Gjermania rihap një nga sinagogat më të bukura të vendit

Gjermani vendosi të rihapë sot një sinagogë historike, pas rreth 30 vite punimesh rinovimi që kushtuan rreth 12,6 milionë euro (15 milionë dollarë).

Komisionerja gjermane për Kulturën Monika Gruetters, së bashku me anëtarët e komunitetit hebre të rajonit dhe udhëheqësit politikë lokalë, do të jetë e pranishme për rihapjen e ndërtesës Art Nouveau në qytetin historik të Goerlitz, transmeton KultPlus.

Kryetari i Bashkisë së Goerlitz, Octavian Ursu e ka përshkruar atë si një nga sinagogat më të bukura të Gjermanisë pasi u mbijetoi për mrekulli tmerreve dhe dhunës së epokës naziste.

Rihapja e sinagogës u shty disa herë për shkak të pandemisë së COVID-19.

Ylli i Davidit do të zbukurojë kupolën e ndërtesës deri në fund të vitit. /atsh/ KultPlus.com

“Darka mistike” e shekullit XVIII

Vepra që i atribuohet Eftimi dhe Terpo Zografit, titulluar “Darka mistike” ose “Darka e fundit”, daton në fundin e shekullit XVIII.

Ikona është marrë nga ikonostasi i kishës “Lindja e Shën Mërisë” në fshatin Vokopolë të Beratit.

Në përshkrimin nga Qendra Muzeore Berat, thuhet se është një ndër ikonat e programit ikonografik të “Festave të mëdha” në liturgjinë kristiane.

“Teknika e përdorur është temperë mbi pano druri. Ikona shquhet për kompozimin e veçantë. Krishti në qendër, rrethohet nga 12 apostujt, të kompozuar në formë rrethi. Në të majtë të Jezuit dhe në plan të parë, Joani dhe Juda, pa aureolën e shenjtorëve, thyejnë simetrinë e kompozimit në formë rrethi. Tavolina është e rrumbullakët, tipike e stilit oriental. Edhe orenditë që plotësojnë skenën, janë po ashtu objekte të kulturës orientale. Ibriku, për shembull, ka pasur përdorim të gjerë në territorin ballkanas përgjatë dominimit otoman. Ky stil harmonizohet bukur, me subjektin e krishterë të “Darkës së fundit”. E gjithë skena përfshihet brenda arkitekturës trenefëshe të kishës. Emërtimi i ikonës është në greqisht” – bëhet me dije në materialin detajues.

Kjo vepër është ekspozuar në Munih të Gjermanisë, më 2001, si dhe në Ankona dhe Vicenza, Itali, më 2002. / Konica.al / KultPlus.com

Romani ‘i harruar për 80 vite’ bëhet pjesë e top listës së librave më të shitur

Një roman që trajton persekutimin e hebrenjve në Gjermani në 1938 por që u harrua për 80 vjet, është bërë së fundmi pjesë e listës bestsellerëve në Mbretërinë e Bashkuar.

Pasagjeri i Ulrich Alexander Boschwitz flet për një burrë hebre i cili, ashtu si autori, përpiqet t’i shpëtojë ngritjes së regjimit nazist.

Romani u rizbulua në 2018 pasi mbesa e autorit e gjeti dhe ia tregoi një redaktori.

Libri ka marrë komente të jashtëzakonshme dhe  ka hyrë në listën e Sunday Times për 10 librat fiksion më të shitur.

Botimi në Britani shiti thuajse 1800 kopje javen e kaluar duke e vendosur të 10-tin në listë.

Romani është shkruar në javët pas Kristallnacht (Nata e Qelqit të Thyer, e njohur gjithashtu si Pogromi i Nëntorit), shpërthimi i dhunës masive kundër hebrenjve në Gjermani dhe Austri në nëntor 1938.

Ai tregon historinë e një biznesmeni hebre të quajtur Otto van Silbermann, i cili dëgjon një trokitje në derën e tij nga nazistët Storm Troopers dhe shpejt e kupton se duhet të ikë.

Ai dhe gruaja e tij i fusin të gjitha paratë e tyre në një valixhe dhe përfundojnë duke hipur tren pas trenit në të gjithë Gjermaninë ndërsa përpiqen të shpëtojnë.

Vetë Boschwitz ishte larguar nga Gjermania tre vjet më parë pasi u miratuan ligjet antisemitike.

Libri i tij u botua në SHBA dhe MB përkatësisht në 1939 dhe 40, por nuk mori vëmendje. Autori vdiq në 1942 në moshën 27 vjeç kur anija me të cilën po udhëtonte u bombardua nga gjermanët./KultPlus.com

Cili është sekreti i ‘fshatit të mrekullive’, me zero raste që nga fillimi i pandemisë?

Një fshat në Gjermani i ka rezistuar COVID – 19 që nga fillimi i pandemisë, e deri më tani, me plot zero raste infektimi. Pyetja që natyrshëm lind, është cili është sekreti që fshihet pas Lieg-ut të Gjermanisë?

Që nga fillimi i pandemisë, 3.25 milionë njerëz në të gjithë Gjermaninë kanë qenë të infektuar me COVID-19 dhe në pjesën më të madhe të vendit, nivelet e larta të incidencës kanë çuar në mbyllje, si dhe masa të rrepta për distancimin social.

Fshati Lieg, me një popullsi prej 400 banorësh, për 14 muaj tanimë, nuk ka regjistruar as edhe një rast të vetëm me COVID. Duket sikur virusi përplaset me një xham imagjinar kur mbërrin në kufirin hyrës të fshatit.

Fakti që nuk ka pasur infeksione COVID-19 në Lieg është akoma më e mrekullueshme, duke pasur parasysh që 90% e njerëzve në fshat udhëtojnë për të punuar.

Sipas banorëve të fshatit, një arsye që mund të ketë çuar në këtë mrekulli është fakti se banorët janë të gjithë të disiplinuar dhe respektojnë rregullat. Nga ana tjetër, ata shprehen se asnjëri në fshat nuk dëshiron të infektohet i pari dhe kjo mund të ketë ndikuar në “mburojën” e deritanishme nga COVID./dw/ KultPlus.com

Në Gjermani janë krijuar më shumë se 1.200 fjalë gjatë pandemisë

Në epokën e COVID-19, më shumë se 1,200 fjalë janë krijuar në gjermanisht.

“Nuk mund të mendoj për asgjë, të paktën që nga Lufta e Dytë Botërore, që do të kishte ndryshuar fjalorin në mënyrë drastike dhe në të njëjtën kohë sa më shpejt, si pandemia, tha Anatol Stefanowitsch, një profesor i gjuhësisë në Free Universiteti të Berlinit, transmeton KultPlus.

“Mund të mendoj për shumë shembuj të tjerë të një ndryshimi të madh kulturor që ndryshoi fjalorin gjerman. Por ato nuk ndodhën brenda disa muajsh”.

Lista e fjalëve të reja u përpilua nga Instituti Leibniz për Gjuhën Gjermane.

Ajo vuri në dukje se fjalët e reja po ndihmojnë në uljen e Coronaangst (ankthi për virusin).

“Gjuha ka një fuqi të fortë”, shtoi Möhrs. “Ne e shohim përsëri dhe përsëri sa e rëndësishme është të formulojmë saktësisht dhe të jemi shumë të kujdesshëm për fjalët që zgjedhim. Fjalët jo vetëm që përcjellin përmbajtje, por gjithashtu mund të transmetojnë emocione dhe ndjenja. Dhe folësit duhet të jenë të vetëdijshëm për këtë.”

Më poshtë janë disa neologjizma për COVID-19 në gjermanisht:

Coronamüde (lodhja e COVID-19)

Impfneid (zilia e vaksinimit)

Kuschelkontakt (kontakt përqafimi)

Abstandsbier (birrë në distancë)

Balkonsänger (këngëtare e ballkoneve)

Todesküsschen (puthja miqësore në faqe e përshkruar si një puthje e vdekjes)

Alltagsmaske (maskë e përditshme)

Spuckschutzschirm (maskë: ombrellë mbrojtëse nga pështyma)

Schnutenpulli (maskë: triko e hundës)

Maskentrottel (një idiot që mbulon fytyrën me maskë duke e lënë hundën të ekspozuar). /insajderi/ KultPlus.com

Krerët e shtetit gjerman kujtojnë 80 mijë jetët e humbura gjatë pandemisë

Koronavirusi i ri vazhdon të përhapet me ritme shqetësuese, sipas OBSH-së, pasi ka shënuar mbi 3 milionë viktima në gjithë botën.

Të dielën, Gjermania u bë vendi i radhës që përkujtoi jetët e humbura nga Covid-19.

Krerët më të lartë të shtetit e nderuan kujtimin e 80 mijë prej tyre me një meshë kishtare.

Gati 20 mijë të tjerë iu shtuan listës me të infektuarit në Gjermani.

30 mijë bartës të tjerë u regjistruan në Francë në 24 orë, pak ditë pasi vendi kaloi pragun simbolik prej 100 mijë viktimash, bilancin më të rëndë në botë pas SHBA-së, Brazilit, Meksikës, Indisë, Britanisë, Rusisë dhe Italisë.

Italia njoftoi të dielën se ka vaksinuar 15 milionë persona me dozat kundër Covid-19, apo 25 për qind të popullatës, por është ende herët për të hequr kufizimet.

Një ditë më parë, punëtorë nga industria vendëse e spektaklit protestuan kundër masave.

2 mijë të infektuar dhe mbi 60 viktima më tepër konfirmoi të dielën edhe Greqia brenda ditës.

Autoritetet thanë se mbi 95 për qind ishin të sëmurë ose të moshave 70 vjeç e sipër.

Jashtë Evropës, India shënoi një rekord të ri prej 261 mijë infektimesh, aq sa Amerika Veriore dhe Jugore të marra së bashku në 24 orë.

Edhe vendet e Azisë Juglindore po raportojnë një shpërthim rastesh të reja, ndërsa varianti autokton i virusit po rrezikon Afrikën e Jugut.

Por teksa gjithë bota goditet nga vala e re e pandemisë, Izraeli bëri të dielën një hap tjetër për kthimin drejt normalitetit, duke e hequr detyrimin e deritanishëm për maskat në publik.

Më shumë se gjysma e izraelitëve janë vaksinuar kundër Covid-19 dhe situata epidemiologjike është përmirësuar ndjeshëm.

“Maskat na u bënë pjesë e jetës. Do shohim çfarë do ndodhë kur të gjithë t’i heqin, pas një apo dy muajsh. Tani për tani kam frikë,” thotë një qytetare nga Jerusalemi./ KultPlus.com

I vdes gruaja gjatë lindjes, kolegët e befasojnë kosovarin me ndihmën e tyre

Punonjësit e ndërmarrjes Odenwäller nga Bruchköbel afër Hanau-t kanë filluar një fushatë ndihme për një koleg të ri i cili ka përjetuar një tragjedi të rëndë familjare nga koronavirusi.


Ndonjëherë fati është i rëndë.

Shumë njerëz mbeten pa fjalë përballë një tragjedie të tillë dhe nuk veprojnë. Por jo edhe mbi 150 punonjësit e kompanisë Odenwäller nga Butterstadt, shkruan op-online.de.

Për të ndihmuar një koleg të ri që u godit keq nga fati, këta punëtorë filluan një përpjekje të pazakontë lehtësimi e ngushëllimi, transmeton albinfo.ch, përcjell KultPlus.

I riu nga Kosova (që këtu nuk i jepet emri, v.j.) humbi gruan disa javë më parë dhe mbeti i vetëm me një foshnjë të porsalindur. 30-vjeçari tashmë ka pas vetes javë shprese dhe dëshpërimi.

Fatkeqësia filloi në fillim të vitit kur të dy prindërit u sëmurën nga virusi i koronës. Nëna e ardhme e re ishte në muasjin e  shtatë të shtatzanisë në atë kohë.

Për fat të keq, rrjedha e sëmundjes për nënën e re është e rëndë. Kjo ishte arsyeja pse foshnja u desh të lindte me prerje cezariane emergjente. Kjo ka ndodhur në fund të janarit, transmeton albinfo.ch. Djali i posalindur peshonte vetëm 980 gram dhe pas prerjes cezariane, nëna e re vihet në koma artificiale në mënyrë që të vazhdojë të marrë frymë.

Pavarësisht kujdesit të mirë mjekësor në Spitalin Universitar të Frankfurtit, gjendja e saj po përkeqësohej dukshëm. Ajo ka qëndruar në koma për dy muaj dhe ka luftuar me një numër të madh të komplikimeve. Të hënën (15 mars 2021) gruaja e re humbet luftën dhe vdes pa e parë kurrë djalin e saj të vogël, i cili tani po zhvillohet mirë.

Edhe pse babai i ri i vejë ka punuar ende pak vite në kompaninë  kolegët e tij janë shprehur shumë dashamirës. Lukas Odenwäller, shef i ri i ndërmarrjes thotë se nuk është në dijeni të ndonjë rasti tjetër të tillë të keq të koronës. Më në fund ai ngriti idenë për t’i dhuruar ditë pushimi kolegut të tij.

Odenwäller fillon një thirrje midis punëtorëve që kushdo që dëshiron të ndihmojë mund t’i dhurojë ditë pushimi babait të ri.

Ai (kosovari) më pas mund të vendosë vetë nëse do t`i marrë ato si ditë pushimi apo të kthyera në para.

“Ne jemi një biznes familjar, unë vetë kam tre fëmijë të vegjël”, shpjegon Lukas Odenwäller. Kompania ka një përgjegjësi sociale për punonjësit e saj, shprehet ai.

Askë nuk do ta linte indiferent fati i kolegut të tyre. Shumë nga 150 të punësuarit këtu janë me familje të reja, transmeton albinfo.ch. “Si një kompani e kopshtarisë, mbizotërohet nga meshkujt, prandaj u identifikuam fort me babanë tonë të ri”.

Gatishmëria për të ndihmuar ishte aq e madhe saqë tani kemi grumbulluar mbi 160 ditë pushimesh.

“Kështu, ne do të paguajmë çdo ditë të dhuruar me 200 euro për punonjës dhe 100 euro për stazhier” (nxënës, kursist) shkruan Lukas Odenwäller në thirrjen për drejtuar punëtorëve.

Kompania pastaj i rrit këto shuma përgjysmë.

Lukas Odenwäller është i kënaqur jo vetëm për faktin që babai i po e merr këtë mbështetje të madhe. Ai është gjithashtu krenar për punëtorët . “Është një frymë ekipore e shkëlqyer, të kesh punonjës të tillë. Për një drejtor është diçka shumë e mirë”

Personi ni ndihmuar ishte gjithashtu i emocionuar nga simpatia dhe shuma e dhuruar. “Ai nuk kishte pritur  diçka të tillë” raporton shefi i tij, përcjell albinfo.ch.

Babai i ri kishte ardhur në Gjermani nga Kosova vetëm disa vjet më parë dhe jo vetëm që ka gjetur një punëdhënës në Odenwäller GmbH, por padyshim aty ka gjetur edhe një familje të madhe./albinfo/ KultPlus.com

Nga Juniku në Gjermani, Shqipërim Kraki patentoi inovacionin e tij në botën e aviacionit (VIDEO)

Suada Qorraj

Sukseset jo çdo herë kufizohen brenda vendlindjes, ndonjëherë ato lindin dhe rriten jashtë saj, përmes rrugëve përplot me sfida. E tillë është dhe historia e Shqipërim Krakit, të cilin jeta tash e disa vite e ka lidhur ngushtë me botën e aviacionit, lidhje kjo që i ka mundësuar atij të lansoj produktet dhe biznesin e tij në Gjermani, shkruan KultPlus.

“Fillimi nuk ka qenë i lehtë as për mua, por fakti që unë i kisha dy vëllezër që jetonin këtu prej vitesh, ka ndikuar që të integrohem më shpejt. Pastaj nga sfida në sfidë, jeta morri drejtim dinamik, fiks ashtu siç e kisha shpresuar”, filloj rrëfimin e tij Kraki në intervistën e dhënë për KultPlus.

Shqipërim Kraki tashmë ka patentuar dhe regjistruar në Gjermani produktin e tij origjinal, të punuar me dorë, Torlley-t për shërbimin e pijeve në avion të cilat i ka emëruar ‘Lift Bar’ ndërkaq kompaninë e tij e ka emëruar ‘Flying Mode’. Tashmë janë lansuar tre lloje të Lift Barëve; Lift Bar Café, Lift Bar Cooling dhe Lift Bar Whiskey.

Për Shqipërim Krakin rruga deri tek arritja e qëllimit të tij ka qenë mjaft komplekse. Pas dhjetë viteve pune në Gjermani, ai filloj që të realizoj ëndrrën e tij që kishte lindur përgjatë periudhës kur bota e aviacionit u bë një me botën e tij.

Teksa flet se si ka lindur ideja e një produkti të tillë, Kraki pohon se puna e gjatë në botën e aviacionit kishte krijuar tek ai përshtypjen se gjërat mund të ndryshohen deri në perfeksion.

“Inovacioni dhe idetë e reja më kanë tërhequr gjithmonë. Duke punuar me vite në dhe për botën e aviacionit, gjithnjë e kisha përshtypjen se gjërat mund të perfeksionohen dhe t’u ndërrohet përdorimi apo destinimi. Sot në çdo vend privat apo profesional ka nevojë për hapësira relaksuese. Në shtëpi apo punë kemi shërbyes që janë kryesisht automatik, të palëvizshëm dhe jo multifunksional. Për anën elegante as që bëhet fjalë – zor të ketë stil një frigorifer gjigant apo një distributor kafesh. Duke i pas këto elemente parasysh, jam bindur që edhe pijet e freskëta por edhe kafet e ndryshme mund të shërbehen në mënyrë elegante, praktike dhe pa zënë shumë vend”, shprehet ai.

Tutje Kraki rrëfen se produktet e tij, por dhe kompaninë i ka emëruar si kujtesë për botën e fluturimit, prej nga vjen ai dhe baza mbi të cilën ndërtohet produkti. Kraki ‘Lift Bar’ e quan një shërbyes elegant dhe preciz.

“Emri i kompanisë e rikujton botën e fluturimit, nga vij unë dhe nga vjen baza e produktit. Dhe duke qenë se produktet tona do përdoren në tokë, atëherë zgjodhëm ta quajmë Flying Mode, në kuptimin, në formë apo mënyrë fluturimi. Do të thotë shërbehet gati si në fluturim, me shërbyesin me rrota. Emri i produkteve LiftBar është boshti i idesë inovative sepse i gjithë koncepti sillet rreth liftit mekanik që i nxjerr pijet jashtë në mënyrë elegante dhe precizion milimetrik. Shërbyesit tanë janë pra si mini bar me lift – Lift Bar”, deklaroi Shqipërimi për KultPlus.

I pyetur se sa e vështirë ka qenë për të që të depërtoj në një treg gjerman, Kraki pohon se ndonëse është një treg mikpritës për të depërtuar dhe për të arritur sukses duhet përkushtim i madh, por mbi të gjitha inovacion.

“Të depërtosh në një vend të huaj nuk është e lehtë, por Gjermania mbetet megjithatë vend mikpritës për shqiptarët në përgjithësi. Tregu gjerman është solid dhe i organizuar, prandaj për të depërtuar këtu duhet punë e përkushtim, por duhet sidomos inovacion. Produktet tona janë unike si nga koncepti ashtu edhe nga dizajni, kështu që besoj se do të gjejnë hapësire në tregun gjerman e evropian. Sot klientët apo përdoruesit duan gjëra kualitative por edhe unike. Këto veti janë baza e produkteve tona”, shton tutje ai.

Krejt në fund të intervistës Kraki tregon se planet janë që fillimisht të shtrihen në Gjermani me prodhim dhe me shitje, e më pas të kalojnë edhe në tregun evropian. Ai madje thekson se shumë shpejt do të jenë prezent edhe në Kosovë e Shqipëri, duke e konsideruar mundësinë e prodhimit të materialeve dhe aksesorëve në këto dy vende./ KultPlus.com

Ditë informuese për punësim të infermierëve në Gjermani

Kolegji Universum në bashkëpunim me DEKRA Academy organizojnë ditë informuese për studentët e vitit të dytë të Programit të Infermierisë rreth punësimit të studentëve në Gjermani.

Takimi do te mbahet me 25 Mars ne ora 13:00 dhe 27 Mars ne ora 14:00 ne Kampusin e Kolegjit Universum ne Lipjan.

DEKRA Akademie i ofron FALAS dhe në mënyrë të dedikuar studentëve të Kolegjit UNIVERSUM: Mësimin e gjuhës Gjermane deri në nivelin B2; Kontratën e punës në Gjermani me punëdhësit më prestigjoz; Trajnimin profesional dhe përgatitjen për pajisje me licensë Gjermane të Infermierit; Transferimin në Gjermani me të gjitha lehtësirat procedurale;

Në Kolegjin Universum studentët përgatiten qysh nga viti i parë për tregun e punës. Vënia në praktik e çdo njësie mësimore po lehtëson proceduren e mësimnxënies së studenteve.

Kolegji Universum u siguron studentëve një sërë burimesh dhe shërbimesh për të mbështetur mësimin dhe kërkimin e tyre. Laboratoret janë dizajnuara në mënyrë komode dhe janë të pajisur me shtretër, pacient-kukulla dhe mjete tjera të nevojshme në mënyrë që mësimi të jetë sa më efektiv.

Për më shumë informata na ndiqni në rrjete sociale në facebook apo instagram, kontaktoni në [email protected] ose +383 44 144 062.

Termi ‘racë’ do të hiqet nga Kushtetuta e Gjermanisë

Fjala “racë” si term do të hiqet nga Kushtetuta e Gjermanisë. Qeveria ka rënë dakord për termin zëvendësues në Kushtetutë. Në vend të saj në nenin tre në të ardhmen do të përdoret formulimi ‘për arsye raciste’.

Në Gjermani është debatuar vitet e fundit lidhur me përdorimin e termit ‘racë’. Në sfondin e debatit mbarë botëror kundër racizmit në politikën gjermane ka konsensus të gjerë për synimin, që termi “racë” të hiqet nga Kushtetuta. Qeveria ka rënë dakord tani për formulimin zëvendësues në nenin tre.

Aktualisht në këtë nen thuhet: “Askush nuk lejohet që të favorizohet ose margjinalizohet për shkak të gjinisë, prejardhjes, racës, gjuhës, atdheut e origjinës, besimit, botëkuptimit individual fetar apo politik.” Në të ardhmen formulimi në vend të fjalës “racë” do të jetë: “Askush nuk duhet të margjionalizohet apo të favorizohet për arsye raciste”.

Gjatë këtij debati kritikët e formulimit ekzistues në Kushtetutë, tërheqin vëmendjen, se përdorimi i termit “racë” transporton pikërisht mendimin, që ekzistojnë racat njerëzore. Vlen të theksohet, se hartuesit e Kushtetutës asokohe më 1949 kanë dashur të theksojnë pikërisht qëndrimin e prerë kundër marrëzisë racore të nacionalsocialistëve. Por ky formulim i përpiluar asokohe me një qëllim të mirë, gjykohet aktualisht si i papërshtatshëm.

Për herë të parë propozimi për këtë ndryshim u parashtrua një vit më parë (20.02.2021) nga ministrja socialdemokrate e Drejtësisë Christine Lambrecht.

Koalicioni qeverisës me bazë të gjerë mes Unionit Konservator të kristiandemokratëve/Kristiansocialëve dhe Partisë Socialdemokrate pas shqyrtimit të disa formulimeve të propozuara ka rënë dakord për parafrazimin në „për arsye raciste”. Për këtë u dakorduan ministrja socialdemokrate e Drejtësisë Christine Lambrecht dhe ministri i Brendshëm kristiansocial Horst Seehofer.

Kërkohet miratimi në Bundestag dhe në Bundesrat

Ndryshimi në Kushtetutë mund të arrihet me votimin në të dyja dhomat e parlamentit me një shumicë të dy të tretave si në Bundestag ashtu edhe në Bundesrat (Këshillin Federal). Nëse do të arrihet kjo mazhorancë në votim është e paqartë.

Politikanët për çështjet e brendshme në CDU dhe CSU, sipas revistës „Spiegel” preferojnë një formulim, përmes të cilit askush të mos ndihet i diskriminuar prej nocionit „racë”.

Edhe ekologjistët janë kritikë sa i përket ndryshimit të iniciuar. Formulimi „për arsye raciste”, sipas tyre, mund të interpretohet sikur është i ndaluar vetëm një diskriminim me paramendim, tha politikania ekologjiste Katja Keul për revistën “Spiegel”. Pra me këtë ndryshim rrezikon që sfera e mbrojtur në Kushtetutë të zvogëlohet./DW/ KultPlus.com

Vajza që për 15 vjet nuk i ka prerë kurrë flokët

Jo domosdoshmërish i duhet të lëshojë flokët e saj jashtë kështjellës, që princi të mund të ngjitet, por sidoqoftë 31-vjeçarja nga Gjermania, Stefanie Classen, njihet si Rapunzel.

Flokët e Classen-it janë plot 175 centimetra të gjatë, saktësisht 7 centimetra më shumë se gjatësia e saj trupore.

Ajo e nisi këtë eksperiencë interesante kur ishte 16 vjeçe dhe prej 15 vitesh nuk i ka prerë kurrë flokët. Jo vetëm që Stefanie nuk ka në plan ta bëjë diçka të tillë, por madje ëndërron të arrijë gjatësinë 2 metra.

Nisur nga fakti se flokët i janë rritur në mënyrë të qëndrueshme, një centimetër në muaj, s’duket fort larg dita kur Rapunzeli të ketë realizuar ëndrrën e saj të çmendur./ KultPlus.com

Zbuluan vaksinën kundër COVID-19, çifti turk merr vlerësimin e lartë nga Gjermania

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, do të dekorojë zbuluesit e vaksinës kundër COVID-19, Ozlem Tureci dhe Ugur Sahin, me Urdhrin e Meritës për kontributin e tyre në “frenimin e pandemisë së koronavirusit”.

Sipas mediave të huaja, themeluesit e BioNTech, Ozlem Tureci dhe Ugur Sahin, do të marrin “Kryqin Federal të Meritës” për zhvillimin e një vaksine kundër koronavirusit, njoftoi të premten zyra presidenciale e Gjermanisë.

Dhe ky do të jetë çmimi i parë i “Urdhrit të Meritës” i presidentit Gjerman Frank-Walter Steinmeier personalisht këtë vit.

Steinmeier e përgëzoi çiftin, duke thënë se ata kishin dhënë një kontribut vendimtar “në frenimin e pandemisë së koronavirusit”, shkroi presidenti në Facebook.

Ndërkohë bëhet e ditur, se përveç Steinmeier, edhe kancelarja gjermane Angela Merkel do të marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Pallatin Bellevue më 19 mars./ KultPlus.com

Gjermania ndërton memorialin për viktimat polake të regjimit nazist

Më shumë se 75 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kanë filluar përgatitjet e përkujtimores për viktimat polake të regjimit nazist, që do të ndërtohet në Berlin.

Një komision i përbërë nga ekspertë gjermanë dhe polakë u takua për herë të parë sot për të diskutuar një koncept për memorialin, me një rezultat që pritet në fund të verës.

“Memoriali do të jetë një vend takimi dhe shqyrtimi i historisë, ku qytetarët gjermanë dhe polakë mund të takohen dhe të thellojnë marrëdhëniet e tyre”, shkruhet në propozimin e paraqitur nga parlamenti.

“Ndërsa Holokausti ulet me të drejtë në vendin qendror të kujtesës sonë, si kapitulli më i errët i historisë gjermane, diku tjetër ka boshllëqe”, tha ministri i Jashtëm, Heiko Maas, me rastin e takimit.

“Pikërisht në Poloni nisi marrëzia e luftës racore-ideologjike të shfarosjes në Europën Lindore”, shtoi ai.

Memoriali është i pari që përfaqëson një grup kombëtar të viktimave nga Lufta e Dytë Botërore në Berlin. /atsh/ KultPlus.com

Në rrugët e Gjermanisë vendosen kabina për t’u krijuar strehë të pastrehëve

Në rrugët e një qyteti gjerman po vendosen kabina në të cilat nuk mund të depërtojë uji dhe era dhe kjo është bërë për tu ofruar strehim të pastrehëve.

Kabinat prej çeliku dhe druri të cilat zënë deri në dy persona, mbrojnë nga të ftohtit, era dhe lagështia. Ato garantojnë po ashtu edhe rifreskim të ajrit, shkruan The Independent.

Kabinat janë vendosur në qytetin Ulm, në perëndim të Munihut, në parqe dhe vende të tjera ku flenë zakonisht njerëzit e pastrehë.

Kabinat janë të pajisura po ashtu edhe me panele solare dhe janë të lidhura me rrjetin e radios, duke u mundësuar banorëve të tyre që të komunikojnë pa pasur nevojë për lidhje mobile. / KultPlus.com

Shqiptari bëhet baba i katërnjakëve në Gjermani

Katërnjak kanë lindur në Klinikën e Gjinekologjisë në spitalin e Augsburgut, gjë që ndodh një herë në 100 vjet mesatarisht pa terapi të fertilitetit, transmeton KultPlus.

Së pari erdhi Leoni pastaj Luis, vazhdoi Aroni dhe në fund Beni. Lindja e katërnjakëve të Michaela Seidl dhe partnerit të saj Valmir Bytyqit në spitalin e Augsburgut zgjati tre minuta. Dhe gjëja më e mirë e kësaj është se katër djemtë janë shumë të shëndetshëm, të gjithë kishin peshë 1.300 gramë dhe po merrnin frymë në mënyrë të pavarur që nga fillimi.

Por për shkak se ata duhej të vinin në jetë me prerje cezariane dy muaj më herët, ata janë në kujdesin intensiv për fëmijë të parakohshëm dhe më pas dolën.

Lindja e katërnjakëve pa terapi për fertilitet është jashtëzakonisht e rrallë. Ekspertët vlerësojnë se ka lidhje të katërnjakëve në 1.853 raste.

Për momentin Leon, Luis, Aron dhe Ben janë ende në stacionin e monitorimit të klinikës së fëmijëve. Nëna Michaela dhe babai Valmir vijnë çdo ditë për të përqafuar fëmijët e tyre, për t’i ndjerë ata. Të katërt ushqehen ende përmes një tubi gastrik, por gradualisht ata kalojnë në një formulë speciale të shishes. Prindërit e tyre ndoshta do të jenë në gjendje t’i marrin ata në shtëpi. / KultPlus.com

Kjo është 101-vjeçarja që mori vaksinën e para në Gjermani

Sot filloi vaksinimi kundër Covid-19 në Gjermani, disa orë pas dorëzimit të dozave të para dhe kjo lëvizje është në kundërshtim me planin për fillimin e koordinuar të fushatës së imunizimit të Bashkimit Evropian të njoftuar për nesër.

Çdo ditë vonesë do të thotë një numër më i lartë i njerëzve të infektuar, tha Tobias Kruger, drejtori i shtëpisë për të moshuarit në Halberstadt.

Ai tha se 40 nga 59 përdoruesit e shtëpisë ishin vaksinuar së bashku me dhjetë nga rreth 40 punëtorë.

Personi i parë që mori vaksinën ishte 101-vjeçarja, Edith Kwoizalla. Në konferencën e sotme për shtyp, Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn tha se vaksina është thelbësore për t’i dhënë fund pandemisë dhe për të kthyer jetën në normalitet.

Deri më tani, 1,627,103 njerëz janë infektuar në Gjermani dhe 29,422 njerëz kanë vdekur./ KultPlus.com

I pari vit i ri që gjermanët do ta festojnë pa fishekzjarrë

Gjermanët, të njohur për festën e fishekzjarrëve në natën e ndërrimit të viteve, për herë të parë do ta festojnë Vitin e Ri shumë më qetësisht, falë një ndalimi të shitjes së fishekzjarrëve, i detyruar nga pandemia.

Nën moton “Drita të ndezura. Viti mbaroi”, banorëve u kërkohet të ndezin dhe fikin dritat e tyre për pesë minuta duke filluar nga mesnata e 31 dhjetorit për të shënuar fillimin e vitit 2021.

“2020 ka kërkuar shumë prej nesh. Po ia dalim sepse qëndruam të bashkuar. Dhe kjo është pikërisht ajo që duam t’i tregojmë gjithë botës në ditën e fundit të vitit”, tha kryetarja e bashkisë së Këlnit, Henriette Reker në një deklaratë.

Një deklaratë nga autoriteti i qytetit i nxit njerëzit të qëndrojnë në shtëpi dhe të përmbahen nga hedhja e fishekzjarrëve në prag të Vitit të Ri, një traditë e njohur në të gjithë Gjermaninë.

Si pjesë e masave të bllokadës të rënë dakord nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe 16 landet e vendit, do të ketë një ndalim të shitjes së fishekzjarrëve në prag të natës së Vitit të Ri. /atsh/ KultPlus.com

Merkel prezenton masat e reja: Gjermania do të izolohet nga e mërkura deri më 10 janar

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka njoftuar mbylljen e dyqaneve, shkollave dhe qendrave të kujdesit ditor para Krishtlindjeve për të ndaluar rritjen e rasteve të koronavirusit.

Këto rregulla të reja do të hyjnë në fuqi nga e mërkura dhe do të kenë efekt deri më 10 janar.

Në një konferencë shtypi pas një takimi të udhëheqësve federalë dhe shtetërorë, ajo tha se vendi kishte nevojë urgjente për të adresuar rritjen eksponenciale të infeksioneve COVID-19.

Vendimi pritet të shkaktojë debate të mëdha për shitësit me pakicë, sistemin arsimor dhe publikun përpara festave të Krishtlindjeve.

Ku konsistojnë kufizimet e reja?

Të gjitha dyqanet dhe shërbimet jo-thelbësore do të mbyllen deri më 10 janar, duke përfshirë parukierët të cilët mbetën të hapur nën bllokimin aktual “lite”.

Shkollat mbyllen dhe mësimi vazhdon në shtëpi në internet si dhe të zgjasin pushimet e Krishtlindjeve deri më 10 janar.

Qendrat e kujdesit ditor gjithashtu do të mbyllen, por prindërit do të jenë në gjendje të bëjnë pushime me pagesë në mënyrë që të kujdesen për fëmijët e tyre.

Punëdhënësit inkurajohen të lejojnë punonjësit të punojnë nga shtëpia.

Njerëzit nuk do të lejohen të pinë alkool në publik.

Ngjarjet fetare në kisha, sinagoga dhe xhami mund të ndodhin nëse ndjekin rregullat e higjienës, por kënga komunale nuk lejohet.

Shtetet ende planifikojnë të lehtësojnë kufizimet më të rrepta të kontaktit për 24-26 Dhjetor në mënyrë që anëtarët e ngushtë të familjes të mund të kalojnë Krishtlindjet së bashku – një familje mund, gjatë kësaj kohe, të ftojë deri në katër të rritur nga familjet e tjera, por vetëm nga familja e afërt, plus çdo numër të fëmijë nën pesëmbëdhjetë vjeç.

Njerëzit mund të mos blejnë fishekzjarre për prag të Vitit të Ri.

Kancelarja gjithashtu rekomandoi që familjet që po planifikojnë të takohen duhet të izolojnë para një jave për të qenë të sigurt./ KultPlus.com

Daimler shpërblen punëtorët në gjermani me 1 mijë euro, “bonus për koronën”

Prodhuesi gjerman i veturave, Daimler, i cili ka nën pronësi Mercedesin, ka treguar se do t’i shpërblejë punëtorët në Gjermani me 1 mijë euro si “bonus për koronën”, për të ndihmuar personelin për të kaluar pandeminë.

“Për shkak të Koronës, 2020-ta ishte një vit shumë sfidues. Gjatë kësaj kohe të jashtëzakonshme, kompania gjithmonë ka mund të llogarisë në fleksibilitetin dhe gatishmërinë e forcës sonë punëtore,” ka thënë shefi i personelit të Daimler, Wilfried Porth, transmeton KOHA.

Rreth 160 mijë të punësuar në Gjermani do të marrin këtë bonus, kanë thënë nga kompania Daimler, e cila ka nën pronësi Mercedes-Benzin. / KultPlus.com

Zhduket skulptura “e veçantë” nga druri në Gjermani, nisin hetimet

Policia gjermane i ka nisur hetimet për zhdukjen e një skulpture të bërë nga druri në një zonë malore në Bavari. Skulptura e kishte formën e organit gjenital mashkullor.

Objekti dy metra i gjatë duket se është copëtuar me mjete të mprehta gjatë fundjavës, raportoi një gazetë lokale gjermane.

Skulptura e çuditshme kishte qëndruar për vite të tëra në malin Gruenten, që ndodhet në pjesën jug-perëndimore të Mynihut, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Nuk dihet se kush është autori i skulpturës që është bërë ikonë e malit të lartë 1.738 metra, duke tërhequr shumë alpinistë.

Edhe shërbimi i hartave në internet, Google Maps, e kishte njohur statusin e kësaj skulpture, duke e shënuar si monument kulturor.

Askush nuk e di as si është ngjitur në majë të malit skulptura që peshonte rreth 200 kilogramë.

Sipas një teorie, të raportuar në mediet gjermane, thuhet se skulptura ishte dhuratë e padëshiruar për ditëlindje, e përgatitur nga një grup i të rinjve gjermanë për një shok. Kur ai ua refuzoi dhuratën, ata vendosën që ta çojnë në majë mali përmes sajës. / KultPlus.com

Punëtori shqiptar mahnit nga Gjermania: Interpreton në piano melodi shqipe (VIDEO)

Fakti që kanë lënë Kosovën dhe punojnë punë fizike në perëndim kjo nuk e zbehë aspak personalitetin dhe vlerat që kanë shqiptarët që jetojnë në Evropë.

Shumë të rinj shqiptarë kanë kryer universitetet në Kosovë, por në pamundësi që të gjejnë një vend pune kanë shkuar në perëndim që të punojnë dhe të sigurojnë një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre.

Në mesin e tyre është edhe Gazmend Geci i cili pas luftës në Kosovë, është detyruar të lë vendlindjen dhe të udhëtojë për punë në Gjermani.

Edhe ai si shumica e shqiptarëve punojnë punë fizike në këtë vend.

Të hënën gjatë punës, Gazmendi ka hasur në një piano të braktisur diku në Gjermani. Duke qenë se Gazmendi ka njohuri edhe për artin dhe muzikën për një moment ka lënë punën dhe ka ekzekutuar në piano disa melodi të këngëve shqipe.

Ai madje është futur live në facebook, duke interpretuar këngën “Hajredin Pasha”, një ndër këngët më të pëlqyera shqiptare.

 Geci tutje është shprehur se falënderon nga zemra të gjithë për përkrahjen dhe se kjo është një mënyrë qysh mërgimtarët e kalojnë mërzinë për vendlindjen./ KultPlus.com

https://www.facebook.com/plugins/video.php?height=476&href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2FGazmendGeci%2Fvideos%2F10219715854420951%2F&show_text=false&width=267

“Shoqata e mjekëve shqiptarë” organizon Konferencën e I ndërkombëtare

Shoqata e mjekëvë shqiptarë në Gjermani (Gesellschaft der albanischen Ärzte in Deutschland) dhe “Albanian Committee of Medical Students” do të organizojnë në datat 4,5, dhe 6 dhjetor 2020 Konferencën e I mjekësore ndërkombëtare me pjesëmarrjen e veçantë të mjekëve nga “Shoqata e mjekëve shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar”.

Konferencës së parë të këtij lloji në Shqipëri i janë bashkuar jo vetëm mjekët shqiptarë në Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar, por gjithashtu referues nga Italia, SHBA dhe Australia. Konferenca do të zhvillohet në mënyrë virtuale në platformën “Zoom”.

Për të gjithë ata që janë të interesuar afati i dërgimit të abstrakteve shkencore është data 14 nëntor 2020, ndërsa afati i rregjistrimit si pjesëmarrës në konferencë është 25 nëntor 2020.

Në njoftimin e tyre “Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Gjermani” fton të gjithë studentët shqiptarë të mjeksisë si dhe të gjithë mjekët shqiptarë kudo që janë të na bashkohen në këte projekt ambicioz./ KultPlus.com

‘111 arsye për të dashur Shqipërinë’, gjermani i apasionuar pas tokës së shqiponjave

Turistin gjerman Joerg Doisher e kemi takuar verën e 2019  në Tiranë teksa përpiqej të orientohej në kryeqytet, por me të këqijat dhe të mirat e saj ai e ka pranuar Shqipërinë.

Për më shumë se një dekadë Jorg ka zbuluar jugun dhe veriun e vendit tonë, për të rrëfyer më pas në një libër 111 arsyet për ta dashur Shqipërinë.

Jorg ka vizituar për herë të parë Shqipërinë në vitin 2006 , e tregon se pasi është larguar drejt Berlinit ka pasur dëshirën të shkruajë për përjetimet e tij këtu. Më pas ikje ardhjet këtu ishin të shpeshta, nuk numërohen. Ndërsa prej një viti shtëpia e tij është kthyer Lukova.

Për shkrimtarin gjerman libri është një deklaratë dashurie për një nga vendet më të bukura në botë, i cili gjendet ngahera në ndërtim e sipër. /tch/ KultPlus.com