“Darka mistike” e shekullit XVIII

Vepra që i atribuohet Eftimi dhe Terpo Zografit, titulluar “Darka mistike” ose “Darka e fundit”, daton në fundin e shekullit XVIII.

Ikona është marrë nga ikonostasi i kishës “Lindja e Shën Mërisë” në fshatin Vokopolë të Beratit.

Në përshkrimin nga Qendra Muzeore Berat, thuhet se është një ndër ikonat e programit ikonografik të “Festave të mëdha” në liturgjinë kristiane.

“Teknika e përdorur është temperë mbi pano druri. Ikona shquhet për kompozimin e veçantë. Krishti në qendër, rrethohet nga 12 apostujt, të kompozuar në formë rrethi. Në të majtë të Jezuit dhe në plan të parë, Joani dhe Juda, pa aureolën e shenjtorëve, thyejnë simetrinë e kompozimit në formë rrethi. Tavolina është e rrumbullakët, tipike e stilit oriental. Edhe orenditë që plotësojnë skenën, janë po ashtu objekte të kulturës orientale. Ibriku, për shembull, ka pasur përdorim të gjerë në territorin ballkanas përgjatë dominimit otoman. Ky stil harmonizohet bukur, me subjektin e krishterë të “Darkës së fundit”. E gjithë skena përfshihet brenda arkitekturës trenefëshe të kishës. Emërtimi i ikonës është në greqisht” – bëhet me dije në materialin detajues.

Kjo vepër është ekspozuar në Munih të Gjermanisë, më 2001, si dhe në Ankona dhe Vicenza, Itali, më 2002. / Konica.al / KultPlus.com

Kisha e Manastirit ‘Lindja e Shën Mërisë’ në Vodicë propozohet për monument kulture

Kisha e Manastirit ‘Lindja e Shën Mërisë’ në fshatin Vodicë, Berat është propozuar nga DRTK-Berat për marrjen e statusit juridik monument kulture si rrjedhojë e punës gjurmuese, dokumentuese dhe studimore.

Kisha e Manastirit Lindja e Shën Mërisë është kishë njënefëshe, me përmasa të brendshme 9,3 x 5,6 m, është i mbuluar me çati druri dhe tavan të sheshtë. Ndërtuar në vitin 1777 dhe pikturuar në vitin 1805 sipas mbishkrimeve, transmeton KultPlus.

Sipërfaqja e kishës njënefëshe është 76 m², ndërsa po të përfshijmë narteksin dhe paraklisin e Shën Harallambit, duke e parë si një ndërtim të vetëm, ky objekt shkon në një sipërfaqe prej 177 m².

Faza e I-rë – Shek. XIII, gjurmët e absidës me teknikën e kluasonazhit; Faza e II-të – Rindërtim i kishës në vitin 1777; Faza e III-të – Ndërtim i paraklisit (kishëzës) së Shën Harallambit në fillim të shek. XIX; Faza e IV-t – Ndërtim i narteksit në vitin 1926; dhe Faza e V-të – Vitet ’90 të shek. XX./atsh/ KultPlus.com