Në Munih themelohet teatri shqiptar ‘Fanny Show’

Së fundi, aktori dhe regjisori shqiptar, Behxhet Beka, ka njoftuar themelimin e një teatri shqiptar në Munih. Teatri “Fanny Show“ do të dalë së shpejti në skenë me premierën e parë, transmeton KultPlus.

“Pasioni dhe profesioni, bënë që pas një pune të gjatë dhe angazhimi maksimal, arritëm me sukses ta themelojmë teatrin shqiptar në Munih të Bavarisë”, shprehet regjisori dhe aktori i mirënjohur, Behxhet Beka.

Pra, pas një pune dhe angazhimi të vazhdueshëm, Beka me miqtë e mikeshat e tij dhe dashamirët e artit skenik realizuan synimin dhe u bë themelimi i teatrit shqiptar, i cili u prit me një interes dhe respekt të jashtëzakonshëm nga mërgata shqiptare, këtu në Bavari. 

Artdashësit shqiptarë treguan gatishmëri që ta përkrahin teatrin edhe në aspektin material. Përveç të tjerash, ndihmë ofroi ndërmarrja „Knoche„, e cila është në pronësi të Sali Krasniqit, shkruan uraebashkuar.

Duhet theksuar se teatri “Fanny Show“ në Munih do të dalë në skenë me premierën e parë brenda një kohe relativisht të shkurtër e, ne u dëshirojmë suksese grupit të artistëve. / KultPlus.com

Ermonela Jaho interpreton “Suor Angelica”, mahnit Mynihun (VIDEO)

Ermonela Jaho sjell një interpretim të jashtëzakonshëm në rolin e Anxhelikës, duke përcjellë një brishtësi të thellë përmes një toni plot dritë dhe më pas vërtetë shpërthyes, kur personazhi arrin pikën psikologjike të thyerjes.

Kështu e nis kritika gjermane përshkrimin e interpretimit të sopranos shqiptare me famë ndërkombëtare, Ermonela Jaho, duke iu referuar rolit të saj “Suor Angelica” (“Motër Anxhelika”) në operën me të njëjtin titull, vënë së fundmi në skenën e Mynihut.

Ermonela Jaho sjell një performancë të jashtëzakonshme si Motër Anxhelika, duke përcjellë emocione të jashtëzakonshme përmes timbrit të zërit dhe zbërthimit psikologjik që i bën personazhit të saj.

Motër Anxhelika kapet pas një vizioni qiellor: Pasi ka humbur prej dy vitesh djalin e saj të vetëm, ajo vendos të bëjë jetën e murgeshës si një shpagim, teksa beson se e dëgjon djalin e saj duke e thirrur që të takohen në parajsë.

Në tentativë për të kryer vetëvrasje, Motër Anxhelika pi helm, por shpejt kupton se ka kryer një mëkat të vdekshëm dhe mallkon veten për ndarjen e përjetshme nga i biri. Ky subjekt i operës së famshme, shkruar nga Giacomo Pucini, u vu për herë të parë në skenë në vitin 1918, por vijon të pëlqehet në mbarë botën edhe pas një shekulli, shkruan atsh.

Pas suksesit në “Bayerische Staatsoper Munchen”, 26 korriku do ta gjejë Ermonela Jahon sërisht krah Placido Domingos, në Operën e Madridit me një tjetër premierë. /KultPlus.com

Nis “Oktoberfest”, festivali i birrës në Munih

Në Munih është koha për të lënë pas krahëve problemet e për të shijuar birrën. Parakalimi i një karroce me kalë, karuzelët e bandat muzikore i dhanë nismë edicionit të 184 të festivalit të famshëm “Oktoberfest”.

Kryebashkiaku i Munihut, Dieter Reiter i vendosi rubinetin fuçisë së parë të birrës duke e shpallur zyrtarisht të hapur festivalin më të madh të birrës në botë.

Miliona vizitorë nga e gjithë bota pritet të vijnë në kryeqytetin Bavarez përgjatë 18 ditëve të ardhshme.

Organizatorët shpresojnë që aktiviteti të josh rreth 7 milionë njerëz, më shumë se sa vitin e kaluar kur pati 5.6 milionë vizitorë, transmeton tch. Moti me shi nuk i pengoi pjesëmarrësit e parë të paduruar, me turma të mëdha njerëzish që mbërritën përpara ceremonisë hapëse në 12 të drekës.

Për të dytin vit radhazi festivali do të zhvillohet nën masa të rrepta sigurie, ku do të përfshihen kontrolle në hyrje, vendosja e një gardhi rreth zonës ku do të zhvillohet aktiviteti dhe ndalimi i çantave të mëdha. Masa të tilla u aplikuan për herë të parë në historinë e festivalit vitin e kaluar pas serisë së sulmeve të dhunshme që goditën Gjermaninë jugore. Megjithë masat e shtuara të sigurisë, pjesëmarrësit në “Oktoberfest”, nga bavarezët autoktonë tek turistet po festojnë si zakonisht.

“Ne nuk shqetësohemi për këtë. Nëse ndodh, ndodh. Por këtu ka mjaftueshëm policë dhe besoj gjithçka do të shkojë mirë”, shprehet një vizitor.

Edicioni i 184 i “Oktoberfest” do të përfundojë në 3 tetor./ KultPlus.com