Kryeministri Kurti takohet me përfaqësues të Komitetit Paralimpik të Kosovës, flasin për lojërat Paralimpike që do të mbahen në Paris

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendësministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani ka pritur sot në takim përfaqësues të Komitetit Paralimpik të Kosovës.

Kurti u shprehu mirëseardhje të pranishmëve në këtë takim, në të cilin diskutuan për pjesëmarrjen e parë të Kosovës në lojërat Paralimpike që mbahen në vitin e ardhshëm në Paris, e ku Kosova do të shënojë debutimin e parë pjesëmarrës në Lojëra Paralimpike.

Me këtë rast, bëhet e ditur se kryeministri e përgëzoi Komitetin Paralimpik të Kosovës për angazhimin dhe rezultatet e tyre të deritanishëm që tani po ia mundësojnë përfaqësimin e Kosovës në nivelin më të lartë të garave ndërkombëtare.

“Pas një rrugëtimi të gjatë të ekzistencës së KPK, në pjesën e dytë të vitit 2023 KPK është anëtarësuar me të drejta të plota në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar dhe Komitetin Paralimpik Evropian. Ky sukses është edhe rezultat i rritjes së mbështetjes financiare të KPK-së në vitin 2022 me rastin e vitit të personave me aftësi të kufizuara. Në krahasim me vitin paraprak (2021), buxheti i KPK në vitin 2022 ishte rritur për gjashtëfish më shumë dhe po kjo mbështetje ka vazhduar edhe vitin 2023”.

Përfaqësuesit e Komitetit Paralimpik të Kosovës e falënderuan kryeministrin dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për mbështetjen që po i japin sportit në përgjithësi.

Në Lojërat Paralimpike Paris 2024, Kosova do të marrë pjesë me dy parasportistë në sportin e atletikës: Grevist  Bytyçi – në vrapim, Vjollca Hoxha – në vrapim me karrocë. Ata janë licencuar për pjesëmarrje në këto lojëra dhe do të garojnë në disa gara kualifikuese për normë paralimpike, në mënyrë që të fitojnë përvojën e duhur dhe të përgatiten sa më mirë.

Për përgatitjen e këtyre sportistëve dhe trajnerëve të tyre për të përfaqësuar Kosovën në Paris 2024, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi të veçantë me Komitetin Paralimpik të Kosovës, në vlerë mbi 40 mijë euro.