themeluesëve të Pensilvanisë, William Penn dhe gruas së tij, Hannah. /lbanianvintagephotography /KultPlus.com

Mbahet tryezë diskutimi për jetën dhe veprën e Nënë Terezës

Në Muzeun Kombëtar të Kosovës, sot u diskutua për jetën dhe veprën e Nënë Terezës.

Panelistët, prof. dr. Jahja Drançolli, Don Lush Gjergji dhe Gëzim Alpion folën për formimin e identitetit të saj që kishte elemente të thella kombëtare shqiptare, familjare dhe fetare shpirtërore.

Profesor Alpion theksoi se shembullin e Nënës Terezës nuk duhet vetëm ta përcjellim me fjalë, por duhemi ta jetësojmë duke vepruar në të njejtën mënyrë si ajo, duke ndihmuar personat në nevojë.

Profesori Drançolli foli rreth studimeve të tij për familjen Bojaxhiu, specifikisht për babain e Gonxhe Bojaxhiut, Nikollës. Ai theksoi se familja e Nënës Terezë ka qenë themeli nga ku ajo ka marrë shembujt e parë si duhet ndihmuar të tjerët, bazuar në aktivitetet që i ka zhvilluar babai i saj.

Diskutimi mbi studimin e thellë që Imzot Don Lush Gjergji i ka bërë figurës së Nënës Terezë gjatë jetës së tij duke publikuar 17 libra për të, u fokusua shumë rreth spiritualitetit të saj. Fokus i dha sakrificës së jetës në shërbim të personave në varfëri, sëmundje, të pastrehëve, dhe asaj që  përkundër sulmeve nga komunitetet e ndryshme në Indi, kurrë nuk ndaloi së ndihmuari personat në nevojë.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin këshilltari i Presidentes Osmani, Vehbi Miftari, këshilltarja e ministrit Çeku, Rozafa Imami, kryeshefi i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bedri Zyberaj, drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci, ud-drejtori i Galerisë Kombëtare, Naim Spahiu, zyrtarë të MKRS-së, studiues, profesorë dhe qytetarë./ KultPlus.com

Bëje, sidoqoftë!

Nga Nënë Tereza

Në të shumtën e rasteve
Njerëzit janë të paarsyeshëm dhe egoist.
Fali, sidoqoftë.

Nëse jeni i mirë, njerëzit mund t’iu akuzojnë
Se po e bëni për motive vetjake dhe të mëvonshme.
Bëhu i mirë, sidoqoftë.

Nëse jeni i suksesshëm, do të fitosh disa miq të pabesë
Dhe disa armiq të sinqertë.
Bëhu i suksesshëm, sidoqoftë.

Nëse jeni i ndershëm dhe i sinqertë,
Njerëzit mund t’iu mashtrojnë.
Bëhu i ndershëm dhe i sinqertë, sidoqoftë.

Atë që keni krijuar me vite, njerëzit,
mund ta shkatërrojnë për një natë.
Krijo, sidoqoftë.

Nëse gjen paqe dhe lumturi, disa mund t’iu xhelozojnë.
Bëhu i lumtur, sidoqoftë.

Të mirat që bëni sot, do të harrohen shpejt.
Bëj mirë, sidoqoftë.

Jep gjithçka nga vetja,
Dhe nuk do të jetë kurrë e mjaftueshme.
Jep gjithçka nga vetja, sidoqoftë.

Në fund të fundit, kjo është mes teje dhe Zotit.
Nuk ka qenë kurrë mes teje dhe atyre, sidoqoftë.

Përktheu: Agon Sinanaj / KultPlus.com

Presidenti Ronald Regan dhe Nënë Tereza në vitin 1986 (FOTO)

Sot shënohet 111-vjetori i lindjes së ish-presidentit të SHBA-vë, Ronald Reagan, përcjell KultPlus.

Në 111-vjetorin e lindjes së Reagan, KultPlus ua risjell në fotografi të tij bashkë me Nënë Terezën të realizuar më 13 qershor të vitit 1986.

Në këtë fotografi shihet ish-Presidenti i Kombeve të Bashkuara të Amerikës, Ronald Regan duke qeshur së bashku me Nënë Terezën dhe Motrën Frederik, ndërsa të tre takohen në Shtëpinë e Bardhë.

Nënë Tereza u dekorua me Medaljen e Lirisë nga Presidenti Regan dhe mori titullin qytetare nderi amerikane nga Presidenti Klinton në vitin 1996./ KultPlus.com

India bllokon fondet e huaja për organizatën e Nënës Terezë

Qeveria e Indisë ka refuzuar vazhdimin e licencës për organizatën bamirëse të themeluar nga Nënë Tereza, përmes së cilës i mundësohet marrja e fondeve të huaja.

Organizata, Misionarët e Bamirësisë, ka mijëra murgesha që mbikëqyrin projekte sikurse shtëpi për fëmijë të braktisur, shkolla dhe klinika.

Në Ditën e Krishtlindjes, Ministria e Brendshme e Indisë ka bërë të ditur se nuk ia ka vazhduar regjistrimin kësaj organizate për shkak të “të dhënave negative”.

Hindusët e linjës së ashpër e kanë akuzuar tash e një kohë këtë organizatë se është duke përdorur programet e saj për t’i konvertuar njerëzit në fenë e krishterë.

Organizata bamirëse ka hedhur poshtë këto akuza.

Në një deklaratë të publikuar më 27 dhjetor, organizata e ka konfirmuar se aplikacioni nuk i është pranuar dhe se nuk do të ketë aktive llogaritë për fondet e huaja “derisa të zgjidhjet kjo çështje”.

Shefja ministrore në Bengalin Perëndimor, Mamata Banerjee, ka kritikuar vendimin e Qeverisë për bllokim të llogarive të organizatës prej nga pranon fonde të huaja.

Mirëpo Qeveria dhe shteti kanë mohuar se llogaritë janë bllokuar.

Organizata bamirëse me bazë në Kolkata është themeluar më 1950 nga Nënë Tereza, murgeshë katolike.

E lindur në vitin 1910, nga prindër shqiptarë, Agnesë Gonxhe Bojaxhiu është rritur në Shkup, kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, që në atë kohë ka qenë pjesë e Perandorisë Osmane. Ajo ka qenë fëmija më i vogël i Nikollë dhe Dranafile Bojaxhiut.

Familja e saj ka pasur prejardhje nga Prizreni dhe kanë qenë katolikë të devotshëm.

Rrugëtimin si murgeshë, Nënë Tereza e ka nisur në Kishën e Letnicës në Kosovë, në moshën 17-vjeçare. Dy vjet më vonë ka udhëtuar drejt Indisë.

Organizata e saj katolike e bamirësisë është ndër më të njohurat në botë.

Nënë Tereza është shpërblyer me Çmimin Nobel për Paqe më 1979 për punën e saj humanitare dhe është shpallur e shenjtë nga Papa Françesku më 2006, 19 vjet pas vdekjes së saj.

Qeveria e kryeministrit Narendra Modi tash e një kohë synon të bllokojë fondet e huaja për organizatat e bamirësisë dhe organizata tjera joqeveritare me bazë në Indi.

Vitin e kaluar, kufizimet kanë çuar në bllokim të llogarive bankare të organizatave Greenpeace dhe Amnesty International.

Ndërkohë është raportuar edhe për sulme ndaj minoriteteve fetare nëpër Indi.

Shumica e popullsisë së Indisë janë hindusë.

Në këtë shtet janë edhe rreth 24 milionë të krishterë – rreth 2 për qind e popullsisë – andaj India është vendi me komunitetin më të madh të personave të krishterë në Azi, pas Filipineve.

Autoritetet indiane kanë tentuar të shtypin fushatat që dyshojnë se po konvertojnë hindusët në të krishterë apo myslimanë.

Disa rajone brenda Indisë që drejtohen nga partia e Modit, BJP, kanë miratuar apo janë duke shqyrtuar ligje që ndalojnë konvertimin fetar për qëllime të martesës./REL/KultPlus.com