Lulzim Tafa, fitues i Çmimit prestigjioz për letërsi “Naji Naaman”

Poeti Lulzim Tafa është shpallur  fitues i sivjetmë i njërit prej Çmimeve kryesore prestigjioze ndërkombëtare për letërsi  “Naji Naaman 2019”, në Liban.

Çmimi “Naji Naaman” është çmimi më i lartë ndërkombëtar që ndahet në këtë shtet për krijuesit nga mbarë bota. Në njoftimin zyrtar të bërë në tri gjuhë, kryetari i jurisë ka bërë të ditur se në konkurrencë për këtë çmim kanë qenë 2386 shkrimtarë nga gjashtëdhjetë e shtatë vende të botës.

Ky është edhe një sukses i poetit kosovar, Lulzim Tafa i cili me krijimtarinë e tij ka depërtuar kudo në botë.

Tafa poezitë e të cilit po vlerësohen anë e kënd botës është njëri ndër poetët tanë më të njohur dhe me të përkthyer. Ai është përkthyer në disa gjuhë të botës përfshirë edhe gjuhën arabe si dhe është përshirë në shumë Antologji të letërsisë botërore.

Çmimi “Naji Naaman” i shtohet listës së çmimeve të shumta ndërkombëtare të Tafës, duke e bërë atë njërin prej poetëve shqiptarë me më së shumti çmime ndërkombëtare për letërsi./KultPlus.com

Lulzim Tafa, poeti që refuzon Adornon

Dr. Tina Laco

Disa fjalë për Librin “Vražiji Posao-Punë Djalli” të poetit nga Kosova Lulzim Tafa, të botuar në Sarajevë. Si e lexojmë ne këtë poezi, pse mendoj se Tafa ka bërë edhe më shumë se sa e thotë Abdulla Sidrani, a është Ajkuna e tij si Ursula e Marquez. Poeti e refuzon tezën e Adornos duke u shfaqur me një poezi tejet zemërprekëse.

Në fjalimin e tij (1982), me rastin e ndarjes së Çmimit Nobel , Gabriel García Márquez e ka prekur problematikën e raporteve gjithë kohore të artit dhe të botës reale, duke vërejtur se nuk është ai i cili e krijon letërsinë personale – por, prozën e tij e ka (për)shkruar realiteti i çuditshëm, të cilën nuk ka pasur nevojë ta mbindërtojë me imagjinatë ose ta plotësojë me detaje, është dashur, ç’ është e vërteta, vetëm ta formësojë gjuhësisht. “Ky është realiteti, i cili nuk është vetëm letrar, por i cili jeton brenda nesh dhe përcakton secilin çast të vdekjeve të panumërta të përditshme te ne, realitet i cili paraqet burimin e krijimtarisë së pashuar, plot pikëllim e bukuri“, thotë Márquez.

Duke mbetur në gjurmën e prozës së Márquezit, reflektimi për enigmat semiotike të poezisë së Lulzim Tafës do të ishte përafërsisht kështu:

Shumë vjet më vonë, para punëve të djallit të të shkruarit të vargjeve të tij, Lulzim Tafa sjell në mend ato vitet e përgjakshme kosovare, kur jetës i kishte rënë çmimi, ndërkaq vdekje kishte me bollëk.

Përmes paradës së vargjeve për realitetin e çuditshëm vetanak, ku ekzistenca reduktohet, duke u shërbyer me sloganin zhgënjyes të subjektit lirik të Tafës bukë për sonte, barot për nesër, „Punë djalli“ në tërë kompleksitetin dhe universialitetin e vet, është dramapoezi edhe e luftës së Kosovës edhe e secilës luftë tjetër në histori, kritikë e absurditetit të saj në të cilin Tafa adreson më së miri me vargjet, indikativisht dhe ironikisht të mbledhura nën titullin „Raport nga Kosova 99“: Këtu nuk shkilen të drejtat dhe liritë e njeriut/ Këtu shkilen vetëm kokat/ .

Është pikërisht e padurueshme pakuptimësia e prodhimit të çdoditshëm të vdekjes, së cilës Tafa në mënyrë obsesive dhe me pasion brutal duke e modeluar në vargje, i jep modus operandin autentik, ironinë. Tafa e shfrytëzon ironinë me bollëk para së gjithash në formësimin e shprehjes.

Ajo përveç tjerash i mundëson atij të shprehë kuptimin e tij për poezinë si formë ekonomike e cila në pak fjalë mund ta përmbledhë tragjedinë e një periudhe. Prandaj Tafa me ironi e dendëson shprehjen e vet, e ngrit në një lapidar proverbial, dhe e kupton se duke shmangur përshkrimet e dhe eksplicitetin e tepruar, njëkohësisht e privon edhe nga patetikja. Rrjedhimisht, të liruar nga një patos i tillë, vargjet flasin me një dramë të veten të brendshme dhe arrijnë të vendosin ritmin e tyre specifik.

Poezia e Tafës, paradoksalisht, afirmon, refuzon dhe në një mënyrë të caktuar e përmbush tezën e Adornos për pamundësinë e shkrimit të poezisë pas Auschwitzit. „Punë djalli“ shpreh idenë se Auschwitz është bërë emër i përgjithshëm për çdo gjakderdhje dhe jo vetëm është e mundshme, por edhe e domosdoshme të shkruhet për këtë, gjegjësisht të shfrytëzohet letërsia si qërim i caktuar terapeutik hesapesh me të kaluarën. Tafa, megjithatë, subjektin e vet lirik nuk e dorëzon si aventurë naive të vetëshërimit përmes reminishensës, por para së gjithash e çarmatos, deheroizon, brutalisht ia nënshtron kujtesave për ta aktivizuar. Fjala është, pra, (edhe) për poezinë e angazhuar shumë më komplekse dhe më shumështresore sesa që ka menduar Abdulah Sidrani në recensionin e vet, të thjeshtëzuar dhe në mënyrë të tërthortë duke orientuar se Tafa thjesht i është përgjigjur urdhrit të epokës së vet, e ka marrë penën në dorë dhe e ka përmbledhur përvojën e vet. Tafa, ç’ është e vërteta ka bërë më shumë sesa kjo: duke e dëgjuar edhe pulsin artistik të epokës së vet, të kohës postmoderne, të shënuar me mosbesime të mëdha ndaj cilësdo formë të të dhënës (ekzistueses) dhe me vënien në pyetje të së kaluarës. Ai unin e vet poetik e armatos me ironinë dhe me pezmin luftarak, duke ofruar perspektivë krejtësisht tjetër të ngjarjeve të dhëna historike dhe të kushtëzuara. Poeti, letërsinë e shfrytëzon si proces vetanak të vetëdijesimit të idesë për atë se ajo që ka qenë nuk mund të përmirësohet, por mund të kërkohet dhe të gjendet raporti i ri ndaj kësaj. Në shprehje filozofikisht i ashpër, gati ekskluziv, i pa kompromis, ironinë dhe sarkazmin i shfrytëzon si armë kritike, nga afër duke jetësuar qëndrimin e shkrimtarit bosnianohercegovas, Xhevad Karahasan, nënvizon se „libri nuk ka pushtet, por ka fuqi – ai nuk sundon, por formëson.“ Kështu edhe Tafa është larg nga ajo që është bërë e zakonshme, kuptim i togfjalëshit „luftëtar i penës“ sugjeron: duke zgjedhur me forcë mjetet shprehëse, dëshmon se si poeti refuzon të jetë organ transmisioni i përvojës vetanake tragjike, respektivisht adreson në potencialin artistik të angazhmanit aktiv përmes ndërrimit të perspektivës.

Duke e marrë këtë parasysh, bëhet e qartë se vërtetë me sa shtresa poezia e Tafës disponon dhe sa është semiotikisht zemërprekëse: ajo është në modusin e përhershëm të hulumtimit, prandaj edhe nga lexuesi kërkon po ashtu të njëjtën. Me fjalë të tjera, madje edhe ajo që duket si poezi dashurie, nuk është (domosdo) (vetëm) poezi dashurie. Sidrani, për shembull, në ciklin me titull simptomatik “Kaçakët„ në personin e Ajkunës, e njeh, e identifikon hapësirën romantike, të intimes, të nostalgjisë, të mallit dashuror, larg nga ndjeshmëria kolektive“, por nëse gërmon pak nëpër etimologjinë e vet fjalës “Ajkuna“, i tërë cikli merr krejtësisht tjetër konotacion: nga gjuha deri te gjuha, nënkupton “nënën”, “nënëmadhen“, “stërgjyshen“, “hyjneshën“, “shpirtin“… Degëzimi i mëtejmë do të mund të na shpinte edhe në atdhe, truall, shtëpi, ngrohtësi, siguri,

mallëngjim, vaj për çfarëdo strehimi, (qoftë edhe abstrakt shpirtëror) në sëmundjet e kaosit ekzistues, prandaj boshllëku i cili ngritet mbi vargjet “Ti nuk më ke më / As unë nuk të kam ty” ka marrë krejtësisht përpjesëtim tjetër, i cili për dallim nga interpretimi i Sidranit, inkuadron aq shumë ndjeshmërinë e një kolektiviteti. Vallë, a nuk korrespondon Ajkuna e Tafës me Ursulën e Márquezit, e cila për më tepër është më shumë sesa person dhe tërësi e gjithë spektrit të shenjave dhe gjithmonë shpie në interpretime të mëtejme – ajo është edhe fuqi , edhe pikëllim edhe profeci, edhe kalueshmëri edhe droje dhe fije e rrënjës së gjeneratës qindvjeçare. Çfarë kuptimi më tej do të mund të luhej me qejf, për shembull, duke mos lëshuar nga vëmendja faktin e rëndësishëm se në të njëjtën poezi Tafa emrin „Zoti“ e shkruan edhe me shkronjë të vogël edhe me të madhe? „Ishin vrasësit më human / Lavdi / vrisnin pa dallim / burra / gra / fëmijë… / vrisnin dhe këndonin / o zot! / Zoti u ndihmonte. / Zoti ua vraftë Zotin. Është e qartë sesa paradoksalitet implikohet përmes drojës të zotit të atyre të cilët kanë „vrarë dhe kanë kënduar“ dhe çfarë dyshimesh dhe kritikash hap Tafa me këtë…

Siç zbulohet, pra poezia e Tafës nuk është stabile dhe ekskluzivisht sipas përcaktimit të saj tematik, sado që na duket e kundërta, çelësi i të kuptuarit të saj, siç është dëshmuar edhe pjesërisht, duhet kërkuar në mënyrën në të cilën poeti i trajton fenomenet (universale) dhe të përcaktojë çfarë raporti krijon ndaj tyre.

Vet libri është ndarë në gjashtë cikle, për të cilët nuk do të mund të thuhej se janë ngritur sipas parimit tematik: duke marrë parasysh shtresëzimin e përmendur të kuptimeve, do të ishte më e udhës të vendoset se ato janë zgjedhur sipas një logjike vetanake të brendshme, e cila para së gjithash në ndërrimet e buta të modusit shprehës („Ke fjetur në dritën e hënës“ janë meditime intime, „Këngët e trishta“ janë ndërtuar si monologë proverbial në miniaturë, te „Kaçakët“ poezitë lidhen pothuaj me linjën narrative, “Paroditë e zeza“ zgjidhjen e gjejnë në paradoks, në ciklin „Vet me vete“ në plan të parë është pezmi i ironizuar,…). Por, ajo që ngritët mbi to, pa marrë parasysh ndryshimet e vogla të fokusit ose intervenimet shprehëse është mundimi ekzistencial, mundimi që del nga ndjenja e frikës, gati në njohje filozofike se në ashpërsinë dhe pakuptimësinë e luftës, koha vërtitet në rreth. Prandaj, arkitektonika, kompozicioni i këtij libri nuk shpie në një drejtim, fillim, ose fund, nuk i shfrytëzon ciklet si „stacione tematike“, nuk ka një vatër konkrete sepse me këtë drejton në joracionalitet, në përhumbje në kohë dhe hapësirë për shkak të shkatërrimit, i cili, siç duket nuk ka as fillim as fund, shkatërrimi është i thjeshtë, gjithmonë prezent. Varësisht nga ajo se sa vetëdije për kohën përreth Tafa i jep subjektit të vet lirik, i njëjti nga poezia në poezi ndërron qëndrimin e vet: nga lemeritës dhe zhgënjyes, deri te dorëheqës dhe i qetë, nga: „Mo Zot e liga e çohen e vijnë” /, në: “Mo Zot e liga /, /Ja po vijnë “/ e deri te poezia Uji „ka me hupë krejt / Asnjë ngërçamë / Për sahat t’ dekës / s’ ka me u gjetë”/. Në këtë aspekt poezia e Tafës e plotëson Adornon: me intensitetin e frikës së stërgjyshes së Márquezit, Ursulës, e cila „frikësohet se koha nuk kalon por se vërtitet në rreth“, përmes këtyre vargjeve imponohet pyetja – a është e mundshme pas Aushwitzit ta korrigjojmë kohën dhe ta drejtojmë njerëzimin drejt shpresës?

Në padurueshmërinë e harkut kohor poeti me vargje vizaton pasigurinë e pritjes të formës se re të tragjedisë („Vetëm thonjtë mbesin thonj / Ditë e nesërme na sjell diçka të re / Se me të vjetrën u përgjakëm“) dhe çudia e vetmisë që vjen nga vetëdija se tragjeditë e përgjakshme nuk godasin vetëm popullin si kolektiv, por viktimat i numëron në individë: një edhe një, edhe një, edhe një… Implikimet e tilla veçanërisht vërehen në ciklin „Në mungesën tonë“, dedikuar shokëve e shoqeve të Tafës nga ditët shkollore, pastaj në „Këngët e trishta“, posaçërisht përmes vargjeve domethënëse, sikur në: „Secila pikë gjaku / Do të bëhet sumbull / Në këmisha dhe në xhamadanë / Të ushtarëve dhe të kapedanëve të mi.“/

Tafa vargjet e tij në mënyrë me ngulm i ushqen me motivet e gjakut, duke orientuar kështu në përvojë vetanake të çmendurisë së palogjikshme të luftës por edhe duke përkujtuar atë se si dhe sa poezia mund të jetë universale, madje edhe kur pikëmbështetjet e veta i ka në periudhën shumë konkrete të një realiteti tragjik. Poezia e Tafës është rekonstruim i detajuar i atij realiteti, reminishencë e trazuar ndaj pamfletit universal. Secila nga poezitë e tij është një enigmë e episodit të përgjakshëm të historisë e të cilën lexuesi, duke e shtresëzuar, i palos copëzat e ngjarjeve historikisht të vërtetuara. Por, përkundër shpirtit luftarak dhe ngulmimit ironik të diskursit të Tafës, mbi vargjet e tij ngritët vetmia, njësoj e rëndë, njësoj e mundimshme dhe e përbashkët – madje edhe për ata të cilët nuk janë të ndërthurur drejtpërdrejt në historinë e përgjakshme të kolektivitetit të Tafës, vetmia dhe mallëngjimi që aq fuqishëm korrespondojnë me klithmën e Lorkës për paqe: Cordoba / E largët dhe vetëm / (…) Edhe nëse i di rrugët, kurrë / Nuk do të arrijë në Cordobë.

Subjekti lirik i Tafës përkohësisht arrin të izolojë nga kundërmimi kolektiv i vdekjes, kështu që në torturën e vetmisë dukuritë të cilat e rrethojnë, pasqyrohen me disponimin vetanak: është motiv i shpeshtë i poetit shiu, i cili „do të pushojë një ditë“, i cili i mbulon gjurmët në qytet me aromën e gjakut, shiu i cili është „Vaji i Zotit“, njësoj „i tmerrshëm dhe i papushim“ si shiu i Preverit, njësoj „i qetë dhe i drejtë“ si shiu i Dizdarit. Ashtu si subjekti lirik i Tafës e humb kontrollin mbi kujtesat vetanake, kjo tregohet përmes ndërtimit të vet poezive: ato bëhen të privuara nga sistemi i tyre vargëzues dhe shndërrohen në rrëfim të rrymës së vetëdijes („Reportazhi nga lufta e shenjtë“).

Për Tafën të shkruarit është proces terapeutik dhe qërim ironik hesapesh me botën – për lexuesin vargjet e tij janë sfidë ndaj së cilës autori drejtpërdrejt shpie në poezinë e titulluar simbolikisht „Epitaf“: „Nuk shkruhet dot një varg / ç’ sëmundje muzave u solli liria”. Në poezinë më intime të përmbledhjes „Vet me vete“ , Tafa drejtpërdrejt zbulon tërë atë që „Punë djalli“ paraqet për të: dëshminë e përvojës personale dhe kolektive të luftës dhe pasojat e saja , mënyrën se si lufta e ka formësuar raportin e poetit ndaj jetës, Zotit, dhe ndaj vetvetes, por, ajo që mbase është më e rëndësishmja, ironia e fshehur në vargjet e fundit e pikturon raportin e Tafës ndaj „punës së djallit“ në krijimin artistik në përgjithësi: „Vështirë / Por duhet forcë / eh /Qija nanën.“ Përmes mesazheve të tij poetike se duhet ruajtur „nga Jeta dhe nga Vdekja“, përmes

vargjeve, të cilat me ritmin e vet të brendshëm në mënyrë apokaliptike paralajmërojnë marshe të përmortshme, pashmangshëm sjellin në mendje poemën e Kashtelanit „Tifusarët“ („Vdekje deri te vdekja, vdekje deri në vdekje, vdekja janë gjurmët e mia“), shoshitet shpresa me të cilën Lulzim Tafa përkujton besimin e tij në poezi, si armë e fuqisë së konsiderueshme: „Kalo, lirisht / Të thotë Zoti / dhe engjëlli i bardhë të mban / për dore.“

(Autorja është Profesoreshë dhe studiuese e njohur e letërsisë nga Sarajeva, përktheu: Smail Smaka)

Paketimi i mërzisë

Poezi nga Lulzim Tafa.

S’ka faj Nana
Kur thotë
Hiqu andrrave
Se t’i lujnë mentë prej kresë.

Gjithë natën mbramë
Paketuam mërzi
Në do thasë najloni
E hamajt e zi i ngarkonin
Në anije

Dhe më asgjë nuk di
Deri në mëngjes
Kur thanë
U idhtue Deti

Poetët

Poezi e shkruar nga poeti Lulzim Tafa.

Kur zemërohen zotat

Lindin poetët.

Në të parën shenjë jete

Ngrihen kundër zotit të vet.

Protestojnë.

Kur rriten

Bëhen çapkënë.

Shpërndajnë afishe

Kundër vetvetes

Si demonstruesit nëpër qytet.

“Fëmija i tepërt i secilës nënë

bëhet poet”

Tu e kerkue veten

Nga Lulzim Tafa.

Kam dalë sot
Me kry n’dorë
Veten me e lypë
Udhëve
ku e kam pas lanë
pak dashni
e do dhembje
udhëve të vjetra
të shtrume mall
Buzëve të amëla kujtimi
syve
Ku jam fshehë
Puthjeve
ku jam dehë

Kam dalë sot
Veten me e lypë
Shikoj n‘diell
jam n’ tokë
A n’qiell

Kam dalë sot veten me e lypë
Po ku jam
Kërkah
Nuk jam.

kam dalë sot veten me e lypë
Nëse nuk e gjej
Edhe pak
shumë
Kam me u dëshprue
Kam me ja nisë përmallshëm
Me knue
Si me vajtue.

Ashensori

Poezi nga Lulzim Tafa.

Sapo dyert e ashensorit u hapen
Ajo e nxori ID e vet zyrtare
Dhe buzët e trasha
Drejte meje i zgjati.
Unë jam Maria Skorelesku
Dhe kam të drejtë
Të të puthë
Pa të pyetur.
U stepa nga fomalizmi
I saj
I tepruar.
Më fal i thash të lutem
Se jam një anarkist
I njohur për puthje.
Si gjuhë gjarpëri
Gjuhë e saj
buzët e mija Qau
Pushtim total
oral.
Në tabelen informuese të ashensorit
Numrat e kateve nderroheshin.
Pesë
Gjashtë
Shtatë
Në të tetin ishte e qartë
isha zënë rob.
Me kot mundohesha
T’i liroja duart
Nga gjoksi i saj.
Në katin e katëmbedhjete
Ashensori ndaloi
Për të fundit here
Për fat
Për pak
Përpara se
të pelciste gypi
me ujë të valë. /KultPlus.com

Fjala e poetit Lulzim Tafa me rastin e marrjes së çmimit ‘Mihai Eminescu’

Poshtë është fjala e poetit Lulzim Tafa me rastin e marrjes së Çmimit Ndërkombetar në Festivalin e Poezisë “Mihai Eminescu” në Rumani.

E nderuara Juri e Festvalit,
të dashur kolegë,
poetë e lexues të poezisë,
zonja e zotërinj!

E pranoj këtë çmim, duke qenë i nderuar me vendimin e kësaj Jurie të respektuar që këtë çmim të ndaj për mua. Poezi kam filluar të shkruaj si fëmijë, jam rritur me poezinë dhe po plakem me të. Unë gjithmonë i kam qendruar besnik poezisë. Në jetë kam bërë edhe punë të tjera, qoftë si profesor, por edhe punë menagjeriale çfarë është edhe pozita e Rektorit, por edhe aktivitete të fushës së të drejtave të njeriut dhe të mbrojtjes së kafshëve, por, duhet ta theksoj se edhe kur kam vepruar në fusha të tjera, unë gjithë jetën time kam frymuar si poet. Jam ndier poet dhe vazhdoj të jetoj si i tillë.

Ky çmim më bënë nderë mua dhe letërsisë që i takoj. Unë i takoj letërsisë së Kosovës, letërsisë shqipe të Kosovës. Administratorët e festivalit më thanë se unë këtu do të jem nën logon Shqipërisë, edhe kjo më bënë nderë, sepse letërisa shqipe është një dhe unë i takoj asaj letërsie. Vendi prej nga vij unë, pra Kosova, ka shumë poetë të mirë të cilët, po ashtu, me krijimtarinë e tyre janë të njohur për lexuesin në Evropë e më gjerë. Unë si fëmije e mësova misionin që ka një poet, pra jo vetëm për të bashkuar fjalë që kurrë më përpara nuk kanë qenë bashkë njëra me tjetërn, por edhe për t’i thënë gjërat bukur, njësoj si kur shkruan për dashurinë, gëzimin e jetën, njesoj si kur shkruan për trishtimin e vdekjen, e rëndësishme që ajo të thuhet bukur . Unë gjithmonë bëjë përpjekje që ta bëjë këtë, prandaj e vlerësoj shumë këtë çmim. Ky çmim më jep më shumë siguri.

Gjatë krijimtarisë sime më shumë se tridhjetë vjeçare, kam marr edhe çmime të tjera, madje çmimin e fundit e kam marr nga komuniteti malazez, një komunitet pakicë që jeton i respektuar në vendin tim, në motivacionin e çmimit të tyre, që e mbanë po ashtu emrin e njërit prej shkrimtarëve më të njohur të letërsisë së Malit të Zi, përveç motivit letrar ata kishin futur edhe angazhimin tim për paqe dhe afirmim të të drejtave të pakicave, dhe kjo më gëzoj, po aq sa edhe motivacion për letërsi.
Vendi im para pak vitesh ka dalë nga një luftë e përgjakshme. Unë edhe atëherë kam qenë poet, kam shkruar për lirinë dhe paqen. Një ditë një konvoj militarësh erdhën dhe dogjën shtëpinë time, edhe pse unë nuk isha luftëtar, unë isha poet. Ma dogjën biblotekën, librat, dorëshkrimet, fotografitë, kujtimet. Secili prej jush e di çdo të thotë për një poet t’i digjen dorëshkrimet, t’i digjen librat. Unë shkruaja për lirinë, ata që m’i dogjën librat një ditë ikën nga vendi im, ndërsa unë vazhdova të shkruaj përseri për lirinë dhe paqen. Këtë e bëj edhe sot.
Fatkeqësisht shumë shkrimtarë të ballkanit në kohën e luftës u bënë krah i politikës. Në vend që të punonin për paqe ata i fryenin zjarrit të luftës. Ndodhi që një poet nga Ballkani të gjykohet dhe dënohet për krime kundër njerzimit në një Gjykatë Ndërkombëtare. U Gjykua dhe u dënua sepse ra në kundërshtim me vlerat e njerëzimit, në kundërshtim edhe me vlerat që ka letërsia.

Unë sot krijoj dhe punoj për të promovuar këto vlera qoftë si poet, qoftë edhe si një jurist, loboj që të kemi ligje më të mira që mbrojnë dhe avancojnë jo vetëm të drejtat e njeriut, por edhe të kafshëve dhe të gjitha krijesave të Zotit në planetin tonë, edhe pse kjo në Ballkan nuk është e lehtë. Shpeshherë edhe jam paragjykuar.

Pse është i rëndësishmë ky çmim për mua ?

E para sepse e ndanë një juri kaq kompetente, e dyta sepse më jepët në njërin prej festivaleve më të rëndësishme që mbahen në kontinenentin tonë, pastaj sepse e mban emrin e Mihajl Emineskut, kolosit të madh jo vetëm të letërsisë rumune, por edhe të letërsisë botërore, ngase është e vërtetë se ne u takojmë letërsive që përfaqësojmë, por vlerat që përfaqëson letërsia janë universale. Ky festival ka shume vlera.
Ju Faleminderit

Lulzim Tafa

Vijnë reagimet e poetëve nga Serbia ndaj çmimit “Mihai Eminescu” që mori Lulzim Tafa

Pjesëmarrja e poetit kosovar Lulzim Tafa, në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë “Miahi Eminescu”, që po mbahet në Rumani, ka nxitur reagime në komunitetin artistik të Serbisë.

Ky festival prestigjioz që ka mbledhur në edicionin e tij të sivjetmë poetë nga 40 vende të ndryshme të botës, ka ftuar nga Kosova edhe poetin kosovar Lulzim Tafa, ndërsa nga Serbia janë ftuar të marrin pjesë pesë poetë serbë.

Por, ftesa për pjesëmarrje të Lulzim Tafës si dhe triumfi i tij në këtë festival, ka nxitur reagime nga poetët serbë.

Poeti serb Adam Puslojiq, i cili njëherësh është edhe anëtar i Akademisë Rumune, u ka dërguar notë proteste organizatorëve të festivalit, sepse në mesin e dyzet vendeve pjesëmarrëse është ftuar të marrë pjesë edhe Lulzim Tafa nga Kosova. “Si poet serb dhe anëtar i Akademisë rumune, nuk mund t’ ia lejoj vetes një gjë të tillë. Kjo për mua është makth dhe dramë njerëzore”, ka shkruar Puslojiq.

“Nuk e kam pritur një gjë të tillë, sepse Rumaninë e kam atdheun e dytë”, ka cituar poetin Puslojiq, Gazeta serbe Veçernje Novosti.

Reagimi i Puslojiq për pjesëmarrjen e Tafës në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë “Mihai Eminesku”, ka shkuar edhe më tej duke akuzuar organizatorët se nuk kanë të drejtë ligjore dhe sipas tij “nuk e kanë pasur dritën jeshile” të Ministrisë së Kulturës, sepse Rumania nuk e ka njohur ende Kosovën.

Kujtojmë se poeti Lulzim Tafa, përveç pjesëmarrjes, u shpall edhe fitues i edicionit të gjashtë të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Mihai Eminescu” që po mbahet në Krajovë të Rumanisë./ KultPlus.com

Lulzim Tafa, fitues i çmimit Miahi Eminesku

Poeti kosovar Lulzim Tafa, fitoi çmimin Miahi Eminesku në Festivalin Mondial de Poezie, shkruan KultPlus.

Lajmi është bërë i ditur nga drejtuesit e Universitetit AAB, ndërsa ai fitoi çmim special në këtë festival.

Festivali mbahet në Craiova në Rumani ndërsa organizohet nga Akademia Ndërkombëtare Mihai Eminescu.

Lulzim Tafa është i pranishëm në letërsinë shqipe për më shumë se dy dekada e gjysmë, duke qenë njëri ndër poetët më të përkthyer shqiptar në botë. Poezitë e tij janë përfshirë edhe në disa antologji botërore dhe është fitues i disa çmimeve ndërkombëtare për letërsi.

Krahas botimeve në shumë vende të botës, viteve të fundit është botuar edhe në vendet e ish Jugosllavisë, si në Sarajevë e Podgoricë, dhe është pritur jashtëzakonisht mirë nga lexuesit por edhe nga kritika letrare. Madje, dy shkrimtarët më të mëdhenj të vendeve të tyre, Jevrem Bërkoviq në Mal të Zi dhe Abdullah Sidran në Bosnjë e Hercegovinë, nuk kanë ngurruar ta cilësojnë Lulzim Tafën, njërin ndër poetët më të mirë të Ballkanit./ KultPlus.com

Të dielave mos më thirr më

Poezi nga Lulzim Tafa.

Të dielave mos më thirr më

Mund të mos zgjohem

Përjetë të rri në gjumin e vdekjes

Mos i harro çastet e ngrira

Veç të dielës zgjidhe ditën tënde

Për ty kur të vdes

Pas shtatë bjeshkësh të ta gjej emrin

Ah, si nuk vjen ditëve të tjera.

(Marrë nga Libri “I kam edhe dy fjale”) / KultPlus.com

Vargjet e Lulzim Tafës janë rrugë, kujtime dhe ëndrra

(Përkitazi me librin poetik “Ti a ke dhembje” (Dali ti imas bolka) të autorit nga Kosova, Lulzim Tafa, botim në gjuhën maqedone, Akademski pecat, Shkup, 2018, fq. 87)

Hristo Petrevski

Siç na sugjeron edhe vetë titulli i librit “Ti a ke dhembje” fjala është për një realizim autentik të ngjeshur me lirikë dashurie (të rrëfyer), por edhe për këngëtime dhe pasqyrime për ekzistencën, jetën, përditshmërinë…

Në mesin e preokupimeve poetike është njeriu, në këtë rast kryesore është vasha (gruaja) bashkë me emocionet, pasionet e trazuara… Poeti Lulzim Tafa shkruan në mënyrë të ndjeshme, të përjetuar, të sinqertë, të ngrohtë… Sensibiliteti dhe sensiviteti i tij transformohet dhe derdhet pothuaj në secilën poezi të librit, ku dy fytyrat kryesore femërore Teuta dhe Ajkuna (Una) janë shtylla kryesore, si zjarri dhe flaka, por edhe frymëmarrje, përmallime, ëndrra, kënaqësi, kujtime…

Duke qenë gjithnjë i ballafaquar dhe i kryqëzuar në mes jetës dhe vdekjes, autori shkruan dhe përshkruan, deklamon dhe deklaron, konstaton dhe diagnostifikon, duke e ditur, duke kujtuar dhe duke potencuar se “kur zemërohen zotërat/ lindin poetët”.

Metafora dhe metaforika (metaforiciteti) burojnë dhe shpërthejnë gati në secilin varg dhe fjalë. Tafa i zbërthen ëndrrat. I vesh dhe i zhvesh metaforat, i njeh dhe i përjetëson, i peshon dhe i mat kohën dhe hapësirën, botën dhe shekullin… Ai interesohet dhe e vëzhgon rrugën e dritës, gjithmonë duke e vrojtuar edhe anën e errët, duke e balancuar si një drejtpeshues dhe pothuajse të njëjtën kohë në mes jetës së qenit dhe të njeriut, duke i shijuar frytet, por edhe mallkimin e krijimtarisë dhe zejes së shkrimtarit. Ndaj, jo rastësisht, në një rast brenda librit të tij poeti thotë: “Zot na ruaj/ nga gjeli i keq qërren”.

Pak më tej poeti do të këndojë e nënvizojë edhe këtë varg të shkëlqyer: “Vdekja u bë/ lirikë e bukur”.
Me pasqyrime tëëmbla, të brishta dhe të buta, subtile dhe të moderuara të erotikës dhe ballafaqimin me prodhuesit dhe prodhimet e pikëllimit, ky libër është plot me përjetime, kujtime, pasqyrime,viviseksione dhe riminishenca.

Është e vërtetë dhe ka të drejtë Lulzim Tafa “Vdekja nuk mund t’ u bëjë asgjë të pavdekshmëve”. Në këtë udhë dhe në këtë përpjekje përulet dhe përfshihet edhe vetë ai me krijimtarinë e tij poetike, psikologjike, sociologjike dhe emocionale.
Nëpërmjet formave të ngjeshura poetike – të shkurtëra, të qarta, shpirtërore, koncize, esenciale dhe lapidare, të cilat ngjajnë shumë dhe na i kujtojnë madje edhe poezinë haiku, me sa duket, kjo është forma ideale e shprehjes së këtij autori i cili është kundër frazitetit dhe anakronizmit, por edhe patriotizmit të rrejshëm dhe trimërisë epike, por angazhohet për bashkëkohësinë, thjeshtësinë dhe të vërtetën.

Nëpërmjet parodisë, ironisë dhe sarkazmit ai skanon dhe gjithçka vetëskanon deri në shkallën e zhveshjes dhe lakuriqësimit, ndaj janë mahnitëse disa përplasje aktuale dhe shkëndija lakonike, siç është për shembull “Sa është i lehtë celulari/ sa i rëndëjam unë/ pa SMS-të e tua/ e dashur”.
Poeti thotë: “e kërkoj vetveten nëpër rrugë” (e cili autor nuk e kërkon – do të pyesnim dhe do të konkludonim ne), edhe në tokë, edhe në qiell, rrugëve të vjetra të mbuluara me mall, rrugëve të reja të mbuluara me dyshim…Një autor vërtet i pjekur dhe i dëshmuar me poezi e cila është domethënëse dhe e vlefshme, e menduar mirë, bashkëkohore dhe e qëndrueshme.

( Autori është Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Maqedonisë si dhe Drejtor iShtëpisë Botuese “Feniks” dhe Fondacionit “Makedonija Prezent”)

Libri me poezi i Lulzim Tafës vjen edhe në gjuhën maqedone

Njëra ndër shtëpitë më të njohura botuese në Maqedoni “Akademksi Peçat”, ka botuar një përmbledhje me poezi të zgjedhura të poetit të njohur kosovar, Lulzim Tafa, me titull “Dali ti imas bolka” (“Ti a ke dhembje”).

Në parathënien e librit, studiuesi maqedonas Hristo Petreski, e ka quajtur Lulzim Tafën një poet me stil dhe gjuhë të veçantë, duke ia tërhequr vëmendjen lexuesit maqedonas për poezinë, siç e quan ai, të ngrohtë që sjell Lulzim Tafa në poezinë e tij.

Lulzim Tafa është i pranishëm në letërsinë shqipe për më shumë se dy dekada e gjysmë, duke qenë njëri ndër poetët më të përkthyer shqiptar në botë. Poezitë e tij janë përfshirë edhe në disa antologji botërore dhe është fitues i disa çmimeve ndërkombëtare për letërsi.

Krahas botimeve në shumë vende të botës, viteve të fundit është botuar edhe në vendet e ish Jugosllavisë, si në Sarajevë e Podgoricë, dhe është pritur jashtëzakonisht mirë nga lexuesit por edhe nga kritika letrare. Madje, dy shkrimtarët më të mëdhenj të vendeve të tyre, Jevrem Bërkoviq në Mal të Zi dhe Abdullah Sidran në Bosnjë e Hercegovinë, nuk kanë ngurruar ta cilësojnë Lulzim Tafën, njërin ndër poetët më të mirë të Ballkanit./ KultPlus.com

Lulzim Tafa zgjedhet anëtar i rregullt i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve

Poeti i njohur kosovar, profesori dhe Rektori i Kolegjit AAB, Prof.dr. Lulzim Tafa është zgjedhur anëtar i rregullt i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve.

Këtë vendim Akademia e mori në mbledhjen e fundit të Komitetit të Nominimit. Lulzim Tafa është njëri ndër poetët tanë më të njohur dhe më të përkthyer, po ashtu është shpërblyer me shumë çmime ndërkombëtare të fushës së letërisë dhe është përfshirë në disa antologji të letërsisë botërore.
Akademia Evropiane e Shkencave dhe Arteve tubon rreth vetes personalitete të shquara të shkencës dhe artit në mesin e të cilëve edhe shumë nobelistë.

Lulzim Tafa nga sot është anëtar i rregullt i kësaj Akademie, ka njoftuar kjo EASA./KultPlus.com