Kulla Veneciane, së shpejti i rikthehet publikut

Kulla Veneciane në Durrës, së shpejti do i rikthehet publikut.

Një nga monumentet më simbolike të qytetit të Durrësit, Kulla Veneciane po shndërrohet në një qendër informacioni dhe interpretimi të historisë së qytetit, për vizitorët.

Ky transformim vjen falë programit EU4Culture dhe UNOPS.

Përveç restaurimit, falë programit EU4Culture, kulla do të “flasë” përmes programeve teknologjike multimediale. Procesi i pajisjes teknologjike do të nisë pas përfundimit të restaurimit.

Programi EU4Culture financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga UNOPS në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Kulturës.

Me një buxhet total prej 40 milionë euro, EU4Culture shtrihet në të gjithë territorin e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 me ndërhyrje të planifikuara në një sërë objektesh të Trashëgimisë Kulturore. Përveç restaurimit, do të investohet në rijetëzimin e siteve të përzgjedhura të trashëgimisë kulturore, duke përfshirë përmirësimin e shërbimeve dhe kushteve të vendndodhjes. /atsh / KultPlus.com

Kryeministri Rama: Rijetësimi i Kullës Veneciane, një tjetër ndalesë tërheqëse në qytetin bregdetar

Kulla Veneciane në Durrës po i nënshtrohet restaurimit dhe rijetësimit.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar një fotogaleri nga punimet që po kryhen në këtë Kullë, e cila do t’i ofrojë turistëve një tjetër ndalesë tërheqëse në Durrës.

“Ja dhe Kulla Veneciane në Durrës që po i nënshtrohet një restaurimi të thellë, përpara një rijetësimi të bukur, për të ofruar për vizitorët e turistët në rritje një tjetër ndalesë tërheqëse në qytetin bregdetar”, shprehet Rama.

Punimet po realizohen falë financimit të Bashkimit Evropian, nëpërmjet programit #EU4Culture.

Projekti synon rijetësimin e Kullës, duke e kthyer në një qendër interpretimi të trashëgimisë kulturore nëpërmjet aplikacioneve, performancave digjitale etj., duke ofruar për vizitorët, një mënyrë te re të të njohurit të historisë së qytetit të Durrësit. / KultPlus.com

Kulla Veneciane në Durrës do të ‘tregojë’ trashëgiminë përmes teknologjisë

Kulla Veneciane në Durrës do të kthehet në një qendër për të treguar mbi trashëgiminë kulturore të këtij qyteti, përmes teknologjisë.

Lajmin e dha sot ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila u shpreh se Kulla Veneciane është një nga objektet ku do të nisë shndërrimi, si pjesë e programit EU4Culture

“Kulla Veneciane, në Durrës do të kthehet në një qendër për të treguar mbi trashëgiminë kulturore të këtij qyteti, përmes teknologjisë. Ture virtuale, aplikacione, periskopë digjitalë do të na udhëheqin në një fluturim në kohë. Kulla Veneciane është një nga objektet ku do të nisë shndërrimi, si pjesë e programit EU4Culture”, theksoi Margariti në një reagim.

Edhe projekti EU4Culture po ashtu dha detaje për projektin duke njoftuar se Torra Veneciane, në zemër të Durrësit, pas ndërhyrjeve të programit EU4Culture do të kthehet në një qendër interpretimi të trashëgimisë kulturore e cila do të ofrojë: vizita dhe eksplorime të kullës bazuar në aplikacione, performanca dixhitale, të cilat do të jenë gjithëpërfshirëse e do të shfaqen disa herë në ditë, pamje interaktive nga tarraca e çatisë nëpërmjet periskopëve dixhitalë, etj.

Bëhet e ditur se punimet do të nisin së shpejti, ndërsa projekti EU4Culture solli edhe pamje sesi do të duket Kulla Veneciane pas shndërrimit./atsh/KultPlus.com