EU4Culture, festë në Kalanë e Bashtovës

Për dy ditë me radhë Kalaja historike e Bashtovës u gjallërua nga një festival arti, kulture, muzike dhe aventurash në natyrë. Në ditën e parë, u organizua një panair artizanal me prodhime vendase, shfaqje muzikore tradicionale dhe bashkëkohore, si dhe fjalime nga kryetarët e bashkive të Kavajës dhe Rrogozhinës, përfaqësues të Bashkimit Evropian, delegatë të UNOPS-it dhe zyrtarë të Ministrisë së Kulturës.

Në ditën e dytë pjesëmarrësit patën mundësinë të eksplorojnë dy rrugë biçikletash nëpër Kavajë dhe Rrogozhinë. Itinerari mund të ndiqet lehtësisht duke përdorur platformën routes4culture.com dhe vendosjet e tabelave të reja, të vendosura në pikat kyçe.

EU4Culture thotë se ka si qëllim që festivali të bëhet një festë e përvitshme e trashëgimisë së pasur kulturore dhe natyrore të rajonit.

Eventi u organizua si pjesë e projektit Routes4Culture, i mbështetur nga Bashkimi Evropian, përmes programit EU4Culture, zbatuar nga UNOPS në koordinim me Ministrinë e Kulturës. /ATSH /KultPlus.com

EU4Culture, pajisje për restaurimin e librave qendrës ‘Sotir Kolea’ në Bibliotekën Kombëtare

Programi EU4Culture, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS Shqipëri në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës zhvilloi sot ceremoninë e dorëzimit të pajisjeve për restaurimin e librave dhe nisjen e projekteve të granteve.

Ceremonia u zhvillua në Qendrën “Sotir Kolea” pjesë e Bibliotekës Kombëtare ku të pranishëm ishin ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ambasadorja e BE-së në Shqipëri Christiane Hohmann, koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri Fiona McCluney, drejtuesja e UNOPS Shqipëri Pamela Lama, drejtori i përgjithshëm i Bibliotekës Kombëtare Pirro Misha si dhe anëtarët e Bordit Shkencor të Bibliotekës Kombëtare Etleva Domi, Artan Shkreli, Pëllumb Xhufi, Diana Çuli, Persida Asllani, Floresha Dado, Thomas Frashëri dhe personalite të tjerë.

Pas fjalës së mirëseardhjes nga Pirro Misha, drejtor i përgjithshëm i Bibliotekës Kombëtare, u zhvillua një tur i shkurtër për prezantimin e pajisjeve.

Po ashtu, u zhvillua një prezantim i shkurtër i projekteve të granteve nga organizatat përfituese moderuar nga Estevan Ikonomi, menaxheri i Granteve, UNOPS Shqipëri dhe më pas u shpërndanë certifikatat për projektet e granteve.

Në kuadër të programit EU4Culture, UNOPS Shqipëri bleu dhe dorëzoi pajisje moderne të restaurimit të librave me vlerë 667,174.00 USD (afërsisht 621,672.73 euro) për Njësinë e Restaurimit (Qendra “Sotir Kolea”) të Bibliotekës Kombëtare.

Këto pajisje moderne do të përmirësojnë mundësinë e bibliotekës për të ruajtur librat dhe për t’i bërë disa prej tyre të disponueshëm online, duke respektuar materialin, mjedisin, shëndetin e operatorëve dhe përdoruesve të mundshëm. Këto pajisje gjenden vetëm në disa biblioteka në Evropë./KultPlus.com

EU4Culture organizon panairin e artizanatit në Rrogozhinë

“Rivendosja e Traditës Artizanale” (Recraft the past, build the future) është panairi i organizuar nga EU4Culture në qytetin e Rrogozhinës.

Në panairin dedikuar artizanatit, kryesisht qëndismave, kanë marrë pjesë edhe nxënës të shkollave 9-vjeçare e atyre të mesme të zonës, të cilët kanë sjellë punime të dala nga duart e tyre.

Ata kanë sjellë në panairin e Rrogozhinës qëndisma, punë me grep, piktura si dhe punime të realizuara me materiale të riciklueshme. Qëllimi i panairit është ruajtja e traditës shqiptare në artizanat dhe trashëgimi brez pas brezi i saj.

EU4Culture është një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian, që ka nisur prej janarit të vitit 2021 dhe që do të vazhdojë deri në fund të vitit 2024. Ky program mbështet sektorin kulturor e krijues, me një përqendrim të veçantë në qytete jo qendrore, të Evropës Lindore. / atsh / KultPlus.com

Hapet thirrja e dytë publike për projekte për zhvillimin socio-ekonomik lokal përmes trashëgimisë kulturore

Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projekteve (UNOPS) në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Kulturës të Shqipërisë po zbaton programin 4-vjeçar të financuar nga Bashkimi Evropian, BE për Kulturën (EU4Culture): “Rijetëzimi i trashëgimisë kulturore të Shqipërisë në përgjigje të tërmetit të vitit 2019 në Shqipëri, 2020-2024.”

Kjo nismë synon të zbusë ndikimin e tërmetit në trashëgiminë kulturore, duke rijetëzuar dhe shtuar vlerën objekteve dhe monumenteve të trashëgimisë kulturore të prekura nga tërmeti, e si rrjedhojë duke ndihmuar në nxitjen dhe rimëkëmbjen social-ekonomike të Shqipërisë përmes rritjes së potencialit turistik të vendit.

Në kuadrin e skemës së granteve, UNOPS shpalli thirrjen e dytë publike për projekt-propozime për zhvillimin socio-ekonomik lokal nëpërmjet trashëgimisë kulturore.

Nëpërmjet kësaj Thirrje për Projektpropozime, programi EU4Culture do të financojë projekte që do të zbatohen nga organizatat e shoqërisë civile dhe organizatat e tjera jofitimprurëse (OJF-të) e interesuara.

Projektet e financuara do të përqendrohen në veprime që synojnë të përmbushin objektivat si, ruajtjen dhe restaurimin e artefakteve dhe rigjallërimin e zejeve të vjetra; Nxitjen e mënyrave të reja dhe inovatore të krijimit të zejeve që frymëzohen nga trashëgimia kulturore e Shqipërisë në territoret e prekura; Mbështetjen për sipërmarrjen e turizmit kulturor; Zhvillimin e produkteve digjitale, aktiviteteve inovatore kulturore dhe krijuese.

Grantet do të jepen përmes dy kornizave financimi: Korniza Kryesore e Financimit dhe Korniza e Financimit për Organizatat Rinore.

Grantet e dhëna sipas Kornizës Kryesore të Financimit do të variojnë ndërmjet 30,000 USD – 50,000 USD me një kohëzgjatje të pritshme të zbatimit të projekteve nga 6-12 muaj.

Grantet e dhëna në kuadër të Kornizës së Financimit për Organizatat Rinore do të variojnë ndërmjet 10,000 – 20,000 USD me një kohëzgjatje të pritshme të zbatimit të projekteve nga 3-6 muaj.

Pavarësisht kornizës së financimit, fillimi i zbatimit do të jetë përafërsisht fillimi i vitit 2023.

Projektet do të zhvillohen në Tiranë, Rubik, Durrës, Kavajë, Rrogozhinë, Krujë, në afërsi të zonave të projektit EU4Culture.

Pranohen të aplikojnë vetëm subjektet e regjistruara si organizata jo-fitimiprurëse, në përputhje me ligjet në fuqi të Republikës së Shqipërisë.

Këto subjekte përfshijnë organizata ose shoqata që operojnë në Sektorët e Kulturës dhe Krijimtarisë si dhe OJQ të tjera jofitimprurëse si: organizatat e shoqërisë civile (OSHC-të); shoqatat e artizanëve; shoqatat e operatorëve turistikë; shoqatat e biznesit; organizatat e biznesit social; qendrat dhe laboratorët e inovacionit të kulturës, biznesit dhe turizmit (vetëm kur janë të regjistruara si jofitimprurëse); institutet kërkimore dhe qendrat akademike (vetëm kur janë të regjistruara si jofitimprurëse).

Kushdo që është i interesuar mund të shkarkojë udhëzimet dhe paketën e plotë të aplikimit për Thirrjen në faqen web te programit EU4Culture: https://eu4culture.al/sq/recraft-the-past-build-up-the-future-2/ ose të ndjekë nga afër sesionet informuese më datë 18 Tetor 2022 në Tiranë dhe 20 Tetor 2022 në Rubik.

Periudha e aplikimit është e hapur deri më 15 nëntor 2022. Pranohen vetëm aplikimet e dorëzuara në gjuhën angleze. / KultPlus.com

Ministrja Margariti: EU4Culture, rijetësim i monumenteve të kulturës të prekura nga tërmeti

Komiteti Drejtues për programin EU4Culture ka zhvilluar mbledhjen e 4-të ku u morëm vendime të rëndësishme për trashëgiminë tonë kulturore.

Në këtë mbledhje me përfaqësues nga Ministria e Kulturës, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe UNOPS u diskutua për një sërë çështjesh, për të përcaktuar prioritetet e nevojshme në zbatimin e projektit.

Në fjalën e tyre, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, Drejtuesi i Bashkëpunimit nga Delegacioni i BE-së, Hubert Perr, Drejtuesja e Zyrës së UNOPS në Vjenë, Freya von Groote dhe Drejtuesja e UNOPS në Shqipëri, Pamela Lama, vlerësuan bashkëpunimin e frytshëm të të gjitha palëve të interesuara në kuadër të programit EU4Culture.

Ministrja Margariti shprehet në një postim në rrjete sociale se një ndër projektet e diskutuara gjatë kësaj mbledhje ishte edhe ai për restaurimin dhe rikonceptualizimin e Muzeut Historik Kombëtar apo financimin në pajisje për digjitalizimin e arkivës së Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit dhe Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.

“Bashkë me drejtuesin e Bashkëpunimit nga Delegacioni i BE-së, Hubert Perr, drejtuesen e zyrës së UNOPS në Vjenë, Freya von Groote dhe drejtuesen e UNOPS në Shqipëri, Pamela Lama analizuam punën e deritanishme dhe shprehëm angazhimin për të ecur më shpejt me kantieret e ringritjes dhe rijetësimit të monumenteve të kulturës, të prekura nga tërmeti i vitit 2019”, thekson Margariti.

Komiteti renditi sukseset e projektit duke përfshirë progresin e restaurimit të një sërë sitesh,  krijimin e eksperiencave dixhitale si dhe hapat përmbyllës të vlerësimit propozimeve të thirrjes së parë të skemës së granteve.

Programi EU4Culture financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga UNOPS në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Kulturës.

Me një buxhet total prej 40 milionë euro, EU4Culture shtrihet në të gjithë territorin e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 me ndërhyrje të planifikuara në një sërë objektesh të Trashëgimisë Kulturore. Përveç restaurimit, do të investohet në rijetëzimin e siteve të përzgjedhura të trashëgimisë kulturore, duke përfshirë përmirësimin e shërbimeve dhe kushteve të vendndodhjes.

Në kuadër të programit EU4Culture, zbatuar nga UNOPS, punimet rehabilituese kanë përfunduar në Kishën e Shën Ndout në Kepin e Rodonit dhe në Kishën e Rubikut, ndërsa po vijon puna në shtatë objekte të trashëgimisë kulturore si Torra Veneciane në Durrës, Teatri Kombëtar i Kukullave në Tiranë, Muzeu Etnografik i Krujës, etj./atsh/ KultPlus.com

Kryeministri Rama: Rijetësimi i Kullës Veneciane, një tjetër ndalesë tërheqëse në qytetin bregdetar

Kulla Veneciane në Durrës po i nënshtrohet restaurimit dhe rijetësimit.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar një fotogaleri nga punimet që po kryhen në këtë Kullë, e cila do t’i ofrojë turistëve një tjetër ndalesë tërheqëse në Durrës.

“Ja dhe Kulla Veneciane në Durrës që po i nënshtrohet një restaurimi të thellë, përpara një rijetësimi të bukur, për të ofruar për vizitorët e turistët në rritje një tjetër ndalesë tërheqëse në qytetin bregdetar”, shprehet Rama.

Punimet po realizohen falë financimit të Bashkimit Evropian, nëpërmjet programit #EU4Culture.

Projekti synon rijetësimin e Kullës, duke e kthyer në një qendër interpretimi të trashëgimisë kulturore nëpërmjet aplikacioneve, performancave digjitale etj., duke ofruar për vizitorët, një mënyrë te re të të njohurit të historisë së qytetit të Durrësit. / KultPlus.com

Margariti dhe Borrell vizitojnë kantierin e restaurimit të mozaikut të Muzeut Historik Kombëtar

Restaurimi i mozaikut të Muzeut Historik Kombëtar është një nga kantieret më të rëndësishme, të ngritur falë Programit të Rindërtimit dhe Rijetësimit të “EU4Culture”.

Ky kantier u vizitua sot nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, zv.presidenti i Komisionit Evropian, Josep Borrell dhe ambasadori e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca.

Ministrja Margariti theksoi se, shumë shpejt mozaiku do të zbulohet me një shkëlqim të ri dhe gjithë historinë që ai mbart.

“Me zv.presidentin e Komisionit Evropian, Josep Borrell dhe ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca vizituam sot një nga kantieret më të rëndësishme, atë të restaurimit të mozaikut të Muzeut Historik Kombëtar, ngritur falë Programit të rindërtimit dhe rijetësimit EU4Culture. Shumë shpejt mozaiku do të zbulohet me një shkëlqim të ri dhe gjithë historinë që ai mbart”, u shpreh Margariti./ KultPlus.com

Përurohet kisha e restauruar katolike në Rubik

Komuniteti Katolik në Rubik do të mbajë meshën e Krishtlindjes në kishën e rehabilituar falë programit “EU4Culture”.

Siti i parë i kompletuar nën “EU4Culture” u inaugurua mbrëmë në prani të ambasadorit të BE-së Luigi Soreca, ministres së Kulturës Elva Margariti, Dom Gjergj Metës, ambasadorëve të TeamEurope dhe autoriteteve lokale, njoftoi sot Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë.

Në fjalën e saj gjatë kësaj ceremonie ministrja Margariti tha se, “është me të vërtetë domethënëse që objekti i parë i përuruar, ndër ndërhyrjet e Programit “EU4Culture” është jo thjesht një monument kulture, por një objekt me një rëndësi të veçantë shpirtërore; një objekt shprese”.

“Restaurimi i kishës së T’Shëlbuemit në Rubik, është një ogur i mirë për programin EU4Culture të financuar nga BE dhe të zbatuar nga UNOPS, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës. Nuk është thjesht një restaurim çatie apo fasade, por një investim që sheh përtej mureve”, u shpreh ajo.

“Së bashku me ambasadorin Soreca, e miq që na nderuan në këtë ceremoni, iu bashkuam gëzimit të komunitetit, të cilit iu rikthye kjo shtëpi e përbashkët, që i ka rezistuar shekujve”, përfundoi Margariti.

Kisha e Manastirit të Rubikut, një monument françeskan, ndodhet mbi një kep shkëmbi me pamje nga lumi piktoresk Fan. Fillimisht u themelua në vitin 1166, si një nga katër Kuvendet Benediktine në rajonin e Mirditës.

Kisha është veçanërisht domethënëse, pasi forma e saj arkitekturore tregon kontekstin gjeohistorik të Shqipërisë, forma planimetrike e kishës dhe harqet e mbyllura në absidë janë të stilit tipik romanik, por stili i pikturës murale është qartësisht bizantin.

Nëpërmjet mbështetjes së programit “EU4Culture”, arkitektura dhe historia e rëndësishme e kishës dhe afresket e rralla do ta nxisin turizmin kombëtar dhe ndërkombëtar për ta shijuar këtë monument kulture.

Zbatuar nga UNOPS, EU4Culture synon të rehabilitojë dhe rigjallërojë trashëgiminë kulturore shqiptare të dëmtuar nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019.

Paralelisht, punimet kanë nisur edhe në 5 objekte të tjera: Mozaiku i Muzeut Historik Kombëtar, Kisha e Rodonit, Ura e Kurçajt në Krujë, Kulla Veneciane dhe Hamami në Durrës. / KultPlus.com

Nënshkruhet marrëveshja “EU4Culture”, BE-ja dhuron 40 milion euro për trashëgiminë kulturore shqiptare

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca së bashku me drejtoreshën e UNOPS-it Freya Von groote, Kryeministrin Edi Rama, Ministrin e Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj dhe Ministren e Kulturës Elva Margariti kanë nënshkruar në ditën e sotme marrëveshjen “EU4CULTURE” e cila do të dedikojë plot 40 milionë euro në rigjallërimin e qendrave dhe monumenteve të trashëgimisë kulturore të prekura nga tërmeti në Shqipëri.

“Programi synon të arrijë rigjallërimin e tyre, duke kontribuar në rimëkëmbjen socio-ekonomike të Shqipërisë nëpërmjet përmirësimit të potencialit të Shqipërisë për turizmin.” – shprehen në deklaratën e tyre delegacioni i BE-së në Shqipëri.

Programi do të përfshijë muze, si Muzeu Arkeologjik dhe Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë. Do të përfshijë gjithashtu qendra të rëndësishme si Amfiteatri i Durrësit, si dhe kështjella e monumente fetare.

Komunitetet e tri bashkive – Tiranë, Durrës dhe Krujë – ndër destinacionet kryesore turistike të Shqipërisë, do të përfitojnë nga fondet e BE-së bazuar në nevojat e identifikuara nga vlerësimi i nevojave pas fatkeqësisë.

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Soreca u shpreh se ky është programi më i madh i ndërtuar ndonjëherë nga BE për të mbështetur strategjinë

“EU4Culture është një nga programet më të mëdha të trashëgimisë kulturore të hartuara ndonjëherë nga Bashkimi Evropian, për sa i përket numrit të monumenteve dhe fondeve të përfshira. Ndihma për të ruajtur trashëgiminë e Shqipërisë është një shans ekonomik, një përgjegjësi e përbashkët, por edhe një detyrë morale dhe historike ndaj brezave të mëparshëm dhe atyre të ardhshëm të evropianëve”.

Programi “EU4Culture” do të zbatohet nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projektit (UNOPS)./ scan/ KultPlus.com