Kumbaro: Parku i Butrintit është pronë publike

Mirela Kumbaro në një deklaratë për mediat nga Pogradeci ka hedhur poshtë pretendimet se Parku i Butrintit do të jepet me koncesion për një periudhë 10-vjeçare një fondacioni të huaj. Ajo theksoi se parku është pronë publike që menaxhohet dhe administrohet nga ministria e Kulturës.

Sipas saj ministria e Kulturës në bazë të ligjit të trashëgimisë kulturore të vitit 2018 po krijon një fondacion sipas ligjit të OJF-ve që prej vitesh është në fuqi në Shqipëri për të rritur investimet kulturore me statusin jofitimprurës, ndërkohë që cilëson si të pavërtetë dhe keqinformim për opinionin publik faktin e një kontrate koncesionare apo mospublikimin e dokumenteve.

Debate mbi projektligjin për miratimin e marrëveshjes së menaxhimit të parkut kombëtar të Butrintit ka qenë prezent edhe sot në Komisionin e Politikës së Jashtme nga përfaqësues të opozitës të cilët janë shprehur se janë akoma të paqartë për planin e menaxhimit mes ministrisë së kulturës dhe fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim. /gazetamapo.al/ KultPlus.com

Mirela Kumbaro inspektoi Parkun Arkeologjik Kombëtar Bylis

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro inspektoi Parkun Arkeologjik Kombëtar Bylis, i cili shumë shpejt do ti nënshtrohet projektit madhor të konservim-restaurimit.

Bylis vazhdon të mbetet një atraksion turistik me një numër në rritje të vizitorëve. Për periudhën janar-korrik 2018 shënohet numri 3132 i vizitorëve në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2017 ku numri i vizitoreve shënonte 2636.

Ministria e Kulturës sapo ka hartuar projektin madhor të këtij parku, i cili parashikon konservim dhe restaurim të monumenteve, përmirësim të infrastrukturës, vendosjen e sinjalistikës, etj.

Bylisi është nje nga qendrat më të rëndësishme arkeologjike të Shqipërisë, renditur për vlerat monumentale, krahas Apolonisë dhe Butrintit. Në se Apolonia tërheq vizitorin me butësinë e saj, Butrinti me natyrën ekzotike, Bylisi me pozitën zotëruese mbi kodrat e Mallakastrës dhe mbi hapësirën e luginës së Vjosës që ofron një pamje krejt të veçantë në krahasim me qytetet e Antikitetit Klasik.

Vizitorët që shkojnë në Bylis mrekullohen jo vetëm nga pamja, panorama por edhe nga monumentet dhe mënyra e restaurimit. Bylisi zotëron një hapësirë të madhe.

Nga aty mund të shohësh gjysmën e territorit të Shqipërisë. Nga aty, syri ta kap Janinën, Tomorrin, Detin Adriatik dhe Fushën e Myzeqesë. /KultPlus.com

Kjo është marrëveshja e nënshkruar në Korçë nga ministrat e kulturës së shteteve shqiptare

Më 27 nëntor në Korçë, u mblodhën për herë të katërtë me radhë dy qeveritë shqiptare, shkruan KultPlus.

Si në mbledhjet e kaluara ashtu edhe në këto mbledhje, u nënshkruan shumë marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës e ndër to edhe marrëveshje në rrafshin kulturor. Në mbledhjen e mbajtur para dy dite janë nënshkruara gjithsej 12 marrëveshje, ku në këto marrëveshje bënë pjesë edhe një e kulturës.

Ministri i Ministrisë së Kulturës në Republikën e Kosovës-Kujtim Gashi dhe ministrja e Ministrisë së Kulturës në Republikën e Shqipërisë-Mirela Kumbaro, nënshkruan memorandumin që ka për qëllim avancimin e bashkëpunimit kulturor, në kuadër të forcimit të mbrojtjes ligjore të krijimtarisë kulturore, shkruan KultPlus.

KultPlus, po ju sjellë të plotë marrëveshjen të publikuar nga ministri Kujtim Gashi, në rrjetin social Facebook:

“Nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit me Ministrinë e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, në Korçë.
Ky Memorandum ka për qëllim avancimin e bashkëpunimit kulturor, në kuadër të forcimit të mbrojtjes ligjore të krijimtarisë kulturore, duke marr parasysh rëndësinë e të drejtës së autorit, për krijimtarinë kulturore, letrare, shkencore, dhe artistike, përkatësisht rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të autorit për kulturën dhe industritë kreative, me konsideratë të veçantë për mbrojtjen e krijimtarisë së krijuesve, performuesve dhe producentëve tanë.
KG”, ka shkruar Gashi. / KultPlus.com