Mbi 1 milion dokumente të dhuruara, Arkivat pasurojnë fondin e materialeve osmane

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) është pasuruar me mbi 1 milion njësi dokumentare, të përftuara në formën e një dhurimi prej institucionit homolog, Arkivit të Perandorisë Osmane me qendër në Stamboll.

Dokumentet e marra nën zotërim në trajtë digjitale mbulojnë veprimtarinë politike dhe shoqërore të shqiptarëve përgjatë sundimit osman pesëshekullor. Mes tyre gjenden vendime dhe dekorime të personaliteteve të ndryshme, siç është kërkesa për ngritjen në grada të Mahmut Pashës; informacione mbi përplasjet politike midis prijësve në hapësirën shqiptare, sikurse konflikti mes Ali Pashës dhe Ibrahim Pashës; evidenca mbi mësimin e shqipes në Vlorë dhe në Shkup; informacione mbi dinastitë e qyteteve shqiptare; të dhëna mbi lëvizjet nacionale shqiptare, greke, serbe, etj., dhe dokumente të karakterit religjoz.

Gjithashtu, pjesë e këtyre dokumenteve që i shtohen fondit të materialeve osmane, janë zhvillimet fetare në rajon, si feja Islame, e Krishterë dhe Judaizmi. Në këto dokumente gjenden edhe dinamikat sipas shoqërive përkatëse.

Ky dhurim vjen në vazhdën e përpjekjeve disavjeçare të Arkivit shqiptar dhe të marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy institucioneve, për shkëmbimin e dokumenteve arkivore. Më herët, në vitet 2015 dhe 2020, Arkivi i Stambollit ka dhuruar përkatësisht rreth 5 mijë dhe 350 mijë fletë dokumente. Mes tyre gjendeshin urdhëresa, fermanë, të dhëna biografike të Ismail Qemalit, si edhe dokumentacion mbi Ali Pashën, një pjesë e të cilit i është dhuruar organit të kujtesës lokale, Muzeut të Tepelenës.

Kjo bazë e gjerë kërkimore do të shërbejë si shtysë për kryerjen e hulumtimeve të mëtejshme, që hedhin dritë mbi veprimtarinë tërësore të Shqipërisë dhe të shqiptarëve gjatë periudhës osmane deri në shpalljen e Pavarësisë./ atsh/ KultPlus.com

‘Duhanin e konsumojnë burrat, por e përgatisin fëmijët’

Duhani, ky zakon burrash!

Nuk dimë se kur u kthye në simbol viriliteti duhanpirja. Mirëpo, mes atyre pak fotografive që zotëron Fototeka e Arkivit Qendror Shtetëror shohim se duhanin e konsumojnë burrat, por e përgatisin fëmijët. Në fotografitë që prezantojmë duken qartë djem apo vajza në moshë të njomë që mbushin paketat me cigare. E para prej fotografive vjen nga viti i largët 1926 dhe paraqet punishten e cigareve “Taraboshi” në Shkodër. Fotografia e dytë vjen nga punishtja e cigareve ndërtuar prej shoqërisë “Stamles” në Durrës. Kurse e treta është punishtja e cigareve “17 Nëntori” në Tiranën e pas Luftës II Botërore. Aroma e duhanit mund të mos jetë fort romantike, por këto fotografi bardhë e zi sigurisht që po.

Foto: AQSh./ KultPlus.com

93 vite më parë u miratua Kodit Civil

Më 1 prill të vitit 1929, u miratua njëri prej akteve juridike më të rëndësishme të shtetit shqiptar, Kodi Civil.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave thekson se Kodi përbënte risi për terrenin normativ dhe shoqëror të Shqipërisë së viteve ‘30.

Vetiu, legjislacioni shqiptar pati shëmbëlltyrën e të drejtave të huaja e veçanërisht të së drejtës franceze, italiane dhe deri diku të asaj gjermane e zvicerane.

Thënë këtë, përgjatë përpilimit, u huazuan dispozitat për barazinë e të gjithë qytetarëve, për emancipimin e pronësisë mbi tokën dhe për lirinë e angazhimit në aktivitete ekonomike.

Hyrja në fuqi e këtij Kodi Civil e grupoi të drejtën civile shqiptare në llojin romano-gjermanik, duke e mëvetësuar nga e drejta otomane. Me ndryshimin e regjimit qeverisës në vend, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ky legjislacion asokohe bashkëkohor, u shfuqizua.

Në dokument, paraqitet një telegram falenderimi që Ministria e Drejtësisë ia drejton Mbretit Zog, për vënien në zbatim të Kodit Civil. / KultPlus.com

25 vjet nga krijimi i qeverisë së “Pajtimit Kombëtar”

Më 11 mars të vitit 1997, u votua për krijimin e qeverisë së “Pajtimit Kombëtar”, e cila do të drejtonte ekzekutivin e vendit deri më 29 qershor 1997.

Në pikun e trazirave që patën përfshirë Shqipërinë, pasi firmat piramidale shpallën falimentin, partitë ujdisën një marrëveshje për krijimin e një qeverie të re me pjesëmarrje të gjerë politike. Zyrtarisht, qeveria e re nën drejtimin e Bashkim Finos, do t’i niste punimet më 12 mars 1997, pas dekretimit, njofton Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave.

Në këtë gjendje të tendosur, teksa armët kishin rënë në duart e qytetarëve, pësuan dëme të konsiderueshme edhe godinat e Arkivave Shtetërorë Vendorë, së bashku me materialin dokumentar që administronin. Në dokumentin bashkëngjitur, organi më i lartë i rrjetit arkivor kombëtar, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA), vë në dijeni kryetarin e qeverisë së re, Bashkim Finon, mbi dëmet e shkaktuara kryesisht në Arkivin Shtetëror të Tropojës, të Pogradecit, të Beratit dhe të Lezhës.

Në letrën adresuar ish-kryeqeveritarit, paralajmërohej edhe për rrezikun që i kanosej vendruajtjes së dytë të dokumenteve të Arkvit Qendror Shtetëror në Gramsh, ku kishin depërtuar forcërisht njerëz të armatosur. Kreu i atëhershëm i DPA-së, Luan Malltezi, apelon në këtë njoftim për koordinimin mes Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Komisariateve të Policisë, për mbrojtjen e integritetit të institucioneve dhe për sigurimin e dokumentacionit. / KultPlus.com

“Arkiva” thirrje shkencëtarëve për botime me fokus figurat historike

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka nxjerrë një njoftim ku u bën thirrje  studiuesve për pjesëmarrjen në botimet e financuara prej institucionit.

Në njoftimin e bërë thuhet se në fokus të botimeve do të jenë figurat historike në vendin tonë, nga Mesjeta e deri në ditët tona.

Të gjithët të interesuarit kanë afat deri në datë 14 mars.

“Kjo thirrje i adresohet çdo anëtari të bashkësisë shkencore, që ka interes të hulumtojë mbi tematikat që DPA-ja ka propozuar për botim. Mes temave të përzgjedhura bëjnë pjesë përvjetorët e lindjes apo të vdekjes të disa prej figurave më të rëndësishme në historinë e kombit, sikurse janë: Marko Boçari, Memet Pashë Dërrala, Nikolla Naço, Shtjefën Gjeçovi, Hilë Mosi, Gjon Shllaku, Hasan Prishtina etj.

Gjithashtu, është i mirëpritur edhe botimi i dokumenteve apo i punimeve monografike për çështje dhe personalitete historike të periudhave të ndryshme, duke nisur nga Mesjeta e deri në ditët tona.

Për vitin 2022, DPA-ja ka marrë përsipër shpenzimet për 5 (pesë) botime, secili prej të cilëve do të ketë një vëllim deri në 120.000 fjalë dhe 300 faqe daktilografike. Thirrja për pjesëmarrje do të qëndroje e hapur deri më datën 14 mars, 2022”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

DPA dhe ASHAK organizuan sesionin shkencor nën lajtmotivin “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, vlerë kombëtare”

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës (ASHAK), kanë organizuar mbajtjen e një sesioni shkencor ditën e sotme, më 7 mars 2022, në mjedisit e institucionit tjetër bashkëpunëtor, Institutit Albanologjik të Prishtinës, përcjell KultPlus.

Në punimet e këtij sesioni të zhvilluara nën lajtmotivin “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, vlerë kombëtare”, morën pjesë dhe kumtuan 25 studiues dhe akademikë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës. Fjala e rastit u mbajt nga Prof. dr. Lulëzim Lajçi.

Në mesin e referuesve qenë krerët e dy institucioneve arkivore shqipfolëse, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Prof. Asoc. Dr. Ardit Bido, i cili kumtoi mbi organizimin e shtetit shqiptar për pritjen e refugjatëve nga Kosova, si edhe homologu i tij nga Kosova, Mr. Sc. Bedri Zyberaj, që foli lidhur me sprovat e UÇK-së. Në radhët e pjesëmarrësve, u prezantuan me kumtesa edhe Prof. Dr. Paskal Milo, akademiku Pëllumb Xhufi, Prof. Dr. Ksenofon Krisafi, Prof. Asoc. Dr. Maringlen Kasmi, Prof. Asoc. Dr. Teki Kurti etj.

Në përmbyllje të sesionit, u lexua Deklarata e përbashkët e nënshkruar në nëntor të vitit të kaluar, prej institucioneve arkivore, përgjegjëse për ruajtjen, administrimin dhe shërbimin e materialeve dokumentareve rreth të kaluarës historike të trojeve shqiptare. Në këtë dokument, datimi i të cilit përkon me 23-vjetorin e krijimi të UÇK-së, shprehej vlerësimi për kontributin dhe rolin e pazëvendësueshëm të luftës çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës. / KultPlus.com

Përkujtohet shkrimtari dhe përkthyesi, Andrea Varfi

Si sot më 21 shkurt 1941, u lind në Qeparo shkrimtari, publicisti dhe përkthyesi, Andrea Varfi.

Mësimet fillore do t’i merrte nga mësuesi i së parës shkollë shqipe të fshatit, mentori i tij i përhershëm, i ati Epaminonda Varfi. Prirjen për të shkruarin, e zbuloi në mbarim të shkollës së mesme tregtare të Vlorës, në vitin 1932. Mbaroi degën klasike të gjimnazit në Tiranë, në vitin 1935. Studimet e larta i ndoqi në Universitetin e Peruxhias, në Fakultetin e Shkencave Agrare. Pas përfundimit të angazhimit të tij akademik, në vitin 1941, u kthye në atdhe.

Varfi ka kontribuar në Luftën Nacional-Çlirimtare. Në vitin 1945, u emërua në krye të nënndarjes për çështje kulturore dhe propagandistike, në dikasterin e Bujqësisë. Në vitin 1947, vuajti për dy vjet dënimin e dhënë nën akuzën e bashkëpunimit me agjenturën angleze. Pas shpalljes së pafajësisë, nisi të punonte në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” dhe më pas në Lidhjen e Shkrimtarëve.

Krahas krijimtarisë artistike gjatë kohës së luftës, Varfi lëvroi edhe në poezi e prozë satirike, në intervalin e vjetëve 1952-1960. Në letrat shqipe, ka lënë gjurmë edhe përmes përkthimeve dhe studimeve të tij të shumta. Varfi përshtati në gjuhën e sotme veprat kryesore të De Radës, sikurse ishin: “Serafina Topia”, “Rrëfime të Arbërit”, “Këngët e Milosaos” etj.

Ai ndërroi jetë më 18 shtator 1992. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikoi sot kartën postale ku Prof. Mario Marinucat nga Peruxhia, i lutet Varfit t’i dërgojë sa më shpejt dokumentet e tij për pjesëmarrjen në konkursin mes diplomatëve më të mirë. / KultPlus.com

Hapen dy ekspozita për të festuar 102 vjetorin e Tiranës kryeqytet

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës, prezantoi sot në sheshin “Skënderbej”, ekspozitën e titulluar “Tirana kryeqytet”.

Në këtë datë me domethënie historike për mbarë vendin, ekspozita ilustron përmes dokumenteve dhe fotove, rrugëtimin e kryeqytetit të caktuar në punimet e Kongresit të Lushnjës (1920), si dhe zyrtarizimin e këtij vendimi me mbërritjen në Tiranë të anëtarëve të Këshillit të Lartë, siç ishin: Aqif Pasha, Mihal Turtulli dhe Abdi Toptani.

Mes materialeve të paraqitura, publiku kryeqytetas ka mundësinë të njihet edhe me disa fragmente të historisë së kryeqytetit (1604-1937) nën autorësinë e Osman Myderrizit, me telegramin dërguar qyteteve të vendit për ngritjen e flamurit në Tiranë (28 Nëntor 1912), me foto të godinës ku u vendos qeveria pas Kongresit të Lushnjës, me një imazh të Bashkisë së vjetër etj.

Në vijim të ndërveprimit të vazhdueshëm, përfaqësues të DPA-së morën pjesë në një tjetër ekspozitë me tematikën e këtij përvjetori.

Nën organizimin e Kalasë së Tiranës koleksionistë dhe historianë të pasionuar, treguan kryesisht përmes fotografive historinë dhe fizionominë e Tiranës ndër vite./atsh/ KultPlus.com

DPA me kënd arkivor në shtëpinë e kulturës “Adem Jashari” në Istog

Në Istog u hap Këndi Arkivor i katërt në Republikën e Kosovës, si rezultat i nismës së Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave (DPA) për të siguruar qasje në dokumente, kudo ku jetojnë shqiptarët.

DPA-ja në bashkëpunim me komunën e Istogut, i mundëson tashmë studiuesve mundësi të njëjta hulumtimi në dokumentet arkivore.

Prej këtij Këndi Arkivor, çdo studiues merr shërbim sikur të ishte i pranishëm në Tiranë.

Këndi i Arkivor, u prezantua në prani të kryetarit të komunës së Istogut, Ilir Ferati dhe drejtorit të Inspektimit dhe Trajnimeve, Endrit Musaj.

Ky kënd është i aksesueshëm në ambientet e Shtëpisë së Kulturës “Adem Jashari”. Më herët këndet arkivore janë hapur në Prishtinë, Podujevë dhe Ferizaj.

Çelja e këtyre këndeve arkivore është një ndër nismat më të rëndësishme të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, e cila nisi në fundin e vitit 2020 për të vijuar me hapjen e këtyre njësive të shërbimit kudo ku jetojnë shqiptarët, jo vetëm në rajon por edhe më gjerë./atsh/ KultPlus.com

Hapet ekspozita me dokumente origjinale për Kongresin e Lushnjës

“Kongresi i Lushnjës”, titullohet ekspozita me dokumente origjinale e hapur nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Galerinë e Artit Tiranë (GAT), me rastin e 102-vjetorit të organizimit të këtij kongresi.

Ekspozita u hap në mjediset e Galerisë së Artit Tiranë dhe në të janë ekspozuar procesverbalet e secilës mbledhje të Kongresit të Lushnjës, shoqëruar me vendimet përkatëse, fotografitë e delegatëve të kohës, akti i caktimit të Tiranës si kryeqytet i përkohshëm, themelimi i Regjencës, si edhe fotografitë e personaliteteve kryesore që e përbënin atë.

Në një dalje të përbashkët për mediat, drejtori i DPA-së, prof.asoc.dr.Ardit Bido dhe drejtori i GAT-it, Abaz Hado, u shprehën se ekspozita “Kongresi i Lushnjës”, vjen si rezultat i një bashkëpunimi të vijueshëm, me qëllimin e paraqitjes së dokumenteve dhe fotografive origjinale të ngjarjeve më të rëndësishme në historinë kombëtare.

“Është kënaqësi të prezantojmë një ekspozitë me dokumente origjinale për këdo që është i interesuar, në lidhje me një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë tonë, Kongresin e Lushnjës, që ndikoi në themelimin e shtetit modern shqiptar. Ne zhvillojmë ekspozita të tilla me dokumente origjinale, të cilat janë të pazëvendësueshme, pasi nëpërmjet tyre jo vetëm krijojmë idenë për veprimtarinë dhe ngjarjen e kohës, por edhe ‘shijen’ që përcillet përmes letrës apo fotografive, të cilat ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror. Prandaj ne u themi nxënësve, studentëve, të apasionuarëve pas historisë, si edhe njerëzve të zakonshëm, që duan të njohin të shkuarën përmes dokumentit apo fotografisë origjinale, të vijnë në një mjedis publik siç është Galeria e Artit e Tiranës, që ndodhet në një nga rrugët më qendrore të kryeqytetit”, tha Bido.

Në fjalën e tij, Hado bëri me dije se në kuadër të bashkëpunimit me DPA-në, parashihet nënshkrimi i një memorandumi dhe realizimi i ekspozitave të një trajte tjetër.

“Ne kemi një bashkëpunim të jashtëzakonshëm me Arkivin e Shtetit, sepse kemi një synim të qartë. Sallat e AKT nuk ekspozojnë vetëm artin pamor, por edhe dokumente. Kemi rënë dakord që së shpejti të bëjmë një memorandum bashkëpunimi, kemi plane të tjera përveç ekspozitave të këtij karakteri. Do bëjmë ekspozita edhe me fondin e pikturave që ka Arkiva e Shtetit. Ne jemi duke diskutuar. Janë vepra shumë të rëndësishme, të panjohura për publikun, dhe do kenë fatin të ekspozohen për herë të parë në Galerinë e Tiranës”, tha Hado.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 1 shkurt 2022 në Galerinë e Artit Tiranë. / KultPlus.com

Përvjetori i Skënderbeut, Arkiva e Shtetit publikon dokumentat ekzemplare

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave me rastin e 554 vjetorin e ndarjes së tij nga jeta e përkujton sot me dy fotografi të pikturave me portretin e Gjergj Kastriot Skënderbeut, tre ekzemplarë dekretesh të përgatitura në emrin e Gjergj Kastriotit të cilat ndodhen të ruajtura në AQSH, si dhe me një fotografi të një tabloje të titulluar “Skënderbeu gjatë një beteje”.

Zot i Arbërisë, ashtu siç ai e nënshkroi veten, ai paraqet një epokë të tërë të historisë kombëtare në luftën shekullore kundër zgjedhës osmane, në mbrojtje të tokës, pasurisë e të lirisë.

Emri i tij na përfaqëson denjësisht në rrafshin e historisë botërore, si një figurë kyçe që i lidh shqiptarët me Perëndimin, botën e qytetëruar evropiane.

Pavarësisht se ka jetuar para më shumë se 5 shekujsh, nderimi i shqiptarëve për të edhe sot mbetet i pakursyer! Monumenti i tij ndodhet në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Krujë dhe disa qytete të tjera. Emri i tij shënon shumë institucione arsimore, ndërsa është figurë për të cilën ende nuk rreshtin hulumtimet e studimet”, shkruhet ne tekstin shoqërues. / KultPlus.com

Sot 151 vjet nga lindja e Mihal Gramenos, publikohet dorëshkrimi origjinal i tij

Më 13 janar 1871 do të lindte në Korçë Mihal Grameno, një ndër veprimtarët më të zëshëm të çështjes sonë kombëtare, luftëtar me çetën e Çerçiz Topullit, gazetar, botues dhe shkrimtar.

I shkolluar fillimisht në vendlindje, në vitin 1885 do të mërgonte drejt Rumanisë. Në Bukuresht u lidh me lëvizjen kombëtare shqiptare dhe në vitin 1889 Mihal Grameno u zgjodh Sekretar i Shoqatës “Drita”.

Në vitin 1907 iu bashkua çetës së Çerçiz Topullit dhe mori pjesë në vrasjen e peshkopit grek te Guri i Cjapit, për të marrë gjakun e Spiro Kosturit, i vrarë nga grekët në Selanik.

Si gazetar bëri të mundur raportin e përleshjes së çetës në Mashkullorë. Po atë vit në nëntor përfaqësoi Klubin e Korçës në Kongresin e Manastirit. Në vitin 1909 Grameno themeloi në Korçë Lidhjen orthodokse dhe redaktonte të përkohshmen e përdyjavshme me të njëjtin emër që botohej gjatë viteve 1909–1910. Grameno u arrestua në vitin 1910 nga autoritetet osmane për punën e tij në gazetën “Bashkimi i Kombit”.

Gjatë kryengritjeve të vitit 1911 Grameno kryente ndërlidhjen mes grupeve të çetave ndër viset shqiptare dhe prijësve të lëvizjes kombëtare në Stamboll për të koordinuar kryengritjet.

Më 1 shkurt 1911 nisi të botojë një tjetër gazetë: të përjavshmen “Koha” të cilën edhe e redaktonte, së pari të botuar në Korçë dhe më pas në Jamestown, New York, ku jetoi nga 1915 deri më 1919.

U kthye në Evropë për të përfaqësuar Partinë Politike të shqiptaro-amerikanëve në Konferencën e Paqes në Paris dhe si korrespondent i gazetës “Albania” që botonte A. G. Naçe në New York.

Pas një viti u kthye në Shqipëri. Pas shpërthimit të Luftës I Botërore u detyrua të largohej në SHBA, ku vazhdoi të punojë për çështjen kombëtare deri më 1920, kur u kthye në atdhe. I sëmurë, e i dëshpëruar, u tërhoq nga lëvizja shoqërore. Vdiq në Korçë më 5 shkurt, 1931. Për meritat të posaçme në në dobi të atdheut dhe çështjes shqiptare, i është dhënë titulli “Hero i Popullit”.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikoi sot imazhe të tregimit “Saideja Engjëllore”, shkruar nga Mihal Grameno. / KultPlus.com

129 vjet nga lindja e historianit, Xhevat Korça

Më 10 janar të vitit 1893, në qytetin e Korçës, u lind mësuesi, përkthyesi, politikani dhe historiani Xhevat Korça.

Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes dhe ndoqi mësimet në gjimnazin Zosimea në Janinë. Studimet universitare i ndoqi në Vjenë në Fakultetin e Filozofisë dhe ishte një nga studentët që i paraqitën letrën presidentit amerikan Willson në lidhje me çështjen shqiptare.

Me kthimin në atdhe u emërua mësues në qytetin e Shkodrës dhe drejtor i Gjimnazit të Shkodrës. Në aspektin politik, ai ishte një nga mbështetësit e Lëvizjes së Qershorit dhe përkrahës i Nolit, dhe për këtë arsye u detyrua të largohej nga vendi pas rikthimit të Ahmet Zogut në pushtet. U vendos në Beograd për disa vjet, ku shërbeu edhe si profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në universitet, më tej emigroi në Vjenë, Graz dhe Fiume (Rijeka), dhe për disa kohë ishte edhe anëtar i KONARE-s.

Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia më 1939, kthehet në atdhe dhe më 1942 mori postin e ministrit të arsimit në qeverinë e Mustafa Krujës, ku ndihmoi në lirimin e disa patriotëve shqiptarë me profesion mësues, të internuar nga italianët. Ishte një nga themeluesit dhe anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare, duke dhënë kontributin e tij shkencor. Xhevat Korça ka dhënë një kontribut të madh dhe në fushën e përkthimeve, një pjesë e madhe e të cilave ruhen në dorëshkrim në AQSH. U dënua nga Gjyqi Special në prill të 1945 me vdekje, por që iu konvertua në burgim të përjetshëm. Ndërroi jetë në Burgun e Burrelit në korrik të vitit 1949.

Imazhet ilustruese të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave janë nga një letër që Fan Noli i dërgon Xhevat Korçës në lidhje me përkthimet e tij dhe probleme të tjera. / KultPlus.com

Përkujtohet kleriku Visarjon Xhuvani, i burgosur nga diktatura

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujtoi klerikun Visarjon Xhuvani, i dënuar me burg nga diktatura komuniste.

Si sot, më 14 dhjetor 1890 lindi në Elbasan imzot Visarion Xhuvani, në lagjen Kala. Mësimet e para i mori në shkollën greke në Elbasan dhe më pas vazhdoi shkollën e mesme fetare në Athinë. Po në Athinë përfundoi dhe Universitetin për Teologji. Në vitet 1919-1923 shërbeu si murg në Sofje të Bullgarisë. Vite më vonë në Universitetin e Kembrixhit në Angli, mori gradën Doktor.

Në vitin 1929 u bë Kryepeshkop i parë i Shqipërisë. Ishte njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja veçanërisht i greqishtes së vjetër e të re, anglishtes, gjermanishtes, serbokroatishtes, rumanishtes dhe italishtes. Visarjon Xhuvani ka shkruar mbi 26 vepra teologjike.

Gjatë luftës ishte mitropolit i Beratit, Vlorës dhe Fierit. Më 16 prill të 1939 do të bëhej anëtar i delegacionit shqiptar, që i ofroi kurorën Viktor Emanuelit në Vlorë.

Në vitin 1946 u dënua nga diktatura komuniste e më 22 dhjetor 1947 gjykata e dënoi me 20 vite burg, ku pjesën më të madhe qëndroi i burgosur në Burrel. U burgos për 15 vite dhe u lirua në 27 nëntor 1962.

Njohuritë e Xhuvanit u reflektuan në hartimin e dokumentacionit bazë të kishës ortodokse, i cili është në fuqi edhe sot. Statuti themelor i hartuar prej tij dhe i aprovuar nga Kongresi i Korçës më 1929, është i pakorrigjueshëm. Ndërroi jetë në vitin 1965, tre vite pasi doli nga burgu dhe u varros në Shijon në vitin 1965.

Edhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave duke përkujtuar klerikun sjell një foto që ruhet në fondin e saj. / KultPlus.com

Hapet ekspozita “Hasan Prishtina në dokumentet arkivore” në Ulqin

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e Shqipërisë dhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup hapën sot në Ulqin ekspozitën “Hasan Prishtina në dokumentet arkivore”.

Ekspozita, e hapur në ambientet e Librarisë “Ulqini”, pasqyron veprimtarinë e patriotit Hasan Prishtina me rastin e 100-vjetorit të marrjes së detyrës si kryeministër i Shqipërisë.

Në këtë aktivitet mbajtën fjalë përshëndetëse kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Faik Nika, përfaqësuesi i trungut familjar Hasan Prishtina, Mehmet Prishtina, drejtoresha e Komunikimit në DPA, Elsa Saka dhe drejtori i Institutit, Skënder Asani.

Kjo ekspozitë përmban materiale që ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror dhe që flasin mbi veprimtarinë e Hasan Prishtinës në periudhën parashtetërore, ndihma në organizimin e kryengritjeve antiosmane në territoret e Vilajetit të Kosovës dhe mbi mbështetjen e zhvillimit të arsimit shqip.

Në këtë aktivitet Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup i dhuroi librarisë së parë shqipe në Malin e Zi, e hapur së fundmi në qytetin e Ulqinit, mbi 100 tituj nga fondi i tij botues.

Shumë shpejti DPA do të jetë përsëri në këtë ambient për të hapur Këndin Arkivor Ulqin. / KultPlus.com

Përkujtohet “Mësuesi i Popullit”, Aleksandër Xhuvani

Më 22 nëntor 1961, ndërroi jetë Aleksandër Xhuvani.

Profesor Aleksandër Xhuvani ishte gjuhëtar, pedagog dhe psikolog, nderuar me titullin “Mësues i Popullit”.

Xhuvani u lind më 14 mars 1880 në Elbasan ku kreu dhe mësimet e para, ndërsa të mesmen e kreu në Çatillë të Maqedonisë. Më pas studioi filologji në Athinë.

Veprimtarinë e nisi si mësues në Kolegjin Arbëresh të Shën Dhimitër Koronës. Pasi kthehet në Shqipëri filloi të jepte mësim në Normalen e Elbasanit. Ka qenë anëtar i Komisisë Letrare të Shkodrës, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, anëtar i Institutit për Studime Shqiptare, dekan i Seksionit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë pranë Institutit të Studimeve, anëtar i redaksisë së Buletinit të Shkencave Shoqërore.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave duke përkujtuar këtë datë publikoi sot foto të Aleksandër Xhuvanit dhe të dorëshkrimit të autobiografisë së tij, shkruar më 27 korrik 1947. / KultPlus.com