Tryezë kushtuar Pjetër Bogdanit, vlerësohet si mjeshtër i formave të ligjërimit

Bujar Meholli

Sot, në ditën e tretë të Seminarit për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare u mbajt tryeza kushtuar figurës së Pjetër Bogdanit, shkruan KultPlus.

Drejtuesi i kësaj tryeze shkencore prof. Osman Gashi foli në pika të shkurtra për biografinë e Bogdanit dhe formimin e tij derisa më pas prezantoi panelistët.

Prof. Kujtim Shala, prof. Evalda Paci dhe Dom Lush Gjergji ishin panelistët e tryezës së sotme të mbajtur në sallën “Idriz Ajeti” të Fakultetit të Filologjisë.

Kumtesa e parë me titull “Libri i Bogdanit” u lexua nga prof. Kujtim Shala i cili u fokusua te vepra madhore e Pjetër Bogdanit “Cuneus prophetarum”. Shala e quajti Bogdanin mjeshtër të formave të ligjërimit dhe vëri pyetjen se a është aktual Bogdani?

“Bogdani lexohet edhe sot ndërsa leximi është provë klasiciteti. Një vepër e kryer, kryerjen e ka në idetë e saj, ndërsa përkryerjen në diskurs. Të lidhura bashkë dhe të prera për nga saktësia idetë dhe format janë shenjat tipike të veprës së Bogdanit”, tha Shala.

Më tej ai foli për statusin e autorit në kohën e Bogdanit.

“Komentatori dhe auktori ishin autoritetet e retorikës së literaturës kishtare. Retorika religjioze jep mësimin e virtytit me të gjitha shenjat e diskursit bindës” shpjegoi ai.

“Veprat e tilla strukturohen duke pasur parasysh predikumin. Ligjëratat e Bogdanit janë morale, dhe ato shënjojnë strukturën retorike që na çojnë te sistemi logjik”. Tutje ai foli për rrugën, jetën dhe të vërtetën në veprën e Bogdanit. “Libri i Bogdanit na çon te virtyti për të kërkuar shpëtimin te Krishti Zot — ‘Zot na shpëto, mbaruam’. Vepra e kryer e Bogdanit është rezultat i punës së gjatë”, potencoi Shala.

Profesoresha Paci në kumtesën e saj trajtoi shërbimin e Bogdanit për dijen dhe atdhesinë.

“Vepra e Bogdanit është realizim kompleks si nga përmbajtja dhe vëllimi dhe ndërthurja e krerëve përbërëse la gjurmë të ndjeshme në personalitetin e këtij autori”, theksoi ajo. Dom Lush Gjergji në kumtesën e tij me titull “Imzot Pjetër Bogdani njeri i fesë, kombit dhe kulturës”, tha se vepra e tij nuk mund të kuptohet pa dimensionin e fesë dhe besimit. Ai tha sa Bogdani kishte përgatitje filozofike, teologjike, shpirtërore dhe kulturore në nivelin më të lartë.

“Ai kishte qëllim mbrojtjen e popullit shqiptar nga ndikimet dhe sundimet e të huajve, zhvillimin fetar kulturor dhe shpirtëror dhe shlirimin nga robëria dhe injoranca nëpërmjet zgjimit fetar dhe kombëtar si parakusht për vetëdijesim nga sundimi shekullor turko-otoman”, tha mes tjerash Dom Lush Gjergji në këtë tryezë kushtuar Bogdanit me rastin e 330-vjetorit të vdekjes së tij.

Në ditën aktivitetet e Seminarit do të vazhdojnë në Fakultetin e Filologjisë, me kurse të gjuhës dhe ligjërata. /KultPlus.com

Prishtina, Prizreni e Novobërda në ‘Letrat’ e Pjetër Bogdanit

Pjetër Bogdani – Letrat

“Duke ecur prej Prizrenit drejt veriut, arrihet për një ditë udhëtim në Fushë- Kosovë. Është ky vend shumë i rrafshtë, i rrethuar me xehrore të arit, të argjendit dhe të metaleve të tjera, të ruajtura në qytetin e Novobërdës që gjendet në malin mbretëror të Argjentinës. Sa është ky mal i varfër e i zhveshur nga jashtë, aq është i pasur për brenda me xehe (…) Nëpër Kosovë janë edhe këto vende: Prishtina, e cila nuk ka kështjellë dhe s’është e rrethuar me mure, por është një lokalitet i banuar me afro 3.000 shtëpi kryesisht tregtare; mban lidhje me Shkupin, që gjendet larg për një ditë rrugë. Zakonisht këtu banon pashai i Shkupit për t’i zvogëluar shpenzimet dhe për të qenë më afër minierave. Ai e bleu pashallakun për 100.000 para mbretërore, me leje që mos të shkonte kurrë në luftë. Afër vetes i mban nga 100 ushtarë, këmbësorë e kalorës. S’ka të drejtë të luftojë, veçse të kërkojë tatime”.
(Ervina Halili e solli këtë pjesë në Facebook)

Në 330 vjetorin e vdekjes së Pjetër Bogdanit, organizohet tribunë shkencore në Prishtinë

Për nderë të 330- vjetorit të kalimit në amshim të Imzot Pjetër Bogdanit do të organizohet një tribunë shkencore.

Tribuna shkencore organizohet nga ULKK dhe mbahet në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Tribuna mbahet më datë 30 maj, në ora 10:00.

Tribuna shkencore mbahet nën patronatin e MKRS-së. / KultPlus.com

LSHK mban akademinë letrare-artistike ‘Ora e Lirisë’

Në kuadër të “Epopesë së UÇK-së”, Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës mban akademinë letrare-artistike “Ora e Lirisë”, të martën, më 5 mars, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.

Ky manifestim që do të jetë tradicional, sivjet ka shpallur konkurs letrar, ku kanë marrë pjesë më shumë se njëqind krijues nga të gjitha viset shqiptare. Juria letrare ka përzgjedhur tridhjetë krijime letrare, tri nga të cilat do të vlerësohen me çmime I, II, III.

Në kuadër të akademisë letrare-artistike “Ora e Lirisë” do të ketë edhe disa pika muzikore artistike. / KultPlus.com

Si sot, para 329 vjetësh, ndërroi jetë në Prishtinë shkrimtari Pjetër Bogdani

Ipeshkvi e teologu shqiptar, Imzot Pjetër Bogdani, figurë e ndritur e letërsisë së vjetër shqiptare, konsiderohet si kultivues e ndriçues i ndërgjegjes shqiptare dhe pararendës i hershëm i lëvizjes së rilindjes kombëtare.

Më 6 dhjetor 1689 ndërroi jetë në Prishtinë nga epidemia e murtajës personaliteti i shquar i Kishës, kombit dhe kulturës shqiptare, ipeshkvi i jashtëzakonshëm imzot Pjetër Bogdani. Prift, ipeshkëv, kryeipeshkëv, teolog e filozof shqiptar nga Hasi (Krahinë e lashtë), që shtrihet në Shqipëri dhe Kosovë.

Ipeshkvi i madh shqiptar imzot Pjetër Bogdani vlerësohet si teologu më i njohur shqiptar dhe figura më e ndritur e letërsisë së vjetër shqiptare. Imzot Pjetër Bogdani shquhet jo vetëm si meshtar e ipeshkëv i madh, pra si bari shpirtëror por edhe si atdhetar, dijetar e letrar që dha kontribut të çmueshëm në përpjekje për çlirimin e popullit dhe vendit nga zgjedha osmane si dhe për zhvillimin e përparimin e kulturës së shqiptarëve.

Me veprimtarinë e tij të jashtëzakonshme kishtare, pra ungjillëzuese dhe atë atdhetare e politike 40 vjeçare, sidomos me rolin që luajti si formues i ndërgjegjes së shqiptarëve, si udhëheqës i kryengritjes çlirimtare të vitit 1689 dhe me kryeveprën e tij teologjike “Cuneus Prophetarum”, apo sipas përkthimit të Justin Rrotës “Çeta e profetëve”, ipeshkvi shqiptar imzot Pjetër Bogdani konsiderohet si kultivues e ndriçues i ndërgjegjes shqiptare dhe pararendës i hershëm i lëvizjes së rilindjes kombëtare.

Vepra e imzot Pjetër Bogdanit “Çeta e profetëve” u botua më 20 shtator të vitit 1685 në qytetin e Padovës në Itali, dhe u rishtypin më 1691 dhe 1702 në Venedik. Kjo vepër teologjike e ipeshkvit shqiptar imzot Pjetër Bogdanit cilësohet si libri i parë i prozës origjinale shqipe dhe mbetet një nga monumentet e gjuhës, kulturës dhe letrave shqipe. Vepra ‘Çeta e profetëve’ është vepër me përmbajtje teologjike.

Imzot Pjetër Bogdani (lindi rreth 1625 në Has – vdiq më 6 dhjetor 1689 në Prishtinë). Mësimet e para i bëri në Ciprovac, Bullagri. Në vitin 1674 ishte nxënës i kolegjit ilirik të Loretos. Pas studimeve filozofik e atyre teologjike shugurohet prift. Më 1651 ushtron detyrën e meshtarit në Pult e në fshatrat e Prizrenit, në anët e vendlindjes[1]. Në vitin 1656 thirret në Romë për të vazhduar studimet e larta teologjike në Kolegjin papnor të Propagandës së fesë. Aty i mëson gjuhët e Lindjes. Më 1658 kreu studimet e larta të teologjisë e filozofisë në Romë dhe mori titullin doktor. Pas një kohe veprimtarie e apostulli si meshtar, emërtohet ipeshkëv i Shkodrës dhe administrator i Tivarit. 1663–1664: Njihet dhe i bën shërbime Kardinal Barbarigos, i cili në atë kohë jetonte e punonte në Romë. Më 1675 e shkruan librin ‘Çeta e profetëve’ dhe ia paraqet Kongregatës së Vatikanit Propaganda Fidae për botim. Rekomandimi i Propagandës ishte të përkthejë librin. Fillon përkthimin e librit.

Në vitin 1677 emërtohet kryeipeshkëv i Shkupit në vend të të ungjit, imzot Andrea Bogdanit. Lufta turko–austriake fillon më 1683. Në dhjetor të atij viti vdes Imzot Andrea Bogdani. Pjetër Bogdani arratiset në male me ç’rast e humb librin e Gramatikës latinisht–shqip të punuar nga Adreu. Strehohet në Ciprovac dhe në Dubrovnik. Në pjesën e parë të vitit 1685 shkon në Venedik e në Padovë. E merr me vete librin e përgatitur për botim. Libri ‘Cuneus Prophetarum’ botohet në fund të vitit në Padovë te Barbarigo.

Një tjetër element i rëndësishëm i veprimtarisë së Imzot Pjetër Bogdanit është se ai njoftoi rregullisht Selinë e Shenjtë të Romës dhe botën mbi gjendjen njerëzore, pra shoqërore, ekonomike, si dhe atë shpirtërore të shqiptarëve në atë kohë, përmes Relacioneve të detajuara, dërguar Papës e organeve Kishtare të Romës nga Shkupi e vendet tjera, si për shembull: “Mbi gjendjen shpirtërore e shoqërore të mbretërisë së Shqipërisë e Serbisë 1687–1688” (“Dello stato spirituale e temporale del regno di Albania e Servia”).

Krahas misionit shpirtëror, atij ungjillor, imzot Pjetër Bogdani, punoi edhe në kultivimin e identetitetit Merret aktivisht me organizimin e rezistencës antiturke dhe u bën vizita të gjitha bashkësie kishtare në vende të Kryeipeshkëvisë së vet. Në vitin 1689 depërton ushtria austriake. Në nëntor kjo ushtri arrin në Prishtinë. Imzot Pjetër Bogdani niset me ushtrinë për Prizren, ku i inkuadron edhe 6.000 shqiptarë dhe bashkë me ta arrin atje. Atje sëmuret nga murtaja. Kthehet në Prishtinë për shërim te mjekët gjermanë, po më kot. Ndërroi jetë më 6 dhjetor 1689 në Prishtinë ku edhe varroset.

Siç njoftonte nipi i tij Gjon Bogdani, menjëherë pas thyerjes së ushtrisë austriake ato ditë, tatarët dhe turqit e nxjerrin nga varri trupin e tij.

Vepra e ipeshkvit imzot Pjetër Bogdanit “Çeta e profetëve” (Cuneus prophetarum) u botua më 1685 në Padovë, u rishtyp më 1691 dhe 1702 në Venedik me titull të ndryshëm. Vepra “Cuneus Prophetarum”, sipas përkthimit të atë Justin Rrotës “Çeta e profetëve”, është një nga veprat më të rëndësishme teologjike e të trashëgimisë të vjetër letrare në gjuhën shqipe. Fakti që është e para vepër origjinale në gjuhën shqipe, në krahasim me veprat e autorëve paraardhës që ishin kryesisht përkthime, e bën tepër të rëndësishëm këtë libër.

Karakteri origjinal i veprës duhet marrë në mënyrë relative për përmbajtjen e karakterin fetar që kishte, por duhet thënë që nuk është mbështetur në ndonjë autor të caktuar në formë përkthimi. Tematika e larmishme i shton rëndësinë veprës. Aty gjejmë që nga tematika teologjike, biblike e filozofike, këndej fetare, tek historiografike, të shkencave të natyrës, por edhe letërsi artistike, poezi. Kjo larmi temash çon edhe në larmi stilesh, që është një tregues i shkallës së lartë të përpunimit të gjuhës për atë kohë. Dhe padyshim ky është një gur i rëndësishëm në themelin e gjuhës së sotshme shqipe.

Autori ka gjetur mundësi të shtjerë elemente të jetës shqiptare të kohës e të historisë së popullit tonë, si është rasti i qëndresës burrërore të kelmendasve kundër ekspeditës turke më 1639. Mendimet e njohuritë e ipeshkvi shqiptar imzot Pjetër Bogdanit shpalosen më shkoqur në parathënien e librit dhe në relacionet e shumta, që hartoi pas vizitave apostolike e baritore në viset e dioqezave që ai drejtoi si bari shpirtëror.

Shkroi me dashuri të madhe për gjuhën shqipe, për Atdheun e për popullin shqiptar, shprehu dhembje për gjendjen e mjeruar e padijen në të cilat i kishte hedhur robëria bashkatdhetarët e tij dhe kundërshtim të thellë për pushtuesin osman. Imzot Pjetër Bogdani kërkonte që t’i jepeshin popullit shqiptar libra në gjuhën amtare, punoi për mëkëmbjen dhe zhvillimin e kulturës kombëtare dhe çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj.

Imzot Pjetër Bogdani krijoi me vetëdije të plotë për ta pasuruar e përpunuar gjuhën shqip dhe popullin shqiptar me të vërtetat e fesë së krishterë e, gjurmoi dhe vuri në qarkullim fjalë e shprehje të vjetra të lëna në harresë, krijoi edhe fjalë të reja, duke bërë përpjekjet e para për krijimin e termave në ndonjë degë të shkencës si dhe në teologjik e në fjalorin kishtar në përgjithësi. Ligjërimi i tij dallohet mjaft herë edhe për zhdërvjelltësi e ndërtime sintaksore të një arkitektonie të sigurt. Me veprat e imzot Pjetër Bogdani letërsia dhe gjuha letrare shqipe shënuan hapa të rëndësishëm përpara/ R.SH. – Vatikan. /KultPlus.com