Polonia dënon sulmet ndaj Policisë së Kosovës: Autorët të sillen para drejtësisë

Polonia ka dënuar ashpër sulmet e djeshme ndaj Policisë së Kosovës.

Ministria e Jashtme e Polonisë në “X” i ka shprehur ngushëllime familjes dhe kolegëve të policit të vrarë, Afrim Bunjaku, derisa i ka uruar shërim të shpejtë policëve të lënduar.

MPJ e Polonisë thotë se autorët duhet të sillen para drejtësisë.

“Polonia dënon ashpër sulmet ndaj Policisë së Kosovës. Ne i shprehim ngushëllimë familjes dhe kolegëve të policit të vrarë në krye të detyrës dhe i urojmë shërim të shpejtë dy policëve që u lënduan. Autorët e këtyre akteve të tmerrshme duhet të sillen para drejtësisë”. / KultPlus.com

Apeli i Policisë së Kosovës: Kujdes me mjetet piroteknike, festoni pa armë

Policia e Kosovës ka hartuar dhe është gati për planin operativ për festat e fundvitit, përmes të cilit synohet mbrojtja e paqes publike, transmeton KultPlus.

Në komunikatën e zbatimit, synimi parësor i këtij plani është që nëpërmjet aktiviteteve dhe jo vetëm, veprimtarive operacionale të rendit dhe të vendit publik në të gjithë territorin e tij.

“Qëllimi i hartimit të këtij plani është që përmes shtimit të prezencës policore dhe vigjilencës së zyrtarëve policorë të arrihen patrullime të shtuara, prezencë policore më e madhe në terren, përfshirë sheshet ku pritet të ketë më shumë qytetarë si dhe prezencë policore në rrugë për të ofruar siguri në trafik”, thuhet në komunikatë.

“Duke apeluar tek të gjithë qytetarët që gjatë festimeve të jenë të kujdesshëm, të festojnë me zemër e jo me armë, të kujdesen sidomos te përdorimi i mjeteve piroteknike ku kërkohet monitorim nga të rriturit, po ashtu të kenë kujdes të shtuar në trafikun rrugor e të mos drejtojnë automjetet nën ndikim të alkoolit”, thuhet në komunikatë. /KultPlus.com

Arrestohet një person në Prishtinë, ngacmon seksualisht dhe godet viktimën

Një tjetër rast i ngacmimit seksual është paraqitur sot në Prishtinë, njofton Policia e Kosovës, shkruan KultPlus.

Sipas raportit të policisë rasti ishte lajmëruar në polici më 19 gusht të këtij viti, ndërkaq tek dje është arrestuar personi i dyshuar.

“Më 05.09.2022 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që ka ngacmuar dhe më pastaj e ka goditur viktimën femër kosovare.

I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport. /KultPlus.com

23 vjet nga themelimi i Policisë së Kosovës

Më 6 shtator të vitit 1999, Misioni i OSBE-së në Kosovë, në pajtim me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244, ka hapur Shkollën e policisë dhe ka filluar trajnimin e kandidatëve për pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Gjenerata e parë e kandidatëve për pjesëtarë të këtij Shërbimi filloi trajnimin në këtë qendër më 6 Shtator 1999. Kjo gjeneratë numëroi 176 pjesëtar të cilët me sukses përfunduan trajnimin dhe pastaj filluan ushtrimin e veprimtarisë policore në tërë territorin e Kosovës si policët e parë të këtij Shërbimi. Një shërbim i ri i krijuar në bazat e një policie demokratike dhe profesionale.Një shërbim i hapur dhe i barabartë për të gjithë të interesuarit që dëshrirojnë të bëhen pjesëtarë të këtij shërbimi.

Trajnimi në Shkollën e Policisë së Kosovës është një trajnim me standarde të larta duke përfshirë: Kodin e Etikës Policore, Legjislaturën e aplikueshme në Kosovë, Hetimin e Krimit, grumbullimin e evidencave dhe metodën e intervistave,  politikën demokratike dhe fokusimi në besueshmërinë e rregullave të ligjit demokratik, përdorimin e armëve të zjarrit,  forenzikën dhe evidencën, kontrollin e trafikut, etj.

Pas përfundimit të trajnimit me sukses në Shkollën e Policisë së Kosovës, pjesëtarët e këtij shërbimi vazhdojnë me programin e Trajnimit Fushor në stacionet policore, me trajner të qertifikuar.

Të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë të përkushtuar në shërbimin e tyre, duke u mbështetur në vizionin, misionin dhe vlerat e këtij shërbimi. /KultPlus.com

Policia e Kosovës njofton për ndërprerje të përkohshme në disa pjesë më 15 dhe 16 gusht

Presidenti i ri i Shqipërisë, Bajram Begaj, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Kosovë më 15 dhe 16 gusht, shkruan KultPlus.

Për këtë ngjarje, Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë vizitës së presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj në Kosovë, nga data 14 deri më 16 gusht, do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë.

“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore), të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta, si dhe në lokacione të caktuara ku parashihen të realizohen aktivitete zyrtare.

Njëkohësisht për të mundësuar qarkullimin dhe riorientimin e trafikut në rrugë alternative në lokacionet ku pritet të kalojë eskorta do të angazhohen zyrtarë policorë të njësiteve relevante, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet mes tjerash në njoftimin e PK-së. /KultPlus.com

Policia: Janë larguar të gjitha barrikadat në veri

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Branisllav Radoviq, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se janë larguar të gjitha barrikadat në veri të Kosovës.

Sipas tij, situata është aktualisht e qetë.

Për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe, serbët lokalë në Kosovë më 31 korrik vendosën barrikada në rrugët që çojnë në Jarinjë dhe Bërnjak.

Qeveria tha se do të shtyjë zbatimin e vendimeve për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë dhe atë për ndryshimin e targave serbe, kur të hiqen bllokadat.

Vendimi për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje, po zbatohet në katër pikat e tjera kufitare me Serbinë, të cilat janë të hapura.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se është i përgatitur të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti në veri të Kosovës. / KultPlus.com

Kurti takohet me policët e lënduar në aksionin në veri, u ofron mbështetje të plotë në luftën kundër krimit të organizuar

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi sot policët, pjesëmarrës në aksionin e mbrëmshëm kundër kontrabandës në Leposaviq, përfshirë ata që u lënduan, dhe Drejtorin e Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

Policia jonë çdo ditë demonstron vendosmëri dhe shkathtësi për të siguruar ligjshmërinë në tërë territorin e Republikës. Përderisa puna profesionale e policëve ka arritur të sjell personat e dyshuar para drejtësisë, kjo e fundit, në këtë rast Prokuroria, liron njërin të dyshuar në procedurë të rregullt, sipas pohimeve të policëve.

Kurti shprehu falënderim dhe mirënjohje të thellë për trimërinë dhe profesionalizimin e tyre për të qenë në krye të detyrës, teksa u uroj shërim të plotë sa më të shpejtë.

Ai theksoi që shteti ligjor dëshmohet me punën e zellshme të prokurorisë dhe efikase të gjyqësorit. Në mungesë të këtyre të fundit, aksionet e Policisë e me këto sigurimi i rendit publik, mbeten të papërfunduara. E për të dëshmuar përkushtimin dhe aftësinë në vendosjen e sundimit të ligjit, duhet pritur veprimet e mëtutjeshme të prokurorisë, u shpreh ai.

Kurti shtoi se luftimi i krimit të organizuar dhe vendosja e rendit dhe ligjshmërisë mbeten ndër prioritetet kryesore të Qeverisë dhe se për këtë Policia e Kosovës gjithmonë do ta ketë mbështetjen e plotë. /KultPlus.com

Policia e Kosovës është sulmuar sot sërish në veri të Kosovës

Rasti ka ndodhur më saktësisht në Sharpej të Jarinjes ku kanë ndodhur dy shpërthime nga mjete të dyshuara piroteknike.

Shpërthimet kanë ndodhur afër veturës së policisë e cila ishte në një pikë statike ku policia ishte e përqendruar në parandalim të kontrabandës në atë zonë.

“Nga shikimi i vendit të ngjarjes është vërejtur se në xhamin e veturës policore ka mbetur një copë letre (dyshohet mbështjellës i mjeteve piroteknike). Ngjarja ka ndodhur në një pjesë që është afër territorit të Serbisë dhe dyshimi i bazuar është se këto mjete janë hedhur nga territori i Serbisë. Policia ka qenë duke monitoruar një rrugë ilegale të mbyllur kohë më parë dhe e cila përdorej për kontrabandë të mallrave.”, thuhet në komunikatën e policisë. /KultPlus.com

Policia e Kosovës, Zjarrfikësit dhe nxënësit e shkollave fillore të Komunës së Prishtinës lirohen nga pagesat e përdorimit të trafikut urban

Policia e Kosovës, Zjarrfikësit dhe nxënësit e shkollave fillore të Komunës së Prishtinës lirohen nga pagesat e përdorimit të trafikut urban.

Ky vendim u mor në shenjë falënderimi për punonjësit e linjës së parë dhe për të stimuluar përdorimin e transportit publik tek gjeneratat e reja. / KultPlus.com

Konkursi për kadetë, njoftim i rëndësishëm nga Policia e Kosovës

Policia e Kosovës ka njoftuar se të hënën do të fillojë faza e parë e testimeve për aplikantët që i kanë plotësuar kriteret e konkursit për kadetë policor.

Sipas njoftimit, testimi me shkrim do të mbahet në Akademinë për Siguri Publike në Vushtrri dhe do të zgjasë deri më 28.02.2022.

Policia ka njoftuar edhe për masat që duhet të respektohen nga aplikantët.

“Kandidatët ditën e zhvillimit të testimit me shkrim duhet të kenë: maskën mbrojtëse, certifikatën e vaksinimit me të paktën dy doza të vaksinës ose një dozë e vaksinës Johnson kundër Covid-19. Personat me dëshmi mjekësore nga mjeku specialist i fushës përkatëse se kanë kundër indikacione dhe janë të liruar nga vaksinimi duhet të paraqesin testin RT-PCR brenda 48 orëve ose certifikatën me një dozë jo më e vjetër se një muaj, numrin e aplikacionit dhe letërnjoftimin”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë:

Policia e Kosovës, më 28 tetor 2021, ka shpallur konkursin publik për zyrtarë policorë, i cili ka qenë i hapur deri më 26 nëntor 2021.

Pas përfundimit të procedurave të parapara dhe përgatitjeve teknike, më 21.02.2022, do të fillojë faza e parë e testimeve (testi me shkrim) i aplikantëve të cilët i kanë plotësuar kriteret e konkursit publik.

Testimi me shkrim do të jetë i hapur dhe transparent. Testimi me shkrim do të mbahet në Akademinë për Siguri Publike në Vushtrri dhe do të zgjasë deri më 28.02.2022.

Kandidatët ditën e zhvillimit të testimit me shkrim duhet të kenë: maskën mbrojtëse, certifikatën e vaksinimit me të paktën dy doza të vaksinës ose një dozë e vaksinës Johnson kundër Covid-19. Personat me dëshmi mjekësore nga mjeku specialist i fushës përkatëse se kanë kundër indikacione dhe janë të liruar nga vaksinimi duhet të paraqesin testin RT-PCR brenda 48 orëve ose certifikatën me një dozë jo më e vjetër se një muaj,  numrin e aplikacionit dhe letërnjoftimin.

Rekomandojmë kandidatët (aplikantët) që të kontrollojnë listat tashmë të bëra publike në linkun: https://ëëë.kosovopolice.com/ëp-content/uploads/2022/02/21.02.2022-1.pdf / KultPlus.com

Policia e Kosovës sot mbush 21 vjet, prezantohet monografia kushtuar 21 zyrtarëve të rënë në detyrë

Policia e Kosovës për nder të 21-vjetorit të themelimit të saj, duke iu përshtatur edhe rrethanave aktuale, organizon ceremoninë zyrtare ku pritet të marrin pjesë personalitete të larta shtetërore, menaxhmenti i lartë i PK-së dhe të ftuar të tjerë.

Ngjarja nis në ora 10:00 në Drejtorin e përgjithshme. Ndërsa, organizata joqeveritare “CULTURAT”, në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, në orën 12:00, në hollin e ekspozitave të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, në përputhje me masat e luftës kundër pandemisë COVID-19, që janë marrë nga institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës, bëjnë prezantimin e monografisë “YJE MBI DAFINA”, libër ky që u kushtohet 21 zyrtarëve policorë të rënë në uniformën e policisë së Kosovës, që nga çlirimi i Kosovës e deri më tash.

Po ashtu, në hollin e kësaj biblioteke, do të hapet edhe ekspozita me portrete të policëve, fotografi familjare dhe institucionale të tyre, si dhe fotografi të zisë e të përkujtimit, pas rënies së tyre në uniformën e policisë së Kosovës. Ky promovim mbahet në kuadër të shënimit të 21-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës. / KultPlus.com