“Kryemjeshtri”, libri për kampionin Driton Kuka promovohet nesër në Prishtinë

“Kryemjeshtri” është libri që u botua së fundmi e që i dedikohet kampionit Driton Kuka. Libri që ka për autor Arsim Maxhera, nesër do të promovohet në Prishtinë në kuadër të agjendës shtetërore për 15-vjetorin e Pavarësisë, përcjell KultPlus.

Kjo ngjarje promovuese e librit organizohet me përkrahje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe Komitetit Olimpik të Kosovës, dhe ka për qëllim të shfaqë jetën dhe veprën e një prej kampionëve më të mëdhenj të xhudos të të gjitha kohërave, siç është dokumentuar nga gazetari Maxhera.

Promovimi mbahet nesër, me datë 22 shkurt, në Amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, tek Instituti i Historisë “Ali Hadri”, në Prishtinë, në ora 12:00 – 13:00.

Bashkohuni në këtë promovim për të nderuar trashëgiminë dhe ndikimin e jashtëzakonshëm të kryemjeshtrit Driton Kuka. / KultPlus.com