Gonxhja: Mbi 3900 vizitorë në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë ka mirëpritur mbi 3900 vizitorë gjatë janar-prill 2025.

Lajmin e bëri të ditur ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili ndau pamje nga vizita e tursitëve në këtë muze.

Gonxhja theksoi se Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë është një nga institucionet më të rëndësishme për artin bizantin dhe post-bizantin në rajon dhe një destinacion i rëndësishëm për studiuesit dhe dashamirësit e artit mesjetar, i cili ka mirëpritur mbi 3900 vizitorë gjatë Janar-Prill 2025.

Ndërsa turistët shprehen se muzeu është i mrekullueshëm.

“Një muze i mrekullueshëm, me të vërtetë! Me ngjyrat pastel që i japin një vlerë të veçantë. Është kënaqësi të shohësh kualitetin e pikturave dhe cilësinë e punimeve të ikonave. Me të vërtetë një muze i veçantë!”, shprehet një turist francez.

Një tjetër turist francez thekson se, “është një muze i mrekullueshëm. Përfaqëson denjësisht pasurinë e trashëgimisë suaj kulturore dhe fetare”.

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar gjendet në qytetin e Korçës, prej 24 prillit të vitit 1980. Muajin e kaluar MKAM festoi 45 vjetorin e krijimit. Ky muze konservon trashëgiminë më me vlerë, të krijuar nga piktorët shqiptarë nder shekuj.

Pikturat e periudhës post bizantine janë ekspozuar në pavionin e artit ikonografik. Ato janë piktura të shek.XII dhe XIV. Në muze ndodhen rreth 7500 objekte artistike prej: guri, druri, leshi, argjendi dhe metale të tjera. Ndër to janë 1200 objekte ndërsa ikona janë rreth 6000, shumica me përkatësi kohore nga epoka bronzit dhe epokës së hekurit. Gjithashtu përbëhet edhe nga kostumet folklorike, nga objekte të tjera që tregojnë antikitetin, traditën dhe origjinalitetin e kulturës qytetare./atsh/ KultPlus.com

Gonxhja: Standardet më të larta të konservimit në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar

Ministri i Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës, Blendi Gonxhja ndau sot foto nga magazinimi i koleksioneve në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë.

Gonxhja u shpreh se në këtë muze trashëgimia dhe kujdesi ndaj koleksioneve ecin krah për krah.

“Magazinimi i koleksioneve të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar nuk është vetëm një hapësirë fizike, por edhe një përkushtim i vazhdueshëm për ruajtjen dhe mbrojtjen e thesareve të çmuara të historisë sonë”, theksoi Gonxhja.

“Kjo hapësirë është krijuar për të përmbushur standardet më të larta të konservimit, duke siguruar që çdo objekt të mbetet i aksesueshëm dhe i mbrojtur për brezat e ardhshëm”, u shpreh ai./atsh/ KultPlus.com

7 ikona në proces restaurimi nga specialistët e Muzeut të Artit Mesjetar

Specialistët e laboratorit të restaurimit në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë, me përkushtim shpëtojnë çdo ditë thesaret e trashëgimisë sonë kulturore.

Në bazë të një marrëveshjeje mes Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar dhe Universitetit Politeknik Tiranë, në kuadër të projektit “Hartografimi dhe dokumentimi i zonave Arkeologjike, Lubonjë, Korçë”, specialistët janë duke u kujdesur për 7 ikona.

Ikonat aktualisht janë në proces konsolidimi dhe restaurimi.

MKMA shpërndau në rrjetet sociale imazhe nga puna që po kryhet mbi ikonën “Shën Maria me Krishtin në fron”. Ikona i përket vitit 1814, me origjinë mga kisha e Shën Marisë, Lubonjë, Korçë./atsh/ KultPlus.com

Rama: Arti Mesjetar përmes teknologjisë në Muzeun e Arteve Digjitale në Korçë

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga shfaqja e Artit Mesjetar përmes teknologjisë në Muzeun e Arteve Digjitale në Korçë.

Kreu i qeverisë theksoi se, kjo ishte një eksperiencë e pazakontë në këto festa.

Këtë fundjavë Korça ishte sërish në qendër të vëmendjes. Më datë 23 dhjetor në qytetin e serenatave dhe turizmit gjithëvjetor, u çel një nga ekspozitat më të veçanta në vend.

Galeria e Arteve Digjitale (GAD) ofroi përmes kësaj ekspozite unike, një eksperiencë të pazakontë, në prag festash.

Vetë GAD ftoi artdashësit përmes rrjeteve sociale, duke shkruar: “Përjetoni shkëlqimin e trashëgimisë tonë kulturore si kurrë më parë! Kjo nuk është thjesht një ekspozitë; është një udhëtim nëpër kohë.”

Ekspozita e parë imersive e artit digjital “Ikonografia Shqiptare; Mjeshtrat e mëdhenj”, pas 23 dhjetorit është e hapur për publikun, nga e marta në të diel, në orarin 12:00-20:00.

Kjo ekspozitë është mundësuar falë mbështetjes dhe fondit të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar./atsh/KultPlus.com