Kryevepër apo mashtrim? Mona Lisa e dytë shfaqet në Itali

Ekspertët janë të ndarë nëse një pikturë, e ashtuquajtura “Isleworth Mona Lisa” është një origjinale superiore e Leonardo da Vinçit apo një kopje inferiore.

Është një mister që ka ndarë ekspertët për dekada: A është e vërtetë “Isleworth Mona Lisa”?

Po, në rast se nuk e dinit, ekziston një version i dytë i Mona Lizës së Leonardo da Vinçit, i cili gjithashtu përshkruan një grua të pozicionuar në mënyrë të ngjashme – që besohet se bazohet në fisniken fiorentine Lisa del Giocondo – dhe që duket më e re (disa thonë më të lumtur ) sesa ai në Luvrin në Paris, shkruan Euronews, transmeton Klankosova.tv.

E ashtuquajtura “Isleworth Mona Lisa” konsiderohet nga disa si një version i mëparshëm e kushërirës të saj të famshëme. Ajo u soll në Angli në 1778 dhe u ble nga familja Montacute. Ajo mori emrin e saj pasi u ble në vitin 1913 nga tregtari i artit Hugh Blaker, i cili ishte i vendosur në Isleworth, në perëndim të Londrës.

Tani, ajo shfaqet në Itali, pasi Fondacioni Mona Lisa me bazë në Zvicër po ekspozon punën në galerinë Promotrice delle Belle Arti të Torinos, në një ekspozitë të titulluar “Mona Lisa e Parë”.

Fondacioni pretendon se versioni Isleworth u përfundua një dekadë më herët se versioni në Luvër.

Fondacioni ka punuar me shkencëtarë, si John Asmus, në Universitetin e Kalifornisë, San Diego, të cilët kryen teste duke sugjeruar fuqishëm se i njëjti artist ka pikturuar fytyrat e të dy grave.

Megjithatë, disa ende nuk janë të bindur./KlanKosova/KultPlus.com

Mrekulli apo mashtrim? Shkencëtarët hetojnë letrën e hedhur në det pak orë para tragjedisë

Një mesazh në shishe, që dyshohet se mund të jetë shkruar disa orë përpara përmbytjes së Titanikut, po hetohet nga shkencëtarët për të zbuluar nëse bëhet fjalë për një mashtrim, apo kemi të bëjnë me një artifakt nga tragjedia historike.

Një letër që mbante datën 13 Prill 1912, me emrin e 12-vjeçares franceze, Mathilde Lefebvre, u gjet në brigjet e Kanadasë, më shumë se 100 vjet pas përmbytjes së Titanikut.

“Po e hedh këtë shishe në det, në mes të Atlantikut. Pritet që të arrijmë në New York për pak ditë. Nëse dikush e gjen këtë letër, njoftoni familjen Lefebvre në Liévin”, shkruhej në gjuhën frënge.

Sipas asaj që shkruan e përditshmja britanike “The Independent”, ajo po udhëtonte drejt New York City me të ëmën Marie, për t’u bashkuar me babain dhe vëllezërit e motrat. Ky bashkim nuk ndodhi kurrë. Mathilde dhe nëna e saj nuk u panë më kurrë. Sipas raportimeve, ato vdiqën së bashku me 1 500 personat e tjerë, kur anija goditi ajsbergun, më 14 Prill.

Një grup kërkuesish po hetojnë autenticitetin e kësaj letre në Université du Québec à Rimouski.

“Shishja mund të jetë artifakti i parë i Titanikut, i gjetur në brigjet amerikane”, tha historiani Maxime Gohier.

Ekspertët thonë se deri më tani nuk kanë gjetur asnjë të dhënë që të sugjerojë se letra është sajesë. Letra u gjet në rërë nga një familje në Bay of Fundy në 2017-n. Ajo u bë publike nga akademikët të cilët apeluan këdo që kishte informacion për Titanikun, apo për vajzën që kishte shkruar mesazhin.

Akademikët besojnë se letra i përket asaj periudhe, por ata kanë frikë mos është mashtrim pasi dikush mund ta ketë shkruar pak kohë pas tragjedisë për të tërhequr vëmendje.

Ajo që duket se i bën ekspertët skeptikë është fakti se shkrimi në letër nuk përputhet me atë që mësonin në atë kohë nxënësit në shkollat franceze. Emri i vajzës që shkroi letrën u zbulua të ishte e bija e Franck Lefebvre, i cili ishte minator në veri të Francës dhe u largua drejt Amerikës për të provuar fatin e tij.

Ai gjeti një punë në një minierë në Iowa, ku po jetonte së bashku me 4 fëmijët e tij. Më pas thirri bashkëshorten bashkë me 4 fëmijët e tjerë të vegjël, përfshirë Mathilde-n që t’i bashkoheshin. Megjithatë, ekspertët thonë se informacioni për familjen nuk është i mjaftueshëm për të dalë në konkluzionin se letra u hodha nga Titaniku. Sipas të dhënave që disponohen, në Titanik kishte një pasagjere që quhej Mathilde Lefebvre./tvklan.al/ KultPlus.com

Edhe një herë u mashtruan mësimdhënësit e viteve ‘90

Projektligji për mësimdhënësit e viteve të ‘90 nuk pritet të shkojë për miratim brenda këtij viti në Kuvendin e Kosovës ashtu siç ka kërkuar Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës(SBASHK).

Në një memorandum të nënshkruar më 5 qershor 2017, mes kryetarit të Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ishte paraparë miratimi i Projektligjit brenda tre muajve. shkruan Koha Ditore.

Memorandumi ishte nënshkruar gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme. / KultPlus.com