Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut iu konfirmohet aktakuza për vrasjen e Marigona Osmanit

Gjykata Themelore e Ferizajt e ka konfirmuar aktakuzën ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të cilët akuzohen për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit.

Më 23 gusht 2022, “Betimi për Drejtësi” ka raportuar se mbrojtësit e të akuzuarve Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, të cilët ngarkohen për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani në gusht të vitit 2021, kanë kërkuar hudhjen e aktakuzës.

Gjyqtari i çështjes, Sahit Krasniqi më 2 shtator 2022, mori aktvendim në bazë të së cilit i ka refuzuar kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet e provave, të parashtruara nga mbrojtja e të akuzuarve.

Këtë e kanë konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, nga zyra për informim e kësaj gjykate.

Ndryshe, më 14 korrik 2022, është mbajtur seanca fillestare ku Dardan Krivaqa ka shfrytëzuar të drejtën të mbrohet në heshtje, kurse Arbër Sejdiu, është deklaruar i pafajshëm.

Krivaqën prokuroria e ngarkon me veprën penale vrasje e rëndë dhe dhunim, kurse Sejdiu po akuzohet për veprën penale vrasje e rëndë dhe ndihmë në kryerjen e dhunimit.

Sipas aktakuzës i pandehuri Dardan Krivaqa më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar të njëjtën për të kryer marrëdhënie seksuale, e cila siç thuhet në aktakuzë përcillet me tortura.

Gjithnjë sipas aktakuzës, aty thuhet se i pandehuri Krivaqa fillimisht pa dëshirën e tani të ndjerës ka kryer marrëdhënie seksuale në sallon, pas kryerjes së aktit seksual të njëjtën të zhveshur e kishte dërguar në banjo, nga aty me dhunë e kishte dërguar në dhomën e gjumit, mirëpo me kalimin e kohës për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore tani e ndjera Marigona Osmani si pasojë e dhunës së ushtruar kishte humbur aftësinë për të rezistuar, e ku në dy raste në mbrëmje kishin kryer marrëdhënie seksuale, pastaj i pandehuri Dardan të zhveshur e kishte dërguar në banjë, e ku i vërehen edhe lëndimet në trup,

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhunimi” nga neni 227, par. 4, nënpar 4.1, lidhur me par.1 të Kodit Penal.

Sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, i pandehuri Arbër Sejdiu më 21 gusht 2021, në banesën e të pandehurit të parë në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, me dashje i kishte ndihmuar të pandehurit Dardan Krivaqa në kryerjen e veprës penale të dhunimit.

Sipas aktit akuzues thuhet se fillimisht dy të pandehurit kishin kontaktuar përmes telefonit dhe ishin takuar në qytet, pastaj së bashku ishin kthyer në banesë, ku i pandehuri Arbër posa kishte arritur, duke qenë në dijeni se i pandehuri Dardan është duke e dhunuar tani të ndjerën Marigona Osmani, me dashje kishte marrë veprime me të cilat lehtësohet kryerja e dhunimit.

Tutje thuhet se dy të pandehurit së bashku kishin hyrë në dhomën ku kryhet dhunimi, e ku e ndjera ishte e zhveshur, e të cilin veprim gjatë qëndrimit në banesë e merr disa herë, po ashtu dhe gjatë asaj kohe kishte përcjellë gjendjen nëse ndonjë nga banorët është duke lëvizur aty pari.

Siç e përshkruan aktakuza, i pandehuri Arbër Sejdiu po ashtu edhe disa herë kishte dalë nga banesa për të blerë gjëra ushqimore, ndërsa gjatë gjithë kohës dy të pandehurit kishin biseduar mes vete, kështu tutje, të pandehurit Dardan Krivaqa i kishte dhënë telefonin për të thirrë kompaninë e cila menaxhon kamerën, që ishte e vendosur në korridorin e banesës me qëllim që të fshihen video-incizimet, gjegjësisht provat e veprës penale.

Me këtë, Sejdiu akuzohet se ka kryer veprën penale “Nihmë në kryerjen e dhunimit” nga neni 227, par 4, nënpar. 4.1, lidhur me par. 1 dhe nenin 33 të Kodit Penal.

Kjo aktakuzë në dispozitivin e III-të, dy të pandehurit Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu i ngarkon për veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.

Aty thuhet se më 22 gusht 2021, në banesën e të pandehurit Dardan Krivaqa, në rrugën “Ramadan “Rexhepi”, në Ferizaj, me dashje dhe në bashkëkryerje, me qëllim të fshehjes së veprës penale dhunimi e kanë privuar nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me të cilën i pandehuri i parë ishte në bashkësi jashtëmartesore.

Tutje, sipas aktakuzës, përshkruhet se në intervale kohore nga ora 10:56 deri në orën 14:43, i pandehuri i parë kishte marrë një shkop, e së bashku me të pandehurin e dytë kishin hyrë në dhomë dhe kishin filluar ta godasin tani të ndjerën në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtës i kanë shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psiqike, ku nga goditjet e njëjta ka pësuar politrauma-lëndime të shumëfishta, ku vdekja shkaktohet drejtpërdrejt nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe gjakderdhjes së brendshme, nga thyerja e ashtit të nofullës së poshtme, thyerja e brinjëve, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhjes epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël, këputje parciale të palcës së kurrit në qafë, të njëjtën e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm – Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe largohen nga aty.

Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, par. 1, nënpar. 1.3, 1.4 dhe 1.7, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal. / KultPlus.com

Vrasja e Marigona Osmanit, sot nis gjykimi ndaj Dardan Krivaqës e Arbër Sejdiut

Gjykata Themelore e Ferizajt nis sot gjykimin ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut si të dyshuar kryesorë për rastin e vrasjes së Marigona Osmanit në gusht të vitit të kaluar, një rast që kishte tronditur vendin dhe që ngjalli reagime të ashpra.

Prokuroria Themelore në Ferizaj në fund të muajit të kaluar ka ngritur aktakuzë kundër dy të pandehurve të cilët gjenden në paraburgim nga muaji gusht 2021.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, me datë 22 Gusht 2021, të pandehurit Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, me dashje dhe në bashkëkryerje e privojnë nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me çka në bashkëkryerje kryejnë veprën penale “Vrasja e rëndë”.

Po ashtu, sipas prokurorisë, për të pandehurin Dardan Krivaqa, ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhunimi”.

Ndërsa, i pandehuri Arbër Sejdiu, me dashje i ka ndihmuar të pandehurit Dardan Krivaqa, në kryerjen e veprës penale të dhunimit, me çka kreu veprën penale ndihmë në kryerjen e dhunimit.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit.

Në fillim të këtij muaji u publikua edhe dosja e plotë e prokurorisë në rastin e Marigona Osmanit, ku përshkruheshin dëshmitë se si 18-vjeçarja ishte dhunuar e më pas kishte ndërruar jetë.

Nofullën e poshtme të thyer, thyerje të brinjëve, thyerje të unazave të qafës, këputje e palcës së qafës, lëndimet të syve, fytyrës dhe pothuajse në çdo pjesë të trupit, janë ato çfarë janë përshkruar në raportin e autopsisë.

Lëndimet e shumta apo siç thuhet në raport ‘poli trauma’, ka bërë që të vihet deri të vdekja e tanimë të ndjerës. / Gazeta express / KultPlus.com

Vrasja e Marigona Osmanit, caktohet seanca gjyqësore ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut

Gjykimi ndaj Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, të akuzuar për vrasjen e 18-vjeçares, Marigona Osmanin, pritet të nis më 14 korrik të këtij viti.

Lajmin e kanë konfirmuar nga zyra për informim e Gjykatës Themelore në Ferizaj.

Ndryshe, kjo lëndë i është caktuar gjyqtarit Sahit Krasniqi.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, më 22 gusht 2021, të pandehurit Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, me dashje dhe në bashkëkryerje e privojnë nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmanin.

Me çka në bashkëkryerje, akuzohet se kanë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1,3, 1,4 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Po ashtu, sipas Prokurorisë, për të pandehurin Krivaqa, ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhunimi” nga neni 227, paragrafi 4, nënparagrafi 4.1 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Ndërsa, thuhet se i pandehuri Arbër Sejdiu, me dashje i ka ndihmuar të pandehurit Dardan Krivaqa, në kryerjen e veprës penale të dhunimit.

Me çka, akuzohet se kreu veprën penale “Ndihmë në kryerjen e dhunimit” nga neni 227, paragrafi 4, nënparagrafi 4.1 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 33 të KPRK-së.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur të shpallen fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit”, thuhet në njoftim. /Betimi për Drejtësi / KultPlus.com

Gjetjet e Prokurorisë: Dardan Krivaqa e dhunoi Marigona Osmanin, Arbër Sejdiu e ndihmoi

Prokuroria Themelore e Ferizajt posedon prova se Dardan Krivaqa e kishte dhunuar Marigona Osmanin, duke e dërguar me forcë në banjon e banesës, sado që në pamjet kamerave e ndjera shihet duke rezistuar. Sipas prokurorisë, Arbër Sejdiu, ishte kujdesur që dhuna që po zhvillohej ndaj 18-vjeçares të mbahej fshehur, pa e marrë vesh fqinjtë apo dikush përreth.

Në aktakuzën e ngritur për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani, të cilën e posedon të plotë Gazeta Express, Prokuroria Themelore e Ferizajt arrinë në përfundim se nga Dardan Krivaqa është kryer vepra penale “dhunimi”, ndërsa Arbër Sejdiu, e ka ndihmuar Krivaqen në kryerjen e veprës penale “dhunimi”.

Prokuroria konstaton se Krivaqa ka kryer marrëdhënie seksuale me të ndjerën pa pëlqimin e saj, ndërsa gjatë dhunimit është përdorë edhe një kabllo e telefonit dhe ujë për ta këndellur 18-vjeçaren, që sipas prokurorisë kjo është bërë me qëllim që ajo t’i ndjente dhimbjet më shumë.

“Nga provat e konstatuara, prokuroria ka ardhë në përfundim se në mes të pandehurit Dardan Krivaqa dhe të ndjerës Marigona Osmani ka pasur marrëdhënie seksuale pa pëlqimin e kësaj të fundit, fakt ky që vërtetohet nga video-incizimet e marra në vendin e ngjarjes, e ku shihet se e ndjera në fillim edhe pse nuk është plotësisht e orientuar reziston dhe e shpreh qartë dhe në mënyrë serioze se nuk është e pëlqimit për të kryer akt seksual ose për ta vazhduar atë, mirëpo i pandehuri me forcë e dërgon në banjë derisa e njëjta është lakuriq e po ashtu me forcë e kthen në dhomë, gjithashtu e ndjera nuk është e aftë për të dhënë pëlqimin për aktivitete seksuale për shkak të aftësisë së zvogëluar mendore dhe fizike, zvogëlim që ka ardhë si pasojë e dhunës fizike dhe psikike që është përdorë nga i pandehuri, fakt ky që vërtetohet nga video-incizimet ku i pandehuri shihet në dy raste duke e bartur për shkak se nuk është në gjendje të lëvizë vet e dërgon të ndjerën në banjo e cila është lakuriq. Se gjatë marrëdhënies seksuale është përdorur forca, vërtetohet nga video-incizimet. Po ashtu gjatë dhunimit është përdorë edhe një kabllo e zezë për mbushje të telefonit, e cila e kishte të dëmtuar kokën hyrëse…E po ashtu në shtratin ku ka qenë e ndjera është gjetur ujë, po ashtru tregon se i pandehuri me qëllim që e njëjta t’i ndjenjë sa më shumë dhimbjet ujin e ka përdorë për ta këndellë”, thuhet në aktakuzë, transmeton Gazeta Express.

Prokuroria konstaton se  Arbër Sejdiu e ka ndihmuar Krivaqen në kryerjen e veprës penale “dhunimi”. Prokuroria thotë se Arbër Sejdiu herë pas here shikon përmes vrimës së derës nëse dikush është duke u interesuar se çfarë po ndodh në banesë.

Tutje, Prokuroria thekson se vrasja është kryer në mënyrë mizore dhe vdekja e viktimës ka ardhë si pasojë e përdorimit të forcës fizike.

Nga informacionet e marra nga Policia e Kosovës, në aktakuzën e prokurorisë ceket se Dardan Krivaqa është i dyshuar që nga viti 2006 për kryerjen e 133 veprave të ndryshme penale, ndërsa Arbër Sejdiu është i dyshuar për kryerjen e disa veprave penale. /KultPlus.com

Prokuroria merr raportin e autopsisë së Marigona Osmanit

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka pranuar raportin e autopsisë së 18 vjeçares, Marigona Osmanit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Nga kjo prokurori kanë thënë për T7, se për shkak të hetimeve rreth rastit, nuk mund të jepen detaje rreth raportit të autopsisë.

“Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka pranuar raportin e autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë lidhur me rastin e 18 vjeçares M.O., mirëpo, për shkak të procesit të hetimeve, nuk mund të japim detaje nga ky raport”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë për T7.

Ndërkohë, policia e Kosovës ka arrestuar dy persona lidhur me këtë rast.

Të arrestuarit janë bashkëshorti i 18-vjeçares, Dardan Krivaqa dhe shoku i tij Arbër Sejdiu.

Më 23 shtator të këtij viti, Gjykata Themelore e Ferizajt u ka vazhduar paraburgimin edhe për dy muaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të dyshuar për vrasjen e Marigona Osmanit, 18 vjeçares në Ferizaj.

Lajmin e ka konfirmuar Albënora Bekteshi, zyrtare për informim në Gjykatën e Ferizajt.

“Mund të konfirmoj se të dyshuarve për vrasje të rëndë, Gjykata u ka vazhduar paraburgimin deri më 21 nëntor”, ka thënë Bekteshi.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Krivaqa, më 22 gusht 2021, ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj tashmë të ndjerës Marigona Osmani, me çka në bashkëkryerje edhe me të dyshuarin Arbër Sejdiu (i cili gjendet në paraburgim), kanë kryen këtë vepër penale.

Gjithashtu sipas Prokurorisë ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Arbër Sejdiu, më 22 gusht 2021, gjatë gjithë kohës ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes kur i pandehuri tjetër Dardan Krivaqa, ka ushtruar dhune psikike dhe fizike ndaj tashmë të ndjerës dhe me këtë rast i njëjti (Arbër Sejdiu) ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në kryerjen e veprës penale, në vdekjen e të ndjerës.

Sipas Prokurorisë të dyshuarit më pas të njëjtën e dërgojnë dhe e lënë në Spitalin e Përgjithshëm në Ferizaj, pa shenja jete, ndërsa ikin në drejtim të panjohur./ Express / KultPlus.com

Në Ferizaj ndezen qirinjtë për Marigona Osmanin, 18 vjeçaren e cila u vra dje

Sonte në Ferizaj janë ndezur qirinjë për 18 vjeçaren, Marigona Osmani e cila gjatë ditës së djeshme u dërgua pa shenjta jete në Qendrën Emergjente të qytetit, transmeton KultPlus.

Ndryshe, edhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore ka thirrur një protestë për nesër në orën 12:00, pas vrasjes së 18-vjeçares.

Protesta pritet të mbahet pranë Stacionit Policor, Gjykatës dhe Prokurorisë në Ferizaj, në shenjë revolte ndaj dhunës.

Ndërkaq, pasi mjekët në spital e kanë konstatuar vdekjen e viktimës, Policia e Kosovës ka filluar mbledhjen e informacionit për kërkimin e dy personave që dyshoheshin se e kanë dërguar viktimën në spital. / KultPlus.com