‘Lahuta e Malcisë’, 85 vite nga botimi i kryeveprës së Gjergj Fishtës

Më 8 prill 1937 u botua kryevepra letrare monumentale shqiptare e At Gjergj Fishtës, “Lahuta e Malcisë”.

Fishta filloi ta shkruante nga vitit 1905 duke e përfunduar në vitin 1937.Epopeja Lahuta e Malcisë përshkruan luftërat e dy brezave, mirëpo këngët e saj më tepër tregojnë ngjarje të veçanta. Ajo nuk është një poemë që ka një veprim kryesor dhe një hero kryesor, siç janë eposet e mëdha.

Heronjtë e Lahutës janë të shumtë: Oso Kuka, Marash Uci, Dedë Gjo Luli, Tringa, Abdyl Frashëri, Ali Pashë Gucia, që funksionalisht në vepër janë të ngjashëm, se kanë veçantitë e heroizmit shqiptar. Vepra nis me këndimin e heroizmave shqiptare për të mbrojtur tokat e veta nga sulmet malazeze, të përqendruara në Shqipërinë e Veriut, mirëpo vjen duke u zgjeruar në hapësirë dhe në kohë për të kapur ndodhitë e cilësitë shqiptare. Vepra nis me trajtimin e një krahine, për t’u zgjeruar në tërësinë etnike shqiptare; nis me trajtimin e burrnisë së një ambienti për të arritur te koncepti i kombit.

E ndikuar dendur nga këngët epike veriore, përmban elemente të besimeve popullore shqiptare dhe ndikime të letërsisë sllave të jugut. Ndikimin letrar e mori nga fretërit françeskanë gjatë studimeve në kuvendet françeskane në Bosnie.[1] Më 1905 u botua në Zara te Kroacise Bleni I i veprës, me pesë këngë me të hollat që i kishte dërguar Faik Konica. Një vit më vonë u botua Bleni II, me katër këngë dhe kështu me radhë, deri në botimin përfundimtar me 30 këngë.

Autori në variantin përfundimtar krijoi një renditje të këngëve për të sugjeruar një kronologji të ngjarjeve që perfshijne ndodhitë shqiptare nga gjysma e shekullit 19 deri në pavarësinë e Shqipërisë dhe Konferencën e Londrës më 1913. Vepra mbështetet në tre lloje këngësh:
historike, si Vranina, Kongresi i Berlinit, Lufta e Ballkanit, Konferenca e Londrës – ku i referohet këngëve historike; kreshnike, me shpërthimet krijuese imagjinative që i referohen Ciklit të Kreshnikëve dhe te këngëve baladë, autoriale, si Patër Gjoni dhe Tringa, që japin me detaje imagjinatën e poetit edhe kur mbështeten në paratekstet e baladave, duke i transformuar në stilin vetjak. / Diaspora shqiptare / KultPlus.com

Ndue Ukaj: Fishtën duhet ta lexojmë, sepse kështu luftojmë harresën, e freskojmë kujtesën dhe e pasurojmë mendjen

Shkruan: Ndue Ukaj

Gjergj Fishta dhe misioni i përlindjes shqiptare

Gjergj Fishta s’ishte intelektual e shkrimtar dosido, por një hero kulturor që luftoi me të gjitha forcat intelektuale e shpirtërore për bashkimin e kulturimin e shqiptarëve, për t’iu sjellë atyre dije e dritë pas territ shekullor, rrjedhimisht për t’i orientuar kah rrezet e bukura të diellit e të lirisë, pas shumë shekujve të rëndë robëri dhe këtë e thotë në fillim të kryeveprës së tij, Lahuta e Malcis:

”Ndihmo, Zot, si m’ ké nihmue!

Pesqind vjet kishin kalue

Se të bukren ket Shqypní

Turku e mbate në robní,

Krejt tue e lá t’mjeren në gjak,

Frymen tue i zanun njak,

E as tue e lânë, jo, dritë me pá:

Kurr të keqen pa i a dá:

Rrihe, e mos e lên me kjá:

Me i u dhimtë, po, minit n’múr,

Me i u dhimtë gjarpnit nen gúr!”

Te “Lahuta e Malcis”, vepra përfaqësuese e autorit, Fishta pra e nis rrëfimin duke e futë lexuesin në hollinë e mynxyrshme të pasojave kishte lënë pushtimi osman në historinë shqiptare dhe bën një konstatim të fortë historik e dramatik.

Dhe përballë një Shqipëri të zhytur në mjerim të thellë, autori ishte i vetëdijshëm se vetëm një lëvizje e fortë kulturore dhe një analizë e mbrehtë e pasojave të rënda të sundimit të huaj, mund të shërbente si kurë shpirtërore për t’i pastruar e shëruar plagët e thella. Në këtë drejtim ai besonte se populli duhej armatosë me dije e kulturë, pra duke u vetëdijesuar e ndërgjegjegjësuar, dhe kështu mund të hynte në mesin e popujve të përparuar oksidental, ku ai aspironte ta shihte popullin e tij të këputur nga rrjedhat e këtij qytetërimi.

Në publicistikë, Fishta flet për nevojën që kombi shqiptar të pasurohet me vlera fisnike, që janë mirësia, e vërteta dhe e bukura, e të cilat shërbejnë si shtylla për ta mbajtë lart ngrehinën kombëtare, dhe në funksion të këtij ideali ai kërkon që lexuesit të njohin traditën, meqë sipas tij asgjë nuk mund të ndërtohet pa traditë.

Shqipëria e pavarur dhe ideali i lirisë u shtrinë në gjithë krijimtarinë imagjinare të Fishtës dhe morën trajtë më të qartë në fushën publike e publicistike të Fishtës, ku ai u përfshi vetë duke krijuar institucione kulturore, duke përfaqësuar shtetin e porsa krijuar që përballej me halle të mëdha, dhe në të njëjtën kohë duke luftuar për t’i bashkuar shqiptarët e çoroditur dhe të pamësuar me krijesën e re, shtetin e pavarur.

Në publicistikë e eseistikë, Fishta në formë të strukturuar, jo vetëm si krijues virtuoz, por tani si mendimtar i mbrehtë, sheston zhvillimet e kohës, i analizon dhe ato i paraqet përpara lexuesit, duke dëftuar gjithmonë me kahet e ardhshme të Shqipërisë, rrugën e drejtë që kombi i dalë prej robërisë së gjatë duhej të zgjedhte për të jetuar i lumturi e në mirëqenie. Në këtë drejtim, boshti qendror i veprës së tij publicistike lidhet me postulatin: “Tash, që âsht bâ Shqipnija, duhen përbâ shqiptarët.” E ndër ato vite të mjegullta, kjo formulë e tij u kthye në platformë të sivëllezërve të tij të mendimit e të besimit, që punuan me mish e shpirt t’i jepnin kombit shpirt e vlera fisnike, frymë kjo që e ktheu Shkodrën në kryeqendrën e kulturës shqiptare, rreth të cilës gravitonin idetë më të përparuara të kohës.

Në shkrimet publicistik të Fishtës m’i përbâ shqiptarët domethënë me krijua vepra të mendimit e të estetikës, të gjuhës e të gramatikës, të artit e të administratës. Pra, m’i përbâ shqiptarët për Fishtën veç tjerash domethënë me iu dhanë shpirt e zemër bashkëkombëseve të tij në rrugën e përparimit dhe të avancimit, në agun e qytetnimit, pas shekujve të gjatë të mjerimit nëpër të cilët ata kishin jetuar larg rrezeve të lirisë: pa shkolla, pa kulturë, pa art dhe pa traditë institucionale.

Fishta tregon në veprën e tij letrare e publicistike se ka e vajtë në shpirt sundimin osman, e ka ndierë me trishtim rrezikun e copëtimit të shtetit të ri nga fqinjët sllavë, prandaj ka bërë përpjekje madhore që ta shihte kombin e lirë dhe të konsoliduar. Dhe në agimin e lirisë, ai e ka ditë si rrallëkush se shqiptarëve nuk iu mjafton vetëm liria fizike, por parasë gjithash atyre iu duhej liria shpirtërore, lira e mendjes, që u jep krahë të lartësohen dhe të emancipohen, duke i shartuar veset e këqija, në njërën anë, dhe duke u pasuruar me vlera fisnike, në anën tjetër.

Kështu, betejën për përbâjmen e Shqipërisë ai mendon si betejë kulturore, i bindur se kultura është busulla e orientimit të një shoqërie dhe paradigma e vetme që i jep gjallëri, energji e ideale, dhe që e mban një komb të bashkuar. E në funksion të këtij ideali a e dinte si një rol të madh luante shtypi kulturor, prandaj tregoi një lidhje të fortë me periodikun dhe në vitin 1913, pra një vjet pasi ishte bâ Shqipnia, nis punës të botojë revistën “Hylli i Dritës”, përmes së cilës ai donte të ndikonte në përbâmjen e shqiptareve dhe duke treguar kahet e zhvillimit të saj.

Zef Pllumi i cili e ringjalli “Hyllin e Dritës” pas disa dekadave e quajti me plot të drejtë këtë revistë “busulla në të cilën shënohet vetëm një drejtim: Europë.” Pra, kjo revistë duke lindë “nëper ag të qytetnisë së Shqypnisë”, ajo u bâ shenja më domethënëse e qytetërimit shqiptar dhe kulturës kombëtare.

Në errësirën e madhe që mbretëronte atëbotë kur shqiptarët e hutuar kishin dalë në rrezet e lirisë, “Hylli i Dritës” vërtet shërbeu si dritë, si yll orientues, ashtu siç ishte proklamuar në misionin e saj. Dhe shpejt rreh idesë së “Hyllit të Dritës” u bashkuan shumë dijetarë dhe patriotë të shquar që dhanë kontribut të madh në emancipimin e përgjithshëm shqiptar, kurse Fishta si drejtues i saj punoi me shpirt e mendje në misionin e përlindjes shpirtërore e kulturore të kombit.

Dihet se në rrethet intelektuale të kohës, revista “Hylli i Dritës” ka qenë një nga lidhjet më të forta që ka besuar plotësisht në një Shqipëri të pavarur, gjë të cilën e dëshmon vetë Fishta në shkrimin “Rreziku i përbrendshëm” ku shkruan: “Kur, para këtyne shtatë vjetve, na të “Hyllit të Dritës” patëm thanë në nji rasë se ka Shqypni, se do të kishte Shqypni të lirë e të pamvarme, ndokush ndër shqyptarë qeshi, tjerët mrrudhën krahët, e shumta bani se s’po ndien. Të ndrydhun nën nji zgjedhë robnie pesëqindvjeçe, të rrejtun prej të huajve, të tradhtuem prej të mëdhenjve, der shpresën e kishin djerrë shqyptarët se shofin kurrë atdheun e vet të lirë e të pamverme; e prandej shumica e madhe e tyne s’pat as të nxetë as të ftoftë kur u thamë se kishte Shqypni.”

Pra, themelimi i kësaj reviste kulturore – letrare, pikërisht në kohën e pavarësisë kombëtare, kur shtetit të ri duhej t’ i jepej shpirt dhe orientim, tregon lidhjen e fortë të autorit me zhvillimin shoqërore të kohës dhe dëfton kontributin e madh të françeskaneve në përlindjen shpirtërore e kulturore të kombit shqiptar. Revista luajti rol të jashtëzakonshëm në formimin kulturor të kombit, duke u bërë një lloj institucioni, që arriti t’ i bashkonte mendjet më të ndritura të kohës rreth idesë së pavarësisë kombëtare, lirisë dhe përlindjes kulturor kombëtare.

Fishta te shkrimi fantastik “Perlimi i përkoshmes” e sheston njeriun si epiqendër të shtetit, të kulturës dhe të organizmit qytetërues. Duke besuar se njeriu është i krijuar për një ideal të madh, sublim, ai thotë se “nieri nuk ndodhë pa hiri m’ket jetë, por len per nji qellim e qëllimi i tij asht t’gyuemit e fytyrës s’Tenzot në’jetë t’amshume ose lumnija e pasosun.”

Më tej, në këtë tekst, autori shenjëzon katër cilësi themelore të jetës së lumtur dhe të frytshme, që për të duhet të kthehen në parambulla të organizmit të jetës së re shqiptare: Feja, Atdhue, Gjindja dhe Dija.

Këto katër kategori, ndërthuren organikisht në krejt sistemin filozofik e publicistike të tij, duke u kthyer në katër shtylla të identitetit të shkrimit fishtjan. Për autorin, këto vegla e bëjnë njeriun të lum në këtë jetë. E duke analizuar këto komponentë shoqërore e shpirtërore, ai tregon misionin e të përkohshmes “Hylli i Dritës”, që lidhet me binomin e shtrirë në krejt letërsinë e tij, Fe e Atme dhe krejt kjo bëhet për “m’i ngjall shpresën nder zemra të shqiptarëve, se prej Hyjit dit ma të mira kanë me ju reshë Shqipnis.”

Pra, Fishta dhe françeskanët patën një program dhe këtë e shpreh autori qartësisht: “Kombi shqiptar do me u ndertue shtet m’vedi e i pamvarun, si të gjitha shtet tjera t’Europës s’qytetnume.”

Në ese e tekste të shumta të botuara në shtypin e kohës, Fishta analizon e trajton edhe probleme të artit e të politikës, të shoqërisë e historisë, të gjuhës e estetikës, të religjionit e shkencës, shkruan për shkrimtar të mëdhenj botëror si Goethe, për natyrën e artit e mbi artin, për laicizmin dhe shtetin, për Skënderbeun e shqiptarët, pra, gama e publicistikës dhe eseistikes së tij është një kryqëzim kohësh e dijesh, ku bashkohet Fishta intelektual e artist, Fishta poet e frat, Fishta politikan dhe ëndërrues i madh, Fishta hero unik kulturor dhe atdhetar i pathyeshëm, Fishta veprimtar dhe drejtues.

Vepra publicistike e Fishtës ndërlidhet ngushtë me krijimtarinë e tij letrare dhe njëfarë mënyrë bëhet pasqyrim i saj, si trajtë tjetër e shkrimit të drejtpërdrejtë. Në publicistikë, Fishta analizon, interpreton dhe shtjellon probleme të thukta të shoqërisë me një gjuhë shumë të qartë dhe duke i shestuar sfidat si autentike e universale, duke piketuar sfida dhe duke dëftuar rrugën e daljes, kështu që publicistika e tij hap shtigje të reja për lexuesit e kohës dhe me vlerat e saj shërben edhe për lexuesit e sotëm, meqë problemet që trajton autori vazhdojnë të jenë sfida edhe të kohës sonë.

Në publicistikë Fishta flet me kompetencë, gjykon me mprehtësi të thellë dhe mëson siç mëson mësues i mirë që dëshiron nxënësit t’i bëjë nesër mësues të mirë.

Fishta në publicistikë, ashtu sikurse në epikë e lirikë u dha za shqiptarëve, duke ua dëftuar rrugën e formimit historik, iu tregoi konditat për të krijuar një shtet të qëndrueshëm e të mirëqenë dhe pandërprerë u foli edhe për veset e këqija.

Ajo çka është ajri për njeriun, për shoqërinë është kultura, e një popull pa kulturë mund të ngulfatet. Ky parim fisnik te Fishta shtrihet kudo si ajri në hapësirë dhe përbën tharmin e publicistikes së tij. Sepse, ai ishte i bindur se vendit më shumë se gjithçka i duhej kulturë, i duhej që t’i njihte rrjedhat shoqërore, politike dhe ato kulturore dhe njëkohësisht e dinte mirë se shteti para se gjithash ishte një projekt thellësisht dituror, ku kultura ishte në qendër të tij dhe i mbante njerëzit të bashkuar.

Publicistika e Fishtës është shprehja më e qartë e idealeve të larta që kishte autori e lidhur me idealin e një Shqipërie të pavarësuar, e cila e dalë prej natës së zezë osmane duhej të formësohej me shpirt dhe orientim të qartë perëndimor, oskidetnal, për të mirën e përgjithshme të ngritjes së shqiptarëve, pra përlindjen e tyre.

Gjergj Fishta në tekstin “Koha e ardhshme e Shqipnisë”, të botuar më 1923 në revistën “Hylli Dritës” ndër të tjera shkroi: “Jeta e përparimi i një shteti janë të bazueme: a) mbi pavarësinë politike, b) mbi lirinë e qetësinë e përmbrendshme, c) mbi ekonominë, d) kulturën dhe e) moralin.

Teksti i sipërpërmendur tingëllon si një manual shumë i dobishëm edhe për kohën e sotme.

Në tekstin në fjalë, Fishta, si erudit i vërtetë, analizon pesë shtyllat themelore që mbajnë lartë ngrehinën shtetërore.

Këto shtylla ato janë: “Shteti, për me jetue e me përparue, ma parë duhet që te ekzistojë individualisht, duem me thanë: T’i ketë kufijtë e vet të caktuam e mbas pozicionit gjeografik…

Pa liri, s’ka qetësi të përmbrendëshme; e pa qetësi, si eksperiencë na mëson ne shqiptarëve, s’ka punë, s’ka përparim, e shteti s’mundet me pasë jete të gjatë.

Tue qenë se qëllimi i imediat i shteteve të qytetnueme asht përmirësimi i gjendjes së njeriut mbi tokë, ma parë në pikëpamje të jetës së tij fizike e masnadej të jetës intelektuale, merret vesh prej vetes, se, pa ekonomi, një shtet i qytetnuem s’mundet të jetojë, e me kohë, do të bahet rob i huaj.

Një komb nuk mundet me e mbajtë gjatë pavarësinë e vet ekonomike, pa të cilën, si thamë, s’mbahet as pavarësia politike, po qe që puna e tij nuk prodhon aq sa puna e atyne kombeve, me të cilat ky gjendet në të përpjekun. Por puna rrjedh prej idesë; prandaj një shtet i qytetnuem, për ne do me ruajtë pavarësinë e vet ekonomike, ai do të gjendet e, në mos qoftë, do të mundohet me u gjetë po në atë shkallë kulture, në të cilën gjenden shtetet me të cilat ky ka të marrun e të dhanun.

Çka asht gëlqerja për murin, ai asht morali për shoqninë njerëzore. Morali asht ai që e mban gjallë e të fuqishme ndihmën ehuazesë (ndërsjellët), ndërmjet njeriut e njeriut e ndërmjet shtetit e shtetit, pa të cilën as njeriu, as shteti s’përparojnë e as me jetue gjatë s’mund të jetojnë.

Qe, këto janë, mbas mendimit tonë, ata gurët e parë të themelit, mbi të cilën do të mbahet, do të zhvillimet e do të përparojë çdo shtet i qytetnuem”.

Përvoja e njerëzimit ka treguar se këto parime për të cilat flet Fishta në një tekst më të gjatë Fishta, janë esenciale për një shoqëri të emancipuar, që aspiron të ecë krah për krahu me popujt e përparuar.

Vepra publicistike e Gjergj Fishtës në historinë e kulturës shqiptare mbetet një shtyllë e rëndësishme në ngrehinën identitare dhe hap shtigje për të kuptuar më mirë rrugëtimin tonë historik, politik e kulturor dhe njëkohësisht është një vepër që dëfton fuqishëm edhe plagët e kohës sonë.

Prandaj, Fishtën duhet ta lexojmë, sepse kështu luftojmë harresën dhe e freskojmë kujtesën dhe e pasurojmë mendjen. Marrim mësim nga e kaluara dhe përmes saj, gjejmë shtigje për të ecur kah e nesërmja.

(Fragment nga një tekst i Ndue Ukajt, botuar te Hylli i Dritës, Nr 2, 2021) / KultPlus.com

Poeti kombëtar Gjergj Fishta duke lexuar vargjet e ‘Lahutës së Malcis’ (VIDEO)

Fishta, i lindur më 1871, ishte frat, shkrimtar (poet e prozator), përkthyes, publiçist, arsimtar, estet, piktor (jo profesionist, mendohet të ketë mbi 20 piktura) deputet, anëtar i Akademisë Italiane të Shkencave dhe mbrojtës i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Për gjysmë shekulli ishte figura mbizotëruese e letërsisë shqipe, madje që kur ishte gjallë u kurorëzua “poet kombëtar”. Pas vitit 1945, kur u vendos regjimi komunist, vepra e Fishtës u ndalua dhe qëndroi e tillë derisa u përmbys diktatura komuniste.

Një incizim në Youtube e tregon zërin origjinal të Fishtës duke lexuar nga “Lahuta e Malcis”, shkruan KultPlus.

Më 1907 boton përmbledhjen satirike “Anzat e Parnasit”, dhe më 1909 përmbledhjen lirike “Pika voëset”, më 1913 “Mrizi i Zanave”. Gjergj Fishta veç krijimtarisë artistike, shkëlqeu edhe në fushën e pedagogjisë e të psikologjisë sociale, gjuhësisë etj. Si mendimtar me potencial të madh teorik dhe me një veprimtari të dendur praktike, në shërbim të mbrojtjes dhe të zhvillimit të gjuhës dhe të shkollës shqipe, ai i kishte vënë vetes si qëllim që të luftojë për të ngritur nivelin kulturor e arsimor të bashkëkombësve dhe për të nxitur tek ata dëshirën për përparim dhe për atdhedashuri, si dy shtylla qe do t’i ndihmonin për të mbajtur në këmbë shoqërinë shqiptare të goditur nga pushteti disashekullorë otoman. / KultPlus.com

Lumturije Nonaj, e vetmja lahutare grua nga Malësia e Madhe

Prej 17 vitesh Lumturije Nonaj ngjitet në skena, brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke përcjellë me lahutë këngët e keshnikëve dhe jehonën e Alpeve shqiptare.

Ajo është e para dhe e vetmja lahutare, që përcjellë një traditë të herëshme të folklorit shqiptar. Me prejardhje nga Shkreli i Malësisë së Madhe, Lumturija është mbesa e lahutarit të njohur Gjokë Nonaj, i cili nuk i’u nda lahutës deri në moshën 107-vjeçare, kur edhe ndërroi jetë. Lumturije Nonaj thotë se dëshira e saj është që të mos jetë e vetme si lahutare.

Si familje, brez pas brezi jena lahutarë. Edhe unë nuk kisha si të jem ndryshe, por lahutare. Edhe jam vazë e vetme në shtëpi. Jam lahutare e vetme në Shqipëri dhe rajon. Dëshirë nuk e kam me kenë e vetme. Kam qejf të jenë plot lahutare, sikurse janë edhe burrat.”, thotë ajo.

Krahas lahutës, Lumturija përdor edhe 12 instrumente të tjera të folklorit popullor të trevës Veriore të Shqipërisë por lahuta, thotë ajo, është mbretëresha e të gjitha veglave muzikore.

“Mbi lahutën nuk vë asgja. Kjo është mbretëresha e të gjitha veglave dhe, me të, edhe atdheu ynë do të ketë merita shumë të mëdhaja. Sepse, me lahutë i këndohet trimërisë, i këndohet legjendave.”

Lumturija e mësoi lahutën duke parë vëllezërit dhe xhaxhain e saj, që i binin lahutës në raste familjare, por edhe në festa të ndryshme. Nuk është diçka e vështirë, thotë ajo, dhe shton se edhe tekstet dhe meloditë tashmë i krijon vetë.

“Nuk është një vegël që mësohet me shumë vështirësi. Është shumë e rehatshme. Më përlqen sepse është një vegël shumë e vjetër dhe kërkon të mbajë trashëgiminë e brezave”, thotë Lumturije Nonaj ​

Lahuta është një dëshmi e lashtë kulturore dhe këngët e shoqëruara me lahutë përgjithësisht ngrenë lart traditën, frymën epike dhe historike ndër shekuj, bashkë me eposin e kreshnikëve.

Ndaj, lahutarja Lumturije Nonaj thotë se shteti shqiptar duhet të interesohet më shumë për t’a ruajtur këtë traditë të pasur kombëtare, por edhe për t’a përcjellë ndër brezat e rinj. / VOA / KultPlus.com

Njihuni me 8-vjeçarin që interpreton përmendësh mijëra vargje të Gjergj Fishtës ( VIDEO)

Nikoll Prendi është ‘ fëmija- gjeni’ nga fshati Balldre i Lezhës i cili ka aftësi të jashtëzakonshme.

Vogëlushi 8-vjeçar arrin të recitojë mijëra vargje të At Gjergj Fishtës, pa ndaluar aspak.

Në një intervistë në ‘Rreze Dielli’ Nikolla tregoi se kur u njoh për herë të parë me vargjet e Fishtës, të cilat i pëlqyen aq shumë sa i mësoi përmendësh.

’ Kur kam qenë katër vjeç pash në televizor xhaxhin Agim Doçi, po recitonte një poezi të At Gjergj Fishtës. Unë e pëlqeva shumë dhe kur hyra në klasë të parë që mësova alfabetin, i thashë babit të më blente të gjitha librat e At Gjergj Fishtës dhe e mësova ‘’ tha ai.

‘’ Më pëlqen se gjërat që i ka thënë ai në atë kohë po ndodhin edhe sot’’ u shpreh 8-vjeçari ndër të tjera.

Së fundmi ai është vlerësuar edhe nga ministria e kulturës me çmimin ‘’ Për dhunti të jashtëzakonshme në rrëfimin e vargjeve të poetit kombëtar At Gjergj Fishta’./shqiptarja/ KultPlus.com

Poeti kombëtar Gjergj Fishta duke lexuar vargjet e “Lahuta e Malcis” (VIDEO)

Fishta, i lindur më 1871, ishte frat, shkrimtar (poet e prozator), përkthyes, publiçist, arsimtar, estet, piktor (jo profesionist, mendohet të ketë mbi 20 piktura) deputet, anëtar i Akademisë Italiane të Shkencave dhe mbrojtës i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Për gjysmë shekulli ishte figura mbizotëruese e letërsisë shqipe, madje që kur ishte gjallë u kurorëzua “poet kombëtar”. Pas vitit 1945, kur u vendos regjimi komunist, vepra e Fishtës u ndalua dhe qëndroi e tillë derisa u përmbys diktatura komuniste.
Një incizim në Youtube e tregon zërin origjinal të Fishtës duke lexuar nga “Lahuta e Malcis”, shkruan KultPlus.

Më 1907 boton përmbledhjen satirike “Anzat e Parnasit”, dhe më 1909 përmbledhjen lirike “Pika voëset”, më 1913 “Mrizi i Zanave”. Gjergj Fishta veç krijimtarisë artistike, shkëlqeu edhe në fushën e pedagogjisë e të psikologjisë sociale, gjuhësisë etj. Si mendimtar me potencial të madh teorik dhe me një veprimtari të dendur praktike, në shërbim të mbrojtjes dhe të zhvillimit të gjuhës dhe të shkollës shqipe, ai i kishte vënë vetes si qëllim që të luftojë për të ngritur nivelin kulturor e arsimor të bashkëkombësve dhe për të nxitur tek ata dëshirën për përparim dhe për atdhedashuri, si dy shtylla qe do t’i ndihmonin për të mbajtur në këmbë shoqërinë shqiptare të goditur nga pushteti disashekullorë otoman. / KultPlus.com

Inskenim i ‘Lahuta e Malsisë’ në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Ne fillim të muajit nëntor, me datën 6,7 dhe 8, “PM Theatre” do të ketë premierën e shfaqjes “Lahuta e Malsisë” në interpretim te Armend Balokut.

Shfaqjen do të mund ta përcillni tre netë rresht në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Duke pasur parasysh vëllimin e kësaj vepre, përgatitja e saj ka marr një kohe relativisht të gjatë që të jetësohet në skenë.

Pasi që “Lahuta e Malësisë” është një nga veprat më të veçanta shqiptare, e vlerësuar lartë edhe nga personalitete dhe albanolog të huaj, si një shkrim që e bëri zonjë në vete gjuhën shqipe, si producente e këtij projekti ju njoftoj, se me rastin e 80 vjetorit të vdekjes së shkrimtarit Gjergj Fishta, nëpërmjet “Lahutës së Malsisë”, do të dëgjohet zëri i tij, përmes vargjeve që do t’i interpretojë Armend Baloku.

“PM Theatre” ndihet i ngazëllyer që vargjet e Fishtës edhe njëherë do të marrin frymë e do të jetojmë edhe ne bashkë me to, duke kujtuar shkrimtarin, si dhe të kaluarën tonë historike. /gazetaexpress/ KultPlus.com

Përkthyesi i “Lahutës së Malcisë”: U përpoqa të ruaj metrikën dhe rimën e vargjeve, por qe e pamundur

Abidin Krasniqi, përkthyesi i “Lahutës së Malcisë” të Gjergj Fishtës në gjuhën frënge, flet për motivet që e kanë shtyrë të bëjë këtë punë kapitale për letërsinë dhe kulturën shqiptare.

I lindur në vitin 1986 në Francë, nga nëna franceze dhe babai shqiptar i Kosovës (Sefo Beta Krasniqi, një regjisor dhe aktor i njohur i viteve `70 në Kosovë). Ka studiuar fillimisht Juridikun, por pas vetëm një viti e ka braktisur. Pastaj ka punuar dy vjet në fabrikë, ka udhëtuar rreth dy vjet si backpacker në Amerikë të Jugut, në Afrikë, në Indi, në Nepal, në Azi Qendrore… Më vonë, në Paris, ka studiuar sociologjinë, duke e kurorëzuar me master. Kjo është me pak fjalë CV-ja e Abidin Krasniqit. A ngjan kjo CV në biografinë e dikujt që do të sjellë “Lahutën e Malcis” në gjuhën e Molierit dhe Hygosë? Sigurisht që jo. Dhe pikërisht duke qenë i këtillë, atipik nga shumë aspekte, Krasniqi është më interesant për publikun dashamirës të letërsisë.

Albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me përkthyesin e talentuar, ku ai flet për shumëçka dhe sidomos për motivin që e ka shtyrë të përkthejë Fishtën në gjuhën frënge.

Albinfo.ch: Keni lindur në Francë, në një vend që konsiderohet qendra e kulturës botërore, ku kryqëzohen përvoja të ndryshme kulturore dhe ku lindin e vdesin “përdit” shkolla letrare. Dhe, në këtë qendër kozmopolite, ju keni zgjedhur të përktheni “Lahutën e Malcisë”. Çfarë ju shtyu?

Abidin Krasniqi: Jam rritur i rrethuar nga librat. Babai im ishte i interesuar kryesisht për histori, por edhe për antropologji, etnologji dhe histori të feve. Ai ishte në gjendje të fliste disa gjuhë të gjalla dhe të lexonte disa të vdekura (mes tyre, greqishten e vjetër dhe latinishten). Nga të gjithë këta libra, disa ishin në gjuhën shqipe ose mbi shqiptarët. Mbaj mend disa vëllime me këngë kreshnike, “Albanesische Studien” të Johann von Hahn-it, ose “Studi speciali albanesi” nga Antonio Baldacci, etj. Midis këtyre librave në gjuhën shqipe ose mbi shqiptarët, ishte “Lahuta e Malcis” e Fishtës. E lexova ndërsa isha ende fëmijë. Nuk kuptova gjithçka, natyrisht, por historia më mahniti. Pothuajse njëzet vjet më vonë, ndërsa kërkoja diçka tjetër, hasa përsëri “Lahutën…” në bibliotekën universitare INALCO në Paris. E lexova përsëri. Këtë herë, e kuptova më mirë se herën e parë. Dhe ajo më magjepsi si kurrë më parë! Ndërsa bëra disa hulumtime, pashë që Lahuta ishte përkthyer në italisht, gjermanisht dhe anglisht, por jo në gjuhën e Molière-it. E gjithë kjo po ndodhte në fillim të vitit 2017. Një sëmundje e gjatë më kishte tronditur. Unë po mendoja se çfarë do të bëja në jetë pas një viti e gjysmë pa aktivitet. Përgjigja erdhi natyrshëm: Më duhet ta përktheja Lahutën! Unë isha një nga njerëzit e vetëm që mund ta bëja këtë punë pasi që e njihja edhe shqipen (për më tepër gegnishten) edhe frengjishten. Lexuesi francez duhej të njihte letërsinë tonë, kulturën tonë, civilizimin tonë.

Cili është formimi juaj artistik, letrar? Jeni marrë në përgjithësi me letërsinë si më i ri apo edhe më vonë?

Përgjigjja ime do t’ju befasojë: jo, nuk jam marrë me letërsi. Në moshën 18-vjeçare u revoltova, nuk pajtohesha me shumë gjëra në shoqërinë franceze, fillova të punoja në fabrikë! Pas disa vitesh punë dhe udhëtime të shumta (në Amerikë të jugut, Indi, Nepal, Turqi, Egjipt…), u ktheva në universitet. Studiova sociologjinë, një disiplinë që ishte në kryqëzimin në mes të historisë, antropologjisë dhe shkencës politike (tri disiplina që në të vërtetë me interesonin). Sigurisht, kam lexuar klasikët e letërsisë franceze: Molière, Zola, Balzac, Céline, Camus dhe të tjerë, por unë qartësisht nuk isha (dhe nuk jam sot e kësaj dite) specialist i letërsisë. Një përjashtim megjithatë: kam qenë gjithmonë i interesuar për poezinë epike: kam lexuar herët Homerin, por edhe Shahnamen, Mahabharatën (në rezyme sepse ka më shumë se 200 000 vargje) dhe Ramayanën e hindusve, apo epopenë e Gesar-it (të tibetanëve). Këto tekste kanë diçka të mrekullueshme dhe e lidhin imagjinatën me historinë, kohërat mitologjike me kohërat aktuale. Këto epope e tregojnë më mirë shpirtin e një populli se çdo libër historik.

Para se ta përkthenit “Lahutën…”, a keni pasur ndonjë përvojë tjetër përkthimi në gjuhën frënge nga shqipja ose anasjelltas?

Jo, nuk kam përkthyer asgjë. Por kam lexuar përkthimin anglisht të Lahutës nga Robert Elsie si dhe disa romane të Ismail Kadaresë, të përkthyer në frëngjisht.

A keni pasur që nga fëmijëria – le të themi, nga babai ose ndonjë familjar tjetër – edukim me letërsinë popullore, me legjendat, epikën e veriut?

Po, qartë. Çuditërisht, babai im nuk ishte nostalgjik për jetën në Prishtinë apo Prizren (jetë që ai si aktor dhe regjisor e kishte pasur shumë interesante), por për jetën fshatare. Shpeshherë fliste për mbrëmjet e dimrit në fshatin e tij të lindjes, dhe ato që burrat ende i përjetonin në vitet `60 në Drenicë apo Rugovë. Ai shpesh evokonte mençurinë e pleqve ose talentin e shahirëve duke kënduar këngë historike ose legjendare. Ai më tregonte për këto institucione tradicionale ose virtyte që janë besa, ndorja, kanuni, besnikëria… Dhe në të njëjtën kohë, ai e njihte në mënyrë të përsosur historinë e Greqisë antike ose të Persisë së vjetër. Ishte në të vërtetë e çuditshme. Ai më bëri të lexoja këngët kreshnike sepse sipas tij në këto tekste kishte elemente antikë të cilat datojnë mijëra vjet… Nga ana tjetër, ai më foli pak për Lahutën e Fishtës. I vlerësoi disa pjesë të tekstit (këngët e Oso Kukës ose Marash Ucit), por disa të tjera, jo. Për të, Gjergj Fishta, me gjithë bukurinë e teksteve të tij, ishte dikush që nuk i kishte rezistuar Italisë fashiste, dhe ky fakt, sipas tij, ishte i pafalshëm dhe “ja nxinte fytyrën” për gjithmonë…

“Lahuta e malcisë” ashtu si dhe e gjithë vepra e Fishtës është së pari e vështirë për t’u kuptuar nga një lexues i sotëm me gjuhë amtare shqipen. Pastaj edhe më e vështirë, për t`u përkthyer në gjuhë të huaja. Dhe kulmi është kur ajo përkthehet nga një i ri i socializuar në kulturën franceze e jo në atë shqiptare! Sa ka qenë e vështirë që ta përktheni Fishtën dhe ku i keni hasur vështirësitë më të mëdha? Çfarë literature keni përdorur për të kapur më mirë nuancat kuptimore të “Lahutës së Malcis?`”

Kjo është një pyetje që kërkon një përgjigje të plotë. Nuk e pata problem ta kuptoja Lahutën, kjo është e sigurt (natyrisht, kisha vështirësi me disa vargje, këtu e atje, por kjo është e pashmangshme në një epikë prej më shumë se 15 000 vargjesh). Kam pasur më shumë vështirësi ta përktheja : nëse do të ishte shkruar në prozë, do të kishte qenë më lehtë, natyrisht ! Por kam dashur me çdo kusht të ruaj ritmin, frymën poetike të vargut fishtian… pa u larguar nga kuptimi, dhe duke e përkthyer varg pas vargu, as një më pak, as më tepër. Teknikisht, sa u përket fjalëve, jam mbështetur më së pari në shpjegimet (shkruar nga Danjel Gjeçaj) që përmban vet botimi i 1958-ës. Se dyti, kam përdorur shumë fjalorë (atë të Tahir Kolgjinit, Shpalime rreth Lahutës, fjalorin e Gazullit, atë të Mehmet Elezit dhe Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, Fjalorin e orientalizmave të Tahir Dizdarit dhe të tjerë). Së treti, krahasimi me përkthimin shum serioz anglisht të të ndjerit Robert Elsie më ka ndihmuar shumë. Disa studime tjera mbi Lahutën më frymëzuan dhe më ndihmuan të shkruaj shënimet shpjeguese. Prej atyre duhet të përmendën : Tonin Çobani, “Lahuta e Malcis. Ngjizja mitologjike dhe Fjalori i figurave mitologjike” ; Xhavit Beqiri – “Lahuta e Fishtës : gjuhë dhe stil” si dhe vëllimi mbledhur nga At Benedikt Dema, me titull “Gjergj Fishta O.F.M. (1871-1940)”. Në fund, kam lexuar shumë libra e artikuj për të shkruar fusnotat dhe për të vendosur çdo ngjarje të përmendur në Lahutë, në kontekstin e saj historik (bëhet fjalë për librat e mirënjohur të autorëve Mary Durham, Hyacinthe Hecquard, Auguste Degrand, Margaret Hasluck, por edhe për atë të George Gawrych, Nathalie Clayer, Jean-René Trochet, Robert Elsie…).

Sa ka qenë e vështirë të ruhet edhe metrika e vargut shqip në gjuhën frënge?

Në fillim, unë u përpoqa të ruaj metrikën dhe rimën e vargjeve të Lahutës. Por shumë shpejt, kuptova se ishte e pamundur të ruheshin të dyja pa u larguar nga kuptimi. Kështu që vendosa të ruaj atë që më dukej më thelbësore: metrikën. Tetërrokshin e kam përkthyer në një nëntërrokësh, sepse, sipas meje, është mënyra më e mirë të transmetohet frëngjisht ritmi i Lahutës. Duhet të them gjithashtu se në fillim jam munduar të përkthej në vargje dhjetërrokësh (i cili është ndoshta edhe më i bukur frëngjisht), por nuk kam arritur sukses, pa lëvizur shumë larg nga teksti. Sidoqoftë, nëntërrokëshin e kam ruajtur prej fillimit deri në fund.

Poezia fishtjane ka brenda saj shumë referime historike e kulturore thellësisht (dhe madje edhe “ngushtësisht”) shqiptare. Si ja keni dalë me kthimin e tyre në frëngjishte? A mund të arrihet që Fishta të përjetohet nga lexuesi francez?

Poezia fishtjane është e vështirë të përjetohet plotësisht edhe nga lexuesi shqiptar, atëherë çka mund të thuhet për të huajin! Një shprehje thotë: traduttore, tradittore ! (të përkthesh është të tradhtosh!). Këtë fenomen e kam gjithmonë parasysh dhe mendoj se duhet të nënkuptohet, kur flasim për përkthim. Duke thënë këtë, jam i bindur që një lexim i kujdesshëm, një lexim kurioz, do t’i mundësojë lexuesit frankofon që të kuptojë thellësisht Lahutën. Përjetimi i saj nuk mund të jetë kurrë i njëjti : në Francë, qytetari dhe fshatari, i riu dhe plaku, akademiku dhe punëtori, francezi dhe i huaji, nuk e përjetojnë njësoj Të mjerët e Hugo-s ose një vepër madhore të letërsisë franceze. Por jam i sigurt që secili lexues do të gjejë diçka që do ta prekë, do ta interesojë, do ta intrigojë.

Çfarë kategorish të lexuesve prisni që ta lexojnë “Lahutën e Malcis`” në gjuhën frënge. Ose: në bazë të përvojës së deritashme të shitjes-leximit të librit, a keni një ide ku shitet-lexohet më shumë ky libër?

Tregu i librit është në një situatë të vështirë ekonomike në Francë. Disa faktorë shpjegojnë këtë gjendje. Së pari, koha mesatare e kaluar për të lexuar nga secili person zvogëlohet: ne të gjithë kalojmë çdo ditë më shumë kohë përpara kompjuterit, tabletit ose smartphone-it tonë. Pastaj, shumë zhanre letrare zëvendësojnë gjithnjë e më shumë poezinë: të rinjtë lexojnë më shumë romane, thriller, manga, komike, etj. E gjithë kjo bën që poezia të ketë gjithnjë e më të vështirë për t’u shitur në Francë. Pothuajse asnjë nga botuesit kryesorë nuk pranon të botojë poezi sot! Më në fund, letërsia e huaj ka zënë gjithmonë një vend margjinal në Francë. Edhe autorët e njohur në Francë si Kafka, Borges, Solzhenitsyn, Mishima, Garcia-Marquez, Kundera ose Kadare lexohen pak nga publiku i gjerë. Megjithatë, disa biblioteka e kanë porositur librin, shumë miq e kanë blerë gjithashtu, është shpërndarë mirë në platforma online si amazon.com… Duhet të them që pres edhe më shumë nga ana e diasporës shqiptare: Shqiptarët në mërgim mund dhe duhet ta promovojnë librin. Unë kam udhëtuar tashmë në Bruksel, Gjermani, Shqipëri dhe Kosovë për të folur për librin dhe për ta shpërndarë atë. Mjetet e mia janë të kufizuara. Kështu që, në emër të gjithë kulturës sonë, në emër të vetë Gjergj Fishtës, i thërras të gjithë ata që duan të shohin shkëlqimin e emrit të kombit tonë, le ta promovojnë Lahutën e Malcis !

A keni në duar ndonjë përkthim të radhës?

Po, jam duke përgatitur librin tjetër, një antologji të epikës sonë popullore. Pavarësisht nëse dikush beson se këto këngë datojnë që nga lashtësia, apo se ato datojnë vetëm nga shekujt XVI-XVIII, nuk ka rëndësi. Dhe nuk dua të hyj në këtë debat, i cili mendoj se nuk është i domosdoshëm. Këngët kreshnike janë vjersha epike të shquara, si për stilin e tyre, për estetikën dhe faktet që ato raportojnë. Nuk është për shkak se serbët ose boshnjakët gjithashtu kanë këngë epike, ndonjëherë edhe më të gjata se tonat, që vlera e tyre të zvogëlohet. Kur merret parasysh konteksti në të cilin këto këngë janë transmetuar për breza, nga rapsodë kryesisht analfabetë, tek një audiencë, gjithashtu pothuajse gjithmonë analfabetë, atëherë njeriu kupton se sa e pabesueshme është vetëm ekzistenca e tyre. Një përkthim i nivelit akademik në gjuhën frënge, i plotësuar me shënime të shumta, me indeks, harta dhe ilustrime është i rëndësishëm dhe duhet të bëhet.

Cila është shkalla e njohjes së letërsisë shqiptare në Francë?

Literatura shqiptare është e njohur për publikun e gjerë në Francë vetëm nga një autor: Ismail Kadare. Të apasionuarit pas letërsisë ndoshta i njohin Migjenin, Rexhep Qosjen, Dritëro Agollin apo Ali Podrimën, të gjithë këta kanë të paktën një vepër të përkthyer në frëngjisht. Një vepër aq e rëndësishme sa historia e Zef Pllumit, Rrno vetem për me tregue, e cila është përkthyer frëngjisht, njeh vetëm një shpërndarje konfidenciale./KultPlus.com

Shqiptari sfidon epokën e teknologjisë, përkthen ‘Lahutën e Malcis’ në frëngjisht

I lindur në vitin 1986 në Francë, nga nëna franceze dhe babai shqiptar i Kosovës (Sefo Beta Krasniqi, një regjisor dhe aktor i njohur i viteve `70 në Kosovë). Ka studiuar fillimisht Juridikun, por pas vetëm një viti e ka braktisur.

Pastaj ka punuar dy vjet në fabrikë, ka udhëtuar rreth dy vjet si backpacker në Amerikë të Jugut, në Afrikë, në Indi, në Nepal, në Azi Qendrore… Më vonë, në Paris, ka studiuar sociologjinë, duke e kurorëzuar me master. Kjo është me pak fjalë CV-ja e Abidin Krasniqit. A ngjan kjo CV në biografinë e dikujt që do të sjellë “Lahutën e Malcis” në gjuhën e Molierit dhe Hygosë? Sigurisht që jo. Dhe pikërisht duke qenë i këtillë, atipik nga shumë aspekte, Krasniqi është më interesant për publikun dashamirës të letërsisë.

Albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me përkthyesin e talentuar, ku ai flet për shumëçka dhe sidomos për motivin që e ka shtyrë të përkthejë Fishtën në gjuhën frënge.

Albinfo.ch: Keni lindur në Francë, në një vend që konsiderohet qendra e kulturës botërore, ku kryqëzohen përvoja të ndryshme kulturore dhe ku lindin e vdesin “përdit” shkolla letrare. Dhe, në këtë qendër kozmopolite, ju keni zgjedhur të përktheni “Lahutën e Malcisë”. Çfarë ju shtyri?

Abidin Krasniqi: Jam rritur i rrethuar nga librat. Babai im ishte i interesuar kryesisht për histori, por edhe për antropologji, etnologji dhe histori të feve. Ai ishte në gjendje të fliste disa gjuhë të gjalla dhe të lexonte disa të vdekura (mes tyre, greqishten e vjetër dhe latinishten). Nga të gjithë këta libra, disa ishin në gjuhën shqipe ose mbi shqiptarët. Mbaj mend disa vëllime me këngë kreshnike, “Albanesische Studien” të Johann von Hahn-it, ose “Studi speciali albanesi” nga Antonio Baldacci, etj. Midis këtyre librave në gjuhën shqipe ose mbi shqiptarët, ishte “Lahuta e Malcis” e Fishtës. E lexova ndërsa isha ende fëmijë. Nuk kuptova gjithçka, natyrisht, por historia më mahniti. Pothuajse njëzet vjet më vonë, ndërsa kërkoja diçka tjetër, hasa përsëri “Lahutën…” në bibliotekën universitare INALCO në Paris. E lexova përsëri. Këtë herë, e kuptova më mirë se herën e parë. Dhe ajo më magjepsi si kurrë më parë! Ndërsa bëra disa hulumtime, pashë që Lahuta ishte përkthyer në italisht, gjermanisht dhe anglisht, por jo në gjuhën e Molière-it. E gjithë kjo po ndodhte në fillim të vitit 2017. Një sëmundje e gjatë më kishte tronditur. Unë po mendoja se çfarë do të bëja në jetë pas një viti e gjysmë pa aktivitet. Përgjigja erdhi natyrshëm: Më duhet ta përktheja Lahutën! Unë isha një nga njerëzit e vetëm që mund ta bëja këtë punë pasi që e njihja edhe shqipen (për më tepër gegnishten) edhe frengjishten. Lexuesi francez duhej të njihte letërsinë tonë, kulturën tonë, civilizimin tonë.

Cili është formimi juaj artistik, letrar? Jeni marrë në përgjithësi me letërsinë si më i ri apo edhe më vonë?

Përgjigjja ime do t’ju befasojë: jo, nuk jam marrë me letërsi. Në moshën 18-vjeçare u revoltova, nuk pajtohesha me shumë gjëra në shoqërinë franceze, fillova të punoja në fabrikë! Pas disa vitesh punë dhe udhëtime të shumta (në Amerikë të jugut, Indi, Nepal, Turqi, Egjipt…), u ktheva në universitet. Studiova sociologjinë, një disiplinë që ishte në kryqëzimin në mes të historisë, antropologjisë dhe shkencës politike (tri disiplina që në të vërtetë me interesonin). Sigurisht, kam lexuar klasikët e letërsisë franceze: Molière, Zola, Balzac, Céline, Camus dhe të tjerë, por unë qartësisht nuk isha (dhe nuk jam sot e kësaj dite) specialist i letërsisë. Një përjashtim megjithatë: kam qenë gjithmonë i interesuar për poezinë epike: kam lexuar herët Homerin, por edhe Shahnamen, Mahabharatën (në rezyme sepse ka më shumë se 200 000 vargje) dhe Ramayanën e hindusve, apo epopenë e Gesar-it (të tibetanëve). Këto tekste kanë diçka të mrekullueshme dhe e lidhin imagjinatën me historinë, kohërat mitologjike me kohërat aktuale. Këto epope e tregojnë më mirë shpirtin e një populli se çdo libër historik.

Para se ta përkthenit “Lahutën…”, a keni pasur ndonjë përvojë tjetër përkthimi në gjuhën frënge nga shqipja ose anasjelltas?

Jo, nuk kam përkthyer asgjë. Por kam lexuar përkthimin anglisht të Lahutës nga Robert Elsie si dhe disa romane të Ismail Kadaresë, të përkthyer në frëngjisht.

A keni pasur që nga fëmijëria – le të themi, nga babai ose ndonjë familjar tjetër – edukim me letërsinë popullore, me legjendat, epikën e veriut?

Po, qartë. Çuditërisht, babai im nuk ishte nostalgjik për jetën në Prishtinë apo Prizren (jetë që ai si aktor dhe regjisor e kishte pasur shumë interesante), por për jetën fshatare. Shpeshherë fliste për mbrëmjet e dimrit në fshatin e tij të lindjes, dhe ato që burrat ende i përjetonin në vitet `60 në Drenicë apo Rugovë. Ai shpesh evokonte mençurinë e pleqve ose talentin e shahirëve duke kënduar këngë historike ose legjendare. Ai më tregonte për këto institucione tradicionale ose virtyte që janë besa, ndorja, kanuni, besnikëria… Dhe në të njëjtën kohë, ai e njihte në mënyrë të përsosur historinë e Greqisë antike ose të Persisë së vjetër. Ishte në të vërtetë e çuditshme. Ai më bëri të lexoja këngët kreshnike sepse sipas tij në këto tekste kishte elemente antikë të cilat datojnë mijëra vjet… Nga ana tjetër, ai më foli pak për Lahutën e Fishtës. I vlerësoi disa pjesë të tekstit (këngët e Oso Kukës ose Marash Ucit), por disa të tjera, jo. Për të, Gjergj Fishta, me gjithë bukurinë e teksteve të tij, ishte dikush që nuk i kishte rezistuar Italisë fashiste, dhe ky fakt, sipas tij, ishte i pafalshëm dhe “ja nxinte fytyrën” për gjithmonë…

“Lahuta e malcisë” ashtu si dhe e gjithë vepra e Fishtës është së pari e vështirë për t’u kuptuar nga një lexues i sotëm me gjuhë amtare shqipen. Pastaj edhe më e vështirë, për t`u përkthyer në gjuhë të huaja. Dhe kulmi është kur ajo përkthehet nga një i ri i socializuar në kulturën franceze e jo në atë shqiptare! Sa ka qenë e vështirë që ta përktheni Fishtën dhe ku i keni hasur vështirësitë më të mëdha? Çfarë literature keni përdorur për të kapur më mirë nuancat kuptimore të “Lahutës së Malcis?`”

Kjo është një pyetje që kërkon një përgjigje të plotë. Nuk e pata problem ta kuptoja Lahutën, kjo është e sigurt (natyrisht, kisha vështirësi me disa vargje, këtu e atje, por kjo është e pashmangshme në një epikë prej më shumë se 15 000 vargjesh). Kam pasur më shumë vështirësi ta përktheja : nëse do të ishte shkruar në prozë, do të kishte qenë më lehtë, natyrisht ! Por kam dashur me çdo kusht të ruaj ritmin, frymën poetike të vargut fishtian… pa u larguar nga kuptimi, dhe duke e përkthyer varg pas vargu, as një më pak, as më tepër. Teknikisht, sa u përket fjalëve, jam mbështetur më së pari në shpjegimet (shkruar nga Danjel Gjeçaj) që përmban vet botimi i 1958-ës. Se dyti, kam përdorur shumë fjalorë (atë të Tahir Kolgjinit, Shpalime rreth Lahutës, fjalorin e Gazullit, atë të Mehmet Elezit dhe Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, Fjalorin e orientalizmave të Tahir Dizdarit dhe të tjerë). Së treti, krahasimi me përkthimin shum serioz anglisht të të ndjerit Robert Elsie më ka ndihmuar shumë. Disa studime tjera mbi Lahutën më frymëzuan dhe më ndihmuan të shkruaj shënimet shpjeguese. Prej atyre duhet të përmendën : Tonin Çobani, “Lahuta e Malcis. Ngjizja mitologjike dhe Fjalori i figurave mitologjike” ; Xhavit Beqiri – “Lahuta e Fishtës : gjuhë dhe stil”  si dhe vëllimi mbledhur nga At Benedikt Dema, me titull “Gjergj Fishta O.F.M. (1871-1940)”. Në fund, kam lexuar shumë libra e artikuj për të shkruar fusnotat dhe për të vendosur çdo ngjarje të përmendur në Lahutë, në kontekstin e saj historik (bëhet fjalë për librat e mirënjohur të autorëve Mary Durham, Hyacinthe Hecquard, Auguste Degrand, Margaret Hasluck, por edhe për atë të George Gawrych, Nathalie Clayer, Jean-René Trochet, Robert Elsie…).

Sa ka qenë e vështirë të ruhet edhe metrika e vargut shqip në gjuhën frënge?

Në fillim, unë u përpoqa të ruaj metrikën dhe rimën e vargjeve të Lahutës. Por shumë shpejt, kuptova se ishte e pamundur të ruheshin të dyja pa u larguar nga kuptimi. Kështu që vendosa të ruaj atë që më dukej më thelbësore: metrikën. Tetërrokshin e kam përkthyer në një nëntërrokësh, sepse, sipas meje, është mënyra më e mirë të transmetohet frëngjisht ritmi i Lahutës. Duhet të them gjithashtu se në fillim jam munduar të përkthej në vargje dhjetërrokësh (i cili është ndoshta edhe më i bukur frëngjisht), por nuk kam arritur sukses, pa lëvizur shumë larg nga teksti. Sidoqoftë, nëntërrokëshin e kam ruajtur prej fillimit deri në fund.

Poezia fishtjane ka brenda saj shumë referime historike e kulturore thellësisht (dhe madje edhe “ngushtësisht”) shqiptare. Si ja keni dalë me kthimin e tyre në frëngjishte? A mund të arrihet që Fishta të përjetohet nga lexuesi francez?

Poezia fishtjane është e vështirë të përjetohet plotësisht edhe nga lexuesi shqiptar, atëherë çka mund të thuhet për të huajin! Një shprehje thotë: traduttore, tradittore ! (të përkthesh është të tradhtosh!). Këtë fenomen e kam gjithmonë parasysh dhe mendoj se duhet të nënkuptohet, kur flasim për përkthim. Duke thënë këtë, jam i bindur që një lexim i kujdesshëm, një lexim kurioz, do t’i mundësojë lexuesit frankofon që të kuptojë thellësisht Lahutën. Përjetimi i saj nuk mund të jetë kurrë i njëjti : në Francë, qytetari dhe fshatari, i riu dhe plaku, akademiku dhe punëtori, francezi dhe i huaji, nuk e përjetojnë njësoj Të mjerët e Hugo-s ose një vepër madhore të letërsisë franceze. Por jam i sigurt që secili lexues do të gjejë diçka që do ta prekë, do ta interesojë, do ta intrigojë.

Çfarë kategorish të lexuesve prisni që ta lexojnë “Lahutën e Malcis`” në gjuhën frënge. Ose: në bazë të përvojës së deritashme të shitjes-leximit të librit, a keni një ide ku shitet-lexohet më shumë ky libër?

Tregu i librit është në një situatë të vështirë ekonomike në Francë. Disa faktorë shpjegojnë këtë gjendje. Së pari, koha mesatare e kaluar për të lexuar nga secili person zvogëlohet: ne të gjithë kalojmë çdo ditë më shumë kohë përpara kompjuterit, tabletit ose smartphone-it tonë. Pastaj, shumë zhanre letrare zëvendësojnë gjithnjë e më shumë poezinë: të rinjtë lexojnë më shumë romane, thriller, manga, komike, etj. E gjithë kjo bën që poezia të ketë gjithnjë e më të vështirë për t’u shitur në Francë. Pothuajse asnjë nga botuesit kryesorë nuk pranon të botojë poezi sot! Më në fund, letërsia e huaj ka zënë gjithmonë një vend margjinal në Francë. Edhe autorët e njohur në Francë si Kafka, Borges, Solzhenitsyn, Mishima, Garcia-Marquez, Kundera ose Kadare lexohen pak nga publiku i gjerë. Megjithatë, disa biblioteka e kanë porositur librin, shumë miq e kanë blerë gjithashtu, është shpërndarë mirë në platforma online si amazon.com… Duhet të them që pres edhe më shumë nga ana e diasporës shqiptare: Shqiptarët në mërgim mund dhe duhet ta promovojnë librin. Unë kam udhëtuar tashmë në Bruksel, Gjermani, Shqipëri dhe Kosovë për të folur për librin dhe për ta shpërndarë atë. Mjetet e mia janë të kufizuara. Kështu që, në emër të gjithë kulturës sonë, në emër të vetë Gjergj Fishtës, i thërras të gjithë ata që duan të shohin shkëlqimin e emrit të kombit tonë, le ta promovojnë Lahutën e Malcis !

A keni në duar ndonjë përkthim të radhës?

Po, jam duke përgatitur librin tjetër, një antologji të epikës sonë popullore. Pavarësisht nëse dikush beson se këto këngë datojnë që nga lashtësia, apo se ato datojnë vetëm nga shekujt XVI-XVIII, nuk ka rëndësi. Dhe nuk dua të hyj në këtë debat, i cili mendoj se nuk është i domosdoshëm. Këngët kreshnike janë vjersha epike të shquara, si për stilin e tyre, për estetikën dhe faktet që ato raportojnë. Nuk është për shkak se serbët ose boshnjakët gjithashtu kanë këngë epike, ndonjëherë edhe më të gjata se tonat, që vlera e tyre të zvogëlohet. Kur merret parasysh konteksti në të cilin këto këngë janë transmetuar për breza, nga rapsodë kryesisht analfabetë, tek një audiencë, gjithashtu pothuajse gjithmonë analfabetë, atëherë njeriu kupton se sa e pabesueshme është vetëm ekzistenca e tyre. Një përkthim i nivelit akademik në gjuhën frënge, i plotësuar me shënime të shumta, me indeks, harta dhe ilustrime është i rëndësishëm dhe duhet të bëhet.

Cila është shkalla e njohjes së letërsisë shqiptare në Francë?

Literatura shqiptare është e njohur për publikun e gjerë në Francë vetëm nga një autor: Ismail Kadare. Të apasionuarit pas letërsisë ndoshta i njohin Migjenin, Rexhep Qosjen, Dritëro Agollin apo Ali Podrimën, të gjithë këta kanë të paktën një vepër të përkthyer në frëngjisht. Një vepër aq e rëndësishme sa historia e Zef Pllumit, Rrno vetem për me tregue, e cila është përkthyer frëngjisht, njeh vetëm një shpërndarje konfidenciale./ KultPlus.com

Amaneti i Fishtës: Për fe e atdhe

Autori i “Lahutës”, shkrimtari dhe patrioti i madh Gergj Fishta, vdiq më 30 dhjetor të vitit 1940, në spitalin civil të Shkodrës. Para do kohe, kanë dalë në dritë detaje të rëndësishme të ditëve të fundit të jetës së tij.

Në studimin e Fr. Agustin Gemelli, shkruhet: “At Gjergj Fishta, pak para se të ndahej nga kjo jetë, pasi u la porosi rinisë françeskane të provincës shqiptare, e mbyllte testamentin e tij me këto fjalë: “Po vdes i kënaqur, sepse kam punuar për fe, për Atdhe e për provincën tonë”.

Ndërkohë, sipas At Viktor Volajt, bashkëpunëtor i afërt i poetit, Gjergj Fishta para se të vdiste kishte përmendur nevojën për rishikimin e “Lahutës së Malcisë” dhe kishte përsëritur fjalën “i kryqëzuemi” në latinisht. Ai kishte kërkuar t’i pikturonin në murin përballë shtratit të tij skena nga “Gjyqi i fundit”.

Edhe Patër Marin Sirdani, filolog e mik i poetit, shkruan në librin e përgatitur nga Benedikt Dema, se Fishta e mbylli testamentin e vetë me këto fjalë: “Po des konden (i kënaqur) përse kam punue për fe, Atdhe e për provincën tonë”.

Ndërkohë, Lasgush Poradeci shkruante se mesazhi i fundit i poetit Gjergj Fishta janë fjalët e tij thënë një françeskani që i qëndronte te koka në çastet e fundit: “Po vdes. Ju tash keni me mendue për salikim, por edhe kombi ka të drejtë për rreth meje”.

Ndërsa, italiani Enriko Grasi, që e kishte njohur nga afër poetin, duke folur për popullaritetin e tij në të gjitha shtresat e popullsisë, pohon se prej një të riu shkodran kishte dëgjuar se fjalët e fundit të shenjta të Fishtës kishin qenë: “Jo për tjetër, por sepse po lë armikun mbi truallin shqiptar, mua më vjen keq që më duhet të vdes”.

Gjergj Fishta lindi në fshatin e vogël Fishtë të Zadrimës, më 23 tetor 1871. Fillimisht punoi si bari, por shumë shpejt, kur ishte 6 vjeç, zgjuarsia e tij i bie në sy famulltarit të fshatit, i cili e dërgon Fishtën në Seminarin Françeskan të Shkodrës. Më 1880, kur hapet seminari në Troshan, ai vijon mësimet në këtë shkollë.

Këtu ai shfaqi trillin poetik. Më 1886 dërgohet për studime në Bosnjë. Vitin e parë e kaloi në Guçjagorë, afër Travanikut. Mësimet filozofike i mori në kuvendin e Sutidkës, ndërsa ato teologjike në kuvendin e Livnos. Të kësaj kohe janë edhe “Ushtrimet e para poetike”. Më 1893 i kreu studimet shkëlqyeshëm.

Krijimtaria artistike

Gjergj Fishta ishte i pari shkrimtar shqiptar, i propozuar për çmim ‘Nobel’, prozator, poet, përkthyes; “Militant i letërsisë shqipe” – cilësuar nga Lasgush Poradeci dhe “Poet kombëtar i shqiptarëve” nga Eqrem Çabej.

Poezinë e parë Fishta e botoi në “Albania”, më 1899, me pseudonimin e popullit. Gjatë veprimtarisë së dendur botuese, e cila përveçse në librat, u publikua edhe në 15 gazeta e revista të kohës brenda edhe jashtë vendit, veprimtaria e tij përfshin 40 vite të jetës, ku ai përdori 24 pseudonime.

Si krijues Fishta, në radhë të parë ishte poet. Përkushtimin më të madh e pati ndaj epikës. “Lahutës së Malësisë”, veprës së jetës, ai i kushtoi 40 vjet punë. Ndërsa, vepra tjetër epike “Moisi Golemi dhe Deli Cena” u botua jo plotësisht në shtypin periodik. Tonet e madhërishme heroike, burimësia e papërsëritshme e përfytyrimeve, shqiptarësia në dhënien e mjediseve, heronjve dhe rrethanave kanë bërë që Fishta si epik të quhej “Homer i Shqipërisë”.

Ndërthurjet e ndryshme të mitologjisë me realitetin, ashpërsia e stilit, mendimi i fuqishëm filozofik, dramaciteti i veprës kanë bërë që Fishta të krahasohet në këtë lëmë me Gëten e Danten.

Fishta arriti të botojë këngët e para të “Lahuta e Malcisë”, kryevepër e poezisë epike shqiptare, më 1904. Tre vjet më vonë botoi përmbledhjen satirike “Anzat e Parnasit” dhe më 1909 përmbledhjen lirike “Pika veset”, më 1913 boton “Mrizi i Zanave”. Për veprimtarinë poetike, arsimore, atdhetare e fetare Gjergj Fishta mori nderime të ndryshme. Më 1931, Greqia i jep dekoratën “Foenix “. Më 1939, Italia e bën anëtar të Akademisë së saj.

Në tetor 1913 botoi revistën “Hylli i dritës”, ndërsa më 23 tetor 1913 shpalosi flamurin kombëtar në kishën e Shkodrës, duke e lidhur atë me drita me xhaminë, për të treguar unitetin mes shqiptarëve. Gjergj Fishta mori shumë medalje të ndryshme nga populli i Shkodrës, i Beratit, mbreti i Austrisë, nga Greqia dhe Turqia. Vetëm pas viteve ’90-të, krijimtaria e Fishtës zuri vendin e merituar në letërsinë dhe në kulturën tonë kombëtare.

Aktiviteti i tij patriotik

Deri më 1899 Fishta shkruante me alfabetin shqip të françeskanëve. Në janar të 1899 ai u bë bashkëthemelues dhe pjesëtar aktiv i shoqërisë “Bashkimi”, të cilën e drejtoi poeti atdhetar Preng Doçi. Me alfabetin e kësaj shoqërie u botuan edhe krijimet e Fishtës të kësaj periudhe.

Më 1902 emërohet drejtor i shkollës françeskane në Shkodër, deri atëherë e drejtuar nga klerikë të huaj. Menjëherë, ai zbatoi gjuhën shqipe si gjuhë mësimi në këtë shkollë. Shpejt, Fishta u afirmua si poet dhe si atdhetar. Më 1908, ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit, si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi”.

U zgjodh Kryetar i Kongresit dhe drejtoi punën e Komisionit të Alfabetit. Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë ai e priti me entuziasëm të veçantë, por Luftën Ballkanike dhe Konferencën e Ambasadorëve me një brengë të madhe. Shkodra, qyteti i tij, të cilin kërkonte ta aneksonte Mali i Zi, ishte në duart e fuqive ndërkombëtare.

Brenga dhe entuziazmi duken në poezitë, por edhe në shkrimet publicistike, që boton në revistën “Hylli i dritës”, revistë letrare-kulturore, të cilën e themeloi në tetor të 1913 dhe u bë drejtor i saj. Nën pushtimin austriak boton gazetën “Posta e Shypnisë” (1916-1917) dhe më 1916 themelon, bashkë me Luigj Gurakuqin, “Komisinë letrare” që kishte për qëllim krijimin e gjuhës letrare kombëtare.

Mbarimi i Luftës së Parë Botërore përkon me pjekurinë e plotë të personalitetit të Fishtës si poet, si intelektual, dhe politikan atdhetar. Nga fillimi i prillit të 1919 dhe gjatë vitit 1920 është sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në dhjetor 1920 zgjidhet deputet i Shkodrës. Në prill 1921, në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar, zgjidhet nënkryetar, ku kreu veprimtari të denduara politike. Merr pjesë në Revolucionin e Qershorit më 1924.

Përndiqet pas rikthimit të Zogut në Shqipëri dhe vitet 1925 e 1926 i kalon në Itali, ku ndërkohë krijon, boton e riboton pareshtur. Të kësaj kohe janë edhe pjesa më e madhe e dramave, tragjedive, etj. Pas kthimit në Shqipëri nis etapa e fundit e krijimtarisë së Fishtës. Kësaj etape i vë vulën përfundimi e botimi i plotë i “Lahutës së Malcis” në 1937./konica.al/ KultPlus.com