Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave përuron Teatrin dhe Kinemanë e hapur

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka përuruar Teatrin dhe Kinemanë e Hapur. Në oborrin e ridimensionuar të godinës së institucionit, me pjesëmarrjen e akademikëve dhe të dhjetëra studentëve, u ngrit sipari i hapësirës më të re kulturore që i shtohet kryeqytetit.

Në ceremoninë inauguruese ishin të pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, Drejtoresha e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF), Marinela Ndria, përfaqësuesja e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK), Shpresa Mekaj, zëvendësdekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Andi Pinari, historianet Eva Tafili Hyskaj dhe Esmeralda Kolaneci.

Drejtoresha e Arkivit Qëndror Shtetëror të Filmit vlerësoi nismën e DPA-së dhe bashkëpunimin e vijueshëm ndërinstitucional.

“Falenderoj DPA për këtë ide të mrekullueshme. Mes nesh ka një bashkëpunim të frytshëm. Kemi materiale sot, pamje shumë të bukura nga historia e Shqipërisë”, u shpreh drejtuesja e AQSHF-së.

Më tej, mbajti një fjalë rasti Mekaj, e cila e cilësoi Teatrin dhe Kinemanë e Hapur një ambient madhështor.

“Kam kënaqësinë që në emër të Arkivave të Kosovës, t’ju përshëndes të gjithëve dhe t’ju uroj për hapjen e këtij ambienti madhështor. Jam kurioze të di se çfarë ka tjetër në plan Arditi, sepse i realizoi të gjitha. Ta gëzoni”, tha Mekaj.

Ndërsa, Pinari çmoi lehtësimin e qasjes në dokumente, në sajë të procesit të digjitalizimit dhe çeljes së Këndeve Arkivore.

“Për ne Arkivi është vëllai ynë binjak sepse me të kemi bashkëpunim të jashtëzakonshëm. Transformimi juaj është i jashtëzakonshëm. Vërtet jeni lodhur shumë, por për ne në Fakultet çdo gjë është bërë më e lehtë. Mund të punojmë online. Gjëja e parë që bëj çdo mëngjes është të shoh faqen tuaj në ‘Facebook’ dhe në ‘Instagram’ me informacione të reja. Neve në Fakultet, Arkivi na frymëzon”, tha Pinari.

“Janë ditët e fundit të vitit dhe gjithsecili bën bilancet. Po të bësh  një bilanc të Arkivit, duket se ka arritje të jashtëzakonshme. Surpiza e radhës është ky amfiteatër/kinema, që është në radhë të parë dhuratë për studentë e Departamentit të Historisë. Besoj se do jenë studentët tanë, ata që do e frekuentojnë më shumë këtë amfiteatër/kinema”, tha studiuesja Hyskaj.

Ky amfiteatër do të shfrytëzohet jo vetëm nga studentë, studiues, por edhe nga qytetarë gjatë ditëve të verës, për ta njohur historinë përmes vizualizimit”, përfundoi Kolaneci.

Në përmbyllje të aktivitetit u shfaqën disa materiale filmike nga AQSHF-ja. Mes këtyre dokumentarëve të shkurtër, u transmetuan fragmente nga filmi i parë shqiptar, “Rrethimi i Shkodres nga trupat malazeze” (1913), “Shqipëria 1914” (1914), “Pamje nga Shqipëria e viteve 1920-1928”, “Pamje nga jeta e Durrësit” (1914) dhe “Ardhja e Princ Vidit” (1914).

Teatri dhe Kinemaja e Hapur zotëron një kapacitet prej 140 vendesh dhe synon t’i adresohet të rinjve, përmes një shërbimi që ndërthur edukimin me zbavitjen. Ky projekt vjen në vazhdën e nismave të herëpashershme të DPA-së, për përsosjen e veprimtarisë së saj në drejtim të ruajtjes dhe të promovimit të pasurisë kombëtare historike dhe kulturore.

Në vitin 2021, falë një investimi të qeverisë shqiptare, DPA-ja i dha fund një problemi më shumë se 30-vjeçar me prezantimin e Vendruajtjes së re të Dokumenteve të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH) në Shkozë, ku dokumentacioni konservohet në kushte optimale, në një hapësirë prej 1850 metrash katrorë, me dy kate dhe 8 depo. Ndërsa, në vitin 2022, DPA-ja ndryshoi krejtësisht faqe, duke i dhënë trajtë një projekti që e shndërron Arkivin në një kompleks të mirëfilltë kulturor. Teatri dhe Kinemaja e Hapur është një gur kilometrik i këtij projekti, që parasheh edhe çeljen e Muzeut Arkivor dhe të një ambienti studimi në natyrë./tvklan/KultPlus.com

DPA kujton fillimin e Luftës së Parë Botërore, 109 vjet më parë

Më 28 korrik 1914, filloi Lufta e I-rë Botërore.

Lufta pati si pikënisje vrasjen e Arqidukës austro-hungarez, Franz Ferdinand, nga dora e serbo-boshnjakut, Gavril Princip, pjesëtar i rrjetit “Dora e Zezë”. Bota u nda në zona të militarizuara. Ballkani dhe Europa u përfshinë në luftën që do t’u kushtonte jetën rreth 9 milion viktimave.

Kjo luftë do të sillte edhe ndarjen e territoreve dhe rikrijimin e shtetkombeve të dala nga shpërbërjet e perandorive të mëdha. Edhe pse nuk u përfshi drejtëpërdrejt në luftë, në territorin e Shqipërisë ndodhën shumë luftime.

Pas mbarimit të luftës, një pjesë e madhe e popullatës u bë pjesë e shkëmbimit të padrejtë, duke i etiketuar ata si popullatë “myslimane” dhe “joshqiptare”. Si rezultat, ata u dëbuan nën shënimin “turq”. Pas mbarimit të luftës, Shqipëria fillon të lobojë fort në arenën diplomatike për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e popullsisë së saj nga padrejtësitë e ndodhura.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në këtë përvjetor publikoi një kartë postare me fytyrën e Franc Jozefit, të Mehmetit të V-të dhe të Vilhelmit të II-të. Po ashtu, një fotografi e ushtarakëve të huaj në Shqipëri gjatë Luftës së I-rë Botërore. / atsh / KultPlus.com

DPA prezanton 6 botimet më të reja studimore

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) prezantoi 6 botimet më të reja studimore, që trajtojnë tematika historike dhe të lëmit të arkivistikës.

Promovimi i këtyre botimeve u zhvillua pasditen e sotme në sallën ovale të Pallatit të Kongreseve, në punimet e Panairit Kombëtar të 25-të të Librit “Tirana 2022”. Të pranishëm në ceremoni ishin kreu i DPA-së, prof. asoc. dr. Ardit Bido, anëtarë të Këshillit të Lartë të Arkivave (KLA), përfaqësues nga Arkivi Qendror Shtetëror (AQSH) dhe nga ASHAK-u, si dhe arkivistë e studiues të fushave përkatëse.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Bido, i cili moderoi edhe diskutimin në tryezën e përbashkët, nënvizoi se kemi të bëjmë me një rikthim të DPA-së në funksionin e botueses pas një periudhe të gjatë mungese, duke shtuar se duke nisur nga ky vit, botimet do të jenë periodike.

“Falënderoj të pranishmit dhe profesorët e nderuar, të cilët janë pjesë jona e pandashme. Pas një munguese të gjatë, i rikthehemi botimeve dhe kemi vendosur që të ketë 5 botime të përvitshme dhe cilësore në fushën e historiografisë. Botimet që prezantojmë sot trajtojnë përvjetorë të rëndësishëm të një game të gjerë, të personaliteteve apo të ngjarjeve historike. Falënderoj anëtarët e Këshillit të Lartë të Arkivave (KLA), që kanë qenë në pararojë për të garantuar cilësinë e produktit final. Po ashtu, sjellim numrin e radhës të revistës “Arkivat Shqiptare”, që përmbledh punimet periodike të studiuesve dhe të arkivistëve në mbarë trojet shqiptare, të realizuara në Konferencat Mbarëkombëtare të Arkivistikës”, tha Bido.

Pesë prej punimeve të publikuara rishtas vijnë në trajtën e studimeve të kryera nga hulumtues të periudhave të rëndësishme apo të figurave me kontribut në historinë e vendit.

Punimet janë: “Misionet aleate në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore 1943-1944”, “Kongresi i Beratit dhe Autoqefalia e Kishës Ortodokse Shqiptare”, “Justin Godarti përmes dokumenteve arkivore”, “Marrëdhëniet e ish-Partisë së Punës së Shqipërisë me partitë komuniste dhe lëvizjet marksiste-leniniste jashtë ‘Bllokut komunist’” dhe “100-vjetori i themelimit të Muzeut Kombëtar, 1922-2022”.

Përkatësisht, këto punime janë realizuar nga bashkautorët dr. Endrit Musaj dhe dr. Lorenc Agalliu, prof. asoc. dr. Bido dhe Myrteza Sharra, Gjergj Totozani, Armando Boçe dhe Arbër Bilbili, Elsa Saka dhe dr. Dorian Koçi.

Për të gjashtin vit radhazi, bashkëpunimi mes DPA-së dhe Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK) kurorëzohet me botimin e numrit të radhës së revistës “Arkivat Shqiptare”. Ky publikim, që është i vetmi në fushën e arkivave në mbarë trojet shqiptare, i mundëson çdo arkivisti apo të interesuari që të thellohet në disiplinën e arkivistikës, si shkencë të mëvetësishme nga historia apo shkencat e tjera të përafërta. Në fjalën e rastit, kryeshefi i ASHAK-ut, Zyberaj, vlerësoi bashkëpunimin me DPA-në dhe tha se synimi i kësaj reviste është të bëjë bashkë hulumtuesit për të shqyrtuar çdo vit ngjarje historike, si edhe problematika apo prakika të përbashkëta të dy institucioneve arkivore.

Botimet e prezantuara së fundmi, të gjashtë numrat e revistës arkivore dhe të tjera publikime të mëparshme me tematika të rëndësishme historike, do të gjenden në stendën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH), deri në mbyllje të panarit, ditën e diel, më datë 20 nëntor. Më herët këtë vit, DPA-ja u bëri thirrje studiuesve për të marrë pjesë në botimet e parashikuara përgjatë vitit 2023, duke iu propozuar një larmi temash në rrafshe të ndryshme të veprimtarisë publike. /atsh/KultPlus.com

“Misionarja e bamirësisë”, portreti familjar i Nënës Terezë

Me rastin e 25-vjetorit të kalimit në amshim të Shenjtes Nënë Terezë, Drejtoria e Arkivit në Maqedoninë e Veriut në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave (DPA), paraqitën ekspozitën e titulluar “Misionarja e bamirësisë”.

Në këtë aktivitet në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar (MHK), qenë të pranishëm kreu i Arkivit fqinj, Muzafer Bislimi, kreu i DPA-së, Ardit Bido, drejtuesi i MHK-së, Dorian Koçi, si edhe qytetarë të shumtë të interesuar.

Fjala hapëse u mbajt nga Koçi, i cili vlerësoi bashkëpunimin ndërinstitucional dhe nënvizoi se kjo ekspozitë ka karakter përplotësues, pasi sjell aspekte të rëndësishme mbi Nënë Terezën dhe mbi aktivitetin e saj.

Në fjalën e tij, Bislimi iu referua dokumenteve të ekspozuara për herë të parë për publikun, të cilat iu dhuran DPA-së në format CD, në shenjë vlerësimi të ndërveprimit dhe të një premise të mëtejshme bashkëpunimi. “Paraqiten dëftesa nga koha kur Nënë Tereza ishte gjimnaziste në Shkup. Dokumenti më i rëndësishëm i përket vitit 1931, kur në regjistrimin e popullsisë, familja Bojaxhiu njihet për origjinën shqiptare, gjuhën amtare dhe për përkatësinë në fenë katolike”, u shpreh Bislimi.

Në daljen e tij për mediet, Bido e cilësoi si përbashkuese figurën e Nënë Terezës, duke sjellë në vëmendje edhe tre dorëshkrimet e rralla të saj, të bëra publike dy vjet më parë, pas evidentimit të kryer nga DPA-ja gjatë procesit të përpunimit të fondit të Ramiz Alisë.

“Është një figurë shumëdimensionale. Në këtë ekspozitë, ku kemi kontribuar me disa dokumente dhe foto, rrëfehet një panoramë e jetës së saj. Nënë Tereza ishte individ përbashkues. Është evidentuese e bashkimit tonë kombëtar. Nuk e mohoi, por e përmendte se ishte shqiptare. Pasazhi në shqip në dorëshkrimet e saj është domethenës. Aty shkruan për besëdhënie, që është karakteristikë e identitetit dhe e krenarisë tonë kombëtare. Po ashtu, shkruan për përçimin e dashurisë në botë, duke marrë kështu përmasa universale”, tha Bido.

Ekspozita e përgatitur me materiale dokumentare dhe fotografike mbi veprimtarinë jetësore të humanistes shqiptare, shpalos të dhëna me rëndësi arkivore rreth familjes Bojaxhiu, fotografi, dokumente e materiale administrative të qytetit të Shkupit për Nënë Terezën. Mbajtja e kësaj ekspozite përkoi edhe me 6-vjetorin e kanonizimit të Nënë Terezës në kalendarin apostolik.

Aktiviteti u përmbyll me shfaqjen e një materiali filmik mbi vizitën e parë në Shkup të Nobelistes së Paqes në vitin 1978. Mes vizitorëve, u bënë pjesë edhe një grup fëmijësh të kopshtit “Nënë Tereza”./atsh/ KultPlus.com

83 vjet më parë ndërtohej ujësjellësi i Tiranës

Më 18 korrik 1939, qyteti i Tiranës ndërmori një hap të rëndësishëm urbanistik me fillimin e ndërtimit të sistemit të ujësjellësit.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton këtë fakt, të 83 vjetëve më parë, nëpërmjet dokumenteve e fotove arkivore, sipas të cilave Ministria e Punëve Publike ia besoi planin e kësaj sipërmarrjeje studios së inxhinierëve Angelo Omodeo-s dhe Claudio Marchello-s, me qendër në Milano. Plani i propozuar nga inxhinierët që më 1937-ën, kishte si objektiv ndërmarrjen e hapave për furnizimin me ujë të qytetit të populluar deri në 62.000 banorë, dendësi kjo që parashikohej të arrihej deri në 1970-ën.

Ky hap vinte paraprakisht edhe me nevojën e urbanizimit të Tiranës, si edhe me shtimin e popullatës kryeqytetase. Uji që do të furnizonte Tiranën do të vinte nga Selita dhe do të shtrihej në tubacione drejt një hapësire prej 5250 metrash, duke mundësuar një prurje prej 1,5 litrash në sekondë.

Krahas fotove, pasqyrohet edhe një pjesë e planit të ndërtimit të këtij ujësjellësi./atsh/ KultPlus.com

DPA hap Kënd Arkivor në Suharekë, i teti në Kosovë

Në Suharekë u hap Këndi Arkivor, i teti në Republikën e Kosovës, si rezultat i nismës së Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave për të siguruar qasje të barabartë në dokumente.

DPA në bashkëpunim me komunën e Suharekës u mundëson studiuesve të vendit, mënyra të njëjta hulumtimi në dokumentacionin arkivor.

Këndi i Arkivor, u prezantua nga përfaqësues të DPA-së në prani të drejtoreshës në Drejtorinë e Kulturës, Rinisë, Sportit dhe Mërgatës, Lorika Gashi, drejtorit në Drejtorinë e Arsimit, Remzi Bajselmani, nënkryetares së Komunës së Suharekës, Mihrije Suka si dhe profesorit të historisë/zëvendësdrejtorit në gjimnazin “Jeta e Re”, Xhemajli Shala.

Ky kënd është i akesueshëm në bibliotekën e qytetit “Hajdin Berisha”.

Aksesi në dokumentet e Arkivit të Shtetit tanimë është shumë i lehtë dhe i njëjtë si në Sallën e Studimit në Tiranë. Studiuesi do të duhet të regjistrohet nga shtëpia apo edhe nga zyra e tij, pa qenë e nevojshme të vijë në këtë Kënd Arkivor në adresën katalogu.arkiva.gov.al. Në vetëm 1 ditë pune, llogaria e tij aprovohet dhe përmes postës elektronike me të cilën ka aplikuar, pajiset me fjalëkalimin përmes të cilit mundet të aksesojë dokumentet apo dosjet që ka porositur. Ato do t’i shërbehen në ditën që është përzgjedhur nga vetë studiues/aplikuesi në sistem dhe do të qëndrojnë të qasshme për pesë ditë pune, ditë në të cilat ai mund t’i konsultojë materialet në Këndin Arkivor.

Këndet Arkivore janë hapur edhe në Prishtinë, Podujevë, Ferizaji, Istog, Vushtrri, Prizren dhe Rahovec. / KultPlus.com

25 vjet nga krijimi i qeverisë së “Pajtimit Kombëtar”

Më 11 mars të vitit 1997, u votua për krijimin e qeverisë së “Pajtimit Kombëtar”, e cila do të drejtonte ekzekutivin e vendit deri më 29 qershor 1997.

Në pikun e trazirave që patën përfshirë Shqipërinë, pasi firmat piramidale shpallën falimentin, partitë ujdisën një marrëveshje për krijimin e një qeverie të re me pjesëmarrje të gjerë politike. Zyrtarisht, qeveria e re nën drejtimin e Bashkim Finos, do t’i niste punimet më 12 mars 1997, pas dekretimit, njofton Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave.

Në këtë gjendje të tendosur, teksa armët kishin rënë në duart e qytetarëve, pësuan dëme të konsiderueshme edhe godinat e Arkivave Shtetërorë Vendorë, së bashku me materialin dokumentar që administronin. Në dokumentin bashkëngjitur, organi më i lartë i rrjetit arkivor kombëtar, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA), vë në dijeni kryetarin e qeverisë së re, Bashkim Finon, mbi dëmet e shkaktuara kryesisht në Arkivin Shtetëror të Tropojës, të Pogradecit, të Beratit dhe të Lezhës.

Në letrën adresuar ish-kryeqeveritarit, paralajmërohej edhe për rrezikun që i kanosej vendruajtjes së dytë të dokumenteve të Arkvit Qendror Shtetëror në Gramsh, ku kishin depërtuar forcërisht njerëz të armatosur. Kreu i atëhershëm i DPA-së, Luan Malltezi, apelon në këtë njoftim për koordinimin mes Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Komisariateve të Policisë, për mbrojtjen e integritetit të institucioneve dhe për sigurimin e dokumentacionit. / KultPlus.com

DPA dhe ASHAK organizuan sesionin shkencor nën lajtmotivin “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, vlerë kombëtare”

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës (ASHAK), kanë organizuar mbajtjen e një sesioni shkencor ditën e sotme, më 7 mars 2022, në mjedisit e institucionit tjetër bashkëpunëtor, Institutit Albanologjik të Prishtinës, përcjell KultPlus.

Në punimet e këtij sesioni të zhvilluara nën lajtmotivin “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, vlerë kombëtare”, morën pjesë dhe kumtuan 25 studiues dhe akademikë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës. Fjala e rastit u mbajt nga Prof. dr. Lulëzim Lajçi.

Në mesin e referuesve qenë krerët e dy institucioneve arkivore shqipfolëse, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Prof. Asoc. Dr. Ardit Bido, i cili kumtoi mbi organizimin e shtetit shqiptar për pritjen e refugjatëve nga Kosova, si edhe homologu i tij nga Kosova, Mr. Sc. Bedri Zyberaj, që foli lidhur me sprovat e UÇK-së. Në radhët e pjesëmarrësve, u prezantuan me kumtesa edhe Prof. Dr. Paskal Milo, akademiku Pëllumb Xhufi, Prof. Dr. Ksenofon Krisafi, Prof. Asoc. Dr. Maringlen Kasmi, Prof. Asoc. Dr. Teki Kurti etj.

Në përmbyllje të sesionit, u lexua Deklarata e përbashkët e nënshkruar në nëntor të vitit të kaluar, prej institucioneve arkivore, përgjegjëse për ruajtjen, administrimin dhe shërbimin e materialeve dokumentareve rreth të kaluarës historike të trojeve shqiptare. Në këtë dokument, datimi i të cilit përkon me 23-vjetorin e krijimi të UÇK-së, shprehej vlerësimi për kontributin dhe rolin e pazëvendësueshëm të luftës çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës. / KultPlus.com

Ekspozita “Lulet e ftohta të shkurtit” me dokumente të deklasifikuar së fundmi

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”, ka risjellë për publikun ekspozitën e titulluar “Lulet e ftohta të shkurtit”, e cila ofron një fushëpamje të gjerë të zhvillimeve në kapërcyell të vendosjes së pluralizmit në Shqipëri.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin drejtori i përgjithshëm i Arkivave, prof. asoc. dr. Ardit Bido dhe drejtoresha e muzeut, Etleva Demollari.

Në një dalje të përbashkët për mediet, krerët e dy institucioneve ndërvepruese, theksuan rëndësinë e pasqyrimit të ngjarjeve politike dhe sociale të viteve 1990-1991, që shënuan gremisjen e regjimit totalitar në vend. Në fjalën e tyre të rastit, iu drejtuan në mënyrë të veçantë studentëve të pranishëm, të cilët në sajë të dokumentimit të së shkuarës, mund të nxjerrin mësime për të ardhmen.

“Duhet të përkujtojmë përmes dokumenteve dhe fotografive të kohës, ngjarjet e vitit 1990. Studentët e pranishëm në këtë aktivitet kanë lindur pas vitit 2000. Duke jetuar në demokraci, ne nuk e kuptojmë se sa i pamundur je ndaj diktaturës dhe se sa energji nevojitet për ta rrëzuar atë. Në fund të ditës, është rinia ajo që sjell demokracinë apo diktaturën. Është rinia ajo që sjell regjimin. Prandaj, përmes këtyre dokumenteve, dua t’i japim mundësinë çdo të riu e të reje të shohë përmes dokumenteve e fotove të kohës dhe të frymëzohet në mënyrë që ta gëzojmë këtë liri, por të jemi edhe vigjilentë. Janë të rinjtë ata që duhet ta çojnë përpara nevojën për të patur një demokraci sa më shumë funksionale. Ky është qëllimi i kësaj ekspozitë në një nga ndërtesat më famëkeqe të periudhës së komunizmit”, tha kreu i DPA-së, Bido.

Në fjalën e saj, Demollari u shpreh se akti i rrëzimit të shtatores së diktatorit Enver Hoxha, një prej ngjarjeve të trajtuara në ekspozitë, është simbol i ngadhënjimit të qëndresës antikomuniste në Shqipëri.

“Jemi të lumtur që sot, në kuadër të Muajit të Kujtesës të shpallur nga Ministria e Kulturës, por edhe me rastin e 20 Shkurtit, ditës së përkujtimit të viktimave të komunizmit, si edhe të rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës, të çelim këtë ekspozitë. Kontributi që sjell Muzeu në këtë ekspozitë përbëhet nga dokumente dhe foto që përcjellin atmosferën e viteve ‘90-‘91. Janë dokumente të Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, vendime që merrte Gjykata e Lartë ndaj një grupi të rinjsh që organizuan demonstratën e 14 janarit, 1990, në Shkodër, raporte për Ramiz Alinë dhe Adil Çarçanin mbi demonstratën në Kavajë në mars të ‘90-ës, raporte të Hetuesisë së Përgjithshme për ministrin e Brendshëm, Simon Stefani, mbi futjen e personave në ambasada në qershor dhe më 2 korrik të ‘90-ës. Ekspozita mbyllet me një raport për ngjarjet e 20 shkurtit 1991 dhe foto të rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës”, tha Demollari.

Në ekspozitën “Lulet e ftohta të shkurtit” shfaqen për herë të parë dokumente që janë deklasifikuar së fundmi, duke u bërë të qasshme për çdo hulumtues apo të interesuar.

Mes materialeve të ekspozuara janë dokumente të vrasjeve në kufi, heqja e emrit të universitetit, kushtet e studentëve, krijimi i partive politike, liria fetare, kriza e ambasadave, takimet e Ramiz Alisë në OKB, takimet me përfaqësues të SHBA-së, vizita e Nënë Terezës etj.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për pesë ditë në oborrin rrethues të Muzeut “Shtëpia me Gjethe”, godinë që ka shërbyer si Selia Qendrore e Përgjimeve të Shërbimit Sekret në vitet 1944 – 1991. /atsh/ KultPlus.com

DPA me kënd arkivor në shtëpinë e kulturës “Adem Jashari” në Istog

Në Istog u hap Këndi Arkivor i katërt në Republikën e Kosovës, si rezultat i nismës së Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave (DPA) për të siguruar qasje në dokumente, kudo ku jetojnë shqiptarët.

DPA-ja në bashkëpunim me komunën e Istogut, i mundëson tashmë studiuesve mundësi të njëjta hulumtimi në dokumentet arkivore.

Prej këtij Këndi Arkivor, çdo studiues merr shërbim sikur të ishte i pranishëm në Tiranë.

Këndi i Arkivor, u prezantua në prani të kryetarit të komunës së Istogut, Ilir Ferati dhe drejtorit të Inspektimit dhe Trajnimeve, Endrit Musaj.

Ky kënd është i aksesueshëm në ambientet e Shtëpisë së Kulturës “Adem Jashari”. Më herët këndet arkivore janë hapur në Prishtinë, Podujevë dhe Ferizaj.

Çelja e këtyre këndeve arkivore është një ndër nismat më të rëndësishme të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, e cila nisi në fundin e vitit 2020 për të vijuar me hapjen e këtyre njësive të shërbimit kudo ku jetojnë shqiptarët, jo vetëm në rajon por edhe më gjerë./atsh/ KultPlus.com

Hapet ekspozita me dokumente origjinale për Kongresin e Lushnjës

“Kongresi i Lushnjës”, titullohet ekspozita me dokumente origjinale e hapur nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Galerinë e Artit Tiranë (GAT), me rastin e 102-vjetorit të organizimit të këtij kongresi.

Ekspozita u hap në mjediset e Galerisë së Artit Tiranë dhe në të janë ekspozuar procesverbalet e secilës mbledhje të Kongresit të Lushnjës, shoqëruar me vendimet përkatëse, fotografitë e delegatëve të kohës, akti i caktimit të Tiranës si kryeqytet i përkohshëm, themelimi i Regjencës, si edhe fotografitë e personaliteteve kryesore që e përbënin atë.

Në një dalje të përbashkët për mediat, drejtori i DPA-së, prof.asoc.dr.Ardit Bido dhe drejtori i GAT-it, Abaz Hado, u shprehën se ekspozita “Kongresi i Lushnjës”, vjen si rezultat i një bashkëpunimi të vijueshëm, me qëllimin e paraqitjes së dokumenteve dhe fotografive origjinale të ngjarjeve më të rëndësishme në historinë kombëtare.

“Është kënaqësi të prezantojmë një ekspozitë me dokumente origjinale për këdo që është i interesuar, në lidhje me një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë tonë, Kongresin e Lushnjës, që ndikoi në themelimin e shtetit modern shqiptar. Ne zhvillojmë ekspozita të tilla me dokumente origjinale, të cilat janë të pazëvendësueshme, pasi nëpërmjet tyre jo vetëm krijojmë idenë për veprimtarinë dhe ngjarjen e kohës, por edhe ‘shijen’ që përcillet përmes letrës apo fotografive, të cilat ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror. Prandaj ne u themi nxënësve, studentëve, të apasionuarëve pas historisë, si edhe njerëzve të zakonshëm, që duan të njohin të shkuarën përmes dokumentit apo fotografisë origjinale, të vijnë në një mjedis publik siç është Galeria e Artit e Tiranës, që ndodhet në një nga rrugët më qendrore të kryeqytetit”, tha Bido.

Në fjalën e tij, Hado bëri me dije se në kuadër të bashkëpunimit me DPA-në, parashihet nënshkrimi i një memorandumi dhe realizimi i ekspozitave të një trajte tjetër.

“Ne kemi një bashkëpunim të jashtëzakonshëm me Arkivin e Shtetit, sepse kemi një synim të qartë. Sallat e AKT nuk ekspozojnë vetëm artin pamor, por edhe dokumente. Kemi rënë dakord që së shpejti të bëjmë një memorandum bashkëpunimi, kemi plane të tjera përveç ekspozitave të këtij karakteri. Do bëjmë ekspozita edhe me fondin e pikturave që ka Arkiva e Shtetit. Ne jemi duke diskutuar. Janë vepra shumë të rëndësishme, të panjohura për publikun, dhe do kenë fatin të ekspozohen për herë të parë në Galerinë e Tiranës”, tha Hado.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 1 shkurt 2022 në Galerinë e Artit Tiranë. / KultPlus.com

Publikohet kopja e dorëshkrimit të romanit të parë nga Kadare, “Qyteti pa reklama”

Më 28 janar të vitit 1936 u lind në lagjen Palorto të Gjirokastrës së gurtë, shkrimtari Ismail Kadare.

Vokacioni i tij për letërsinë zuri fill që në moshë të hershme, kohë kur djalosharit Kadare do t’i linte mbresë të pashlyeshme leximi i tragjedisë “Makbethi” të autorit anglez, William Shekspir. Në vendlindje do të qendronte deri në përfundimin e arsimit të mesëm, kur përgatiti për botim ciklin e tij të parë me poezi “Frymëzimet djaloshare” (1954). Mandej, u vendos në Tiranë, ku kreu studimet e larta në degën e Gjuhë-Letërsisë dhe u diplomua për “Mësuesi”.

Në harkun e vjetëve 1958-1960, Kadare thelloi studimet e tij në domenin e letërsisë në Institutin “Maksim Gorki” në Moskë. Në vitin 1960, i detyruar t’i braktiste studimet për shkak të ndërprerjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe ish-Bashkimit Sovjetik, u kthye në atdhe dhe nisi angazhimin në gazetari.

Në vitin 1963, pas një retushimi të herëpashershëm, u botua romani i tij “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i cili pati jehonë edhe përtej vendit. Tematika e natyrës liridashëse të shqiptarëve që vërehet në këtë vepër, do të ishte kryefjalë edhe e romanit “Kështjella”, botuar në vitin 1970. Në këtë rrjedhë, autori u frymëzua edhe për shkrimin e romanit “Krushqit janë të ngrirë”, i cili flet mbi demonstratat e vitit 1981 të shqiptarëve të Kosovës.

Megjithatë, pena e Kadaresë nuk do t’i kursente as kritikat ndaj traditave prapanike të shoqërisë, siç rrok romani “Kronikë në gur” (1970). Në vargun e publikimeve të pandërpera, romani alegorik “Nëpunësi i Pallatit të ëndrrave” (1981), veçohet si më i lakuari në tërësinë e veprës së Kadaresë. Në vjeshtën e vitit 1990, Kadare u largua drejt Francës dhe u rikthye në atdhe pas zhvillimeve të para demokratike.
Që prej vitit 1996, shkrimtari shqiptar është anëtar i asociuar (përjetësisht) i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës. Ai është vlërësuar me një sërë çmimesh ndërkombëtare (“Man Booker Prize”, “Princi i Asturias” etj), si i përzgjedhur në radhët e shkrimtarëve botërisht të njohur, sikurse Gabriel Garcia Marquez, Günter Grass dhe Milan Kundera. Deri më tani, veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të botës.

Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit”, si edhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.

Më poshtë, bashkëlidhur gjendet kopja e dorëshkrimit të romanit të tij të parë, “Qyteti pa reklama” (u shkrua që në vitin 1959, por mbeti në dorëshkrim dhe u botua pas viteve ’90), dhuruar DPA-së nga autori më 24 maj, 2002. / KultPlus.com

ASH në bashkëpunim me DPA prezantojnë ekspozitën me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit, Akademia e Shkencave (ASH) në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave (DPA), kanë prezantuar një ekspozitë me dokumente arkivore.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin kryetari i ASH-së, Skënder Gjinushi, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Prof.Asoc.Dr Ardit Bido, kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike (SSHSHA), Pëllumb Xhufi, sekretari shkencor i ASH-së, Shaban Sinani, drejtori i Qendrës së Botimeve Albanologjike, Mariglen Kasmi etj.

Në konferencën e mbajtur në kuadër të Ditës së Kujtesës, u vu theksi tek ndihmesa e popullit shqiptar, si i vetmi mes europianëve, në shpëtimin e hebrenjëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ekspozita e paraqitur dëshmon se asnjë prej rreth 3750 hebrenjëve që arritën të depërtojnë në Shqipëri pas vitit 1945, nuk u dorëzua, ndonëse historia e mbijetesës së tyre përmbledh sprova të shumta.

Gjithashtu iu kushtua vëmendje mes të tjerash humanizmit të kombit shqiptar shprehur ndaj çdo bashkësie në rrezik dhe tolerancës ndërfetare, si një vlerë e jona përfaqësuese. / KultPlus.com