Rama: Arti Mesjetar përmes teknologjisë në Muzeun e Arteve Digjitale në Korçë

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga shfaqja e Artit Mesjetar përmes teknologjisë në Muzeun e Arteve Digjitale në Korçë.

Kreu i qeverisë theksoi se, kjo ishte një eksperiencë e pazakontë në këto festa.

Këtë fundjavë Korça ishte sërish në qendër të vëmendjes. Më datë 23 dhjetor në qytetin e serenatave dhe turizmit gjithëvjetor, u çel një nga ekspozitat më të veçanta në vend.

Galeria e Arteve Digjitale (GAD) ofroi përmes kësaj ekspozite unike, një eksperiencë të pazakontë, në prag festash.

Vetë GAD ftoi artdashësit përmes rrjeteve sociale, duke shkruar: “Përjetoni shkëlqimin e trashëgimisë tonë kulturore si kurrë më parë! Kjo nuk është thjesht një ekspozitë; është një udhëtim nëpër kohë.”

Ekspozita e parë imersive e artit digjital “Ikonografia Shqiptare; Mjeshtrat e mëdhenj”, pas 23 dhjetorit është e hapur për publikun, nga e marta në të diel, në orarin 12:00-20:00.

Kjo ekspozitë është mundësuar falë mbështetjes dhe fondit të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar./atsh/KultPlus.com

Festa e Birrës në Korçë, eventi më popullor i verës në Shqipëri

Nis sot në Korçë Festa e Birrës 2023. Kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, shkroi në rrjetet sociale se “Gjithçka është gati për 5 netët fantastike të eventit më të madh dhe më popullor të stinës së verës në Shqipëri”.

Bashkia Korçë ka bërë publike prej ditësh, rregullat mbi të cilat funksion pjesëmarrja në Festën e Birrës 2023.

Do të jenë gjithsej 222 tavolina në zonën me rezervime, përballë skenës ku artistët do të performojnë. Në këtë zonë do të ofrohet shërbim në tavolinë, ndërsa ata që nuk preferojnë të rezervojnë tavolinë, do të kenë në dispozicion gjithë hapësirën tjetër që do të jetë falas.

Hyrja për në koncertet e datave 16 dhe 17 do të jetë falas ndërsa për tri netët e tjera do të shiten bileta. Fëmijët deri në 14 vjeç do të mund të shkojnë me prindërit pa paguar.

Edicioni i 17-të i eventit më të madh dhe më popullor i stinës së verës në Shqipëri do të zhvillohet nga data 16-20 gusht tek Terminali i Autobusëve në Korçë.

5 netë elektrizuese me muzikë fantastike e këngëtarët më në zë shqiptarë si Elvana Gjata, Ylli Limani, Eugent Bushpepa, Endri e Stefi Prifti etj, që do të ngrenë peshë skenën.

Gjithashtu do të ketë dhe momente “retro” me muzikë të viteve ‘90 me grupet “No Mercy”, “La Bouche”, si dhe yjet e muzikës greke Despina Vandi dhe Keti Garbi që do të sjellin për mijëra vizitorë të festës nga brenda e jashtë vendit emocione dhe një spektakël të vërtetë/atsh/KultPlus.com

Nesër nis festivali i muzikës ndërkombëtare ‘MIK Festival’ në Korçë

Prej ditës së nesërme nis edicioni i gjashtë i MIK Festival, festivali i muzikës ndërkombëtare, i cili e kthen Korçën në destinacionin më të rëndësishëm kulturor të fundjavës. Festivali do të vazhdojë për tri netë rresht duke ia shtuar vizitorët dhe harenë e fundjavës këtij qyteti mikpritës.

Festivali MIK është iniciativë e sopranos Inva Mula. Në vigjilje të tij, Inva Mula ka ftuar përmes rrjeteve sociale që të gjithë artdashësit të shkojnë drejt Korçës në datat 28, 29 dhe 30 korrik.

“Në tri ditë, kemi gjashtë koncerte, të cilët nuk i ngjajnë njëri-tjetrit, duke plotësuar afreskun e bukur të artit botëror, pikërisht në qytetin e Korçës”, thotë sopranoja Mula.

Festivali do të nisë me një koncert-homazh për Jorgjija Truja, me artistet Ramona Tullumani, Ingrid Pulizo e Dorina Selimaj, në Teatrin “Andon Zako Çajupi”. E ftuar do të jetë dhe këngëtarja greke Kalliopi Vetta, së bashku kompozitorin Janis Ioannou dhe orkestrën e tyre, të cilët do luajnë vepra të Mikis Theodorakis.

Të tjerë artistë të MIK Festival do të jenë: Elda Laro, Alba Bioque, Ramona Tullumani si dhe Orkestra e Forcave të Armatosura./atsh/KultPlus.com

Më 7 mars të vitit 1887 u hap në Korçë Mësonjëtorja e parë kombëtare shqipe

Më 7 mars të vitit 1887 u hap në Korçë Mësonjëtorja e parë kombëtare shqipe. Mësues dhe drejtor i parë i saj ishte Pandeli Sotiri.

Lidhur me këtë ngjarje të shënuar, më 8 mars 1887, patrioti i shquar Thimi Marko i shkruante me gëzim Visar Dodanit në Bukuresht:

“… Msoni Visar që gjer sot dëshira t’onë u mbarua; shkolla shqipe u hap, druri që vumë në dhet këtu e dy vjet, sot lulëzoj dhe dha pemë të ëmbla. Gëzoju se dje u hap dhe u shkruan djem mësonjëtore 35. Zot’ i jetës, o vëlla, e bekoftë dhe e shpëntë përpara për nder të të gjithëvet. Mundimet tona, Visar, dhe të luftuarit e faqezinjvet grekomanë gjer sa mbaruam këtë të shenjtëruarë punë janë aqë shumë sa nuk mund t’ua shkruanj ndë kartë”.

Edhe pse në kushte të vështira, Mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për gati 15 vjet. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, etj. Kontributi i madh që këta atdhetarë dhe veprimtarë të shquar dhanë për kombin lidhet me dëshirën e zjarrtë të tyre për të përhapur dijen në mesin e popullit. Rilindasit dhe patriotët shqiptarë u bënë gjithashtu nismëtarë për hartimin e teksteve të para shkollore për nxënësit shqiptarë. Ata punuan me përkushtim edhe për pajisjen e shkollës me mjetet e duhura didaktike. Nxënësit që mësuan në këtë shkollë kombëtare u edukuan me frymën e patriotizmit. Ata u bënë pasuesit e denjë të ideologjisë kombëtare dhe luftëtarë të devotshëm në luftën për liri dhe pavarësi.

Kjo ngjarje ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar. Për shkak të sundimit osman, deri në këtë periudhë, mësimdhënia kryhej në mënyrë të fshehtë. Që nga ajo ditë, 7 marsi njihet si dita e mësuesit dhe kremtohet nga të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen./ KultPlus.com

Nga Italia dhe Kosova, qindra zogj ekspozohen në festivalin e mbajtur në Korçë

700 zogj u ekspozuan në Korçë gjatë edicionit të 4-të në festivalin e zogjve.

Këngët e tyre por edhe ngjyrat e bukura e tipare te tjera që i bëjnë aq të veçantë thyen heshtjen e sallës dhe tërhoqën jo pak vëmendje.

Një pjesë e konsiderueshme e tyre të sjellë nga Italia, të tjerë nga Kosova dhe Shqipëria por edhe kanarinat e Korçës u vendosën tek qyteza e fëmijëve me synimin për të rritur ndërgjegjësimin sidomos tek fëmijët për kujdesin dhe dashurinë ndaj zogjve.

Korça nuk është një zgjedhje dhe aq rastësore e organizatores së këtij festivali, pasi qyteti ndër vite ka qenë i njohur për kanarinat dhe mbajtjen e tyre në shtëpi madje aq e kultivuar ka qenë kjo traditë sa një lloj kanarine njihet si kanarinat e Korçës.

Pasioni për zogjtë është i veçantë dhe po i tillë është edhe kujdesi e përkushtimi që u nevojitet.

Pas ekspozimit dy ditor në Korçë juria ka vlerësuar edhe fituesit sipas kategorive ndërsa në ditën e tretë festivali është hapur për publikun. / KultPlus.com

Spiridon Ilo, shqiptari që kreu regjistrimin e parë të himnit kombëtar

Më 30 Shtator të vitit 1876, u lind në Korçë, muzikanti e atdhetari i njohur shqiptar, Spiridon Ilo. Mërgoi që herët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku krahas punës së përditshme, ndoqi dhe studimet e larta për muzikë.

Ai ishte shqiptari i parë, që ngriti një firmë për ndërtimin e pllakave të gramafonit dhe regjistroi shumë këngë patriotike dhe popullore shqiptare. Në vitin 1913 u largua nga Shqipëria dhe u kthye në Rumani.

Në vitin 1916 emigroi në New York, të Amerikës ku hapi një kafene të vogël. Spiridon Ilo themeloi shoqërinë e parë diskografike me këngë shqip, në vitin 1923. Nën drejtimin e tij, diskografia luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e kulturës shqiptare në vitet 1920-1940.

Ilo kreu regjistrimin e parë të himnit kombëtar të Shqipërisë. Në këtë regjistrim, me numër regjistrimi E-3948, himni u këndua nga Spiridon Ilo dhe tenori arbëresh, Gjuzeppe Mauro.

Në vitet `20 botoi e shpërndau kartolina me temë patriotike. Ka botuar komedinë “Vërtet ëndërr” si dhe përmbledhjen me këngë patriotike “Dëshirat e zemrës”.

Mbas disa vjetësh u rikthye në Rumani dhe në vitin 1926 u vendos përfundimisht në Korçë. Më 1 prill të vitit 1945 iu akordua pension si Patriot i Rilindjes Kombëtare. Kallëpet e pllakave të gramafonit Spiridon Ilo i solli në Shqipëri dhe më 1946 ia dhuroi Komitetit Ekzekutiv. Vdiq në Korçë në vitin 1950./ KultPlus.com

‘Në Korçë ajri i kulluet të prehte hundët dhe të freskonte mushknijtë’

“Nder të gjitha qytetet e Shqipnís – mbas mendimit tem – Korça âsht ajo kû frymzimi i qytenís okcidentale paraqitet mâ haptas e jo krejt si nji bimë ekzotike.

Në Korçë ké fort pak rrugaca (impas) e rrugat, edhè në mos kjoshin gjithkund të drejta e të shtrueme, janë të krahazueshme me ndërtesa, shêji qi mbrendë nuk zotnon aq fort mosbesimi ndërmjet bashkëqytetasve, prà shêji që aty ka qytetní; pse qytetnija, së pari, bazohet n’socjabilitet të qytetasve.

Mbasandej në Korçë gjen edhè sod asish që interesohen për të mirë të pergjithtë, kush tue ngrefë me mjete të veta nji shkollë, a nji kishë, a ndonji smuetore, a ndoj bibliotekë qytetse etj.

Kà edhè shumë asish që kanë krye msime të nalta jashta Shqipnijet, posë se kà shumë asì tjerësh që për punë kanë kërkue botën mbarë e s’kanë ndêjë mshilë në vend të vet si zogu i pulës në gzhojë të voes.

E mbasandaj: e po kû shef njeti në Shqipní arët e livadhet pa shtigje e gardhiqe, përpos se ndër rrethina të Korçës? Kjo âsht – mos tjetër – përshtypja që mue m’ká bâ qyteti i Korçës”.

Gjergj Fishta, Nji udhëtim në Turkí të ré, në “Hylli i Dritës”, 1931-1932.

Dom Lazër Shantoja për Korçën:

“Korça ishte qytet! Tekembramja nji qytet në Shqipnì! Shetitore të gjana, rruga e rrugica të drejta, shtëpija të bukura si vila, pomendore e lulishta.

Nji pastërti të pakundshoqen në tanë Shqipnìn. Tepsì. Ajri i kulluet të prehte hundët dhe të freskonte mushknijtë.

Më dukej se ishem në nji qytet t’Engadinës. Malet përreth cikalue me borë më kujtojshin pikturat e Segantinit. U enthuzjazmova për Korçë. Aty bâna edhe nji zbulim t’interesantshëm. Shkova nji ditë me pamun Motrat Stigmatine. Më përsillte nji çupkë korçare.

Më pyet: “A i keni motra?” “Jo, – i përgjegji, – nuk i kam motra, por kështu i quejmë na.” Më pyet prapë çupa e vogël, çiçeronka e ime: “Po prej nga jeni ju?” I përgjigjem: “Prej Shkodre!” E ajo me serjozitetin mâ të madh: “Eh! Prandaj nuk dini me folë shqip…!” Si mos me qeshë? Lotët me duelën prej gazit.

Kam bâmun disa vizita në Korçë. Ndër shtëpija kristjane e myslimane. Kam kaluemun aty disa orë të paharrueshme. Pritje e përzemërt, e qeshun, bisedime t’interesantshme, atmosferë elegance e qytetnimi.

Djelm të rì qi kanë frekuentue universitete, zonjusha qi kanë krye konservatoriume të flasin mbi çashtjet mâ djegse të ditës, mbi problemet mâ t’interesantshme të jetës. Me nji zonjushë korçare nuk ke frikë se bân nji gaffe me folun, bje fjala, mbi kromatizmin e Debussy-it apo mbi librin e fundit të Daniel Rops-it.

Janë “à la page”. Korça m’âsht pëlqye tepër.
Kam dalun prej Korçe tue bluemun nëpër mend lamshin e nji përralle të Hoffmann-it. Ai shkruen për nji shpirt qi rrinte ndryemun në nji vjolinë.

Korçë, vjolinë e bukur e Jugës, cili âsht shpirti i yt…?
Tiranë-Korçë, në ‘Tomori”, 29 mars 1941. / KultPlus.com

Rikthehet festivali i muzikës baroke në Korçë

Festivali ndërkombëtar i muzikës baroke trokiti në qytetin e Korçës me edicionin e tij të tetë.

Artistë të mirënjohur vendas dhe flautistja italiane Valeria Desideri, teksa performuan në klaviçembal, violinë e violinçel dhuruan për publikun emocion nën panoramën elegante të barokut.

Jo rastësisht festivali i muzikës baroke u mbajt në Muzeun Arkeologjik të Korçës, një trashëgimi kulturore kombëtare që lidhet ngushtësisht me synimet e këtij festivali.

“Korça është një destinacion dhe ne vijmë çdo vit duke sjellë instrumentist nga e gjithë bota”, tha themeluesi i festivalit, Jusuf Beshiri.

“Është shumë e rëndësishme për të identifikuar jo vetëm këto vende, por edhe për ti zbuluar publikut muzikën e vjetër baroke. Kemi sjellë muzikë baroke Italiane dhe për të ndarë për publikun ndjeshmërinë e kësaj periudhe”, tregoi violonçelisti, Arben Skënderi.

Ky organizim i muzikës së vjetër VOX BAROQUE i kushtohet tërësisht repertorit barok duke kërkuar gjithmonë qasje të reja të kësaj muzike elitare.

Tingujt e muzikës klasike çdo vit po tërheqin interesin e  artdashësve korçarë, por edhe turistëve, të cilët mbrëmë shijuan performancat e mrekullueshme te artistëve. Ky rrugëtim muzikor veç tingujve dhe elegancës muzikore promovon më së miri vlerat e trashëgimisë kulturore. /shqiptarja/ KultPlus.com

Mësonjëtorja e parë shqipe në Korçë, tërësisht e rilindur (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot Mësonjëtoren e parë shqipe, në Korçë, që tanimë është rilindur edhe më e fortë, edhe më e bukur, edhe më tërheqëse pas goditjes së tërmetit, si një tjetër destinacion për të gjitha moshat e për turistët e “Parisit të Vogël”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, që shoqëri kryeministrin gjatë kësaj vizite, tregoi mbi punimet e rinovimit të ndërtesës pas dëmeve nga tërmeti dhe rivendosjen e aseteve historike që mbart Mësonjëtorja.

Margariti e informoi kryeministrin se pas restaurimit të plotë të godinës dhe ambienteve të brendshme me të gjithë elementët përkatës historik dhe me sistem të dixhitalizuar, është përgatitur edhe platforma për vendosjen e shkronjave që janë simbol i kahershëm i këtij muzeu që gjenden në hyrje të muzeut.

“Mbi platformën e përgatitur do të vendosen shkronjat dhe pena ashtu siç kanë qenë që në krye të herës, ndërsa për momentin janë pozicionuar në  hapësirën e gjelbër të pjesës së jashtme të muzeut, sa të përfundonte restaurimi i plotë i objektit”, tha ministrja.

Sipas saj, tashmë edhe hapësira e jashtme është plotësisht e ndriçuar dhe e rregulluar duke qenë një muze i vizitueshëm në çdo kohë dhe për grupmosha të ndryshme.

Margarti theksoi se asgjë nuk është lëvizur dhe objektet janë vendosur ashtu sikurse kanë qenë.

Rama u shpreh se, “me vendosjen e shkronjave aty ku kanë qenë, punimet për restaurmin e Mësonjëtores së Pare Shqipe, përfundojnë plotësisht”.

Nuk ka asnjë të vërtetë se shkronjat e Mësonjëtores janë lëvizur dhe hequr.

“Si shpjegohet që kur janë duke rënë, kur janë me merimanga, me mbeturina, si nuk ngrihen njëherë, por sa rregullohen gjërat menjëherë ngrenë gishtat, ça janë këta, nga vijnë këta dhe trazojnë mendjet e gjithë njerëzve”- tha Rama.

Ministrja u shpreh se “të simbolizosh një godinë të tillë dhe një ndërhyrje që nuk kishte ndodhur që në 1997, vetëm me simbolin e disa shkronjave, është fatkeqësia politike që para çdo pune të mirë bën zhurmë”.

Margariti tha se, “rindërtimi ka përfshirë që restaurimin muzeor të gjithë këtij objekti. Është hera e parë që kemi në një muze hapësirë dedikuar bibliotekës, që frekuentohet nga komuniteti. Kemi mbi 750  tituj që i janë dhuruar kësaj biblioteke”.

I gjithë restaurimi i godinës është bërë me fonde nga buxheti i shtetit, çatia dhe oxhaku patën dëmtime të konsiderueshme nga tërmeti.

Në njërën nga dhomat, tha ajo, është vendosur një bankë shkolle, simbolikë se si është mësuar në atë kohë. Ndërsa pjesa muzeale ka objekte historike origjinale. Gjithashtu informoi Margariti, është implementuar sistemi dixhital që nëpërmjet kodit mund të merret informacion për çdo element të këtij muzeu”.

Ndërkohë, janë vendosur ambiente ku nëpërmjet kufjeve mund të dëgjohen pjesë audio të materialeve letrare të asaj kohe.

Sipas saj, ky muze për herë të parë ndërthur të gjithë tregimin dixhital të historisë, ndërsa vend të rëndësishëm zënë edhe pikturat origjinale, disa prej të cilave i përkasin viteve 1890 që janë  restauruar në kohë të ndryshme.

“Ky është një muze që fton të gjithë qytetarët ta vizitojnë dhe të mbajnë gjallë kujtimin historik të Mësonjëtores”, u shpreh ministrja Margariti. /atsh / KultPlus.com

Ambasadori slloven në Korçë: Qytet me tradita të spikatura dhe mikpritës

Kyetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo priti sot në mjediset e bashkisë në një takim zyrtar ambasadorin e Sllovenisë në vendin tonë Peter Japejl.

Në fokus të takimit ishte forcimi i bashkëpunimit mes dy vendeve në fusha të ndryshme. Kreu i bashkisë Korçë Filo u shpreh se “shkëmbimi i eksperiencave në fushën e kulturës, edukimit dhe ekonomisë ishin në qendër të diskutimit me Ambasadorin e Sllovenisë Peter Japejl”.

I impresionuar nga disa prej muzeve dhe atraksioneve të qytetit të Korçës, të cilat i vizitoi më herët ambasadori vlerësoi Korçën dhe u shpreh i gatshëm për bashkëpunimin e mëtejshëm. Japejl shprehu konsideratë për Korçën duke e cilësuar si një qytet të bukur, me tradita të spikatura dhe mjaft mikpritës. /atsh / KultPlus.com