Luigj Gurakuqi më 1912: Shqiptarët nuk do të bëhen sllavë

“La Petite République” ka botuar të martën e 19 nëntorit 1912, në faqen e tretë, një shkrim në lidhje me intervistën e Luigj Gurakuqit dhënë gazetës “Neues Wiener Tagblatt”.

Shkrimi është si më poshtë:

“Neues Wiener Tagblatt boton një intervistë të Dr. Luigj Gurakuqit, një shqiptar i shquar, i cili udhëtoi nëpër Vjenë për t’u nisur për në Vlorë. Çështja e Lindjes nuk do të zgjidhet përfundimisht, thotë ai, nëse Serbia ose Mali i Zi pushtojnë qoftë dhe një pjesë të vetme të Shqipërisë”.

“Shqiptarët nuk duan të bëhen sllavë, ata duan të jenë të pavarur dhe do ta fitojnë pavarësinë ose do të vdesin duke luftuar për të”./KultPlus.com

Çou, pra, e m’rrok, e ma hiq ket mall, mbas qi s’munda me t’puthë gjáll

Luigj Gurakuqi

O t’shkoj n’Vlorë, o t’shkoj n’Janinë,
O t’shkoj n’shpì t’Monastirlis
N’Elbasan e n’Prishtinë
O n’ vend tjetër t’Shqyptaris
Fare s’më pvesin “prej kah jé”
Urdhno, m’thonë; jé vlla me ne.
(…)
“Çou, pra çou; del vorrit jashtë
Ngrehu n’kambë, lê dhén e zi;
T’ka ardhë vllau qi aq fort ke dashtë,
Me ty sonde don m’ u -ngí;
Çou mos m’lên mâ shum me qâ;
As t’ka marrë malli me m’pá?!!
Çou, pra, e m’rrok, e ma hiq ket mall,
Mbas qi s’munda me t’puthë gjáll!”./KultPlus.com

Luigj Gurakuqi: Shqiptarët do fitojnë pavarsinë ose do vdesin duke luftuar

Nga Aurenc Bebja

“La Petite République” ka botuar, të martën e 19 nëntorit 1912, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me intervistën e Luigj Gurakuqit në gazetën “Neues Wiener Tagblatt”, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Deklaratat e një shqiptari të shquar


Vjenë, 18 nëntor

Neues Wiener Tagblatt boton një intervistë të Dr. Luigj Gurakuqit, një shqiptar i shquar, i cili udhëtoi nëpër Vjenë për t’u nisur për në Vlorë.

Çështja e Lindjes nuk do të zgjidhet përfundimisht, thotë ai, nëse Serbia ose Mali i Zi pushtojnë qoftë dhe një pjesë të vetme të Shqipërisë.

Shqiptarët nuk duan të bëhen sllavë, ata duan të jenë të pavarur dhe do ta fitojnë pavarësinë ose do të vdesin duke luftuar për të. / KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/luigj-gurakuqi-per-neues-wiener-tagblatt-18-nentor-1912-shqiptaret-do-ta-fitojne-pavaresine-ose-do-te-vdesin-duke-luftuar-per-te/

Qindresa

Poezi nga Luigj Gurakuqi

Me gusht shkon vapa e me djelmni kalojnë
Gjith prrallat e kohës s’re;
Si n’dimën bora dhenë, kryet na zbardhojnë
Vjetët e kujdeset ne!

Me lule t’ershme e larca m’dukej shtrue
Bota sa ishe i ri;
N’gaz shkonte jeta, s’m’epej kurr m’u ankue,
Kurr zemra s’m’ndjellte zi.

Andrra t’kandshme m’livrojshin nëpër mend
Si flutra pa ia da!
T’lum si vedin nuk njifshe tjetër kend,
Nuk dijshe kurr me kja.

Zanat tek unë shpesh zdrypshin e n’Mal Shejt
M’flakrojshin me mendim;
E vetë, sa niste Apolli me dridhë pejt,
Ia thojshe kangës me gzim.

Shum herë te bregu i prronit mbulue prej barit
Ku, rrokun dorë për dorë,
Valles ia krisshin nymfat me flokë arit,
E mblidheshin kunorë.

Shkojshe prej nadjes, e nën t’kandshmen hije
T’njij lisi veshun n’gjeth,
Për t’gjatë e shtrijshe, e t’etshëm bukurije,
Syt sillshe rreth e rreth.

Rrjedha e ujit përcillë me fyell t’barisë,
Me delet tue kullotë,
M’thirrte gjumin, un’ ndejë në prehën t’gjithsisë
Nisshe ngapak m’u kotë.

Era, tue shkelë mbi lule pa lanë gjurmë,
Me flokët e mij tue luejtë
Shkonte: vetë flejshe… Engjujt, pa ba zhurmë,
Zhdrypshin nën krahë m’ m’ruejtë!

Por! andrrat sot kaluen, prrallat djelmnore
Janë zhdukun e kanë tretë;
Ideve t’bukra, shpresavet lulzore
Veç emni u ka mbetë.

Oh! jeta përnjimend me rrena e vaj
Plot qenka n’kët botë t’lashtë!
U shueka tepër shpejt lakmimi i saj,
Si zjarmi i bam’ me kashtë.

Veç nji qëllim i naltë t’ban me durue,
E zemrën ta forcon;
Ndër kundërshtime s’vyen kurr me u ligshtue,
Mjer’ ai qi nuk qindron!

Qindresa është pa dyshim poezia më e mirë e Luigj Gurakuqit dhe një nga krijimet e bukura të lirikës shqipe. Ka diçka autobiografike në këtë poezi, diçka që ta kujton jetën e Luigj Gurakuqit dhe fizionominë e tij. Jeta e Gurakuqit, njërit nga poetët, patriotët dhe publicistët e shquar shqiptarë, është, siç e ka karakterizuar Noli, një rekord “i fituar nëpër ferra, nëpër përrenj, nëpër pusira, nëpër sëmundje, në këneta kalbësie morale dhe materiale, në një vend ku zemrat janë të fishkura dhe sytë të zgurdulluar nga lakmimi i plaçkës, me të sotmen të errët dhe të nesërmen më të zezë, me privacione e me vuajtje e me tortura të çdo minute, përpara të cilave ferri i Dantes është një parajsë e bukur”.
E tillë qe jeta e këtij poeti dhe atdhetari të rrallë, i cili, duke qenë në radhë të parë luftëtar e pastaj poet, shkroi pak poezi. Qindresa është nga ato vjersha, ku poeti provon të meditojë për jetën dhe natyrën e saj. Në tetë strofat e para, respektivisht prej të dytës deri në të nëntën, poeti bën përshkrimin e ditëve të rinisë, duke evokuar çastet e lumtura, që e karakterizojnë atë në kontrast me gjendjen emocionale, në të cilën bie njeriu pasi «shijon» grushtat e jetës, gjegjësisht pasi zhvishet nga iluzionet e ditëve djaloshare. Strofa e nëntë e kësaj vjershe 11-strofëshe fillon me një “por”, e cila luan rolin e një eksklamacioni. Ëndrrat dhe iluzionet e ditëve të rinisë kanë perënduar dhe poeti është ballafaquar me realitetin e vrazhdë, shumë herë prozaik, plot rrena e vaj, si thuhet në strofën vijuese, të dhjetën me radhë; me atë botë të ashpër, e cila kërkon të jesh i fortë, i qëndrueshëm dhe stoik. Duke e filluar vjershën si një meditim poetik për jetën dhe kalueshmërinë e saj, për gëzimet dhe brengat jetësore, të kushtëzuara në radhë të parë nga faktori i moshës, Gurakuqi e përfundon atë me një porosi të qartë edukative, që afishohet sidomos në strofën e fundit të vjershës.

Qindresa është poezi e një etike të lartë dhe poetike të fortë, në kuptimin e organizimit strikt të vargut, ritmit dhe metrit. Autor i veprës së parë teorike mbi metrikën në kulturën shqiptare (Vargënimi n’Gjuhë shqype, 1906), Gurakuqi proklamonte si model të vetin estetik poezinë klasike. Në vargjet e saj metrikisht të rregullta, ku kemi një kombinim që tetërrokëshit me 16-rrokëshin me gjasëramje (rimë) të tipit AbAb, artikulohet ideja se njeriun në këtë botë duhet ta udhëheqë një qëllim i lartë dhe se vetëm ky qëllim e bën atë të fortë e të qëndrueshëm karshi vuajtjeve dhe andrallave të jetës. Për Gurakuqin njeri dhe poet, ky qëllim është çlirimi i atdheut dhe lulëzimi i tij, që ishte ideali suprem i rilindësve tanë, një përfaqësues i spikatur i botëkuptimit dhe ideve të të cilëve është edhe autori i kësaj vjershe të paharrueshme.
Në vargjet e kësaj vjershe antologjike kanë gjetur shprehje tiparet qenësore të karakterit të Luigj Gurakuqit; në të është vizatuar autoportreti i tij.

(Koment i bërë nga Prof. Agim Vinca, botuar fillimisht te gazeta “Bota e re”, 1 nëntor 1983 dhe pastaj te libri “Kënga e hapur. Antologji e komentuar”, 2005)

Agim Vinca

Tre kolosët e kombit shqiptar në një fotografi (FOTO)

Dom Ndre Mjedja, At Gjergj Fishta dhe Luigj Gurakuqi cilësohen si tri mendje të ndritura që lanë gjurmë në letërsi dhe mbrojtën identitetin kombëtar.

Edhe pse kanë kaluar shumë vite nga vdekja e tyre, kontributi i tyre kombëtar kujtohet e vlerësohet edhe sot. Fëmijët vazhdojnë të rriten me poezitë e shkrimet e tyre, vargu i tyre depërton realitetin e kohës në të cilën ata kanë jetuar.

KultPlus ju sjellë një fotografi ku të përbashkët të Dom Ndre Mjedës, At Gjergj Fishtës dhe Luigj Gurakuqit. / KultPlus.com

93 vjet nga vrasja e Luigj Gurakuqit

Luigj Gurakuqi ishte veprimtar i çështjes kombëtare, hartues dhe nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, poet, arsimtar, tekstolog, gjuhëtar, diplomat, deputet dhe Hero i Popullit shqiptar. Ai shkroi deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë. Dora e tij shkroi alfabetin e miratuar nga Kongresi i Manastirit.

Është një nga personalitetet më të shquara të lëvizjes sonë kombëtare, arsimore e kulturore në fundin e Rilindjes Kombëtare dhe të fillimeve të Pavarësisë duke përjetuar ngjarjet më kulmore të jetës së vendit në çerekun e parë të shekullit tonë në shumicën e të cilave në mos organizator, qe pjesëmarrës i drejtpërdrejtë. Në shkrimet e tij përdorte emrat e pendës Jakin Shkodra e Lek Gruda.

Lindi në Shkodër më 20 shkurt 1879, ndërsa në një dorëshkrim shënohet data 19 shkurt 1880 dhe u rrit në gjirin e një familje tregtare të kulturuar shkodrane, nga prindërit Pjetër e Leze Gurakuqi. Me edukimin e tij u mor në mënyrë të veçantë i ati. Pjetër Gurakuqi ishte një tregtar me kulturë relativisht të ngritur, me një rreth të gjërë shokësh e miqsh në mes tregtarëve e intelektualëve të Shkodrës, me një jetë aktive në pazarin e qytetit dhe me marrëdhënie tregtare me Venedikun e Milanon. Shtëpia e këtij tregtari të kulturuar e të shëtitur gumëzhinte nga hyrjet e daljet e njerëzve që vinin të diskutonin hallet e kohës e të merrnin vesh lajmet e botës. I ndodhur përherë pranë të atit, dëgjonte me vëmendje bisedat e diskutimet për ngjarje të së kaluarës dhe të ditës, për luftërat heroike të popullit kundër pushtuesit otoman dhe grabitqarëve ballkanikë dhe për burrat që i udhëhoqën ato. Duke kujtuar këto vite, Gurakuqi student do të shkruante:

“Më çohet mall me kenë në shpi e me ndigjue baben tue kallzue, si përpara, në ngjarjet e Pashallarvet të Shkodres, trimnitë e malcorvet e luftat e Malit te Zi, sende qi kishte ndî prej t’et e që edhe ai vetë shume kish pa”.

Shkollën fillore e të mesme jo të plotë i ndoqi në Kolegjin Saverian në rendin tekniko-tregtar,që ishte shkolla më e organizuar dhe më e kompletuar që kishte Shqipëria e asaj kohe. Luigji qe ndër nxënësit më të zellshëm të shkollës dhe shumë shpejt, që në moshën 13 vjeçare i shfaqen prirjet për gjuhën shqipe dhe krijime letrare, vjershën e parë e ka shkruar 13 vjeç. Prej Kolegjës Saveriane doli më 1897. Më pas plotëson arsimin e mesëm në Kolegjin arbëresh e Shën-Mitër Koronës, ku pati mësues De Radën, figurë që e frymëzoi për tërë jetën; ai ishte nxënësi i parë shqiptar aty. Takimin me ‘të, Gurakuqi e kujton:
“… tue pà syt e tij të mekun kah ndizeshin e shkëlqeshin, tue e përmendë Shqipnín, unë gjith përmallue, nuk mujta me u ndalë pa lëshue, bashkë me dy pika lot, nji të puthun të nxehtë mbi at dorë që punoi sá e sá për Atdhé…!”

Diplomën e pjekurisë e merr në Kozencë për sciences naturelles, duke pas ndjekur dhe kurse të veçanta në filozofi. Vijoi studimet universitare në Napoli (Itali) në Fakultetin e Mjekësisë në vitet 1901-1906, ku njohu Zef Skiroin, profesorin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Institutin Lindor të Napolit. Veprës së Skiroit Luigji do t’i përpilonte një parathënie, të cilën Konica do ia paraqiste botës frënge me një përkthim fort të bukur në të përkohshmen “Albania”. I përpirë nga ajo frymë që i kushtohej Shqipërisë detyrohet me lanë studimet përgjysmë që t’i kushtohej valës së luftërave për lirinë kombëtare duke marrë emrin e tyre në pseudonimin Lekë Gruda.

Me veprën “Vargënimi n’gjuhë shqype me nji fjalorth shqyp-frengjisht n’marim” (Napoli, 1906) bëri të parën përpjekje të suksesshme për kodifikimin e metrikës së poezisë shqiptare. Po atë vit botoi në Bukuresht librin “Abetar i vogël shqyp mas abevet t’Bashkimit e t’Stambollit me tregime n’dy dhialektet” e në Napoli “Fjalorth Shqyp-Frengjisht e Frengjisht-Shqyp i fjalëve të reja” etj. Luigj Gurakuqi botoi mjaft poezi që dallohen për përmbajtjen patriotike, për lirizmin dhe teknikën e vjershërimit. Me artikujt e tij ai dha edhe një ndihmesë me rëndësi në mendimin estetik e në kritikën letrare shqiptare. Sa i përket vokacionit të tij të gjuhës shqipe, Atë Justin Rrota «gjuhën shqype e njofti mâ mirë e mâ këthelltë se çdo shqyptár”.

Ngatërresën e parë me autoritetet turke e pati më 1904 nga shkaku i një botimi të vogël mbi kolonitë shqiptare në Itali “Dy Koloní Shqiptare n’Italí deri tash të panjohtuna” Më 1905 u shtrëngua me marrë malet për t’i shpëtuar ndjekjeve. Me shpalljen e Kushtetutës falen të gjithë ç’kishin bërë faje politike.

Më korrik 1908 mbërrin në Shkodër i adhuruar nga populli, mban një fjalim në shqip në praninë e Komitetit të Turqve të Rinj, e përcjellin deri në shtëpi. Në nëntor merr pjesë në Kongresin e Manastirit krah përfaqësuesve nga Shkodra: Atë Fishtës, Dom Mjedës, Hilë Mosit e Mati Logorecit; ku u zgjodh nënkryetar dhe anëtar i komisionit për njësimin e alfabetit. Bashkë me Fishtën ishte përfaqësues i “Bashkimi”-t, me Logorecin kishin mandat të përfaqësonin inteligjencën shkodrane, gjithashtu vetë Luigji kishte mandat të përfaqësonte arbëreshët e Italisë.

Gurakuqi pati meritën dhe fatin që udhëhoqi drejtpërdrejtë luftën për krijimin e shkollës kombëtare shqiptare dhe të sistemit tonë arsimor. Nën drejtimin e tij u hodhën themelet e para të sistemit arsimor fillor shtetëror në Shqipëri. U krijua përvoja e parë e ngritjes së administratës arsimore shqiptare, u hartuan dokumentat e para shkollore, u ngrit një sistem i tërë i përgatitjes dhe i kualifikimit të mësuesve. Dora e tij shkroi alfabetet e miratuar nga Kongresi i Manastirit dhe i zbuloi para delegatëve.

Në tetor të 1909 u emërua drejtor i së parës shkollë normale që u hap në Elbasan, ku dha një ndihmesë me vlerë për vënien e arsimit mbi baza kombëtare. Gurakuqi ka meritën se përcaktoi drejt e qartë, më shumë se çdo paraardhës, konceptin mbi shkollën kombëtare shqiptare, përmbajtjen, karakterin dhe parimet e ndertimit të saj. Ai kërkonte që gjithë fryma dhe përmbajtja e shkollës të ishte në funksion të qëllimeve dhe idealeve kombëtare. Gurakuqi është tekstologu më i shquar shqiptar i fillimit të shekullit tonë. Ai i dha shkollës shqipe, si autor e bashkautor, 8 tekste mësimore me një vëllim prej 738 faqesh.

Detyrohet me ikë prej Elbasanit, të dalë jashtë shtetit bashkë me Aqif pashë Elbasanin. Në prill 1911 merr pjesë në kryengritjen e malësorëve të Mbishkodrës e si një nga udhëheqësit e saj, harton së bashku me Atë Mati Prennushin Memorandumin e Greçës, apo Librin e Kuq siç njihet ndryshe të malësorëve kryengritës, zjarri i armëve të të cilëve do të paralajmëronte pavarësinë. Më 1912 zhvillon një veprimtari të dendur për organizimin e kryengritjes së përgjithshme, duke qenë i pranishëm në Toskëri dhe më vonë edhe pranë krerëve të Kosovës. Mori pjesë në mbledhjen e Bukureshtit, dhe do merrte pjesë në shtegtimin nga Bukureshti në Vienë. Me vaporrin e dhënë nga austro-hungarezët duke shoqëruar Ismail Qemalin zbret në Durrës më 24 nëntor në orën 4 mbasdite, u nisën të nesërmen me 25. Një natë fjetën në Çermë tek Dervish bej Biçakçiu, dhe një natë në Fier tek Omer Pashë Vrioni. Në Vlorë mbërritën më 27 dhjetor në darkë.
Në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës (dhjetor 1912) u zgjodh Ministër i Arsimit dhe vendosi arsimimin e detyruar fillor për djem e vajza. Merr pjesë në Konferencën e Londrës më 1913, me Ismail Qemalin e Isa Boletinin. Nga gjendja e tensionuar në Shqipërinë e mesme, pasi qëndresa nuk u shfaq e frytshme tërhiqet në Shkodër me Aqif pashën ku vihet në krye të një Komisioni Sundimtar të Përkohshëm. Me Luftën i Botërore Shkodra pushtohet nga ushtria malazeze, Luigj Gurakuqi internohet në Podgoricë nga 17 korriku 1915 deri në janar 1916.

Gjatë pushtimit austro-hungarez, prania e Komparmatës XIX të komanduar nga gjen. Trollmann vihet drejtor i përgjithshëm i Arsimit, hapi shumë shkolla shqipe. Qe një nga themeluesit e Komisisë Letrare më 1916. Profesori i Filologjisë romane në universitetin e Ljubjanës, më parë prof. në Univ. e Gratz-it në Austri që bëri pjesë në punimet e kësaj Komisie, Radomir Nachtingall, e çmon Gurakuqin. Ka merita të shquara në zhvillimin e gjuhës letrare shqipe, në përpunimin e gjuhës letrare dhe në njësimin e shqipes së shkruar, në stabilizimin e drejtshkrimit, në pasurimin e fjalorit, në çështjet e leksikologjisë, terminologjisë e të gramatologjisë. Gurakuqi është tekstologu më i shquar shqiptar i fillimit të shekullit tone.

Arsimi vazhdoi të mbetet, siç e thotë vetë ai, dega më e dashur e zemrës së tij. Ai parashtroi në parlamentin shqiptar ide dhe mendime shumë interesante për politikën arsimore dhe rrugën që duhet të ndiqte shkolla shqiptare. Gurakuqi kishte një vizion të qartë për rolin e shkollës në një shoqëri moderne, për lirinë dhe të drejtat themelore t’individit në fushën e arsimit dhe kërkoi zhvillimin mbi baza ligjore, shkencore e pedagogjike të shkollës shqiptare. Në qeverinë e dalë nga Kongresi i Durrësit ku ishte përfaqësues i Shkodrës dhe Mirditës, u emërua zëvendës i dr. Mihal Turtullit në ministrinë e Arsimit të kabinetit të Turhan Pashë Përmetit. Që në mbledhjen e parë të Kongresit të Durrësit, më 1918, L.Gurakuqi “âsht kundër që në një mbledhje kombëtare të përmenden fjalët toskë e gegë dhe të krishtenë e mysliman”, kërkon që fjalë të tilla të jenë të ndaluara dhe shton se “…çështja e lirisë dhe e nderimit të feve në Shqipni duhet të zgjidhet mbas formulës: “Feja e lirë në shtet të lirë”. I ngarkuar nga kjo qeveri si anëtar i delegacionit të saj në Konferencën e Paqes në Paris ku qendroi 15 muaj. Çdo shkresë e përdorur nga delegacioni u shkrua nga duart e tij e të Mustafa Merlikës.
Iu dha edhe posti i ministrit të brendshëm, në kabinetin disa ditor të H. Prishtinës. Këto ide e mendime L.Gurakuqi i shtjelloi hollësisht në diskutime në parlamentin shqiptar dhe, posaçërisht n’artikullin “Bazat e bashkëpunimit ndërmjet shqiptarëvet muhamedanë e të krishtenë”. Ai ishte kategorikisht kundër atyre që mendonin se për të larguar konfliktet fetare që mund te lindnin, duhet, me të butë e me të fortë, të shuhen besimet fetare në Shqipëri. Më 1921-1924 qe deputet i Shkodrës në Këshillin Kombëtar ku si një nga udhëheqësit e opozitës demokratike luftoi për demokratizimin e jetës së vendit, për lehtësimin e gjendjes së bujkut nga shtypja e rëndë, për zhvillimin ekonomik e kulturor dhe për mbrojtjen e pavarësisë nga synimet skllavëruese të fuqive imperialiste. I qëndroi besnik deri në fund të jetës idealit për të parë një ditë të bashkuar rreth tokës amtare gjithë vëllezërit e kombit. Ai ankohej se:

“Na kanë marrë qytetet e na kanë lanë malësinë, na kanë marrë viset ma të çmueshme t’atdheut duke na lanë si një trup pa kokë”.
Tingëllojnë të freskta demaskimet që i bënte Gurakuqi politikës së pastrimit etnik që ndiqnin shovinistët serbë:
“Qeveria jugosllave nuk do të ndalet para asnjë mjeti”,- deklaronte ai,- “për t’i ndërrue fytyrën Kosovës”.

Për gjendjen tepër të vështirë të shqiptarëve në shtetin jugosllav fajëson Fuqitë e Mëdha, të cilat bënë theror shqiptarët e trojet e tyre për interesat e veta e të aleatëve të tyre. L. Gurakuqi është partizan për të ndihmuar e për t’u dalur zot të drejtave të popullsisë së Kosovës. E quante si detyrë të rëndësishme të shtetit shqiptar.

Faji i vetëm i kosovarëve qëndronte vetëm në atë se ata ishin shqiptar e donin të mbeteshin shqiptar.
Ndër fjalimet më të fuqishme të Gurakuqit në parlament janë ato mbi mbrojtjen e popullsisë shqiptare të Kosovës. Kur qeveria jugosllave në një telegram e quante ndërhyrje në punët e brendshme të saj interesimin e shqetësimin e qeverisë shqiptare për gjendjen tepër të vështirë të shqiptarëve të Kosovës, Gurakuqi, plot indinjatë e zemërim do të merrte fjalën e do të thoshte:

“Si mundte me thanë një qeveri (Jugosllave) e cila ka mbjellë viset tona me varre të vllazënve tonë, se po i përzihemi në punët e mbrendshme të saj. Si mundte nji qeveri me thanë se po i përzihemi në punët e mbrendshme, kur shohim se për shkak të saj me mijëra fëmijë e gra sillen të zhveshur e të zbathur këtu nepër Tiranë e ushqehen me sevapet e amerikanëve e tepricat e ushtrisë. Qeveria Jugosllave nuk ka të drejtë për të na akuzue për një gjë të tillë kur parlamenti shqiptar kërkonte vetëm në emër të njerëzizë e humanizmit të ndërpriten mizoritë serbe ndaj shqiptarëve.”
Më 5 mars 1924 u sëmur rëndë nga një grip i fortë që e mbërtheu afro një muaj në shtrat.[13] Shtypi i dha vëmendje të veçantë, aq sa Avni Rustemi i thoshte Dom Shantojës “Opozita po pushon: Kemi Gurakuqin e sëmurë”.

Në qeverinë e kryesuar nga Fan S. Noli u emërua Ministër i Financave. U dallua për ndjenjën e lartë të përgjegjësisë dhe për vendosmërinë e përpjekjet për krijimin dhe forcimin e shtetit demokratik shqiptar. Mori pjesë në Konferencën e Gjenevës krahas Nolit më 1924. Kur në Parlament Ali Këlcyra i bën vërejtje për qëndrimet e tij liberale, Luigji përgjigjet,
“Z. Ali Këlcyra më tha si për qortim se jam liberal. I falemnderit dhe mund të jetë i sigurtë zotnia e tij se vdekja do të më ndajë nga mendimet e mija liberale”.

Duke u deklaruar demokrat e liberal, Gurakuqi thoshte se nuk është as revolucionar as bolshevik e as socialist, koncepte këto që në vitet ’20 ishin të barazvlefshëm dhe kishin kuptimin e ndryshimeve me dhunë, me forcën e armëve, me kryengritje. Mark Gurakuqi do shkruajnë ishte trim por s’e pëlqente gjakderdhjen. Gurakuqi ishte për zgjidhjen paqësore të probleme nepërmes ligjeve, zgjidhjeve “me drejtësi e në mënyrë të butë”. Si i tillë, ishte kundër futjes se popullit në udhën e kryengritjes së armatosur. Duke pasur këto koncepte mbi rolin e ligjit, dhe zgjidhjen paqësore dhe jo kryengritjen e zgjidhjen me dhunë të problemeve, Gurakuqi u përfshi në Lëvizjen e 1924, pas një hezitimi e kundërshtimi të fortë. Miku i tij, Mustafa Merlika-Kruja shkruan në letërkëmbimin me Atë Paulin Margjokajn:

“Në lëvizjen e qershorit 1924 ka qenë kundërshtar deri që nuk qe vendosun, ka luftue si Luâ për t’a ndalue, tue profetue pikë për pikë të gjitha pasojat qi u vërtetuen ma vonë njana mbas tjetrës. Por, mjerisht, mandej kur s’i eci fjala, vot mbas rrymës e u bâ edhe ministër me Fan Nolin”.
“Gurakuqi u tërhoq (në revolucion) pas një kundërshtimi të fortë. Mund ta dëshmojnë sa u ndodhën në Vlorë”. – shkruante Stavro Vinjau.

Për veprimtarinë e tij si ministër vazhdojmë të lexojmë Vinjaun:
“… si ministër i Financavet i Kabinetit Noli bëri çudira. Gjeti 4 milion franga ari të papaguara; me administrimin e tij të shkëlqyer, me ngursimet e tij (ngursente parat e Shtetit më tepër se paratë e tij) arriti që jo vetëm buxhetin e ri t’a mbyllnjë me një tepricë prej 1.000.000 franga ari, po edhe të gjithë borxhet e Shtetit të kohës së kaluar të paguhen; nëpunësit të cilët prej 2-3 vjetëvet qenë mësuar të paguheshin me një vonesë prej 3-4 muajsh, arritne ditët e fundit të administrimit të tij të paguhen rregullisht. Dhe barasimin e buxhetit e bëri pa mbyllur asnjë pagesë të dobishme në arësim e P. Botore, pa pakësuar ushtrin dhe duke i dhënë xhandarmëris sa kërkoj Komanda e Përgjithëshme.”
Pas shtypjes së Lëvizjes së qershorit shkoi në Itali, ku më 2 mars 1925 u vra në Bari prej Baltjon Stamollës në derë të Hotel Cavour, kushëri i vetë Luigjit. Ishte mbrëmja e 2 marsit, në restorantin e hotelit, Luigj Gurakuqi po darkonte me dy miq të tij dhe gruan e njërit prej tyre: Riza Dani me bashkëshorten Makbule dhe vëllai i tij Dan Hasani. Kërkoi leje prej tyre duke i paraqitur arsyen: do t’shkoj tek Sotiri, mbâsi i kam premtue nji kukull vajzes së tij.[20] Në xhepat e shkyer të ish-Ministrit të financave policia italiane gjeti vetëm 350 lira. Nisi të hante një herë në ditë me të dalë refugjat.

Varrimi i Luigj Gurakuqit, në qendër Hasan Prishtinën duke e përshëndetur bashkëpatriotin e tij
N’organizimin e këtij atentanti kishin dorë si Ahmet Zogu, Ceno Kryeziu, ashtu dhe Çatin Saraçi, dëftuar kjo nga letra nisur nga vrasësi që kërkon ndihmë:
“Kerkoj mbrojtje dergoni të holla ndermjetsoni për pshtim pranë Qeveriës Italjane. Pyetnij Çatin Saraçin ku asht…? “besa” ndihma!…
Miku i tij, Hasan Prishtina, mbi varrin e tij do të shprehej: “Flej i qetë Gurakuq, shpagen tânde do ta marrim me përparimin e Shqipniës.”
Autoritetet italiane nuk lejuan që funerali të mbahej në qytet, por vetëm brenda mureve të varrezave. N’ato çaste tragjike miku i afërt i Gurakuqit, Lin Kamsi ruajti veshjen me të cilën ishte vra “trimi i bardhë si dborë” për t’ia lanë si kujtim brezave të ardhshëm. Në Bari rendën refugjatë shqiptarë prej gjithkah. U mbajtën fjalime prej bashkëshortes së Sotir Gjikës, zonjës Lilli Quarta, prej Hasan Prishtinës, Llazar Fundos, Beqir Valterit etj./KultPlus.com

Nga Ismail Qemali tek Luigj Gurakuqi, aktorët që luajtën tek “Nëntori i dytë” (FOTO)

“Nëntori i dytë” filmi që tregon udhëtimin e Ismail Qemalit drejt Vlorës për të ngritur aty flamurin e shqiptarëve, vazhdon të jetë një ndër filmat më historikë në historinë e kinematografisë shqiptare. Çdo 28 nëntor ai është simboli që çdo shqiptar do donte ta rishihte si pjesë e krenarisë së tij.

Filmi u realizua në vitin 1982 nga regjisori Viktor Gjika nën skenarin e Dhimitër Shuteriqit dhe Kico Blushit. Me muzikë nga Kujtim Laro kolona zanore e filmit vazhdon të shoqërojë çdo përvjetor të pavarësisë së vendit. Por ajo çfarë i dha suksesin këtij filmi nuk ishte vetëm historia, por dhe një kastë e zgjedhur aktorësh me kujdes nga regjisori Gjika.

Ai zgjodhi për Ismail Qemalin një karakter të fortë të teatrit e kinemasë shqiptare siç ishte Sandër Prosi. E kush mund ta kishte interpretuar më mirë se Prosi Ismail Qemalin. Në atë rol ai sapo kishte kaluar të 60-at dhe vetëm tre vjet më vonë ai do të ndahej nga jeta në mënyrë tragjike. Isa Boletini, përfaqësuesi i Kosovës në festën e madhe të shqiptarëve do të interpretohej nga Reshat Arbana. Atëherë mbi të 40-at Arbana kishte trupin dhe mendjen e Boletinit duke sjellë një karakter impulsiv dhe të matur njëkohësisht që e personifikon më së miri Isa Boletinin. Mario Ashiku do të interpretonte Shpend Dragobinë.

Aktori i talentuar do të shndërrohej i tëri në djalin luftëtar të Jah Elezit nga Dragobia, Malësi e Gjakovës i cili ishte delegat i Kosovës në Vlorë më, 28 nëntor 1912 kur u shpall pavarësia e Shqipërisë. Shpend Dragobia ishte mik i ngushtë dhe bashkëluftëtar i Isa Boletinit. Gjenerali turk do të interpretohej nga aktori shkodran Sulejman Dibra. Demir Hyskja do të interpretonte Mytesarifin. Bujar Lako do të interpretonte Luigj Gurakuqin i cili në qeverinë e përkohshme të Vlorës do të zgjidhej më vonë Ministër i Arsimit. Robert Ndrenika do të interpretonte Hakiun. Petrit Malaj atëherë një aktor i ri do të luante Adem Boletinin.

Luan Qerimi do të luante Sali Drenicën. Gyljem Radoja do të luante Lym Kepin ndërsa Harjie Rondo do të ishte gruaja e Lym Kepit. Ilia Shyti do të ishte Mullai i Beratit, ndërsa Pandi Raidha do luante Demir Arbanën. Spiro Urumi do të interpretonte Xhaferr Bej Kadenën. Këta janë aktorët që i dhanë jetë një prodhimi të jashtëzakonshëm kinematografik që formatoi në kujtesën e shqiptarëve një udhëtim të gjatë dhe historik që do të shënjonte përgjithmonë një histori tjetër të shqiptarëve, shkruan GSH. Dhe pse shumë pjesë të filmit nuk u shfaqën për shkak të censurës së kohës, kjo nuk e pengoi regjisorin Gjika të sillte me këtë film udhëtimin e shumëpritur në shekuj të shqiptarëve./ KultPlus.com