Kryeministri Kurti: Po përgatitemi që ta akuzojmë Serbinë për krime lufte

Kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar se po bëhen përgatitjet që të akuzohet Serbia si shtet përgjegjës për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Këto komente, Kurti i bëri gjatë homazheve në nderim të martirëve të familjes Muliqi.

“Janë duke u bërë përgatitjet që të akuzohet Serbia si shtet përgjegjës për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, e që janë krime kundër njerëzimit dhe (krime të) gjenocidit”, tha Kurti.

Shefi i ekzekutivit i bëri thirrje Prokurorisë së Shtetit që të angazhohet maksimalisht, ditë e natë, “në mënyrë që vrasësit, për të cilët ka dëshmitarë të gjallë, të ndiqen të akuzohen, të dënohen sepse padrejtësi me vetëm të vërtetën plagët vazhdojnë të mbesin të hapura”. /rtk/klanKosova

Kryeministi Kurti përkujton masakrat e Krushës së Madhe, Krushës së Vogël dhe të Suharekës: Serbia kishte plan gjenocidal për shfarosjen e popullsisë

Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar masakrat e Krushës së Madhe, Krushës së Vogël, Suharekës, Gjakovës, Landovicës dhe Padalishtës të cilat Serbia i ka realizuar  më 26 Mars, sipas planit gjenocidal “Patkoi” me synim shfarosjen e popullsisë shqiptare të Kosovës.

Kryeministri Kurti përmes një shkrimi ka thënë se përkulemi me shumë dhembje, dashuri dhe krenari para kujtimit të të gjithë të vrarëve, sakrifica e të cilëve do të shërbejë si udhërrëfim për të ecur përpara.

Shkrimi i plotë në facebook:

Në pranverën e vitit 1999, Serbia po realizonte planin gjenocidal “Patkoi” për shfarosjen e popullsisë shqiptare vendase në Kosovë.

Në paraditën e 26 marsit, forcat e Serbisë sulmuan fshatrat Krushë e Madhe dhe Krushë e Vogël. I detyruan gratë dhe fëmijët të largoheshin për në Shqipëri. Burrat dhe djemtë i ndaluan. Ua konfiskuan letërnjoftimet dhe artikujt me vlerë. Pastaj hapën zjarr me mitraloz mbi ta. Të shtënat zgjatën disa minuta.

Atë ditë, forcat serbe vranë 243 civilë shqiptarë në masakrën në Krushë të Madhe dhe 113 në Krushë të vogël.

Në orët e hershme të mëngjesit të 26 marsit, tanket serbe rrethuan oborrin e familjes Berisha në Suharekë. I dëbuan familjarët nga shtëpitë dhe i çuan në një kafene. Pastaj hapën zjarr. Hodhën edhe eksplozive. Forcat serbe aty i vranë 48 anëtarë të familjes Berisha, përfshirë 11 fëmijë. Mes tyre, Dorentinën 3 vjeҫare, Ismetin 2 vjeҫar, ndërsa Eroni dhe Redoni ishin vetëm 1 vjeҫ. Trupat e tyre u dërguan në varrezë masive në Batajnicë, afër Beogradit.

Kësaj masakre i mbijetuan vetëm Shyhrete Berisha dhe Vjollca me të birin, Gramoz Berisha.

Po atë mëngjes, forcat serbe e sulmuan fshatin Padalishtë të Skenderajt, duke masakruar 19 anëtarë të familjes Imeraj, nga mosha 2 deri 76 vjeçe. Në mesin e tyre 11 gra dhe pesë fëmijë.

Në Landovicë të Prizrenit, më 26 mars 1999, u vranë 23 banorë të këtij fshati dhe fshatrave tjerë, përfshirë gjashtë fëmijë dhe një grua shtatzënë.

Në mbrëmje, në qytetin e Gjakovës, në një shtëpi në rrugën “Ymer Grezda”, forcat e Serbisë vranë me armë zjarri të gjashtë burrat shqiptarë që ishin në atë shtëpi.

Këto janë dëshmitë e gjenocidit të Serbisë, që me forcat policore e ushtarake, u përpoq të shfarosë shqiptarët në Kosovë.

“Kujtesa e Kosovës” titullohet vëllimi i librave me dëshmitë e rrëfimet të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe, që u promovua mbrëmë, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Kujtesa e Kosovës është e freskët.

Themelimi dhe funksionalizimi i Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës ka për qëllim dokumentimin e të gjitha krimeve të luftës së fundit në Kosovë, krimeve kundër njerëzimit dhe veprimeve gjenocidale nga Serbia. Ky është një nga obligimet e shumta që po përmbushet ndaj kujtimeve tona si popull dhe kërkesës për drejtësi.

Si institucione të Republikës, jemi të përkushtuar që brezi aktual i fëmijëve dhe brezat e ardhshëm, që s’kanë lindur ende, të mos kalojnë nëpër këto vuajtje që i kaluam ne. Si institucione e qytetarë të Republikës, po angazhohemi bashkë, që fëmijët të gëzojnë lirinë dhe të kenë të ardhme të ndritshme në Kosovën tonë.

Përkulemi me shumë dhembje, dashuri dhe krenari para kujtimit të të gjithë të vrarëve. Rënien e tyre me flijim e me sakrificë, e kemi udhërrëfim se si të ecim përpara.

I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!

E paçin të përhershme lavdinë!/KultPlus.com


Kryeministri Kurti: Hapësirat kulturore e sportive po shtohen e rinovohen

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se qeverisja e mirë ka ndikim pozitiv edhe në aspektet kulturore e sociale, artistike e sportive të shoqërisë.

Kryeministri Kurti ka thënë se kultura e sporti, ndërlidhen edhe me trashëgiminë e pasur që e kemi si shtet e komb, histori e dëshmi të larmishme, të cilat duhet t’i ruajmë e kultivojmë

Përmes një postimi në facebook, Kryeministri Kurti ka treguar të arriturat në fushën e Kulturës duke thënë se reformat e ndërmarra kanë prekur të drejtën e autorit, anti-dopingun, investimet e huaja në film, punëtorin rinor, licensimin për projekte konservimi dhe sfera të tjera.

Postimi i plotë në facebook:

Qeverisja e mirë ka ndikim pozitiv edhe në aspektet kulturore e sociale, artistike e sportive të shoqërisë. Kultura e sporti, ndërlidhen edhe me trashëgiminë e pasur që e kemi si shtet e komb, histori e dëshmi të larmishme, të cilat duhet t’i ruajmë e kultivojmë.

Shumë ligje e politika të reja me ndikim të matshëm në mirëqenien e artistit dhe sportistit. Reforma jonë ka prekur të drejtën e autorit, anti-dopingun, investimet e huaja në film, punëtorin rinor, licensimin për projekte konservimi dhe sfera të tjera.

Vëmendjen e munguar më herët, e që tash ia kemi dhënë trashëgimisë, e dëshmon trefishimi i buxhetit vjetor për investime në fushën e trashëgimisë kulturore dhe restaurimi i mbi 100 aseteve të trashëgimisë kulturore. Përuruam Lokalitetin Arkeologjik që dëshmon se Prizreni është për tetë shekuj më i lashtë sesa është menduar fillimisht, e për herë të parë po realizojmë shpronësime në lokalitete arkeologjike siç kemi bërë në rastin e Dresnikut dhe Ulpianës. Te kjo e fundit vitin e kaluar u zbulua një mbishkrim i perandorit Justinian, dëshmi e lidhjes së tij me Dardaninë, dhe dëshmi e identitetit dardan në antikitetin e vonë dhe mesjetë të hershme – pa dyshim një ndër zbulimet më të rëndësishme në arkeologjinë e vendit.

Përkushtimi që kemi pasur për sportin e dëshmon programi 12 milionësh “Kosova, Shtet i Xhudos”; puna dhe investimet aktuale në përmirësimin e infrastrukturës së stadiumeve; organizimi për herë të parë i Kampionatit të Hapur Evropian të Xhudos; dhe aplikimi i suksesshëm për organizimin historik të Lojërave Mesdhetare 2030, që u kumtua në shtator të vitit të kaluar nga Kreta e Greqisë.

Ndamë 15 milionë euro për Stadiumin e Qytetit të Gjilanit. Kanë filluar dhe po vazhdojnë punët në renovimin e Stadiumit Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë. Kemi ndarë 14.5 milionë euro për rinovimin e tërësishëm të Stadiumit të Qytetit të Pejës “Shahin Haxhiislami”. Kanë filluar punimet për rinovimin dhe zgjerimin e Stadiumit të Qytetit në Shtime. Së shpejti fillon rindërtimi i tërësishëm i fushës së stadiumit të Prishtinës “Fadil Vokrri”. Kamenica do të bëhet me stadium të atletikës, të parin të këtij lloji në vend. Jemi duke e zbatuar planin investiv pesë vjeçar në infrastrukturën e futbollit që përfshin gjithsej 27 stadiume anekënd vendit.

Prishtina mirëpriti Manifestën 14, ngjarjen më të madhe kulturore dhe artistike në vend. Themeluam institucionin e Operës së Kosovës. E ajo solli në skenë “La Traviata” të Verdit, shfaqjen më të madhe operistike të luajtur ndonjëherë te ne.

Kemi buxhetin më të lartë ndonjëherë në kinematografi – 12 milionë euro për prodhim të filmit dhe kinematë. Kemi nënshkruar marrëveshje të bashkëprodhimit kinematografik me disa shtete, si mundësi shtesë financimi për kineastët tanë.

Për të nxitur të rinjtë që të angazhohen e merren sa më shumë me art e sport, kemi filluar programet “Arti në Shkolla” dhe “Sporti në Shkolla”. “Arti në Shkolla” gjatë këtij viti do të zgjerohet në 30 komuna të Kosovës dhe të përfshijë 50 mijë nxënës. Në kuadër të programit “Sporti në Shkolla” po marrin pjesë mbi 13 mijë nxënës brenda vitit. Basketbolli, shahu, xhudoja, skijimi dhe ngjitja në mal (hikingu) tashmë janë bërë pjesë e integruar e kalendarit jashtëkurrikular arsimor.

Hapësirat kulturore e sportive po shtohen e rinovohen. Kultura, arti dhe sporti, po kultivohen e ruhen si pasuri kombëtare. Sepse talentet zhvillohen, por edhe duhen mbështetur përmes qeverisjes së mirë./KultPlus.com

‘Albin Kurti, shpresa e fundit’, mërgimtari të mërkurën zbulon shtatoren e kryeministrit Kurti

Një mërgimtar nga qyteti i Podujevës ka vendosur të realizojë një veprim jo shumë të zakonshëm.

Mërgimtari të mërkurën do ta zbuloj shtatoren për kryeministrin Albin Kurti, në fshatin Peran të Podujevës.

Sipas disa fotografive, në pllakë të shtatores shkruhet “Albin Kurti, shpresa e fundit”, që lë të nënkuptohet se bëhet fjalë për një simpatizant të Kryeministrit Kurti.

Sipas Tv Llapi, zbulimi do të bëhet nesër, më 14 shkurt në ora 12:00.

Njohja e pasaportave nga Spanja, Kryeministri Kurti: Po u shtohet vlera, e shtetit tonë dinjiteti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas njohjes së pasaportave të Kosovës nga Spanja.

Kryeministri Kurti përmes një postimi në Instagram tha se përmes njohjes së pasaportave nga shteti i Spanjës atyre po u shtohet vlera, e shtetit tonë dinjiteti.

“Viti 2024 është vit i fuqizimit të pasaportës së Republikës sonë. Asaj sa vjen e po i shtohet vlera, e shtetit tonë dinjiteti. Nga janari, Spanja u është bashkuar shteteve të Bashkimit Evropian që e njohin pasaportën e Kosovës. Gëzuar”, ka shkruar Kryeministri Kurti./KultPlus.com

Kryeministri Kurti thotë se në Serbi po bëhen plane të tjera për ta sulmuar Kosovën

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka mbajtur sot një konferencë të përbashkët me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën, ku ka thënë se në Serbi janë duke u bërë plane të reja për ta sulmuar Kosovën.

Sipas tij, sulmi në Banjskë ishte porositur nga shteti serb i cili u ka dhënë urdhra peronave që e kanë udhëhequr këtë sulm ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, raporton Klan Kosova.

“Urdhri për sulmin terrorist e kriminal në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të këtij viti, i planifikuar dhe i organizuar nga shteti serb, u ishte kumtuar një ditë më herët, pra saktësisht para tre muajve në mjediset e kompanisë ‘Novi Pazar Put’, ka thënë Kurti.

Sipas tij, automjetet, armët dhe i gjithë arsenali i përgatitur dhe përdorur në Banjskë ishin të përqendruara në këtë lokacion.

“Kjo kompani e cila është në listën e sanksioneve të ShBA-së, është pronë e vëllezërve Zvonko e Zharko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq. Ndërsa drejtor është një kolonel i pensionuar i ushtrisë serbe, Alensadar Gerbovic me pseudonimin Gërba. Ai ka marrë pjesë në luftërat e Kroacisë, Bosnje dhe Hercegovinës dhe Kosovës. Gjithashtu ka qenë edhe drejtor i burgut të Nishit për pesë vjet dhe kryetar i Komunës së Pozhegës në vitin 2008”, ka shtuar ai.

Më tej, Kurti ka theksuar se një muaj para sulmit në Banjskë, këtë kompani e kishte vizituar presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq për ta përuruar ndërtimin e rrugës Rashkë – Novi Pazar me gjatësi prej 18 kilometrash.

“Gjatë vizitës ai e kishte lëvduar punën e drejtorit dhe i është referuar atij si njeriu më i shpejtë nga të gjithë shoferët. Ai e përgëzoi edhe shpejtësinë e punës për rrugën e cila u përurua tre muaj para kohe me nxitim. Presidenti i Serbisë nga aty deklaroi që e ka të vështirë të gjejë zgjidhje kur flet me njerëzit nga Prishtina, duke menduar për mua të cilët sipas tij, po kërkojnë arsye për konflikte e sulm ndaj popullatës serbe. Ai akuzonte për sulm sepse po përgatitej për sulm, gjë që ndodhi më 24 shtator”, ka thënë kryeministri Kurti.

Më tej, kryeministri ka shtuar se pas sulmit terrorist dhe kriminal më 24 shtator, Radoiçiqi u lirua nga gjykata serbe në kohë rekorde.

“Ai tash po vazhdon përgatitjet për sulme tjera në vendin tonë bashkë me disa pjesëtarë të organizatës terroriste ‘Mbrojtja Civile’, Radoiçiqi është duke mbajtur takime të rregullta me zyrtarë të lartë të BIA-s.

Sipas tij, ambientet e firmës ‘Jabllanovica’ në Rashkë ngjashëm me ato të ‘Novi Pazar Put’ po përdoren për strehimin dhe ruajtjen e automjeteve dhe mjeteve shpërthyese për sulmet e ardhshme nga Radoiçiqi dhe grupi i tij.

“Por realisht, në këtë ndërtesë strehohen disa nga pjesëtarët e grupit ‘Mbrojtja Civile’ që kryejnë vëzhgime në territorin e Kosovës e të cilët instruktor e kanë Uglesha Jarediqin. Paramilitarët e Radoiçiqit po strehohen në objektet që ai i ka në pronësi në këtë park turistik dhe përveç akomodimit, anëtarët e grupit terrorist paguhen rreth 2000 euro në muaj”, ka thënë shefi i qeverisë./KlanKosova/KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Të gjithë duhet të angazhohen që çdo grua e vajzë të jetojë pa dhunë e frikë

Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kanë marrë pjesë në lansimin e Programit të Kryerësve të Dhunës. Kurti tha se të gjithë duhet të angazhohen që çdo grua dhe vajzë të jetojë pa dhunë e frikë.

Kreu i qeverisë theksoi se po investojnë duke siguruar që viktimat e dhunës të kenë kushtet e nevojshme për të rindërtuara jetën e tyre.

“Çdo vajzë e grua ka të drejte të jetojë pa dhunë, pa frikë dhe pa u kërcënuar. Çdo vajzë dhe grua ka të drejtë të jetojë e lirë. Kjo është bindja ime e thellë dhe angazhimi ynë. Është angazhim i të gjithë neve. Këtë synim e kemi në Kushtetutën tonë, e kemi në ligje. Krahas rehabilitimit psiko-social për ata që kanë kryer dhunë ndaj grave dhe vajzave synimi përfundimtar është krijimi i një mjedisi të sigurt për të mbijetuarat”.

“Ne nuk mund të kthejmë kohën mbrapsht për krimet që kanë ndodh por mund të iu ofrojmë mbështetje viktimave e të parandalojmë krimet për të ardhmen e për këtë po investojmë duke siguruar se viktimat e dhunës i kanë burimet e strukturat e nevojshme për të rindërtuara jetën e tyre”, deklaroi Kurti.

Ai tha kanë rritur financimin për strehimoret mbi 100 për qind në vitin 2023. Po ashtu shtoi se është bërë avancimi pas i në kodin Penal duhan ndaj grave cilësohet vepër penale.

Krejt kjo me qëllim që të plotësohet baza ligjore që mundëson dhunuesit të shpallen fajtor për dhunën në familje.

“Është e rëndësishme një viktimë të mos e përfundoj jetën normale pas atij krimit. Kemi rritur financimin shërbimin e strehimoreve mbi 100 për qind në vitin 2023. E filluar reformën për qendrën punë sociale. Andaj me po vazhdojmë të përmirësojmë kornizës ligjore dhe mekanizmat që shërbejnë për mbrojtën  e grave. E kemi avancuar nëpërmjet definimit të dhunës ndaj grave si vepër penale në Kodin Penal”.

“Po kërkohet më shumë ndihmë edhe po jepet më shumë ndihmë për të ia lehtësuar financiarisht përballje e pasojave të dhunës e kemi ndërtuar Ligjin për kompensimin e viktimave në Kosovë, ndonëse kthejmë kohën mbrapsht ne mund të bëjmë diçka që mund të ua lehtësojë. Jemi duke analizuar masën për punësim sepse duke punësuar i integrojmë pavarësisht të kaluarës”, tha më tej kryeministri.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se dhuna ndaj grave nuk është çështje private dhe nuk duhet të konsiderohet asnjëherë si e tillë, raporton EO.

Ajo ka kërkuar që dhuna të raportohet.

“Qeveria e Republikës së Kosovës për herë të parë është angazhuar për adresimin  e dhunës ndaj familjes  dhe grave. E kemi thënë disa që dhuna ndaj grave nuk është çështje private dhe nuk duhet të konsiderohet asnjëherë si e tillë  është çështje e drejtave të njeriut është çështje sociale politike shëndetësore po ashtu është ekonomike prandaj si institucion do vazhdojmë që ta kryejmë punën tonë që çdo  grua të këtë jetë të dinjitetshme të vazhdoj pa dhunë atë që ia garanton Kushtetuta e Republikës së Kosovës”.

Franak Power, shef i Zyrës së Këshillit të Evropës, tha se qëllimi kryesor i programeve të tilla është minimizimi i numrit të viktimave të dhunës.

“Kur bëhet fjalë në mënyrë specifike për një tjetër çelës, autorët, neni 16 i Konventës thotë se palët duhet të marrin legjislacionin e nevojshëm ose masa të tjera për të krijuar ose mbështetur programe që synojnë të mësojnë autorët e dhunës në familje të adoptojnë sjellje jo të dhunshme në marrëdhëniet ndërpersonale me synimin për të parandaluar dhunën e mëparshme dhe ndryshimin e modeleve të sjelljes së dhunshme. Pra, është shumë e rëndësishme që kur ndërmerren hapa për t’i dhënë efekt këtij detyrimi, është parë brenda kontekstit më të gjerë të Konventës në tërësi. Në veçanti, siç shihet në kontekstin e qasjes së përqendruar te viktima, në të cilën Konventa paraprin”.

“Programet për trajtimin e autorëve nuk synohen si alternativë ndaj ndjekjes penale ose si mënyrë që autorët të shmangin paraburgimin. Dizajni dhe zbatimi i tyre duhet gjithmonë të udhëhiqet nga nevojat dhe interesat e autorëve. Qëllimi kryesor i programeve të tilla është, siç thotë Konventa, parandalimi, të përpiqet të minimizojë numrin e viktimave të mundshme në të ardhmen”.

“Ato plotësojnë shërbime të tjera për viktimat dhe aktivitete të tjera parandaluese në vend që t’i zëvendësojnë ato, dhe kjo nuk është një lojë me shumën zero. Por është gjithashtu e rëndësishme të sigurohet që burimet e nevojshme për të ofruar programe të dhunuesve dhe ato mund të jenë të konsiderueshme, të mosridrejtohen në shërbime të tjera për viktimat. Lufta kundër dhunës ndaj grave është e kushtueshme, nuk ka rrugëdalje, dhe nuk ka masa të shpejta për tu marrë nëse do të trajtohet në mënyrë efektive”, u shpreh Franak Power, shef i Zyrës së Këshillit të Evropës./KlanKosova/KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Prekazi, kryeqytet i kryengritjes shqiptare

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” me rastin e festës së 28 Nëntorit.

Në një prononcim para gazetarëve, ai ka thënë se Prekazi me epopenë e UÇK-së është shndërruar në kryeqytet të kryengritjes shqiptare, raporton Klan Kosova.

“Bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, nga Vlora erdhëm në Prekaz e pas Prekazit do të shkojmë në Prishtinë, ku kemi një koncert të filarmonisë, pra edhe dje kur kishim ditën e Ushtrisë sonë, edhe sot që e kemi 28 Nëntorin, këtë festën më të madhe të kombit shqiptar, kemi aktivitete të dendura publike, kulturore, historike. Në të njëjtën kohë po zhvillohet në Prishtinë edhe një diskutim interesant, me dy panelistë për 28 Nëntorin, në njërën anë është deputeti Ardian Gola dhe në anën tjetër është historiani Durim Abdullahu. E nesër mbrëma, sepse nuk kemi mundur t’i kemi të gjitha aktivitetet më 28 Nëntor, do ta shfaqim edhe filmin ‘Nëntori i Dytë’ në versionin përfundimtar të restauruar”, ka thënë Kurti.

Tutje, ai ka thënë se në këtë datë, përveç Skënderbeut dhe Ismail Qemalit, kujton dhe përkujton edhe ditëlindjen e krye-komandantit Adem Jashari dhe njëkohësisht shpalljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Prekazi me epopenë e UÇK-së është shndërruar në kryeqytet të kryengritjes shqiptare dhe këtu ne e kuptojmë se sa i lartë ka qenë flijimi, sakrifica, çmimi për lirinë të cilën e gëzojmë, e ndaj të cilës duhet të sillemi me përgjegjësi institucionale dhe qytetare”, ka shtuar ai.

Në fund ai lartësuar familjen Jashari në krye me Adem Jasharin, UÇK-në dhe të gjithë dëshmorët e kombit./klankosova/KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Diaspora e Kosovës urë lidhëse me botën

Forumi Ndërkombëtar Ulpiana synon avancimin e marrëdhënieve mes qeverive dhe politikave nëpërmjet angazhimit të diasporës.

Në këtë forum fjalën e mori ministrja e Punëve të Jashtme e të Diasporës, Donika Gërvalla- Schwarz, e cila shpërfaqi përvojën e saj në kohën sa ka jetuar në vendet e huaja, si dhe kthimin e saj në atdhe për të kontribuar në përparimin e vendit.

Ajo, mes tjerash, ka folur për çështjet e ndjeshme që preokupojnë diasporën, qoftë në aspektin identitar, kulturor, por edhe në atë ekonomik, për të ndihmuar zhvillimin e vendit të origjinës.

Ndërkaq kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se komuniteti i diasporës nuk është një grup individësh, por urë lidhëse e atdheut  me botën.

“Komuniteti i diasporës ka luajtur rol në formësimin vendit të  origjinës së tyre. Diaspora është më shumë se grup individësh, është urë lidhëse e vendit me botën”, tha mes tjerash kryeministri Kurti.

Ai shtoi se kontributi tyre është i pamatshëm.

“Kosovarët, që jetojnë jashtë, folën për ata që nuk mundën të flisnin për krimet e që fshiheshin nga propaganda për gjenocidin në vendin e tyre”, tha, më tutje, kryeministri Kurti.

Kurti, më tej, ka folur për kontributin e diasporës në aspektin ekonomik, qoftë përmes remitancave, qoftë përmes investimeve në forma të ndryshme, etj.

Sipas tij, ky forum është i pari i këtij lloji, që grumbullon mbi 21 shtete dhe që mundëson lidhjen me vendin./RTK/KultPlus.com

Samiti i Berlinit: Kurti sot do të takohet me kancelarin Scholz

Sot në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, do të mbahet Samiti i Procesit të Berlinit, ku do të bashkohen udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Liderët e Bashkimit Evropian dhe ata të Ballkanit Perëndimor do të takohen sot në Tiranë në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit me qëllim promovimin e dialogut politik, bashkëpunimi dhe pajtimi në rajon, afrimi me BE-në, ku vendet e Ballkanit Perëndimor synojnë anëtarësimin në bllok.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar drejt Tiranës ku do të merr pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit. “Në margjina të samitit, kryeministri Kurti do të ketë takime bilaterale, përfshirë atë me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz”, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.

Kancelari gjerman Olaf Sholz dhe presidenti Makron do të jenë pjesë e këtij Samiti.

Shqipëria do të presë në 16 tetor, Samitin e Procesit të Berlinit, i cili për herë të parë do të mbahet jashtë kufijve të Bashkimit Evropian.

Pallati presidencial Elysée ka njoftuar se presidenti francez Emmanuel Macron do të bëjë vizitën e parë dypalëshe të një presidenti francez në Shqipëri më 16 dhe 17 tetor, pas samitit për Ballkanin Perëndimor.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka mbërritur në Tiranë dje, ku është pritur nga presidenti Bajram Begaj.

Zyra e kryeministrisë Rama e ka publikuar axhendën e plotë të këtij Samiti i pari në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në një vend jo anëtar të BE-së.

Agjenda e plotë e Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë:

Në orën 11:00 do të jetë pritja e liderëve

Në orën 11:30 fjala hapëse

Në orën 12:00 nis sesioni i punës, integrimi i rajonit në tregun e përbashkët europian dhe përmirësimi i konvergjencës me BE

Në orën 13:30 fotografia familjare.

Në orën 15:30 nis sesioni i dytë i punës, mbështetja e tranzicionit të gjelbër dhe dixhital në Ballkanin Perëndimor

Në orën 16:45 do të përurohet Kolegji i Europës në Tiranë

Në orën 17:30 do të nënshkruhet marrëveshja rajonale për njohje reciproke të kualifikimit profesional

Në orën 17:45 konferenca e përbashkët për shtyp

Në orën 18:30 ceremonia e inaugurimit të Piramidës

Policia shqiptare ka prezantuar masat e sigurisë që janë marrë për mbarëvajtjen e Samitit të Procesit të Berlinit që do të mbahet më 16 tetor në Tiranë.

Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe dhënien e ndihmës për integrimin e vendeve të BP në Bashkimin Evropian. Ai filloi dhe u prezantua në 28 Gusht 2014, nga Kancelarja Gjermane Angela Merkel.

Qëllimet e Procesit u përshkruan në Deklaratën Përfundimtare nga Kryesia Gjerman: “Të bëjmë progres shtesë real në procesin e reformës, në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura bilaterale dhe të brendshme dhe në arritjen e pajtimit brenda dhe midis shoqërive në rajon”, si dhe të rrisim “bashkëpunimin ekonomik rajonal dhe të hedhim bazat për një rritje të qëndrueshme”, raporton RTKlive.

Procesi i Berlinit zhvillohet me mbështetjen e Komisionit Evropian, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe shteteve anëtare të përfshira në Proces së bashku me vendet e Ballkanit Perëndimor.  Ai është ndihmë shtesë e procesit institucional të integrimit në BE të shteteve, bazuar në miratimin e acquis-communautaire./rtk/KultPlus.com

Kryeministri Kurti nderon të rënët për liri në Korishë: Do të kujdesemi maksimalisht për trashëgiminë e luftës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nderoi martirët dhe të rënët për liri në fshatin Korishë të Komunës së Prizrenit.

Kurti së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, Kryetarin e Komisionit Qeveritar për personat e zhdukur, Andin Hoti dhe deputetë të Kuvendit të Republikës, bëri homazhe te Memoriali i Martirëve në Korishë dhe zbuloi shtatoren e heroit Sali Shabani.

Me vendosje të luleve dhe një minutë heshtje, Kurti përkujtoi civilët shqiptarë nga Korisha dhe fshatrat Budakovë, Reshtan, Bllacë, Mushtisht, Maçitevë dhe Greikoc, të vrarë në maj të vitit 1999 me të vetmen arsye se ishin shqiptarë.

“Jam këtu si Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, jo vetëm thjeshtë të ndaj ndjesitë e përbashkëta për viktimat me familjarët e tyre dhe të gjithë të tjerët, por jam këtu sot në ditën e martirëve të Korishës, sidomos për të treguar që shteti i Kosovës do të kujdeset maksimalisht për trashëgiminë e luftës në Kosovë. Veçanërisht për ta njohur historinë e masakrave dhe të secilit krim e të secilit kriminel, si dhe për të denoncuar të gjitha hallkat e sistemit shtetëror të Serbisë”, tha Kurti.

“Kur sheh pllakën përkujtimore me emrat e të vrarëve në Korishë, vëren që të paktën 14 prej tyre kanë qenë fëmijë, pra ishin nën moshën 18 vjeçare atëherë kur u vranë. Mosha e tyre është dëshmia më e pakontestueshme e pafajësisë së gjithë këtij grupi aq të madh të njerëzve, që Serbia i vrau vetëm pse ishin shqiptarë”./KlanKosova/KultPlus.com