Ekspozohen koleksione të rralla nga fondi i Bibliotekës Kombëtare për nder të 100-vjetorit të Kongresit të Lushnjës

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të Lushnjës (1920-2020), ka risjellë ditët e fundit përmes një ekspozite me koleksione nga fondi i arkivës, në vëmendje të publikut këtë ngjarje të rëndësishme të historisë së Shqipërisë.

Koleksionet e rralla si gazeta “Albania”, “Fletorja Zyrtare”, por edhe botime, albume dhe studime si “Kongresi i Lushnjes (21 janar – 31 janar 1920); “Qeveria e Kongresit të Lushnjës dhe veprimtaria e saj”, “Këshilli Kombëtar 1920”, “Kongresi i Lushnjës dhe lufta e Vlorës”, Qarkoret e Ministrisë së Punëve të Brendshme, etj., do të qëndrojnë të ekspozuara për publikun në Hollin e Bibliotekës Kombëtare.

Kongresi i Lushnjës hapi zyrtarisht punimet me 21 janar 1920, ndërsa punimet i zhvilloi nga data 28 deri më 31 janar 1920. Është një nga kuvendet kombëtare më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar.

Qëllimi i mbajtjes së Kongresit të Lushnjës ishte mbrojtja e tërësisë territoriale të Shqipërisë, rimëkëmbja e shtetit shqiptar dhe sigurimi i pavarësisë së tij. Në të morën pjesë rreth 50 përfaqësues nga pjesa më e madhe e krahinave të shtetit shqiptar.

Kongresi i Lushnjës mori vendime të rëndësishme politike. Ai hodhi poshtë planet e Konfencës së Paqes në Paris dhe u shpreh për mbrojtjen me çdo kusht të tërësisë dhe të pavarësisë së plotë të shtetit shqiptar në kufijtë e vendosur nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913.

Gjatë punimeve të tij u miratua një akt kushtetues, në të cilin ripohohej sovraniteti i plotë i shtetit shqiptar. Ai zgjodhi organet më të larta të shtetit shqiptar si Këshillin e Lartë të përbërë nga katër vetë, i cili do të kryente detyrën e kryetarit të shtetit deri sa të caktohej forma përfundimtare e regjimit. U krijua Këshilli Kombëtar i përbërë nga 37 përfaqësues, i cili do të kryente funksionet e parlamentit shqiptar.

Kongresi i Lushnjës me shumicë votash rrëzoi Qeverinë e Durrësit dhe zgjodhi një qeveri të re kombëtare të drejtuar nga Sulejman Delvina./atsh/ KultPlus.com