Shqiptari Gezim Gashi së shpejti publikon librin e tij debutues në SHBA

Gezim Gashi do të publikoj librin e tij debutues më 29 nëntor të këtij viti, me ç’rast libri i titulluar ”Unlocked: the power of you”, do të jetë i disponueshëm në Amazon në mbarë botën si dhe në libraritë në ShBA, përfshirë këtu edhe bibliotekën prestigjioze ‘New York Library’, shkruan KultPlus.

”Unlocked: the power of you” është një libër që përfshihet në kategorinë ‘self-help books’ dhe ka të bëjë me mënyrën se si të plotësoni 12 hapa për gjetjen e çelësit për veten tuaj të vërtetë dhe se si të nxjerrim potencialin e juaj më të madh.

Libri ende nuk ka një datë të planifikuar për botim në Kosovë, por është menduar gjatë vitit 2022. Po ashtu, Gezimi pritet të zhvillojë një turne nëpër botë, e njëra ndër ndalesat e tij patjetër që do të jetë Prishtina.

Teksa autori ndante historinë e tij të jashtëzakonshme duke filluar nga ikja e gjenocidit në Kosovë e deri tek të folurit në Universitetin e Harvardit si shqiptari-suedez i parë që krijoi një institut arti dhe argëtimi në Los Anxhelos, e po ashtu si një mentor global i muzikës dhe këshilltar i menaxhimit, Gezim Gashi harton rrugën drejt suksesit dhe përmbushjes personale.

Historia e Gezimit dëshmon se zhbllokimi i vetes sonë autentike nxjerr potencialin tonë më të madh në një botë pa kufij, e sidomos tani pas pandemisë. / KultPlus.com

Los Angeles rihap shkollat

Qindra mijëra nxënës të Los Angeles do të mund të rikthehen në shkollë muajin e ardhshëm, rreth një vit pas kalimit online të mësimit në SHBA për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Distrikti i dytë më i madh shkollor në SHBA është në procesin e rifillimit të shkollës, ndërkohë që ekspertët dhe prindërit nënvizojnë se të rinjtë po vuajnë këtë shkëputje të gjatë.

Parashkollorët dhe shkollat ​​fillore në Los Angeles pritet të rihapen në gjysmën e parë të prillit, sipas një marrëveshje mes distriktit dhe një sindikate të mësuesve.

Kolegjet dhe gjimnazet do të vazhdojnë të jenë të mbyllura deri në fund të prillit.

Marrëveshja vendos si kusht vaksinimin e personelit arsimor dhe një ulje të kufizimeve shëndetësore në Los Angeles.

Ajo duhet të miratohet gjithashtu nga komisioni i shkollës dhe anëtarët e sindikatës ”United Teachers” të Los Angeles./ atsh / KultPlus.com

Nënë e bijë pilote, historia e dy grave që po frymëzon të rinjtë

Donna Garrett, e rritur në Los Anxhelos, është vajza e dy prindërve pilotë, që i janë kushtuar gjatë gjithë jetës këtij profesion. Në fakt, nëna e saj, Suzy Garrett, është një nga pilotet e para femra për kompaninë rajonale amerikane, SkyWest.

Në fëmijërinë e saj, Donna e shihte punën e prindërve si diçka shumë të mërzitshme, por me kalimin e kohës, ajo filloi të frymëzohej nga pasioni i prindërve, e sidomos nga liria që ata gëzonin për të eksploruar botën, e për këtë vendosi të ndiqte karrierën në fluturim.

Në shtator 2019, Donna nisi të operojë në një aeroplan së bashku me Suzy-n, duke u bërë ekipi i parë pilot, nënë dhe vajzë. Fluturimi i tyre i parë ndodhi rreth një vit më parë, por vetëm javët e fundit, historia e Donna-s dhe Suzy-t u bë befas virale. Fotot nënë e bijë, duke buzëqeshur me krenari në kabinën e avionit, u përhapën me shpejtësi në të gjitha mediat sociale.

“Ne e dinim që ishte me të vërtetë diçka e veçantë”, shprehet Suzy, teksa kujton reagimin e të gjithëve, si një nga ndjesitë më të mira që ka përjetuar gjatë përvojës së saj të punës. E befasuar, Suzy tregon me shaka se këto kohë ka bërë më shumë fotografi sesa në dasmën e saj. Pasagjerët, stjuardesat, por dhe njerëz të tjerë vijnë dhe shprehin dëshirën për të bërë fotografi me ne dhe kjo padyshim tregon se mbështetja është vërtet e madhe”, thotë ajo.

Dyshja, nënë e bijë, kishin shpresuar të përsërisnin përvojën e tyre në një fluturim së bashku edhe në vitin 2020, por planet e tyre u ndalën nga pandemia e Covid-19. Tani për tani, Suzy është në Los Anxhelos dhe Donna në Çikago dhe si shumë familje, ata nuk kanë qenë në gjendje të kalojnë shumë kohë së bashku këtë vit.

Imazhi i tyre që ndanin një kuvertë fluturimi padyshim u pa si një nga më të veçantët në aviacion, por gjithashtu simbolizoi një moment historik në udhëtimin e vështirë me të cilin përballen shumë gra pilote dhe kjo është një nga arsyet që dyshja mendon se pse historia e tyre bëri jehonë në të gjithë botën.

Suzy Garrett filloi të punonte për SkyWest në vitin 1989. Gjithmonë, kishte ëndërruar të bëhej pilote, por për ta arritur këtë dhe për të qenë e suksesshme, rruga e saj nuk ka qenë shumë e thjeshtë. Suzy tregon sesa e vështirë ishte më parë për një grua të bëhej pilote dhe se e vetmja mënyrë për të plotësuar këtë dëshirë ishte duke u bërë pjesë e forcave ushtarake, çka për të ishte e pamundur për shkak të gjatësisë së saj fizike, që nuk përputhej me kriteret e kërkuara nga ushtria. Megjithatë, e vendosur për të pasur sukses, ajo u regjistrua në shkollën e aviacionit në Kolegjin Mount San Antonio në Kaliforni, në 1984 dhe më vonë, arriti të punonte si instruktore fluturimi për disa vjet para se të niste punë në kompaninë SkyWest, ku vazhdon të jetë edhe sot.

Tridhjetë vjet më parë, aviacioni në Amerikë dominohej nga burrat, por sot situata ka ndryshuar paksa, ndonëse sipas shifrave të Byrosë Amerikane të Statistikave të Punës, 92.5% e pilotëve profesionistë janë meshkuj. Organizata të ndryshme dhe politikat shtetërore po punojnë vazhdimisht për ta bërë aviacionin më të arritshëm duke dhënë bursa apo duke u përpjekur për të përfaqësuar shumë grupe jo të përfaqësuara në aviacion, si njerëzit me ngjyrë apo gratë.

Megjithatë, edhe pse pranon vështirësitë që ka hasur, Suzy thotë se nuk përballet me ndonjë diskriminim në kabinën e pilotit pasi është ndjerë se ka të njëjtën aftësi si homologët e saj meshkuj. Vërejtjet, më së shumti, ajo i ka marrë nga njerëz që nuk e njohin profesionin e saj dhe janë shprehur skeptik për aftësitë e grave si pilote. Për këtë arsye, Suzy brohoret çdo ndryshim që mund të ndryshojë këtë perceptim dhe të ndihmojë gratë të jenë të suksesshme në këtë industri, në të cilën ajo shpreson të ketë frymëzuar gra e vajza të reja, siç ka bërë dhe me vajzën e saj.

Nga ana tjetër, Donna nisi të mësonte hapat e para në këtë profesion nga babai i saj, më pas ndoqi studimet në dy shkolla fluturimi në Kaliforninë Jugore, e mandej përfundoi trajnimin në Miçigan. Sot, që ndodhet në fillimet e karrierës së saj, arrin të kuptojë se padyshim nëna e vet është një pioniere në këtë fushë dhe se ajo çfarë ka bërë është mbresëlënëse për të gjitha gratë dhe vajzat e reja që dëshirojnë të ndjekin një ëndërr të tillë.

Të dyja, Donna dhe Suzy flasin me ëndje për kohën kur kanë fluturuar së bashku dhe Donna shprehet e lumtur që ka pasur mundësinë të fluturojë me një kapitene me aq përvojë, saç është nëna e saj. Dyshja shpreson se herën tjetër edhe djali i Suzy-t mund të bashkohet me ta në kabinë, pasi edhe ai është një pilot i kualifikuar dhe së shpejti do të bashkohet me SkyWest.

Nënë e bijë shpresojnë që industria të rimëkëmbet sa më parë nga kjo situatë që ka shkaktuar pandemia dhe linjat ajrore të fillojnë të punojnë përsëri. Gjithashtu, ato shpresojnë se pandemia nuk do të ndalojë aviatorët e rinj të arrijnë qëllimet e tyre. “Në këtë industri, unë kam parë shumë ulje dhe ngritje, cikle të ndryshme. Kjo është e përkohshme, ne do të kthehemi “, thotë Suzy.

Donna dhe Suzy janë të mendimit se historia e tyre dhuroi pozitivitet në këtë vit të vështirë dhe u pa si diçka frymëzuese, veçanërisht për të rinjtë dhe gratë./ KultPlus.com

Përgatitje për rihapjen e teatrove në Los Angeles

Teatri Arena Cinelounge në Los Angeles pritet që pas shumë muajsh të hapet përsëri. Mbi 60 karriget e këtij vendi, fillimisht do të mbushen me figura artistike prej kartoni.

Ky teatër pritet të hapet duke respektuar rregullat e distancimit shoqëror të mbi 15 figurave prej kartonit, që do të lejohen në çdo shfaqje. Kjo është njëra nga zgjidhjet për të zvogëluar numrin e përhapjes së koronavirusit.

“Ne do të shkojmë lart e më tej për t’u siguruar që gjithçka është në rregull e që audienca të ndihet e qetë dhe e sigurt duke qenë me ne për dy deri në tri orë”, tha pronari Christian Meoli.

Sipas Meolit, ai dhe operatorët e tjerë të teatrit do të jenë në gjendje të mirëpresin shikuesit.

Ndërsa rreth 780 kinema janë rihapur në të gjithë vendin, zyrtarët në Los Angeles County, tregu më i madh i filmave në Shtetet e Bashkuara, nuk kanë dhënë ende një dritë jeshile, duke shprehur shqetësimin për një rritje të rasteve të koronavirusit. New York City, tregu numër dy i vendit, gjithashtu nuk ka caktuar një datë për rihapjet e kinemasë.

Biznesi i teatrit është shkatërruar nga mbylljet e koronavirusit që filluan në mesin e marsit, duke lënë dhjetëra e mijëra punonjës duke marrë fonde hua.

Industria po shpreson për hapje masive në korrik, kur zinxhirët mbarëkombëtar AMC Entertainment, Cinemark dhe Kinema Regal të Cineworld janë planifikuar të kthehen në biznes. Të gjitha masat mbrojtëse të planit përfshijnë frekuentim të kufizuar, pastrim shtesë dhe maska ​​të fytyrës për mysafirë dhe punëtorë. /KultPlus.com

Talenti kosovar bën shqiponjën në Los Angelos (FOTO)

Arbër Dedaj një talent i rrallë nga Gjakova po e përfaqëson Kosovën në garat ndërkombëtare të Talentëve të Rinj që po mbahen në Los Angelos.

Arbri po shfaq një performancë të jashtëzakonshme të talentit të tij në disa aktivitete si në kitarë, lojëra tradicionale shqiptare, sfilatë të bukurisë e aktivitete të tjera. Gjatë manifestimit disa ditor talentë të rinj nga gjithë bota do të performojnë para një jurie ndërkombëtare duke shfaqur talentin dhe traditën kulturore të popullit të tyre, raporton Botapress.

Arbër Dedaj është fitues i disa garave ndërkombëtare ndërkaq pjesëmarrja në këtë garë me karakter botëror është edhe një dëshmi e talentit të tij dhe përfaqësim i denjë i kulturës shqiptare në një manifestim tradicional botëror./KultPlus.com