Lumi i Gashit në Tropojë, pasuri botërore e mbrojtur edhe nga UNESCO

Lumi i Gashit në Tropojë është shndërruar në një destinacion të preferuar nga vizitorët vendas dhe të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot foto nga kjo pasuri botërore, e cila është e mbrojtur edhe nga UNESCO.

Kreu i qeverisë theksoi se Lumi i Gashit bashkon bukuritë e rralla të natyrës me turistët e apasionuar pas aventurës të shoqëruar nga udhërrëfyesit profesionistë.

Lumi i Gashit, shpallur si zonë e mbrojtur ‘Rezervë Strikte Natyrore” në vitin 1996 dhe prej vitit 2017 pjesë e rrjetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, konsiderohet një mrekulli natyrore.

Me një sipërfaqe prej 3 mijë hektarë, Lumi i Gashit shtrihet në pjesën lindore të Alpeve Shqiptare duke u kufizuar në veri me Malin e Zi dhe në verilindje me Kosovën.

Për të vizituar këtë mrekulli natyrore në pellgun e parkut kombëtar të Valbonës në Tropojë, duhet ndjekur rruga automobilistike nga Bajram Curri në fshatrat Dragobi, Qerem, Markovçë, Rorkuz dhe Dobërdol, ndërsa nga këtu ndiqet rruga këmbësore drejt Lumi të Gashit, rrugë e cila zgjat 45 minuta. Gjithashtu një tjetër shteg në rrugë këmbësore që të çon në Lumin e Gashit është Tropojë e vjetër duke kaluar përmes zonave, Degaj, Kanali i Gashit, Brodoshnicë, Qafa e Livadhit, Kusheticë dhe Dobërdol.

Pjesa më e madhe e sipërfaqes së Lumit të Gashit është thuajse tërësisht e mbuluar me pyje të virgjëra ahu dhe pjesa tjetër me pyje halorë si Pinus heldreichii, Abies Alba Pinus sylvestris, Pinus peuce. Rrjedha e pandalshme e shumëvjeçare e ujit të këtij lumi e ka ndihmuar botën e gjallë të lulëzojë dhe të marrë jetë nga ai. Llojet më të përhapura ndër to janë Ranunculus platanifolius, Cardamine enneaphyllos, Actaea spicata, Geum coccineum, Cephalantera rubra, Digitalis grandiflora, Viola aethiolica, Viola tricolor. Përveç kësaj, këtu gjenden edhe specie bimore të listuara në librin e kuq që ja rrisin vlerat zonës si; Atropa Belladonna, Lilium albanicum, Convallaria majalis dhe Lunaria telekiana kjo e fundit bimë endemike. L. telekiana është një specie shumë e rrallë dhe e rrezikuar e cila rrit vlerat e biodiversitetit në pjesën e Lumit të Gashit.

Përsa i përket faunës kjo zonë krijon kushte shumë të favorshme për rritjen dhe përhapjen e shumë llojeve të kafshëve dhe shpendëve.

Llojet kryesore të kafshëve që gjenden në këtë zonë të rrallë natyrore janë, ariu i murrmë (Arsus arctos), dhia e egër (Rupicapra rupicapra), kaprolli (Capreolus capreolus) macja e egër (Felis silvestris), ujku (Canis lupus), derri i egër, lepuri, dhelpra. Kurse shpendë mund të përmendim; gjeli i egër (Tetrea urogallus), shqipja e Ballkanit (Circus pygargus), zhgaba (Gyps fulvus), thëllëza e malit, (Alectoris graeca) etj.

Shqipëria është një vend i bekuar me bukuri natyrore të larmishme dhe mjaft të veçanta, mes të cilëve edhe kjo zonë e cila vit pas viti ka tërhequr turistë të shumtë vendas edhe të huaj.

Për turistët e shumtë që vizitojnë Valbonën ka terrene dhe atraksione të reja ende për t’u eksploruar.

Lumi i Gashit, pasuria shqiptare në UNESCO

Një ndër vendet më të veçanta dhe më pak të paeksploruara në Shqipëri është padyshim Lumi i Gashit. I ndodhur në Qarkun e Kukësit, Tropojë, Lumi i Gashit ka një sipërfaqe prej 3000 ha.

Në këtë zonë ndërthuren mjaft bukur pamjet e mrekullueshme, të cilat të sinkronizuara në harmoni me njëra- tjetrën, krijojnë më pas panoramën që secili turist do të dëshironte të shikonte me ardhjen e tij në Shqipëri. Pamjet mbresëlënëse që ky vend ka në të gjithë gjatësinë e tij, shoqërohen nga një larmishmëri pemësh që të shtojnë edhe më shumë dëshirën për ta vizituar dhe parë më nga afër.

Rrjedha ujore që përshkron këtë vend, ka dhënë një kontribut të vyer në botën e gjallë, e cila ka lulëzuar dhe jetuar e qetë, e pashfrytëzuar nga dora e njeriut. Bukuritë e të quajturit Lumi i Gashit janë përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Në afërsi të Lumit të Gashit ndodhen liqenet akullnajorë të Dobërdolit dhe Sylbicës, të cilët vetëm sa rrisin favoret atraktive të zonës. Për të vizituar rezervën natyrore ndiqet rruga automobilistike që fillimisht kalon nga Bajram Curri në fshatrat Qerem, Torkuz, Doberdol dhe pas 45 kilometrave përshkohet rrugë këmbësore që të afron tek Lumi i Gashit. Guidat lokale mund të sugjerojnë edhe një shteg tjetër për këmbësorë i cili duhet thënë se është më shumë impenjativ.

Më datën 7 korrik 2017 Komiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s i mbledhur në Krakov – Poloni, miratoi zgjerimin e zonës së Trashëgimisë Botërore të pyjeve të vjetra të Ahut me dy zona nga Shqipëria, lumin e Gashit (Tropojë) dhe Rrajca (Përrenjas) duke i përfshirë ato në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. /diasporashqiptarre/ KultPlus.com

Shtatë pasuritë shqiptare që janë pjesë e trashëgimisë botërore

Një vend i vogël si Shqipëria por me pasuri të rralla dhe një trashëgimi të pasur kulturore, ku shtatë prej tyre janë tashmë të vendosura nga UNESCO në listat e trashëgimisë botërore. IntoAlbania i sjell ato së bashku duke na treguar pasuritë e saj të shumta natyrore, shpirtërore dhe kulturore, përcjellë KultPlus.

Butrinti

Ky mikrokozmosi i rrallë i historisë së Mesdheut u shpall si Vend i Trashëgimisë Botërore nga UNESCO në vitin 1992 dhe kryeson çdo listë ndërkombëtare të atraksioneve që duhen parë në Shqipëri! Rrënojat 2500-vjeçare të Butrintit, brenda një parku madhështor të gjelbërt e me një hapësirë prej 30 km, janë disa nga më të bukurat e të mirëmbajturat në Evropë. Teatri i shekullit të III-të para Krishtit, Tempullit i Eskulapit (shek I – II), perëndisë antike të shëndetit, dhe mozaiku me 69 medaljone kishtare janë vetëm tre prej kryeveprave të Butrintit. Liqeni i Butrintit, kanali i Vivarit që lidh luginën e Butrintit me detin Jon, Kalaja trekëndore e ndërtuar aty pranë, si dhe pyjet e dendura që veshin gjithë peizazhin janë disa nga arsyet pse Buthrotum-i i lashtë përmendet në poemën epike të Virgjil-it, Eneidi!

Gjirokastra

I njohur si një nga vendet e shpallura Trashëgimi Botërore e UNESCO-s, ky qytet i veçantë është ndërtuar në shpatet e pjerrëta, me shtëpitë prej guri që duket sikur janë ngritur mbi njëra-tjetrën. Bashkë me shtëpitë më të famshme në vend, si ajo e fëmijërisë së Ismail Kadarsë apo Enver Hoxhës, por edhe të familjeve të tjera vendase të shquara, në rrugët me kalldrëm të këtij qyteti gjendet pazari dhe kalaja më e vjetër e gjithë Ballkanit. Qyteti i gurtë njihet jo më pak edhe për panoramën e tij malore, e cila e rrethon Gjirokastrën në tërësi. E sikur të duhej më tepër, në rrethinat e Gjirokastrës gjenden qytetet e bukura antike të Antigonesë dhe Adrianopolit si edhe disa bukuri të rralla natyrore si Liqeni i Viroit dhe Kanioni i Lengaricës ndër shumë të tjera.

Berat

Është arkitektura e veçantë e qytetit që e ka pozicionuar Beratin si një nga vendet e Trashëgimisë Botërore UNESCO në Shqipëri. I ndarë në dy lagje historike, Mangalemin dhe Goricën, nga lumi Osum, qyteti bashkohet përmes urës së gurtë të Goricës. Ky qytet, një herë e një kohë i quajtur Antipatrea, është i rrethuar nga Tomori dhe Shpiragu, dy nga malet më mitike të Shqipërisë. E kështu Berati zë vend të veçantë dhe në hartën e adhuruesve të natyrës. Ngjitje mali, çiklizëm, rafting apo kayaking janë vetëm disa nga aktivitetet në natyrë që mund të realizoni përreth këtij qyteti. Kalaja mesjetare e Beratit bashkë me Muzeun Kombëtar të Onufrit ofrojnë gjithashtu një udhëtim të rrallë. Për mos t’u harruar janë edhe Qendra Mesjetare në Berat e kuzhina e famshme e këtij qyteti!

Kodikët e Beratit

Vlen të përmenden këtu këto dorëshkrime me rëndësi të veçantë historike për fillimet e letërsisë biblike të cilat quhen zyrtarisht “Kodiku i Purpurt i Beratit.” Kodiku u regjistrua në listën e veprave më të rëndësishme të njerëzimit, të ashtuquajturën Kujtesën e Botës të UNESCO-s, në vitin 2005. Dy kodikët e Beratit, të botuar në vitin 1887, janë pjesë e grupit të “shtatë kodikëve të purpurt” të shkruar në 13 vende të ndryshme në Europë midis shekullit VI-të dhe VIII-të. Një herë e një dy kodikët, të shkruar në greqishten e lashtë, mbaheshin në kishën e Shën Gjergjit në Berat por sot ata gjenden në Arkivin Kombëtar të Shqipërisë.

Liqeni i Ohrit

Me një thellësi prej 285 m, Liqeni i Ohrit është më i thelli në Ballkan dhe lag në pjesën më të madhe të tij Maqedoninë (Ohër, Strugë), dhe Pogradecin në Shqipëri. “Liqeni i dritës” u shpall pasuri natyrore nga UNESCO në vitin 1980 dhe, që prej korrikut te vitit 2019, është pjesë e listës së UNESCO-s edhe pjesa shqiptare e liqenit. Plot 4 milionë vjet janë dashur që të krijohet një liqen i këtyre përmasave, dhe gjithçka filloi kur nisi të shembej toka në pjesën perëndimore të Alpeve Dinarike. Sot, ky liqen i bukur i mjelmave është një ekosistem që përmban më shumë se 200 specie, duke përfshirë koranin, peshkun e shijshëm i cili noton vetëm në këto ujëra. Ka shumë vende të bukur, si Pogradeci, fashti Lin apo edhe shumë fshatra të tjerë në këtë zonë të cilët rrethohen nga pamja qetësuese e këtij liqeni e ku kjo e fundit mund të shijohet më së miri.

Lumi i Gashit

Lumi i Gashit është një prej dy rezervateve natyrore shqiptare të pëfshirë në listën e trashëgimisë botërore të natyrës të UNESCO-s. Me një sipërfaqe prej 3000 ha, lugina e Gashit gjendet në pellgun e parkut kombëtar të Valbonës, në verilindje të Alpeve, në rrethin e Tropojës, shumë larg zonës së banuar. Një pjesë e madhe e sipërfaqes së Lumit të Gashit mbulohet me pyje të virgjëra ahu e këto pyje të lashta janë arsyeja pse Shqipëria i është bashkuar 12 vendeve të tjerë në listen e UNESCO-s. Kjo mrekulli natyrore ruan një nga natyrat më të paprekura në Shqipëri! Në afërsi të Lumit të Gashit ndodhen liqejtë akullnajorë të Dobërdolit dhe Sylbicës, të cilët i dhurojnë gjithë zonës një pamje përrallore.

Rrajca

E dyta në listën e trashëgimisë botërore të natyrës të UNESCO-s është Rrajca, pjesë e European Green Belt të pyjeve të ahut si edhe një prej vendeve të pakta ku gjendet rrëqebulli ballkanik. Pranë zonës së Përrenjasit apo Librazhdit, kjo hapësirë prej 4700 ha, pëfshin katër liqene të mahnitshme akullnajore. Rrajca është pjesë e Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanica, i cili është ende relativisht i panjohur sepse ka qenë zonë e ndaluar kufitare gjatë gjysëm shekulli të diktaturës komuniste. Ishte pikërisht kjo mbyllje, që sot përbën dhe një nga asetet më të mëdha të tij, pasi rreth 34 mijë ha sipërfaqe plot me pyje, livadhe e lule shumëngjyrëshe, janë tejet të paprekura.

Iso-polifonia

Kjo mënyrë të kënduari e trashëguar në breza, tashmë njihet dhe si pasuri e të gjithë botës. Arti i iso-polifonisë është shpallur nga UNESCO në vitin 2005 si trashëgimi gojore dhe shpirtërore e njerëzimit si edhe përfshihet në 50 atraksionet më tërheqëse të popujve në botë. Edhe poeti i njohur britanik Bajroni, i sugjestionuar nga magjia e iso-polifonisë, i ka dedikuar disa vargje asaj. Koha e shpërbleu këtë trashëgimi të shqiptarëve nga shekulli në shekull, e ajo mbetet një nga më të mbrojturat e të paharruarat në vend. Kjo këngë po aq e qetë sa edhe tronditëse mund të këndohet ose, më saktë, isoja të mbahet, prej dy, tre apo katër zërave, të cilët bashkohen për të arritur harmoninë e vërtetë. Iso-polifonia mbahet si një praktikë komunikuese që ka mbërritur në ditët tona që nga periudha e Homerit!/intoalbania/ KultPlus.com