Letërsia e mërgatës në zemër të Prishtinës: Biblioteka Kombëtare promovon librat e autorëve shqiptarë nga diaspora

Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, u zhvillua një ngjarje e veçantë kulturore që vuri në qendër krijimtarinë e autorëve shqiptarë nga mërgata. Aktiviteti, i organizuar në bashkëpunim me Lidhjen e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, synoi të forcojë urat e bashkëpunimit mes krijuesve që jetojnë jashtë atdheut dhe institucioneve kulturore të Kosovës.

Në këtë takim të ngrohtë e kuptimplotë morën pjesë autorë si Shqipe Bytyqi dhe Musa Jupolli, ky i fundit edhe kryetar i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë. Ata ndanë me publikun pjesë nga veprat e tyre, përvoja jetësore dhe krijuese, si dhe reflektuan mbi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës dhe identitetit përmes letërsisë, përcjellë KultPlus.

Drejtoresha e përgjithshme e Bibliotekës Kombëtare, Blerina Rogova-Gaxha, theksoi vlerësimin që institucioni që ajo drejton ka për diasporën letrare shqiptare, duke deklaruar:

“Dyert e Bibliotekës do të jenë përherë të hapura për mërgatën tonë të jashtëzakonshme!”

Në shenjë mirënjohjeje dhe ndërlidhjeje kulturore, ajo ndau me autorët pjesëmarrës dy nga botimet më domethënëse të Bibliotekës:
“Kujtesa e Kosovës – rrëfime të 100 pleqve dhe plakave të Kosovës” dhe
“Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe”, dy vepra që ruajnë zërin e dëshmisë dhe historisë kolektive.

Ky promovim është më shumë se një ngjarje letrare, është një përqafim simbolik mes Kosovës dhe krijuesve të saj të shpërndarë nëpër botë, një dëshmi se letërsia dhe kultura nuk kanë kufij, por rrënjë të thella dhe degë që prekin zemrat e shqiptarëve kudo që ndodhen./KultPlus.com

‘Zemra që nuk harron’ – Kryeministri thekson lidhjen e pathyeshme mes Kosovës dhe mërgatës

Në prag të ardhjeve të shumta verore nga mërgata, Kryeministri i Kosovës ka përcjellë një mesazh të ngrohtë dhe përplot mirënjohje për bashkatdhetarët që rikthehen në vend. Ai ka theksuar rëndësinë e mërgatës jo vetëm si vizitorë që sjellin mallin dhe dashurinë për vendlindjen, por edhe si bashkëkrijues të së ardhmes së përbashkët. Duke theksuar se sot nuk flitet më për “trurin që ikën”, por për “zemrën që nuk harron”, ai ka vlerësuar rolin e mërgatës si pjesë thelbësore e kombit, pavarësisht largësisë fizike.

“I mirëpresim çdo vit, përherë e më shpesh më shumë se një herë brenda vitit, edhe në kryeministri.

Ne kemi gjithmonë nevojë për bashkatdhetarët tanë, mërgatën tonë, si mysafirë që na vizitojnë për t’u çmallur, e si partnerë të zhvillimit dhe bashkëkrijues të së ardhmes tonë. Nuk flasim më për “trurin që ikën”, por për zemrën që nuk harron: sepse ata që kanë ndërtuar jetë jashtë vendit, ruajnë mallin, mbajnë lidhjet dhe bartin përgjegjësinë ndaj atdheut tonë të përbashkët. Secili mund të jetë përkohësisht jashtë atdheut, por gjithsecili është përjetësisht brenda kombit.

Mirë se vini në shtëpinë tuaj, jemi me fat që ju kemi, e ju paçim gjithmonë!”, u shpreh Kryeministri./KultPlus.com

Presidentja Osmani: Dyert e Presidencës do të jenë gjithmonë të hapura për mërgatën

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përcjellë një mesazh të ngrohtë për mërgatën shqiptare, duke theksuar rëndësinë dhe kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për vendin.

Përmes një postimi të shkurtër, Osmani shkroi:
“Dyert e Presidencës do të jenë përherë të hapura për mërgatën tonë të jashtëzakonshme! Faleminderit”, transmeton KultPlus.

Ky mesazh vjen në kohën kur mërgata shqiptare po qëndron masivisht në vendlindje gjatë muajve të verës, duke sjellë jo vetëm përkrahje ekonomike, por edhe energji e gjallëri në jetën sociale e kulturore të Kosovës.

Presidentja ka qenë vazhdimisht një zë i fortë në mbështetje të mërgatës, duke e cilësuar atë si një shtyllë të fuqishme të zhvillimit dhe promovimit të vendit në arenën ndërkombëtare./KultPlus.com

Promovimi i librave të autorëve të mërgatës shqiptare në Bibliotekën Kombëtare

Më 5 gusht 2025, në Amfiteatrin e Madh të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, do të mbahet një ngjarje kulturore kushtuar autorëve të letërsisë shqiptare në diasporë.

Ky aktivitet organizohet në bashkëpunim mes Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe OJQ-së “Lidhja Krijuese e Mërgatës” dhe do të fokusohet në promovimin e librave të rinj nga autorë shqiptarë që jetojnë dhe krijojnë jashtë trojeve shqiptare, nga ora 11:00 – 13:00.

Ngjarja synon të forcojë lidhjet kulturore ndërmjet Kosovës dhe mërgatës shqiptare, duke krijuar hapësirë për njohjen dhe vlerësimin e krijimtarisë letrare të diasporës. Në promovim pritet të marrin pjesë autorë, studiues, përfaqësues të institucioneve dhe lexues të apasionuar pas letërsisë shqipe.

Së shpejti promovohet “Thesar kombëtar – zëri intelektual dhe krijues i mërgatës shqiptare në Suedi”

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në bashkëpunim me Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Suedi, organizojnë promovimin e kolanës prej 11 vëllimesh  “Thesar kombëtar – zëri intelektual dhe krijues i mërgatës shqiptare në Suedi”. Aktiviteti do të zhvillohet fizikisht dhe online në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave, 15 korrik 2022, ora 18.00

Pjesëmarrës do të jenë akad. Skënder Gjinushi, Kryetar i Akademisë së Shkencave, z. Hysen Ibrahimi, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Suedi (SHSHASHS).

Mes kumtuesve do të jenë Bedri Islami, “Thesar shqiptar” – kronikë e jetës së shqiptarëve mërgimtarë në Suedi e në vendet nordike,  Jolanda Lila, “Thesar shqiptar” – tribunë e mendimit atdhetar dje e sot,  Fetah Bahtiri, “Thesar shqiptar”, një urë midis dy kulturave: albanologu, përkthyesi dhe miku suedez i shqiptarëve Ullmar Qvick,  Viron Kona, “Thesar shqiptar” si tribunë krijimtarie letrare;  Shaban Sinani, Kërkim dhe dije në periodikun “Thesar kombëtar” dhe  Osman Ahmetgjekaj, Arsimi kombëtar në Suedi në faqet e tribunës “Thesar shqiptar”. Aktiviteti mund të ndiqet edhe online në platformën ZOOM në linkun:

https://us02web.zoom.us/j/82614608724…

Meeting ID: 826 1460 8724

Passcode: 340750 / KultPlus.com

Kurti flet para diasporës, thotë se këto katër muaj ndryshoi gjithçka në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pasditen e së enjtes takoi diasporën në “Parkun e Qytetit” në Prishtinë. Para tyre, kreu qeveritar tregoi të arriturat, që sipas tij janë bërë nga ekzekutivi në këta katër muaj.

Kurti u tha mërgimtarëve se këta muaj qeverisje është dëshmuar se është e mundshme të punohet ndryshe dhe më mirë në Kosovë.

“Gjatë këtyre katër muajve kemi dëshmuar që vërtet është e mundshme, ndryshe dhe shumë më mirë në Kosovë në çdo aspekt. Përderisa në fushën e luftimit të korrupsionit e të krimit pak a shumë të gjithë e keni përshtypjen, unë jam i lumtur edhe në aspektin ekonomik Kosova ka përparime. Psh doganat e Kosovës në pesë muajt e vitit përherë të parë e kanë kaluar nivelin prej 500 milionë eurove të hyra dhe kjo është 28 për qind më shumë se vitin e kaluar… Eksportet janë rritur për 66% qarkullim në ekonomi 15 % dhe presim që buxheti i Kosovës që është 2.5 miliardë të na mundësoj me qeverisjen tonë të mirë ta përmbyllim vitin me së paku 7.9% të bruto produktit vendor si rritje ekonomike për Kosovën”, tha ai.

Ai foli edhe për shitjen e bonove të diasporës, që filloi sot.

“Kemi filluar edhe me bonot e thesarit. Tashmë i kemi bonot e diasporës të veçanta ofertat në vlerë të gjithmbarshme prej rreth 1 milionë euro që nuk është keq për ditën e parë. Në javët qe vijnë do të përballemi me pandeminë Covid19, kësaj radhe me mjete të shtuara për shkak të vaksinave që i kemi sigluara, por gjithashtu edhe duke respektuar distancën fizike në mënyrë që çfarëdo varianti i ti të mos rrezikoj shëndetin publik. Por edhe krizat tjera ekonomike sociale që kanë qenë dhe vazhdojnë edhe kësaj dite do ta kenë një kabinet të ministrave që do të punojnë ditë e natë dhe që sigurisht qe do t’i ngadhënjej për hir të qytetarëve”

Kreu i ekzekutivit falënderoi mërgatën për ndihmën që ia kanë dhënë Kosovën në çdo epokë si dhe për pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje.

“Në veçanti ju falënderoj për pjesëmarrjen demokratike në zgjedhjet që janë bërë në Kosovë dhe keni ndikuar për ndryshimet qe janë realizuar dhe do të realizohen por dhe që të mos ngelemi vetëm ata që dërgojnë mjete financiare por që ta kenë edhe zërin politik e publik. Nuk ju shohim vetëm si burim i të ardhurave për familjet tuaja dhe atdheun tonë por edhe si burim j dijes i shkathtësive i profesioneve meqenëse studentët, profesionistët e akademikët ndër më të mirët që i ka shteti ynë e kombi ynë janë po ashtu në mërgatën tonë”, tha ai. / Express / KultPlus.com