Rita Ora nuk i harron rrënjët: Urime 13 vjet Pavarësi Kosova jonë

Rita Ora është njëra ndër këngëtaret që përmes artit të saj përherë promovon vlera kulturore dhe tradicionale të vendit të saj, shkruan KultPlus.

Këtë e bëri edhe në këtë përvjetor të Pavarësisë së Kosovës, teksa shpërndau fotografi të mrekullueshme nga veshja e saj në videoklipin e këngës ‘Bang’.

Nën veshje kombëtare dhe me një tekst të shkruar edhe në gjuhën shqipe, Ora ia uron Pavarësinë vendit prej ku ka prejardhjen, Kosovës.

Ora ktheu sytë e artdashësve të saj nga mbarë bota në kulturën shqiptare së fundmi me këngën, teksa këtë e bëri edhe më parë nëpërmjet performancave tjera muzikore. / KultPlus.com

Kongresi i Lushnjës, 101 vjet më parë ndaloi copëtimin e Shqipërisë

101 vjet më parë, më 21 janar 1920 u shkrua një nga faqet më të rëndësishme të historisë shqiptare, u mblodh Kongresi i Lushnjës, i cili ndaloi copëtimin e Shqipërisë nga tentativat e fqinjëve për të ndarë Shqipërinë e për të zgjeruar territoret e tyre.

Ishte pikërisht kjo ngjarje që ndaloi anarkinë në vend, e hodhi themelet e shtetit shqiptar e krijimit të institucioneve.

Në këtë përvjetor përkujtohet nderi, përkushtimi dhe vizioni i patriotëve shqiptarë, që përkundër egoizmit të tyre dhe konformimit me orekset e fqinjëve zgjodhën krijimin dhe fuqizimin e shtetit shqiptar, shkruan KultPlus.

Sot kjo ngjarje dhe mesazhi që na vjen nga një brez patriotësh që e krijuan dhe ruajtën këtë vend është më i gjallë se kurrë. Në veri kemi tentativat për të krijuar Jugosllavinë e Re, ndërsa në jug kemi ende një ligj lufte që nuk është hequr ende nga fqinji jugor, e për të cilin nuk dëgjojmë më asnjë fjalë nga qeveritarët tanë, të cilët deri dje përbetoheshin se do arrinin të hiqnin ligjin e luftës me fqinjët. E vetmja gjë që mungon sot është vetëdija e një klase politike, që të kuptojë se ky vend do duhet të jetojë e të ekzistojë edhe pas 100 vitesh të tjerë, ashtu siç na e lanë dikur etërit themelues të kombit.
Sot kemi vetëm një rrugë, të heqim kufijtë e egoizmit dhe të rinisim një rrugë të re të zhvillimit dhe prosperitetit, duke u bashkuar më së pari të gjithë shqiptarët bashkë, kudo ku ata jetojnë, e të zhdukim abuzimin, varfërinë e të ringjallim shpresën tek shqiptarët.

Mësimet e Kongresit të Lushnjës duhet të jenë një drejtim real për gjithë klasën politike, kudo ku shqiptarët jetojnë sot. /KultPlus.com

Michelle Obama: Unë e dua Barack-un për karakterin dhe dhembushurinë e tij

Barak dhe Michelle Obama, çifti i njohur amerikan të cilët ditë më parë u shpallën edhe dy figurat më të admiruara të vitit 2020, sot shënojnë plot 28 vite martesë, shkruan KultPlus.

Ishte Michelle, ajo që e para uroi Barack-un me fjalë prej më të mirave.

28 vite me këtë person. Dashuria ime, unë e dua @Barack Obama për për buzëqeshjen e tij, karakterin e tij dhe dhembshurinë e tij. Pra, jam mirënjohëse që e kemi atë si partner përmes gjithçka”, ka shkruar mes tjerash ajo në llogarinë e saj në Instagram. / KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/CF5OFHkA4zk/?utm_source=ig_embed

Sot në 81-vjetorin e lindjes së këngëtares Vaçe Zela

Vaçe Zela ishte dhe mbeti emblemë e këngës shqiptare. Vokali i saj i jashtëzakonshëm, ai zë që i’u thurën legjenda, kujtesa dhe nostalgjia e gjeneratave e njohu si një mit.

Vaçe Zela mishëronte përfytyrimin më konkret të asaj çka ne kërkonim si në eter të përmbushte atë shpirt të etur për magjiken e këngës. Këndoi gjithçka, dhe kudo la vulën e një personaliteti të papërsëritshëm, që komunikoi me tërë arsenalin e mundshëm të ndjenjave, prej të cilave do të veçoja atë çka përbën thelbin e shpirtit të saj: dhimbjen njerëzore. Arritjet e saja udhëtuan me kohën për tu shndërruar në model frymëzimi dhe inspirimi. Zëri dhe repertori i pasur që la trashëgim vijojnë të mbeten gurë shndritës në xhërdanin e traditës shqiptare të këngës.

Vaçe Zela u lind në Lushnjë më 7 prill 1939 dhe vdiq në Bazel, Zvicër, më 6 shkurt 2014. Vaçe Zela ishte një nga këngëtaret ikonë e skenës shqiptare. Ajo e filloi karrierën e saj në moshë të re dhe në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës. Me këngën Fëmija i parë, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave.

Fituese 12 herë e festivalit, Vaçja fitoi famë gjatë epokës komuniste dhe iu dha titulli Artist i Merituar në vitin 1973 dhe Artist i Popullit në vitin 1977. Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992. Ajo ishte e martuar me Pjetër Rodiqin dhe së bashku ata kanë vajzën Irma. Që nga viti 2002 Zela ka jetuar me burrin e saj në Bazel të Zvicrës, për të marrë kujdes më të mirë shëndetësor.
Vace Zela ne festivalin e Kenges ne Radio TelevizionAjo është e vetmja femër shqiptare e nderuar në të gjallë me Urdhrin “Nderi i Kombit” më 24 dhjetor 2002 nga presidenti Alfred Moisiu me motivacionin: “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor”.

Për nder të këngëtares, viti 2009 u shpall nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si “Viti Vaçe Zela”. Së fundi, edhe një rrugë në Tiranë mban emrin e saj. /AlbertVataj /KultPlus.com

Përkujtohet 117-vjetori i vdekjes së patriotit Papa Kristo Negovani

Papa Kristo Negovani lindi në Negovan të Kolonjës (në anën lindore të Gramozit, sot Greqi). Arsimin fillor e mori në vendlindje dhe shkollën e mesme e vazhdoi në Athinë.

Papa Kristo Negovani u vendos për disa kohë në Rumani ku punoi duke ushtruar profesionin e drugdhendësit. Në atmosferën e shoqërive atdhetare shqiptare, ai u bë pjesë e shoqërisë së shqiptarëve “Shpresa” duke u angazhuar në veprimtaritë e saj. Më 1897, pasi u kthye në vendlindje iu kushtua tërësisht lëvrimit të gjuhës shqipe, lirisë e pavarësisë së vendit.

Me librat shqip, të sjellë në Negovan, hapi fshehtas shkollën e parë shqipe për bashkëfshatarët e tij dhe me interesimin e tij u dërguan vajzat e para nga Negovani në shkollën shqipe të vashave në Korçë. Papa Kristo Negovani, më 10 shkurt 1905, organizoi një shërbesë kishtare në gjuhën shqipe.

Dy ditë më vonë, më 12 shkurt 1905, Papa Kristo Negovani së bashku me të vëllain e tij, Papa Theodhosin, dhe tre bashkëfshatarë të tjerë u masakruan nga andartët grekë. Ai qe një ndër frymëzuesit e Kishës ortodokse autoqefale shqiptare, e cila do të bëhej realitet vetëm me Fan Nolin.

Ndër veprat letrare të Papa Kristo Negovanit vlen të përmenden: “Istori e dhjatës vjetërë”, botuar në Bukuresht në 1899; “Bënjatë e shënjtorëvet dërgimtarë”, në Sofje më 1903 etj, si dhe shkroi e përkthyeu në shqip edhe përralla e shumë vjersha me karakter didaktik. /ATSH /KultPlus.com


Si sot 75 vjet më parë nisi punën Radio Televizioni i Prishtinës

Radio Televizioni i Prishtinës, i pari televizion në Kosovë, sot shënon 75-vjetorin e themelimit. RTP filloi punën së pari në Prizren menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore teksa më pas u transferua në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Ka qenë viti 1945 fillimi i këtij rrugëtimi të gjatë dhe të mundimshëm, fillimisht në kuadër të Forcave Aleate në Mitrovicë ku edhe ka funksionuar stacioni radiotelegrafik.

Në datën 5 shkurt të atij viti, 1945, në Prizren u themelua stacioni i parë profesional me programin e rregullt ditor në gjuhën shqipe, pastaj dhe në atë serbe.

Pas zhvendosjes në Prishtinë, Radio Prishtina vazhdoi rritjen e saj krahas kërkesave të shoqërisë. Falë zhvillimit të teknikës dhe aftësimit të kuadrit u zgjerua dhe u begatua radio-programi.

Kështu Radio Prishtina arriti të bëhet institucion i fuqishëm informativ, arsimor e kulturor brenda dhe jashtë vendit.

Me ato programet cilësore informative, politike, dokumentare, arsimore e kulturore, RTP-ja u bë institucioni i vetëm radioteleviziv që ofronte hapësirë për të gjitha etnitetet që të shprehen në gjuhët e tyre.

“Akordet e Kosovës”, “Mikrofoni i artë”, “Zambaku i Prizrenit”, “Kosovarja këndon” e shumë të tjera janë programet cilësore muzikore që padyshim mbesin thesar i kësaj krijimtarie televizive.

RTP-ja që sot shënon 75-vjetorin është sinonimi i qëndresës kombëtare shqiptare. /KultPlus.com

Prishtina shënon përvjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore

Lufta e Parë Botërore apo Lufta e Madhe ishte lufta që përfshiu pothuajse gjithë botën, nga viti 1914 deri në vitin 1918. Kjo luftë filloi më 28 korrik 1914 dhe përfundoi më 11 nëntor 1918 me fitoren e Paktit të Trefishtë, shkruan KultPlus.

Në shënim të përvjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, nesër, në ora 14:00, pranë Pallatit të Rinisë në Prishtinë, nxënësit e shkollave fillore do të vendosin lule.

Lufta e Parë Botërore ishte lufta që përfshiu pothuajse gjithë botën, nga viti 1914 deri në vitin 1918. Kjo luftë e paparë ndonjëherë në historinë e njerëzimit si pasojë kishte edhe humbjen e 20 milionë njerëzve. “Lufta e Madhe” përfshiu gjashtë kontinentet e banuara të lëmshit tokësor: Evropën, Azinë, Afrikën, Amerikën e Jugut, Amerikën e Veriut dhe Australinë. / KultPlus.com