Gazeta franceze: “Lahuta e Malcis” e At. Gjergj Fishtës, poema që rrëfen epopenë shqiptare

Nga Aurenc Bebja

Gazeta franceze, “La Croix”, ka botuar të premten e 3 janarit 1930, në faqen n°4, një shkrim në lidhje me “Lahutën e Malësisë”, të poetit dhe atdhetarit të njohur shqiptar, At. Gjergj Fishtës, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Epopeja shqiptare shkruar nga një françeskan.

“Poeti kombëtar i Shqipërisë është një françeskan. At. Gjergj Fishta, ka shkruar, në fakt, një poemë, “Lahuta e Malcis”, e cila rrëfen epopenë e Shqipërisë. Libri i parë u botua në vitin 1905 dhe i dyti në vitin pasues.

Entuziazmi qe i madh. At. Fishta ka vazhduar veprën e tij dhe këngët e reja. Thuhet se ato do të botohen së shpejti.

Ky fetar është gjithashtu i njohur për poezitë e tjera të tij, të cilat admirohen për bukurinë e formës, që i bashkohet thellësisë së mendimit.

At. Fishta, i cili konsiderohet si një nga arkitektët më aktivë të pavarësisë dhe bashkimit të Shqipërisë, ka qenë përfaqësuesi i saj në Paris.”

https://darsiani.com/la-gazette/la-croix-1930-lahuta-e-malcis-e-at-gjergj-fishtes-poema-qe-rrefen-epopene-shqiptare/. Në rast të kundërt mos e publiko këtë shkrim.

Lahuta në UNESCO, ekspertët takim me komunitetin e rapsodëve

Fondacioni AADF dhe Ministria e Kulturës organizuan në fundjavë në Shkodër takimin e grupit të ekspertëve me komunitetin e rapsodëve dhe të trashëguesve të mjeshtërisë së bërjes së lahutës, ardhur nga Malësia e Madhe, Tropoja, Puka, Lezha e Mirdita.

Takimi u hap nga Ilir Parangoni, i cili bëri të njohur hapat që janë hedhur nga ky fondacion për mundësimin e përgatitjes së katër dosjeve të trashëgimive kombëtare për regjistrim në listat e UNESCO-s: Xhubleta, Transhumanca, Kcimi i Tropojës dhe Lahuta.

E pranishme ishte edhe studiuesja australiane Susane Ogge-Milou, e cila ka mbështetur që nga fillimi punën e grupit të ekspertëve. E gjithë veprimtaria u drejtua me përgjegjësi shkencore dhe profesionale nga studiuesi Rigels Halili, anëtar i grupit të punës.

Akademikët Vasil S. Tole dhe Shaban Sinani, anëtarë të grupit të punës nga Akademia e Shkencave, referuan për temën “Lahuta sot në Shqipëri: këngët me lahutë, rapsodët dhe mjeshtëria e prodhimit të instrumentit”.

Në fjalën hyrëse akademik Vasil S. Tole theksoi rëndësinë e regjistrimit të lahutës dhe këngëve të lahutës në listën e pasurive të rrezikuara të UNESCO-s.https://zeri.info/inarticle.html

“Puna e nisur 12 vjet më parë, me një nismë të qeverisë së Kosovës, nuk u mbyll me sukses jo për mangësi të punës përgatitore, por për shkak se Kosova ende nuk është anëtare e UNESCO-s. Kjo vonesë na detyroi të ripërcaktojmë jo vetëm emrin, por edhe listën, kjo për shkaqe objektive, sepse trashëgimia për të cilën po diskutojmë është në rrudhje”, tha Tole.

Në vijim akad. Shaban Sinani paraqiti referatin e përbashkët, që u hap me një fakt domethënës për një të ardhme me sukses: në shkurt të këtij viti (2023) lahutari shqiptar Anton Çivlaku çeli në “Berlin Philarmonie” koncertin instrumental “Siparantum Choir”. Referati përqendrohej në dy pyetje kryesore: pse duhet të mbrohet lahuta dhe si duhet të mbrohet lahuta.

Në pjesën e parë u theksua rëndësia e lahutës si instrumenti më i hershëm kordofon i traditës shqiptare, e cila bën pjesë në një familje europiane instrumentesh të ngjashëm në emër e në funksion, “kushërira” të afërme të saj, të shfaqura në gjithë kontinentin në atë periudhë që njihet si “golden age” e lulëzimit të bashkëjetesës së tre besimeve abrahamike në Spanjë e më tej në brendësi të Europës.

Njëherësh lahuta është edhe vegla me më shumë mundësi interpretimi të poemave të mëdha narrative, para së gjithash të eposit heroik legjendar. Harta e arealit të lahutës dhe harta e arealit të eposit janë përputhshmërisht të mbivendosura. Ku ka epos, ka lahutë; ku ka lahutë, ka epos.

Duke iu përgjigjur pyetjes pse lahuta është në rrezik, studiuesit theksuan se ka së paku dy shekuj që nuk është e qetë. Sharkia e çiftelia janë rrezikueset më të hershme të lahutës dhe të eposit. Me shfaqjen e tyre lahuta fillon të humbë hapësirë dhe eposi të humbasë rrokje.

Në përfundim të debateve studiuesit propozuan miratimin e marrjes në mbrojtjes me një status të veçantë të lahutarëve dhe të mjeshtrave punues të lahutave, duke precizuar standardin e saj; nxitjen e formimit të rapsodëve të rinj në mjedisin ku jetojnë lahutarët e fundëm; marrjen e përgjegjësive nga pushteti vendor në rajonet ku mbijeton lahuta për mbështetje financiare ndaj tyre; plotësimin e një harte të arealit ku ruhet lahuta tradicionale dhe disa masa të tjera./atsh

Anton Çivlaku performon në instrumentin e Lahutës përballë sallës më të njohur koncertale në botë (VIDEO)

Së fundmi Kosova ka performuar në sallën më të njohur koncertale në botë, “Filharmoninë e Berlinit”, gjë që është historike. E Kosovën më së miri e prezantoi Kori Siparantum i cili po vazhdon të shënojë histori për muzikën korale kosovare, shkruan KultPlus.

Duke shënuar suksese të njëpasnjëshme, Kori Siparantum mori pjesë në Filharmoninë e Berlinit në kuadër të ‘Choral Celebrations’ në mars të vitit 2022.

Ndërkaq, sot KultPlus ua sjell një video të shkëputur nga performanca e Anton Çivlakut në instrumentin e Lahutës, në kishën St. Matheus, ballë për ballë sallës së Filharmonisë së Berlinit. / KultPlus.com

Lumturije Nonaj, e vetmja lahutare grua nga Malësia e Madhe

Prej 17 vitesh Lumturije Nonaj ngjitet në skena, brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke përcjellë me lahutë këngët e keshnikëve dhe jehonën e Alpeve shqiptare.

Ajo është e para dhe e vetmja lahutare, që përcjellë një traditë të herëshme të folklorit shqiptar. Me prejardhje nga Shkreli i Malësisë së Madhe, Lumturija është mbesa e lahutarit të njohur Gjokë Nonaj, i cili nuk i’u nda lahutës deri në moshën 107-vjeçare, kur edhe ndërroi jetë. Lumturije Nonaj thotë se dëshira e saj është që të mos jetë e vetme si lahutare.

Si familje, brez pas brezi jena lahutarë. Edhe unë nuk kisha si të jem ndryshe, por lahutare. Edhe jam vazë e vetme në shtëpi. Jam lahutare e vetme në Shqipëri dhe rajon. Dëshirë nuk e kam me kenë e vetme. Kam qejf të jenë plot lahutare, sikurse janë edhe burrat.”, thotë ajo.

Krahas lahutës, Lumturija përdor edhe 12 instrumente të tjera të folklorit popullor të trevës Veriore të Shqipërisë por lahuta, thotë ajo, është mbretëresha e të gjitha veglave muzikore.

“Mbi lahutën nuk vë asgja. Kjo është mbretëresha e të gjitha veglave dhe, me të, edhe atdheu ynë do të ketë merita shumë të mëdhaja. Sepse, me lahutë i këndohet trimërisë, i këndohet legjendave.”

Lumturija e mësoi lahutën duke parë vëllezërit dhe xhaxhain e saj, që i binin lahutës në raste familjare, por edhe në festa të ndryshme. Nuk është diçka e vështirë, thotë ajo, dhe shton se edhe tekstet dhe meloditë tashmë i krijon vetë.

“Nuk është një vegël që mësohet me shumë vështirësi. Është shumë e rehatshme. Më përlqen sepse është një vegël shumë e vjetër dhe kërkon të mbajë trashëgiminë e brezave”, thotë Lumturije Nonaj ​

Lahuta është një dëshmi e lashtë kulturore dhe këngët e shoqëruara me lahutë përgjithësisht ngrenë lart traditën, frymën epike dhe historike ndër shekuj, bashkë me eposin e kreshnikëve.

Ndaj, lahutarja Lumturije Nonaj thotë se shteti shqiptar duhet të interesohet më shumë për t’a ruajtur këtë traditë të pasur kombëtare, por edhe për t’a përcjellë ndër brezat e rinj. / VOA / KultPlus.com

Për herë të parë në Kosovë dhe Shqipëri hapet shkolla për mësimin e instrumentit të lahutës

Nxënësit që do të vijojnë mësimet në këtë shkollë janë të moshave të ndryshme, nga 7 deri në 70 vjeç.

Është hapur për herë të parë në Kosovë dhe Shqipëri shkolla për mësimin e instrumentit të lahutës nën organizimin e shoqatës joqeveritare “Shkabat” në Prishtinë, raporton Anadolu Agency, transmeton KultPlus.

15 nxënës do të ndjekin mësimet mbi këtë instrumenti të vjetër kombëtar për një periudhë prej rreth 6 muajsh.

Shkolla do të bazohet në tri linja të mësimit të instrumentit muzikor: në teorinë mbi lahutën, legjendën e saj dhe tekstet e këngëve që luhen me lahutë; mësimi praktik i të luajturit me lahutë dhe pjesa ku nxënësit do të mësojnë të gdhendin (formojnë) një lahutë.

Studiuesi i folkloristikës, profesori Zymer Neziri, thotë se lahuta ka qenë instrument që është nderuar lartë tradicionalisht ndër shqiptarët. Ai thotë se përpos dasmave dhe vdekjeve lahutarët dhe lahuta kanë pasur nderim të veçantë edhe në rastet e hyrjes në luftë ku ka shërbyer si motivim për ushtarët.

“Lahuta është një traditë që duhet të mbijetojë në kohën e sotme të jetës elektronike. Duhet të mbijetojë për shumë arsye sepse pjesa e identitetit të etnokulturës shqiptare mbështetet edhe mbi këtë instrument. Domethënë, instrumenti paraqet një identitet kulturor të shqiptarëve, të traditës sonë ndër shekuj, nga periudha ilire e këndej. Dhe tjetra, është një traditë e cila nuk duhet të zhduket, por duhet t’i jepet mundësia që të mbijetojë”, theksoi Neziri.

Nxënësit që do të vijojnë mësimet në këtë shkollë janë të moshave të ndryshme, nga 7 deri në 70 vjeç.

Nxënësi më i vjetër i shkollës, 70-vjeçari me prejardhje nga rrethina e Malishevës, Imer Mleçani, thotë se dëshira është që ta mësojë lahutën në nivelin që babai i tij dikur i binte dhe këtë pret ta mësojë nga mësuesit si Isa Muriqi, një i moshuar i anës së Rugovës dhe ekzekutues tradicional me lahutë.

“Unë gjithmonë kam pasur dëshirë ta mësoj lahutën, por ne e lamë pas dore duke u marrë me vegla të tjera muzikore. Kur e marr tash lahutën më kujtohet së pari babai im dhe kam pasur dëshirë që të vij këtu dhe të mësoj t’i bie lahutës ashtu siç i ka rënë babai im”, theksoi Mleçani.

Ndërkohë, nxënësi më i ri në moshë që është bërë pjesë e kësaj shkolle, Arian Latifi (7), thotë se dëshira për të mësuar lahutën dhe jo ndonjë instrument tjetër i ka lindur për shkak se është një ndër instrumentet më të vjetra shqiptare.

“Unë e kam emrin Arian Latifi, kam dëshirë të bëhem i famshëm dhe më pëlqen lahuta. Lahutën e kam zgjedhur sepse është një nga veglat më të vjetra dhe të preferuara të shqiptarëve”, thotë ai.

15 nxënësit e lajmëruar për ta ndjekur këtë shkollë do të ndahen në tre grupe për shkak të respektimit të masave anti-COVID-19. / KultPlus.com

Malësori që me zë krijon tinguj lahute (VIDEO)

Lahuta, ndër instrumentet më të njohura shqiptare që ka përcjellur gjenerata e gjenerata me tingujt e saj sa melankolik aq edhe madhështor, shkruan KultPlus.

Në vijim, KultPlus ju sjell një video të rrallë të një malësori që vetëm përmes zërit krijon tinguj lahute. Videoja i përket vitit 1959 dhe është bërë publike nga Arkiva Shqiptare. / KultPlus.com

Zymer Neziri vazhdon përpjekjet për t’i futur në UNESCO lahutën dhe këngët kreshnike

Studiuesi Zymer Neziri, mes rapsodëve nga të gjitha trevat shqipfolëse, prezantoi në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë studimin e një jete. Ai e cilëson folklorin shqiptar, pasuri të përmasave të jashtëzakonshme, që duhet që ta nderojnë të gjithë se janë rrënjët edhe identiteti ynë, pavarësisht se në Kosovë edhe në Shqipëri ka pushtetarë shqiptarë që nuk e vlerësojnë sa duhet folklorin. Megjithatë, studiuesi i njohur shpreson që të vazhdojnë të bëhen përpjekje për futjen e lahutës, gjurmët e së cilës janë mbi 2000-vjeçare, për futjen e sa në UNESCO, ashtu sikundër ndodhi para disa muajsh edhe me guslën serbe.

“Çfarë të them?! Dua që të them se po presim ditë më të mira. Këto ditë kanë nisur në dhjetorin e vitin që shkoi, kur ndodhi ajo që ndodhi me projektin serb për lahutën, e cila u pranua në UNESCO. Dosja tani është në Tiranë, por nuk e di gjendjen e saj të saktë. Ajo që mungon do të plotësohet edhe shpresoj, që së shpejti dosja të marrë rrugën e vet në drejtim të Parisit”, shprehet profesor Neziri.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe lahutarë nga Kosova. Ata u bëjnë thirrje, të gjithë intelektualëve shqiptarë, që të bëhen bashkë edhe të punojnë, që Eposi i Kreshnikëve edhe lahuta, të futet në UNESCO sa nuk është vonë.

“Ne jemi paksa të vonuar. Faji është tek ne jo tek të tjerët. Nuk duhet që të krahasohemi me serbët apo malazezët, por ne jemi të vonuar si komb. Kemi pasur mundësi që të reagojmë më herët, por i kemi lënë pas dore, ashtu siç po lëmë pas dore edhe xhubletën. Nuk shkohet në UNESCO me duar në xhepa. Shqipëria është në UNESCO, përse mos të shfrytëzohet kjo, të shkruhet e folura, ritet, këngët, vallet edhe instrumentet. Ne na i marrin këto vlera, sepse rrimë duarkryq. Vetëm së bashku mundet që t’i ruajmë të gjitha, veçmas nuk mundet që të ruajmë asgjë”, shprehet lahutari Vesel Nikçi, i cili është njëkohësisht edhe kryetar i Ansamblit Folklorik “Rugova”.

Image

Isë Elezi edhe Rustem Bajramaj, janë dy nga lahutarët më të njohur në mbarë trevat shqiptare. Teksa rrëfejnë eksperiencën e tyre, si lahutar, që prej vegjëlisë, dëshirojnë që kjo traditë të vazhdohet edhe tek brezat pasardhës

“Ne nuk kemi punuar, ndoshta edhe ne mund të na pranojnë, sepse ne nuk ua marrim serbëve, as ata neve, sepse lahuta është e globit”, thotë Isë Elez Muriqi, lahutari që di mbi 30 mijë vargje.

Rustem Bajrami, lahutari 90-vjeçar, që ka marrë udhën nga Kosova, për të qenë prezent në Tiranë, shprehet se: “ Unë lus kombin shqiptar, që mos të humb veten, të duan njëri-tjetrin edhe mos të duan armikun…”.

Profesor Neziri, i cili numëron rreth 40 vite punë edhe kërkime mbi Eposin e Kreshnikëve ndalet edhe tek emergjenca që duhet bërë për ruajtjen e kësaj tradite, sepse ndonëse në trevat tona janë rreth 300 bartës të eposit të kreshnikëve, vetëm 2 rapsodë dinë rreth 10 mijë vargje.

“Para 40 vitesh 8 lahutarë dinin mbi 10 mijë vargje, sot janë vetëm dy bartës të Eposit të Kreshnikëve. Pra gjendja nuk po ndryshon për të mirë, por është e mirë në krahasim me të tjerët, që nuk e kanë më. Ne kemi edhe 300 bartës të Eposit të Kreshnikëve që dinë mbi 100 mijë vargje. Të hapen kudo shkollat e lahutës, kemi edhe bartës të brezit të rinj, që në vijimësi do të vazhdojnë herë pas here. Unë fajësoj kohën, që ka vepruar kështu me shumë etnokultura, por në këtë rast s’fajësoj vetëm kohën, por edhe pushtetin lokal edhe qendror, që nuk i ruajnë si Monumente të rralla. Ata duhet që të kenë statusin e mbrojtjes shtetërore, edhe pension të shtetit, sepse shumica e tyre jetojnë keq, por shteti nuk është mbrapa tyre”, shpjegon studiuesi Neziri.

Në përfundim të ligjëratës në kuadër të projektit “Tragë” në Akademinë e Shkencave profesor Neziri u bënë thirrje institucioneve shtetërore, që të t’i mbrojnë këto vlera, të cilat përfaqësojnë identitetin tonë kombëtar./shqiptarja / KultPlus.com

Iniciohet peticioni për dërgimin e lahutës në UNESCO

Disa vjet më parë pati një përpjekje mes Shqipërisë dhe Kosovës për ta regjistruar lahutën si vegël muzikore në UNESCO, si pasuri të trashëgimisë kulturore.

Por, kërkesa nuk u paraqit sepse Kosova u pengua të bëhej anëtare e UNESCO-s, pasi Serbia regjistroi lahutën në UNESCO si trashëgimi të saj.

E ky veprim ngjalli shumë pakënaqësi tek populli shqiptar.

Për të riinincuar certifikimin e lahutës, okarinës dhe këngëve kreshnike, qendra për zhvillim dhe promovim të kulturës tradicionale “Shkabat”,  ka iniciuar një peticion për certifikimin e tyre në UNESCO.

Themeluesi i kësaj qendre Sokol Plakolli, gjatë një prononcimi për Ekonomia Online thotë se peticioni është hapur dhe ka filluar të nënshkruhet, ndërsa në netët në vazhdim do të bëhet edhe nënshkrimi i  aktit themelues i shoqatës së lahutarëve.

“Lahutën dhe këngët e krahut do t’i certifikojmë dhe do të bëjmë peticion për certifikimin e tyre në UNESCO. Peticioni është hapur mbrëmë dhe ka filluar të nënshkruhet ndërsa sot në natën e dytë do të bëjmë nënshkrimin e aktit themelues të shoqatës së lahutarëve të trojeve etnike”, thotë ai.

Plakolli shtoi se me anë të këtij peticioni do të kërkojnë nga Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës që të riinicohet ky certifikim në UNESCO.

“Në UNESCO nuk mund ta procedojmë ne si individ, as si grup shoqatë. Por ne do t’i bëjmë apel Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministrisë së Kulturës që të riinicojnë certifikimin e lahutës të okarinës dhe këngëve kreshnike në UNESCO si një fenomen i cili i takon enkas shqiptarëve në Ballkan, dhe kjo është një padrejtësi që iu është bërë lahutës”, thotë ai.

Lahutari nga Kelmendi i Malësisë së Madhe,  Jonuz Delaj thotë për EkonomiaOnline, se lahuta është e vjetër sa vetë Kelmendi, para se të bëhej vendbanim.

Thotë se ky instrument muzikor është trashëguar brez pas brezi dhe se i takon popullit shqiptar.

“E vërteta se unë që 10 vjeç i kam ra lahutës dhe e kemi si trashëgimi familjare, sepse gjyshi i babës , baba dhe unë jemi tre breza që i kemi ra lahutës dhe i kemi kënduar”.

Lahuta është aq e moçme sa vetë Kelmendi kur është bërë vendbanim dhe vlefshmëria e lahutës në Malësinë e madhe dhe në trojet shqiptare veriore është jashtëzakonisht e hershme”.

Delaj shtoi se edhe shqiptarët janë ndër ata popuj që kanë ruajtur traditën e tyre si gjithë popujt e tyre të Evropës.

“Kjo është një vegël tradicionale dhe duke u mbështetur si gjithë popujt e Evropës dhe botës e ruajnë folklorin e tyre si pasuri shpirtërore të tyre dhe pra edhe ne jemi pjesë e kësaj ndershmërie. Lahuta ka vajtuar dhe u ka kënduar trimave që kanë rënë në luftë nga pushtuesit e huaj”, thotë ai.

Lahuta është një instrument, i cili ka një shtrirje paneuropiane. E kanë spanjollët, portugezët, francezët, rumunët edhe ne. Është një emërtim, që vjen prej arabishtes al lahut (për lart).

Fakti që është një instrument me një emër, që ka ardhur prej botës arabike dhe jo nga Lindja drejt Perëndimit, sipas studiuesve, do të thotë që është një instrument që i takon një familje të përbashkët./literal.media/KultPlus.com


Kërkohet që UNESCO mos ta njohë Lahutën vetëm si të serbëve

Ka afër dy muaj që nga koha kur shteti serb ka arritur që instrumentin e Lahutës ta regjistrojë si pjesë të kulturës së saj në UNESCO.

Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara tashmë e ka pranuar se “të kënduarit me GUSLE”, në këtë rast, Lahuta, i takon trashëgimisë kulturore të Serbisë.

Institucionet e kulturës në Shqipëri dhe Kosovë, po vazhdojnë të reagojnë, duke insistuar se Lahuta si instrument muzikor, u takon edhe popujve të tjerë ballkanas, raporton “Express” i KTV-së.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, ka deklaruar për KTV-në se Ministria të cilën e drejton, tashmë ka krijuar një dosje në të cilën argumentohet se Lahuta është përdoruar që nga periudhat e lashta në trojet shqiptare.

Nga ana tjetër, Komisioni parlamentar për Kulturë i Kuvendit të Kosovës, e ka dërguar një letër në adresë të UNESCO-s, në të cilën shkruan se instrumenti për këngët epike nuk i takon vetëm popullit serb.

Letra e komisionit të cilit i prin deputeti Ismajl Kurteshi, fillimisht është dërguar në Ambasadën e Kosovës në Paris, me synim që kjo e fundit ta dërgojë atë në adresë të UNESCO-s.

“Lahuta nuk shpreh identitetin kulturore të një populli të vetëm, në këtë rast atij serb. Lahuta është instrument i vjetër muzikor Kardofon. Ky instrument muzikor ka pasur përhapje në Evropë e jashtë saj. Edhe sot, disa popuj e përdorin lahutën, me disa dallime nga njëri-tjetri. Nga këto argumente të seleksionuara të cilat i posedojnë institucionet në Shqipëri dhe Kosovë, kemi për qëllim të dëshmojnë se lahuta nuk i takon vetëm një populli, por shumë popujve, e në mesin e tyre, edhe shqiptarëve. Shpresojmë se si të tillë do ta trajtoni edhe ju këtë instrument”, shkruan në letrën e Komisionit.

“Qëllimi i Komisionit është që së paku të themi që ky instrument muzikor nuk u takon vetëm serbëve, por edhe popujve të tjerë, përfshirë edhe shqiptarët dhe për këtë, japim argumente. Shpresoj që shtetet tona do të fillojnë të punojnë sa i përket kësaj çështjeje”, ka deklaruar deputeti Ismajl Kurteshi, i cili aktualisht i prin Komisionit parlamentar për Kulturë.

Ditë më parë në Kohavision, epikologu Zymer Neziti, kishte deklaruar se komisioni profesional i UNESCO-s në bazë të argumenteve, nuk është dashur të deklaronte se “Gusla” apo “Lahuta” është instrument që i përket rajonit.

Ministrja e Kulturës në Shqipëri, Mirela Kumbaro, kishte thënë se “nga delegacioni i Shqipërisë në UNESCO është vënë sërish në dukje se praktika kulturore e “Të kënduarit me lahutë” është historikisht e pranishme dhe është një praktikë kulturore e gjallë në një zonë shumë të gjerë të Evropës Juglindore, jo vetëm në Shqipëri, Kosovë, por edhe në Mal të Zi, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kroaci”.

Serbia prezanton në Pekin këndimin me lahutë si të veten, reagon Mali i Zi

Ministri e Kulturës e Malit të Zi ka vlerësuar se me rastin e hapjes së Qendrës Kulturore të Serbisë në Pekin, organizatori “ka vënë dorë konkretisht” mbi trashëgiminë kulturore të Malit të Zi “duke e prezantuar si të veten”.

“Përmes paraqitjes së lahutarit në hapje të Qendrës Kulturore të Serbisë “Ivo Andriq” në Pekin, i cili ishte i veshur me kostume popullore malazeze, si një veçori identitare skajshmërisht eksplicite, organizatorët e kësaj shfaqjeje kanë vënë dorë në trashëgiminë konkrete kulturore të Malit të Zi, duke e prezantuar si të veten” ka saktësuar Ministria e Kulturës së Malit të Zi, transmeton Koha.net.

Në Pekin më 29 nëntor është hapur Qendra Kulturore “Ivo Andriq” e Serbisë, dhe me këtë rast u mbajt një ceremoni që u shoqërua edhe me një program kulturo-artistik. Njëra nga pikët ka qenë edhe ajo muzikore me lahutë nga një i ri i veshur me kostum popullor malazias.

“Fakti se të kënduarit me lahutë është pjesë e trashëgimisë kulturore e shumë popujve të Ballkanit, së paku kërkon një prezantim më të kujdesshëm të kësaj trashëgimie jomateriale, nga ai që u mund u pa me rastin e hapjes së Qendrës Kulturore “Ivo Andriq” të Serbisë në Pekin”, janë shprehur në Ministrinë malazeze të Kulturës. Kjo ministri ka shtuar se fakti tash për tash i regjistrimit të këngës me lahutë në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Jomateriale Kulturore të Njerëzimit, si pjesë e trashëgimisë Kulturore të Serbisë, do të thotë se Serbia me rastin e prezantimit të kësaj trashëgimie traditën e këndimit me lahutë e konsideron të veten sikurse edhe çdo gjë që shkon me të, siç është veshja, domethëniet simbolike dhe burimore si dhe autentiteti i teksteve të këngëve të lahutës, transmeton Koha.net.

“Duke respektuar faktin se këndimi me lahutë i takon edhe trashëgimisë kulturore të Serbisë, gjë që fundja është vërtetuar edhe me vetë regjistrimin në listën e UNESCO-s, konsiderojmë se me rastin e prezantimit dhe promovimit të kësaj trashëgimie jomateriale nuk do të duhej t’u referohej atyre përmbajtjeve dhe elementeve të saj që u përkasin popujve të tjerë, përkatësisht trashëgimisë kulturore të shtetit tjetër”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Kulturës të Malit të Zi.

Kjo ministri thekson se Mali i Zi “duke u nisur nga veprime të tilla në të ardhmen këndimin me lahutë do ta prezantojë si trashëgimi të veten kulturore, që posaçërisht do të lidhet me periudhën pasi të pranohen kandidaturat nga ana e UNESCO-s për Malin e Zi, Shqipërinë, Kroacinë, Kroacinë dhe BeH”.

Kosova do t’i shkruajë UNESCO-s, lahuta është instrument i trashëgimisë shqiptare

Kryetari i Komisionit parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, Ismajl Kurteshi ka propozuar gjatë mbledhjes së sotme që në emër të Komisionit t’i shkruajnë një letër UNESCO-s për veprimin e Serbisë e cila e ka regjistruar lahutën si trashëgimi kulturore të saj.

Kurteshi ka bërë të ditur se letra do të dërgohet pas datës 13 të këtij muaji dhe se paraprakisht do të konsultohen për informata shtesë me departamentin për trashëgimi të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, raporton Koha Ditore.

“Meqë është një padrejtësi e madhe duhet ta marrim përsipër si komision që t’ia drejtojmë një letër UNESCO-s me të cilën ja bëjmë me dije se kjo është e padrejtë dhe se ka shumë argumente që lahuta të mbetet instrument i trashëgimisë kulturore të shqiptarëve”, ka theksuar ai.

Propozimi i tij ka marrë përkrahjen e të gjithë anëtarëve të komisionit.

Plisat organizojnë peticion për të faktuar se lahuta është shqiptare

Tifozët e Prishtinës, “Plisat”, kanë organizuar një peticion për të faktuar se lahuta është instrument shqiptar. Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Plisat kanë treguar se peticioni ka arritur gati 9 mijë nënshkrime.

Për të përfunduar peticionin atyre ju duhet të mbledhin 100 mijë nënshkrime.

“Të nderuar miq, peticioni ka arritur gati 9,000 nënshkrime i plotësuar me fakte se lahuta është shqiptare, i shkruar në gjuhën angleze dhe i drejtuar UNESCO-s. Ju lutemi shpërndajeni sa më shumë, ftoni miqt tuaj duhen mbledhur 100,000 nënshkrime që të merret më seriozisht. Faleminderit!”, kanë shkruar Plisat.

Ky debat është krijuar së fundi pasi që UNESCO lahutën e ka njohur si trashëgimi kulturore të Serbisë. /Insajderi.com/KultPlus.com