Mbahet takim për forcimin e rolit të grave për mbrojtjen nga dhuna në familje

Komisariati i Policisë Vorë ka zhvilluar ditën e sotme një takim me temë “Forcimi i rolit të grave dhe vajzave, për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhuna me bazë gjinore”.

Në takim morën pjesë punonjës të Komisariatit të Policisë Vorë, përfaqësues nga “Qendra për Zhvillimin e Grave”, “Qendra për Nisma Ligjore Qytetare”, dhe përfaqësues të Bashkisë Vorë.

Gjatë takimit u bashkëbisedua për forcimin e rolit të grave dhe vajzave, për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, apo dhuna me bazë gjinore. Përfaqësuesit e Komisariatit të Policisë Vorë shprehën se, ndonëse mbetet përgjegjësi e strukturave policore nxjerrja përpara përgjegjësisë ligjore e autorëve të dhunës në familje, në fakt ky është një fenomen kompleks, i cili, që të trajtohet me efikasitetin e duhur, ka nevojë për mbështetjen e qendrave dhe institucioneve të tjera me fokus social.

Gjithashtu, përfaqësuesit e Komisariatit të Policisë Vorë, ritheksuan gatishmërinë dhe përkushtimin e tyre maksimal, për të trajtuar menjëherë dhe me kujdesin e duhur, çdo denoncim që ka si objekt, raste të dhunës në familje.

Nga ana e strukturave të Policisë, është punuar, jo vetëm në drejtim të evidentimit dhe të reagimit ndaj rasteve të dhunës në familje, por edhe për parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të konflikteve në familje. / KultPlus.com

Drejtësia zhgënjen gratë, 1548 raste të dhunës në 9 muaj

Mungesa e hetimeve që çojnë në zgjidhjen e rasteve të dhunës, vendimet e ulëta e qesharake nga ana e gjykatave, si dhe mosreagimi i duhur nga ana e Policisë së Kosovës, janë disa nga faktorët që, sipas Rrjetit të Grave të Kosovës, po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje.

Sipas të dhënave nga Kryeprokuroria e Shtetit, për nëntë muaj të vitit 2021, në Kosovë janë regjistruar 1.548 raste të dhunës, prej të cilave 1.396 janë regjistruara si dhunë në familje.

Në 445 raste, siç thuhet, ka pasur kërkesa për urdhër-mbrojtje të viktimave të dhunës në familje, kurse në 36 raste janë lëshuar urdhër-mbrojtje emergjente.

Adelina Berisha, menaxhere e programit kundër dhunës në baza gjinore në Rrjetin e Grave të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se, mostrajtimi i rasteve ashtu siç duhet, po bën që të ketë rritje të rasteve të dhunës ndaj grave, transmeton KultPlus.

“Policia shpesh e merr rolin e ndërmjetësuesit dhe ka tendenca për fajësimin e viktimës. Në Prokurori kemi mungesë të hetimeve dhe shpesh nuk dinë të bëjnë hetime siç do duhej, që do të çonin deri te zgjidhja. Nga gjykatat shpesh kemi vendime të cilat janë qesharake karshi veprës së rëndë që ushtruesit e dhunës e kanë shkaktuar”, tha Berisha.

Berisha ka treguar se gratë dhe vajzat, apo edhe persona të tjerë, të cilat drejtohen te autoritetet kompetente, hasin në vështirësi të mëdha.

“Edhe pse nuk është as në mandatin e shumë zyrtarëve policorë, dhe as të zyrtarëve tjerë nga qendrat për punë sociale, ata tentojnë ta bëjnë pajtimin mes çifteve edhe kur ka forma të ashpra të dhunës, apo kur dhuna është mes personave të panjohur, prapë mundohen ta minimizojnë dhunën dhe në njëfarë forme më shumë fokusi vihet te pajtimi i viktimave dhe ri-traumatizimi i tyre, sesa që të mblidhen prova dhe ushtruesi i dhunës të dalë para drejtësisë”, tha Berisha.

Nazife Jonuzi, drejtoreshë e Qendrës për Mbrojtjen edhe Rehabilitimin e Grave dhe Fëmijëve “Liria”, konsideron se dënimet që marrin dhunuesit janë shumë të ulëta dhe se sipas saj, ky është një prej faktorëve që ka rritje të numrit të rasteve.

“Riintegrimi është një ndër sfidat më të mëdha. Çka pas strehimit? Ku shkojnë gratë? Është shumë e dhimbshme se 80 për qind e grave kthehen prapë në ambientet e dhunës për arsye të riintegrimit, pagesat e qirave, mungesa e punës. Ne e dimë se punësimi është shqetësim i madh edhe për burrat edhe për gratë, mirëpo këto raste janë më shumë të atakuara. Riintegrimi nuk është vetëm sigurimi i një qiraje, por mungojnë banesat sociale”, tha ajo.

Jonuzi thotë se në Kosovë ende ka pabarazi të mëdha dhe se, sipas saj, raportet në publik dallojnë shumë nga gjendja faktike në terren.

“Ende është ajo stigma, paragjykimi se gratë duhet ta mbyllin gojën, duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe nuk duhet ta denoncojnë dhunën. Pabarazitë në familje ende janë shumë të mëdha”, u shpreh ajo.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë të hënën, më 25 tetor, në konferencën e organizuar nga Kryeprokuroria e Shtetit, me titull, “Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, se dhuna ndaj grave është bërë sfidë, jo vetëm për institucionet, por edhe për shoqërinë kosovare në përgjithësi.

“Ne nuk mund të heshtim ndaj kësaj gjendjeje, sikur nuk mund të heshtim as ndaj nevojës për mbështetje me të madhe të viktimave. Shkaktarët e krimit duhet të ndëshkohen, kurse viktimat duhet të rehabilitohen të inkurajohen dhe të mbështeten institucionalisht”, tha Osmani.

Ajo shtoi se ndryshimet pozitive arrihen duke punuar në zbatimin e ligjit dhe se, sipas saj, mosndëshkueshmëria e krimit kërkon zero tolerancë.

Kurse Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi tha se përpjekjet e sistemit prokurorial janë të vazhdueshme në parandalimin e krimit.

Megjithatë, ai shtoi se autoritetet janë të vetëdijshme se ende duhet bërë punë dhe përkushtim nga institucionet e drejtësisë për të parandaluar dhunimet, keqtrajtimet dhe vrasjet.

“Këto çështje duhet të trajtohen me prioritet gjatë punës së përditshme të prokurorëve, policëve hetuesë dhe punonjësve të tjerë të sistemit të drejtësisë. Prandaj, përkushtimi ynë duhet të jetë në koordinim dhe bashkëpunim sa më të ngushtë ndërmjet institucioneve ligj-zbatuese, që në asnjë moment të mos ketë neglizhim në ndjekjen dhe ndëshkimin e atyre personave që cenojnë të drejtat, liritë themelore dhe vlerat tjera të garantuara me kushtetutë dhe konventat ndërkombëtare”, tha Lumezi.

“Nuk kemi jetë për të humbur”

Ministrja Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, ka ftuar të hënën të gjithë bartësit e sistemit të drejtësisë që të marrin përgjegjësi që, siç tha ajo, t’iu dilet ballë këtyre rasteve.

“Thërras Policinë, prokurorët e gjyqtarët që të kryejnë detyrat e të mbrojnë jetët e vajzave dhe të grave. Nuk kemi jetë për të humbur. Dhuna ndaj grave nuk është çështje private, këtë duhet ta dinë të gjithë. Prandaj si e tillë nuk mund të mbetet si e izoluar brenda mureve të shtëpisë”, tha Haxhiu dhe theksoi se është shqetësues numri në rritje i dhunës ndaj grave dhe fëmijëve.

Nga janari i këtij viti, deri në muajin qershor, janë vrarë dy gra kurse në vitin 2020 janë vrarë shtatë gra.

Autoritetet në Kosovë kanë shqiptuar gjoba të ndryshme për dhunë në familje, përfshirë burgimin me kusht, me gjobë, apo dënime efektive.

Nëse keni nevojë të raportoni dhunën në familje, këta janë numrat që janë vënë në dispozicion:

Policia e Kosovës: 192 dhe 0800 19 999

Mbrojtësit e viktimave: 0800111112. /radioevropaelire/ KultPlus.com

Viktima e dhunës në familje: Më ka ardhur marre prej vetes se çfarë po më ndodhë

Mërgime Kajtazi është një nga vajzat që e ka përjetuar dhunën në familje. E reja nga Mitrovica për dy vite rresht u dhunua fizikisht dhe seksualisht nga bashkëshorti i saj, teksa jetonin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kajtazi ka rrëfyer se si ia ka dalë që ta përballojë këtë situatë.

“Ka qenë shumë  e vështirë, fillimisht gjatë periudhës sa kam qenë në atë martesë. Fillimisht ka qenë rasti kur unë nuk ia kam pranuar as vetes dhe mendoj që arsyeja kryesore se pse nuk ia kam pranuar vetes, ka qenë se mua më ka ardhur marre prej vetes se çfarë po më ndodhë”, ka thënë ajo.

Ajo tregoi se ka qenë familja ajo e cila e ka mbështetur atë, pasi kanë dëgjuar se Kajtazi është një nga viktimat e dhunës në familje.

 “Pasi i kam treguar familjes se çfarë po ndodhë, e kam pasur mbështetjen maksimale prej tyre dhe I falënderoj edhe sot. Unë nuk do të isha sot këtu po të mos ishin prindërit e mi. Kam thënë që nuk jam e para dhe nuk jam as e fundit që i ka ndodhë kjo. Në duart e një burri shqiptar. Çka unë muj me ba këtë rast është me e mbajtë dhimbjen gjithmonë sepse kjo gjithmonë do të jetë pjesë e imja”, ka thënë ajo.

E dhuna që ajo e ka përjetuar për dy vite radhazi, sipas saj ka filluar qysh në ditën e tretë të martesës së tyre.

“Dhuna ka nisë tri ditë pasi jam zhvendosur në New York për t’u martuar me të. Ka nisë për një përlarje mes çiftit për një arsye shumë të thjeshtë. Aq kam qenë e shokuar për herë të parë saqë tash e mundoj veten se pse kom duru aq shumë. E kam duru 1 vit e gjysmë para se me I tregu familjes. Tani jam në terapi”, tha ajo.

Kajtazi, më tutje tregoi se tashmë ish-bashkëshorti i saj, asnjëherë para martesës nuk ka shfaqur shenja dhune ndaj saj.

“Krejt shoqëria ime e ka dashur për sa sharmant dhe i hareshëm ka qenë. Se si ka arritur ai që me i manipulu një rreth shoqëror timin, familjen time dhe mua. Ai kurrë nuk ka shfaqur shenja dhune e as nuk e ka ngritur zërin kundrejt meje, deri kur kemi ardhur këtu”, deklaroi ajo, në T7. /KultPlus.com

E mbijetuara e dhunës në familje: 16 vjet e durova ish-burrin që më rrihte mua dhe fëmijët

Një e mbijetuar e dhunës në familje ka rrëfyer përjetimet e saj të dhunës për 16 vjet me radhë që tha se i kishte shkaktuar ish bashkëshorti.

Ajo u shpreh se gjithë këtë kohë e kishte duruar për shkak të kushteve ekonomike dhe se nuk kishte përkrahje nga familja e saj.

“Afro 16 vjet me radhë e kam përjetuar dhunën fizike dhe psikike. Pas lindjes së fëmijës së dytë, ish burri ka filluar me e përdorë alkoolin. Kemi tentuar edhe që ta mjekojmë, por me kohën u bë kronik dhe ardhjet e vona pas mesnatës në shtëpi dhe filloi të bëhet agresiv ndaj meje dhe fëmijëve. Ushtronte dhunë deri sa më përgjakte”.

“Më janë dhimbsur fëmijët, por nga ndarja më ndalte edhe primitivizmi dhe familja, kisha frikë t’i tregoja që kam dhunë të madhe. Shpesh kam shkuar edhe me shenja në familje, aty e para me ka vërejtur nëna”.

“Një kohë jam ndarë me të, por mbas tre vjetëve vajza më ra në depresion dhe më është lutur që të bëhemi bashkë familja, dhe për hatër të saj jemi pajtuar. Por pas dy muajsh ai filloi ta përsëriste dhunën”.

“E la punën dhe filloi të bënte kërkesa, për shkak të alkoolit më kërkonte para. Filloi të ushtronte dhunë edhe në fëmijë. Fëmijëve ua kontrollonte çantat dhe i merrte paratë e bukës”.

“Familja nuk më ka pranuar, më kanë thënë ‘bëj zgjidhje se nuk mund t’i durojmë fëmijët e alkooliqarit’. Nuk më kanë përkrahur as moralisht e as me financa’”.

“Kur e kam paraqitur rastin në polici, ish burrin e kanë mbajtur në paraburgim për 48 orë dhe më pas e kanë liruar. Tani është i liruar me kusht për një vit”, deklaroi e mbijetuara e dhunës familjare./klankosova/ KultPlus.com

Në Ferizaj ndezen qirinjtë për Marigona Osmanin, 18 vjeçaren e cila u vra dje

Sonte në Ferizaj janë ndezur qirinjë për 18 vjeçaren, Marigona Osmani e cila gjatë ditës së djeshme u dërgua pa shenjta jete në Qendrën Emergjente të qytetit, transmeton KultPlus.

Ndryshe, edhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore ka thirrur një protestë për nesër në orën 12:00, pas vrasjes së 18-vjeçares.

Protesta pritet të mbahet pranë Stacionit Policor, Gjykatës dhe Prokurorisë në Ferizaj, në shenjë revolte ndaj dhunës.

Ndërkaq, pasi mjekët në spital e kanë konstatuar vdekjen e viktimës, Policia e Kosovës ka filluar mbledhjen e informacionit për kërkimin e dy personave që dyshoheshin se e kanë dërguar viktimën në spital. / KultPlus.com

Mbi 1 mijë raste të dhunës ndaj gruas në familje vetëm gjatë vitit 2020

Sot në gjithë botën shënohet ‘Dita Ndërkombëtare e Gruas’. Në disa vende festohet kjo ditë, e diku tjetër protestohet për të drejtat e barabarta të grave në shoqëri.

Megjithatë, një ndër problemet kryesore, siç është dhuna fizike në bazë gjinore, mbetet e përhapur në mbarë botën.

Në Kosovë numri i rasteve të dhunës në familje, ku viktima janë gratë është rreth 3 herë më i lartë se numri i rasteve të raportuara, ku viktima janë burrat.

Vetëm gjatë vitit 2020, sipas raportit të Policisë së Kosovës, janë 1362 raste të dhunës në familje ku viktima janë gratë, ndërsa numri i rasteve është më i vogël sesa numri i viktimave, pasi në një rast të lajmëruar ka më shumë se një viktimë. Ndërsa, po gjatë këtij viti, në Policinë e Kosovës janë raportuar 469 raste të dhunës në familje, ku viktima janë burrat.

Ndryshe, në vitin 2019 numri i rasteve të raportuara për dhunë në familje në përgjithësi ka qenë më i ulët në krahasim me vitin 2020, por prapë numri i viktimave të gjinisë femërore ka qenë më i lartë, shkruan Albinfo.ch.

Ky është raporti i plotë i Policisë së Kosovës:

– Në vitin 2020, janë evidentuar 2069 raste ‘dhunë në familje’, sipas gjinisë viktima të këtyre rasteve kanë qenë 469 meshkuj dhe 1362 femra (numri i rasteve është më i vogël se numri i viktimave, pasi në një rast ka më shumë se një viktimë).
– Në vitin 2019, janë evidentuar 1915 raste ‘dhunë në familje’, sipas gjinisë viktima të këtyre rasteve kanë qenë 365 meshkuj dhe 1557 femra (numri i rasteve është më i vogël se numri i viktimave, pasi në një rast ka më shumë se një viktimë). / KultPlus.com

Nga sot në Shqipëri kush rreh gruan dëbohet nga shtëpia

Burrat që dhunojnë gratë apo pjesëtarë të tjerë të familjes, do të dëbohen menjëherë nga banesa duke filluar që nga dita e sotme.

Kështu parashikojnë ndryshimet në ligjin për masat kundër dhunës në familje, miratuar nga Parlamenti në datën 15 tetor 2020. Ndryshimet janë botuar në Fletoren Zyrtare në datën 3 nëntor 2020, ndërsa hyjnë në fuqi dhe do të zbatohen duke filluar nga kjo e mërkurë (18 nëntor 2020). Konkretisht, ligji i ndryshuar parashikon që, Policia e Shtetit, para se të vihet në lëvizje gjykata, urdhëron largimin e menjëhershëm të dhunuesit nga banesa, kur viktima dhe dhunuesi banojnë në të njëjtën strehë. Ligji i mëparshëm priste vendimin e gjykatës për të larguar dhunuesin nga banesa, kohë gjatë të cilës dhunuesi, kryesisht burrat, vijonin dhunën.

Me ligjin e ri, një burrë që dhunon gruan, do të largohet në kohë rekord nga banesa. Por ku do të strehohen burrat dhunues pas largimit nga banesa me anë të policisë? Qeveria do të bashkëpunojë me bashkitë për të siguruar strehë për burrat dhunues. Ndërkaq, pas ndërhyrjes së policisë, do të vihet në lëvizje gjykata, e cila sipas ndryshimeve të reja ligjore, si masë mbrojtëse të dhunës në familje, urdhëron menjëherë largimin e dhunuesit nga banesa, për një afat kohor të caktuar, kur viktima dhe dhunuesi banojnë në të njëjtën strehë. Pra, më pas do të jetë gjykata që do të vlerësojë vendimin e policisë për largimin e dhunuesit nga banesa.

Gjykata do të shprehet edhe në vendimin emergjent apo edhe në vendin për mbrojtjen e viktimës, i cili do të jetë më i plotës dhe i arsyetuar. Ndryshimet ligjore parashikojnë edhe detyrimin e dhunuesve për të marrë pjesë në programe rehabilitimi psikosociale dhe në programe të aftësimit prindëror, të organizuara nga subjekte publike ose private. Ky detyrim do të vendoset nga gjykata në urdhrin e mbrojtjes. Sipas rasteve, gjykata urdhëron që dhunuesi të trajtohet në qendra të shëndetit mendor si dhe që të marrë shërbime të alkoologjisë, nëse është përdorues alkooli. Në këto programe mund të marrin pjesë edhe dhunuesit, të cilët po vuajnë dënimin me burg/ Shqiptarja. / KultPlus.com

Nga 18 nëntori 2020 kush rreh gruan dëbohet nga shtëpia, strehë e përbashkët për burrat dhunues, alkoolistët në spital

Burrat që dhunojnë gratë apo pjesëtarë të tjerë të familjes, do të dëbohen menjëherë nga banesa duke filluar që nga data 18 nëntor 2020. Kështu parashikojnë ndryshimet në ligjin për masat kundër dhunës në familje, miratuar nga Parlamenti në datën 15 tetor 2020. Ndryshimet janë botuar në Fletoren Zyrtare në datën 3 nëntor 2020, ndërsa hyjnë në fuqi dhe do të zbatohen pas datës 18 nëntor 2020. Konkretisht, ligji i ndryshuar parashikon që, Policia e Shtetit, para se të vihet në lëvizje gjykata, urdhëron largimin e menjëhershëm të dhunuesit nga banesa, kur viktima dhe dhunuesi banojnë në të njëjtën strehë. Ligji i mëparshëm priste vendimin e gjykatës për të larguar dhunuesin nga banesa, kohë gjatë të cilës dhunuesi, kryesisht burrat, vijonin dhunën. 

Me ligjin e ri, një burrë që dhunon gruan, do të largohet në kohë rekord nga banesa. Po ku do të strehohen burrat dhunues pas largimit nga banesa me anë të policisë? Qeveria do të bashkëpunojë bashkitë për të siguruar strehë për burrat dhunues. Ndërkaq, pas ndërhyrjes së policisë, do të vihet në lëvizje gjykata, e cila sipas ndryshimeve të reja ligjore, si masë mbrojtëse të dhunës në familje, urdhëron menjëherë largimin e dhunuesit nga banesa, për një afat kohor të caktuar, kur viktima dhe dhunuesi banojnë në të njëjtën strehë. Pra, më pas do të jetë gjykata që do të vlerësojë vendimin e policisë për largimin e dhunuesit nga banesa. 

Gjykata do të shprehet edhe në vendimin emergjent apo edhe në vendin për mbrojtjen e viktimës, i cili do të jetë më i plotës dhe i arsyetuar. Ndryshimet ligjore parashikojnë edhe detyrimin e dhunuesve për të marrë pjesë në programe rehabilitimi psikosociale dhe në programe të aftësimit prindëror, të organizuara nga subjekte publike ose private. Ky detyrim do të vendoset nga gjykata në urdhrin e mbrojtjes. Sipas rasteve, gjykata urdhëron që dhunuesi të trajtohet në qendra të shëndetit mendor si dhe që të marrë shërbime të alkoologjisë, nëse është përdorues alkooli. Në këto programe mund të marrin pjesë edhe dhunuesit, të cilët po vuajnë dënimin me burg. / shqiptarja/ KultPlus.com

“Dhuna nuk fshehet mrena mureve”, ekspozita që synon ndërrimin e mentalitetit

Nesër do të organizohet hapja e ekspozitës “Dhuna nuk fshehet mrena mureve” nga Rrjeti i Grave të Kosovës përpara Teatrit Kombëtar të Kosovës, duke filluar nga ora 10:00 e deri më 16:00, shkruan KultPlus.

Ekspozita do të sjell rrëfime reale të grave dhe burrave të cilët ishin viktimë të dhunës në familje, duke pasur synim vetëdijesimin e qytetarëve për ndalim të këtij fenomeni negativ të shoqërisë. Në të njëjtën kohë kjo ekspozitë do të njoftoj publikun e gjerë se në rast të përballjes me dhunë ku duhet të mbështeten dhe si të kërkojnë ndihmën institucionale.

Ekspozita vjen me një emërtim simbolik “Dhuna nuk fshehet mrena mureve” me qëllim të ndërrimit të mentalitetit se ajo çfarë ndodh në një familje duhet të qëndroj përbrenda mureve të tyre. Në këtë formë synohet zëvendësimi i saj me ndihmë e mbrojtje ndaj çdo viktime, pa i lënë ato në neglizhencë.

Përgjatë kohës së pandemisë rastet e dhunës në familje janë rritur, ku në periudhën kohore mars-qershor në Kosovë janë raportuar rreth 40% më shumë raste në Policinë e Kosovës, ndërkaq ky numër mund të jetë më i madh edhe nga ata të cilët nuk e raportuan dhunuesin.

Kjo ekspozitë që është hapur edhe në vitin 2019 në Sheshin “Skënderbe”, përkrahet nga Bashkimi Evropian (BE) përmes UN Women (Women#EVAW) dhe Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA). / KultPlus.com

Zyrtari policor nga Peja rrah gruan, IPK e arreston dhe suspendon

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së kanë arrestuar sot një zyrtar policor me dyshimin se i njëjtit ka kryer veprën penale “dhunë në familje”. Zyrtari policor është arrestuar nën dyshimet se ka rrahur bashkëshorten e tij.

“IPK ka pranuar sot informacione nga Policia e Kosovës lidhur me dyshimin së një zyrtar policor në Pejë ka kryer veprën penale dhunë në familje e paraparë me nenin 248 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

“Menjëherë pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së i janë përgjigjur thirrjes duke intervistuar të dyshuarin (zyrtarin policor) si dhe viktimën e këtij rasti – bashkëshorten e tij të cilës i është ofruar edhe ndihma mjekësore”, shton njoftimi.

I njëjti është lënë në ndalim për 48 orë.

“Pas disa veprimeve fillestare hetimore është konsultuar edhe prokurori kompetent dhe zyrtarit policor me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, sqaron komunikata.

“Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar.Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, përfundon njoftimi. / KultPlus.com

Lahaj: Zot ruaje të madhërishmen tonë, ruaje nga burrecat që çojnë dorë në të, ruaje gruan

Ky vit ka qenë i bujshëm me raste mbi dhunën në familje.

Shumë gra ranë pre e burrave të tyre, e disa prej tyre edhe përfunduan me vdekje. Këto raste që ngjallin dhimbje e shqetësim, kanë bërë që shumë fytyra publike të reagojnë në mënyra të ndryshme.

Tenori i fashmëm, Rame Lahaj, ka reaguar përmes një statusi të shkruar në formë lutjeje, ku është lutur për gratë, motrat e nënat tona. Ku ndër të tjera i ka bashkangjitur edhe recitmin e poezisë së Kaltrina Pacollit, ‘Unë, kufoma e ardhshme’, të interpretuar nga Rita Behadini.

Zot ruaje, të shenjtën e të madhërishmën tonë,Zotin e tokës. Gruan! Zot ruaje nga hijenat dykëmbëshe, Zot ruaje nga burrecat që çojnë dorë n’të. Zot të lutem ruaje nënë e motrën tonë’, thuhet në postimin e tenorit. / KultPlus.com

Historia e dhimbshme e gruas që duroi deri në varr

Dita 1: Sot ai më quajti me përbuzje ‘lopë e shëndoshë’. Por s’ka gjë sepse unë kam shtuar pakëz peshë. Epo, së paku nuk më quajti as idiote as e vonuar.

Dita 198: Sot ai më quajti ‘idiote e padobishme’. Por s’ka gjë sepse unë këto kohë kam filluar të jem pakëz e çekuilibruar dhe harroj shpesh. Epo, së paku ai s’po më tradhëton.

Dita 302: Sot ai më tha që ishte mërzitur nga unë, dhe se kishte nevojë për hapësirë dhe se nuk i mjaftoja, prandaj më tradhëtoi. Por s’ka gjë sepse unë jam një grua dhe një nënë e lodhur, kam filluar të kem pak mangësi, më dhëmb krahu, këmba, koka, shpina dhe s’jam topmodele, s’mund të pres mos të mërzitet ai nga unë. Epo, jam e kënaqur sepse së paku ai nuk më dhu-non fizikisht.

Dita 439: Sot ai më shtyu dhe unë u përplasa në tavolinë. Por s’ka gjë sepse ai ishte i dehur dhe unë ia zura rrugën dhe e bëra me nerva kur po ia hiqja shishen nga dora. Epo, falë Zotit, edhe pse u përplasa, nuk më mbeti shenjë, as u preva, e as u mavijosa.

Dita 562: Sot ai më kapi krahun dhe ma ndrydhi, më la shenja mavijosje. Por s’ka gjë sepse ne po debatonim dhe ai pati një krizë nervash, unë duhej ta duroja çdo ofendim që më bënte. Epo, s’është i keq ai, së paku nuk më goditi.

Dita 612: Sot ai më goditi aq fortë, sa më dolën hundë e buzë gjak, dhe kam super dhimbje koke. Por s’ka gjë, unë ashtu kështu dhimbje koke kam pas çdo minutë këto muajt e fundit. Por, unë e di që ai nuk e kishte qëllimin të më lëndonte. Duhet ta kuptoj unë atë.

Dita 729: Sot ai më goditi sërish, por në të gjithë trupin, sytë më janë mavijosur, buza më është çarë, kisha dhe gjakderdhje gjenitale, më dhemb stomaku nga e goditura, nofulla më është enjtur. Por prapë s’ka gjë, unë jam e ngathët, jam e brishtë dhe lehtë gjakosem e çahem, nuk është se më goditi aq shumë. Epo, duhet të falënderohem që s’paku nuk kam asnjë kockë të thyer, pa mishi do më shërohet.

Dita 863: Sot, as nuk më kujtohet çfarë më bëri ai, por u zgjova në spital, isha e lidhur me tub oksigjeni, kisha këmbë e duar në allçi, shihja plot aparate mjekësore, kokën nuk e lëviz dot. Por s’ka gjë, edhe pse nuk e mbaj mend, por ndoshta kam bërë diçka që u detyrua të mē sillte në këtë gjendje. Jam dhe unë fajtore. Por, kujtoj fëmijët, dhe sërish them faleminderit Zotit që së paku jam gjallë.

Dita 1095: Sot, epo, sot dikush erdhi tek varri im, më la një tufë lulesh, dhe mes lotëve pëshpëriti: Përse lejoi ajo që të vazhdonte pas ditës së parë?”/femër/ KultPlus.com