Emërohen anëtarët e Task Forcës për luftimin e piraterisë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në bazë të dispozitave ligjore në fushën e të Drejtës së Autorit dhe Strategjisë Kombëtare për Forcimin e Sistemit të së Drejtës së Autorit ka marrë vendim për emërimin e anëtarëve të Task Forcës kundër piraterisë në fushën e të drejtës së autorit.

Task Forca do të ketë në përbërje Drejtorin i Zyrës për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta nga MKRS -Kryesues; Kryeinspektorin e Inspektoratit të Tregut – MTI -Zëvendëskryesues; Përfaqësuesin e Prokurorisë së Shtetit; Drejtorin e Zyrës për Pronësi Industriale – MTI; Udhëheqësin e Sektorit të Pronësisë Intelektuale nga Dogana e Kosovës; Shefin e sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike nga Policia e Kosovës; Shefin e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike po ashtu nga Policia e Kosovës; dhe Kryeshefin e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose Konfiskuar nga Ministria e Drejtësisë.

Sipas vendimit të nxjerrë Task Forca do të ketë në përgjegjësinë e saj Zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Forcimin e Sistemit të së Drejtës së Autorit; Koordinimin e veprimeve të institucioneve në luftën kundër falsifikimit dhe  piraterisë me qëllim të ndërmarrjes së veprimeve konkrete nga ana e  institucioneve dhe organeve kompetente që janë pjesë e Task Forcës dhe institucioneve tjera që ndërlidhen me luftën kundër falsifikimit dhe  piraterisë në fushën e të drejtës së autorit; dhe Sensibilizimin e institucioneve të zbatimit të ligjit, dhe publikut në luftën kundër falsifikimit dhe piratërisë në fushën e të drejtës së autorit;

Me këtë hap, ka vlerësuar ministri Gashi, po ndërmerren veprimet konkrete në luftën kundër falsifikimit në njërën anë dhe kjo do të thotë mbrojtje e krijimtarisë dhe autorëve, duke dëshmuar kështu vendosmërinë e institucioneve për zbatim ligjit në kuadër të shtetit të së drejtës.

“Jam i bindur që vendimi i marrë sot do të jap frytet e veta. Task Forca do të jetë një mekanizëm dhe trupë e cila do të angazhohet në luftën kundër falsifikimit dhe piraterisë dhe shpresoj se kjo gjë do të shihet në terren,. Besoj se krijuesit e autorët do të ndjehen më të sigurt për punën e tyre dhe do të nxiten që t’i sjellin vendit tonë krijimtari e vepra me të cilët do të krenohemi”, tha ndër të tjera ministri. /KultPlus.com

Gashi: Kulla e Azem Galicës, pishtar i lirisë

Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi inspektoi punimet që po bëhen për restaurimin dhe konsolidimin e Kullës së Azem Bejtës, në Galicë të Vushtrrisë, të cilat po bëhen nën koordinimin dhe monitorimin e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë.

Me këtë rast, siç njofton kumtesa për media, Gashi vlerësoi punimet që po realizohen në projektin që MKRS-ja po financon në kuadër të revitalizimit të Kullës.

Ai tha se “Ruajtja e monumenteve të rëndësishme historike të Republikës së Kosovës, do të mbetet përkushtimi i imi edhe në të ardhmen. Kulla e Azem Galicës, e ndërtuar në fund të shek. XIX, ishte djegur tri herë. Ajo ishte kullë fortesë dhe qëndrimi i përhershëm i komandantit në të, i dha popullit zemër dhe trimëri të shumëfishtë, me ç ‘rast u ngrit morali luftarak”.

“Në këtë kullë mbaheshin mbledhje dhe kuvende të rëndësishme, u morën vendime historike, andaj kjo kullë u bë pishtar i ndezur i lirisë”, shtoi tutje Gashi./KultPlus.com

Gashi: Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, shpërndahen certifikata për të rinjë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi së bashku me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës Kadri Veseli, morën pjesë në shpërndarjen e certifikatave për të rinj të cilët janë trajnuar në fushën e Ndërmarrësisë dhe Zhvillimit të Planit të Biznesit, ky aktivitet u realizua në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Rinisë 12 gushtin.

Duke u bazuar në Planin e Veprimit për Punësimin e të Rinjve 2018-2020, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka mbështetur Organizatat Jo-qeveritare që veprojnë si ofruese të trajnimeve me projektet e tyre që kontribuojnë  në rritjen e punësimit përmes ofrimin e shërbimeve cilësore të punësimit për të rinj të moshës 18-24 vjeç.

Gjatë kësaj ceremonie ministri Gashi tha se “Sot kemi një ditë të rëndësishme për të gjithë të rinjtë e Kosovës, e veçanërisht për të rinjtë të cilët janë trajnuar në fushën e ndërmarrësisë, projekt ky i cili ka për qëllim krijimin e vendeve të punës përmes mbështetjes së drejtpërdrejtë ekonomike dhe trajnimeve për ndërmarrësi për të rinj”.

Tutje ministri Gashi tha se “qëllimi i realizimit të projekteve të tilla është që të rinjtë të zhvillojnë kapacitet profesionale në përputhje me nevojat e tregut të punës duke pasur parasysh që vendi ynë ka shume kuadro që janë të aftë t’i japin shoqërisë ide inovative për biznesi”.

Ndërkaq kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli tha se “Qytetarët duhet të marrin vendim si duhet të ec Kosova. Mund të forcohet rinia, është mundësi që rina të ketë angazhim të fuqishëm e më së shumti ta ruajmë atë që e kemi arritur si shtet i pa varur dhe sovran”. / KultPlus.com

Hapet ekspozita arkeologjike në Kalanë e Prizrenit

Në Kalanë e Prizrenit është hapur ekspozita arkeologjike.

I pranishëm në hapjen e ekspozitës ishte edhe i pari i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi.

Me këtë rast, ai tha se përmes kësaj ekspozite paraqitet trashëgimia dhe kujtesa, të cilat sipas tij, janë pjesë përbërëse e identitetit kulturor.

Sipas tij, dëshmitë e paraqitura në ekspozitë janë dëshmi të emancipimit kulturor e shoqëror të qytetërimit tonë.

“Kalaja e Prizrenit, është monumenti më i veçantë i trashëgimisë kulturore në Republikën e Kosovës, simbol i qytetit, pjesë e ndritshme e identitetit kulturor të Kosovës. Ministria e Kulturës ka mbi dhjetë vite që këtë monument të veçantë e ka përfshirë në prioritetet e veta dhe falë angazhimit të suksesshëm të stafit profesional të MKRS- së, Kalaja është shndërruar në njërin prej atraksioneve të turizmit kulturor dhe të politikave kulturore në vendin tonë”, thotë ai.

Gashi shton se trashëgimia kulturore e historike është pasqyrë e vlerave dhe e nivelit kulturor të një populli, dhe se, përmes kujtesës historike, e njohin dhe e nderojnë të kaluarën, traditën, rrënjët, gjurmët, frymëmarrjet tona nëpër shekuj.

“Ky monument, falë përkushtimit të MKRS-së si dhe Fondit të Ambasadorit Amerikan ka marrë një pamje tjetër, krejtësisht solemne, është dhe mbetet Arkivi i Kosovës sidomos për epokën, historinë e periudhës mesjetare po ashtu Kalaja e Prizrenit është plotësuar edhe me një komponentë shumë të rëndësishme, pra Muzeun e Kalasë”, theksoi ai.

Tutje ministri tha se funksioni i këtij Muzeu është multidimensional, ku krahas ekspozitës së përhershme, në këto ambiente do të mund të organizohen aktivitete të ndryshme kulturore ndërkohë që, është krijuar ambienti i përshtatshëm edhe për stafin menaxhues të këtij aseti të trashëgimisë kulturore.

“Ekspozita, të cilën po e përurojmë përmban thesarin më të mirë të trashëgimisë kulturore të Republikës së Kosovës ku paraqiten eksponate të cilat janë zbuluar kryesisht nga zona e Prizrenit dhe në Kalanë e Prizrenit. Në Kala janë zbuluar struktura të shumta arkitekturore, objekte të ndryshme qoftë enë, armë, stoli, monedha të shume epokave,” tha ministri. / KultPlus.com

Gashi: Pas më shumë se 25 vjet pritje autorët së shpejti do të marrin çekun e parë për kompensimin e punës së tyre nga e drejta e autorit

Pas propozimit të Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, është miratuar propozim vendimi për themelimin e komisionit për vlerësimin dhe propozimin e tarifave të përgjithshme për shfrytëzimin e lëndës së mbrojtur me të Drejtën e Autorit nga operatorët kabllor.

Ministri Gashi ka pohuar se për shfrytëzimin e çdo vepre të autorit ligji ka paraparë kompensim monetar, kur shfrytëzimi i veprave bëhet nga shumë përdorues dhe shfrytëzohen me mijëra vepra nga një shfrytëzues, ligji për të Drejtën e Autorit ka paraparë përcaktimin e tarifave të përgjithshme, pasi që është gati e pamundur të përcaktohet kompensim-tarifë për shfrytëzimin e çdo vepre. Tarifat është paraparë më ligj të përcaktohen me negociata, në mes të Shoqatave për Menaxhimin Kolektiv të drejtave të autorit dhe shfrytëzuesve të të drejtave, e nëse këto dështojnë palët duhet të shfrytëzojnë ndërmjetësimin, dhe vetëm kur dështon procesi i ndërmjetësimit atëherë ligji ka paraparë që tarifat i cakton Qeveria.

Ministri Gashi para kabinetit qeveritar tutje ka sqaruar se “procesi për caktimin e këtyre tarifave në fushën audio-vizuale, ka filluar në vitin 2013, negociatat në mes të shoqatës për menaxhimin e të drejtave të autorit në fushën e veprave audio-vizuale VAPIK dhe të përfaqësuesve të operatorëve kabllorë në vendin tonë, nuk kanë sjellë marrëveshje në mes të palëve të përfshira në proces dhe duke marr në konsideratë që faza e ndërmjetësimit e paraparë me ligj ka përfunduar pa u shfrytëzuar nga ana e palëve, jemi të obliguar të veprojmë konform kërkesë së Shoqatës së Menaxhimit Kolektiv VAPIK, që tarifat e përgjithshme të përcaktohen nga ana e Qeverisë së Kosovës”.

Gjithashtu, ministri Gashi tha se “në këtë aspekt propozoj që të themelohet Komisioni i cili do të shqyrtoj kërkesën e VAPIK dhe që do të merr parasysh qëndrimet e operatorëve kabllorë, komisioni pasi të dëgjojë palët dhe të shqyrtoj kërkesat e tyre, me ndihmën e ekspertëve, në pajtim me Ligjin për të Drejtën e Autorit të vendit tonë dhe me praktikat me të mira të rajonale dhe ato Evropiane të propozoj tarifat për aprovim nga Qeveria e Republikës së Kosovës”.

Gashi: Rruga “Marin Barleti” në Prizren do të revitalizohet me investim mbi 2 milionë euro

Ministria e Kulturës ka thënë se projekti “Revitalizimi dhe Integrimi Socio-Ekonomik i komunitetit lokal në rrugën Marin Barleti në Prizren” është një projekt ambicioz dhe tepër i rëndësishëm për qytetin e Prizrenit, pasi që ngërthen në vete trajtimin e 14 ndërtesave të banimit të cilat fatkeqësisht nuk janë në gjendjen e dëshirueshme.

Ministri Kujtim Gashi tha se edhe përkundër faktit që zbatimi i këtij projekti paraqet një ngarkesë buxhetore për MKRS-në, ai do të zbatohet në përpikëri, në respektim të standardeve të larta profesionale dhe në zbatim të legjislacionit në fuqi.

Hartimi i projekti në fjalë “Revitalizimi dhe Integrimi Socio-Ekonomik i komunitetit lokal në rrugën Marin Barleti në Prizren” ka filluar që nga viti 2017 dhe është trajtuar ne mesin e disa prioriteteve tjera qe ka pasur ministria. Procesi i hartimit të projektit është koordinuar nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren dhe organizata EC Ma Ndryshe. I njëjti është financuar nga MKRS-ja, në vlerë prej 50 mijë eurosh si dhe është mbështetur nga Zyra e BE-së në Kosovë, Ambasada Britanike në Prishtinë dhe komuna e Prizrenit.

Ministri Gashi ka thënë se ky projekt hap rrugët për investime mbi 2 milionë euro në këtë lagje të rëndësisë së veçantë për qytetin e Prizrenit. Me këtë rast ministri falënderoi institucionet për përkushtim dhe angazhimin maksimal si dhe të gjitha palët e involvuara, përfshire këtu dhe pronarët e ndërtesave të lagjes të cilët siç tha ministri treguan gatishmëri për t’u bërë palë në këtë proces tejet të ndërlikuar por shumë të rëndësishëm për të ardhmen e tyre por edhe të qytetit të Prizrenit.

“Rruga ‘Marin Barleti’ zë pjesën kyçe të Qendrës Historike të Prizrenit, ndaj dhe revitalizimi urban dhe shoqëror i tij do të ndikon në krijimin e kushteve optimale për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe zhvillim të qëndrueshëm lokal në të gjithë Qendrën Historike të Prizrenit”, ka thënë ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi.