Nesër hapja zyrtare e festivalit “Mirëdita, dobar dan!” 2019

Hapja e edicionit të gjashtë të festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, do të bëhet nesër, me 29 maj në ora 19:00, në Beograd.

Festivali “Mirëdita, dobar dan!”, ngjarje kjo unike që ka prezantuar skenën kulturore dhe shoqërore të Kosovës në Beograd që nga viti 2014, do të mbahet nga 29 maji deri më 1 qershor të këtij viti. Qëllimi i festivalit është që përmes prezantimit të artistëve dhe performuesve të cilët përfaqësojnë skenën kulturore e bashkëkohore të Kosovës të bashkojnë komunitetet shoqërore e kulturore të Kosovës dhe Serbisë dhe të krijohet një traditë bashkëpunimi, që do të kontribuoj në arritjen e një normalizim të qëndrueshëm të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

 Këtë vit, festivali zhvillohet në një periudhë specifike, kur marrëdhënia midis Prishtinës dhe Beogradit është në nivelin më të ulët që nga fillimi i Marrëveshjes së Brukselit. Një krizë e dukshme politike po reflektohet në jetën e përditshme të qytetarëve në Kosovë dhe Serbi. Kjo dekurajon më tej bashkëpunimin mes dy shoqërive, jo vetëm në sferën kulturore, por edhe në tregti, sport, arsim dhe në të gjithë sektorët e tjerë. Festivali i dërgon një mesazh të qartë publikut dhe elitës politike të Kosovës dhe të Serbisë – barrierat duhet të thehen, jo të ndërtohen.

 Ashtu sikur edhe gjatë viteve të kaluara, edhe këtë vit vizitorët do të kenë mundësi të mësojnë më shumë për skenën kulturore të Kosovës përmes një sërë dramash, shfaqjesh, filmash, koncertesh dhe ekspozitash. Një pjesë e festivalit do t’i kushtohet diskutimeve dhe debateve për të ardhmen e marrëdhënieve Prishtinë – Beograd dhe rëndësinë e bashkëpunimit për të dy shoqëritë.

Hapja zyrtare e festivalit “Mirëdita, dobar dan!” do të bëhet të mërkurën me 29 maj me shfaqjen e filmit “Cold November”, me regji të Ismet Sijarinës, film ky i cili është prezantuar në shumë festivale ndërkombëtare të filmit të cilat kanë rezultuar me dy çmime dhe tre nominime. Një ngjarje (event) e cila do t’i paraprijë hapjes do të jetë performanca artistike “Let’s make love” nga Shkumbin Tafilaj. Gjatë festivalit, publiku do të ketë mundësinë të shoh filmin dokumentar “Ferdonija”, film ky nga Gazmend Bajri dhe Shkurte Dauti, i cili tregon jetën e një gruaje që ka humbur tërë familjen e saj gjatë luftës së fundit në Kosovë. Një shfaqje teatrore me regji nga aktori dhe regjisori i famshëm shqiptar Enver Petrovci e titulluar “Kreolet e Ballkanit” do të prezantohet gjatë festivalit për të gjithë dashamirësit e teatrit. Gjatë festivalit do të organizohen tre debate të ndryshme për të diskutuar çështje lidhur me personat e pagjetur, shkrimin e dramave të reja në Kosovë dhe librat e historisë.  Së bashku me këto debate, do të promovohen tre botime specifike: Libri i Kujtesës me tregimet e familjeve të të pagjeturve “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve” të botuar nga forumZFD në Kosovë dhe Integra, “ONE FLEW OVER THE KOSOVO THEATER  – Një Antologji e Dramës Bashkëkohore nga Kosova” botuar nga Multimedia (Kosovë) dhe Beton (Serbi). “Historia e Kosovës në tekstet e historisë së Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë”, shkruar nga Shkëlzen Gashi dhe botuar nga Alter Habitus.

Performanca përmbyllëse e edicionit të këtij viti do të jetë një koncert shumë emocionues i grupit trio “Don’t listen to your neighbours” nga Kosova, të cilët janë të mirënjohur sepse kanë mbajtur gjithmonë një koleksion të rafinuar të repertorit tradicional shqiptar dhe në vitet e fundit ata kanë zhvilluar një stil mjaft unik me elemente të xhazit të cilat na vijnë në mënyrë të sofistikuar. Më pas, performanca e  DJ Matale-s nga Prishtina do të përmbyllë festivalin “Mirëdita, dobar dan!” 2019.

Frymëzim për festivalin “Mirëdita, dobar dan!” është aktori i mirënjohur shqiptar, kosovar, jugosllav por edhe i tërë botës, Bekim Fehmiu i cili simbolizon unitetin por edhe ndarjen, por gjithashtu edhe mundësinë e bashkimit të dy hapësirave kulturore në një të vetme.

Festivali do të mbahet në disa lokacione. Hyrja, si në vitet e kaluara, do të jetë pa pagesë.

Festivali organizohet nga Integra (Kosovë), Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi), dhe Iniciativa Qytetare (Serbi), me mbështetjen e Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), Fondacioni për Shoqëri të Hapur në Serbi, Rockefeller Brothers Fund (RBF), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës. / KultPlus.com

Ekspozita e Eliza Hoxhes shpalosi rrugëtimin e Kosovës në Beograd (FOTO)

Gili Hoxhaj – Beograd

Pasi që ka përfaqësuar Kosovën në ekspozitës ndërkombëtare në Bienale të Venedikut, ende pa pushuar Eliza Hoxha kishte marrë rrugën për në Beograd për të prezantuar artin e saj përmes fotografive. Të parët para të cilëve u shpalosen punimet e saj ishin policët kufitar në kufirin Kosovë- Serbi. Me vëmendje kishin lexuar secilin rresht e simbol të fotografive, që rezultoi që tri fotografi të Eliza Hoxhës të mos e kalojnë kufirin serb për të arritur destinacionin prej nga ishin nisur.

Pa katalogë u pritën mysafirët e ekspozitës në Beograd por jo dhe pa fotografitë që u ndaluan në kufi. Të riprintuara ato rrinë të ngjitura në tokë. “Origjinalet i gjeni në kufi”, shkruhej në fletën që rrinte poshtë tyre, dy prej të cilave ishin nga protesta e një fotografi e paraqiste Eliza Hoxhën mes flamurit të Shqipërisë e Kosovës, duke përshkuar kështu ecjen mes ëndrrës dhe realitetit. Njëra fotografi paraqet fytyrat e protestuesve, që dy gishtërinj mbajnë lart për paqe e të shkruar mbajnë pankartën me titullin e poezisë së Ali Podrimes “Kosova është gjaku ynë që nuk falet”.

Protestues të tjerë me gishtërinjtë lart për paqe mbanin pankartën ku shkruhej UCK. Flamuri i vetëm të cilin e mbanin në duar ishte ai i Shqipërisë. Në punimet e Elizës nuk mungon as ai i Kosovës që e sjellë në një dimension tjetër në përputhshmëri më të tashmen e që sheh drejt së ardhmes. Punimet e vendosura në mur duket sikur flasin për të kaluarën e cila s’lëviz ndërsa punimet që qëndrojnë mes tyre duket sikur rrinë të varura në përditshmërinë tonë, e presin reflektimin e secilit.

Qindra njerëz mund të gjejnë veten në fotografitë që Eliza Hoxha i solli përmes ekspozitës “Midis ëndrrës dhe realitetit” që u hap në kuadër të festivalit “Mirëdita, dobar dan”. Disa mund ta gjejnë veten në mesin e protestuesve që mbajnë bukë, fletë e qirinj në duar. Të tjerë mund të takohen me fëmijërinë e tyre, moshatarët e tjerë që nuk janë brenda vetes mund ta rikthejnë imazhin e vetes në atë kohë. Të shumtë janë ata që përmes ekspozitës mund të shfletojnë të kaluarën, që mbi realitetin e ri ende rri pezull. Fotografitë transparente në mes të sallës në qendër të së cilës qëndron Eliza Hoxha me bluzën që mban mbishkrimin #Kosova10, në kokë i rrinë telat me xhemba, që simbolizon edhe kurorën edhe plisin e që flet për dinjitetin, krenarinë, traditën edhe mes një situate të izoluar.

Në shikimin e artistes lexohet më së miri kjo. Sikur për të ecur në të kaluarën e këtij rrugëtimi dhjetëvjeçar, ajo prapa kësaj fotografie ka vendosur fotografi të tjera në të cilat secili mund të shoh veten, secili mund të reflektoj pikëpamjen e vet mbi këtë realitet mbi të cilin kapërcejnë çdo ditë edhe pa i numëruar hapat e ecjes deri këtu. Një bluzë e gjetur në varreza masive është e vetmja shenjë e një fëmije. Është fotografia që gërmon fatin e pazbuluar të atyre që edhe sot mungojnë.

“Ndjehem e fëlliqur, pa ftyrë, pa vlerë, e turpëruar, e etiketuar… Më mirë me pas vdek”, është mbishkrimi që flet për gratë që tërë jetën kanë jetuar nën hijen e paragjykimit. Për ato që janë dhunuar disa herë nga shoqëria. Një fotografi tjetër sjellë pamjen e fëmijëve që kanë marr emrin refugjat teksa largohen për në Maqedoni.

Artistja shumëdimensionale Eliza Hoxha u shpreh se ata që erdhën mbrëmë për ta parë ekspozitën e kanë parë se ka qenë krejt e paarsyeshme barriera që iu krijua fotografive të saj në kufi që pasi të gjitha fotografitë pavarësisht si vijnë para publikut, tregojnë energjinë e njerëzve të Kosovës për një Kosovë më të mirë. Duke qenë se Hoxha ka qenë shumë e re kur i ka shkrepur fotografitë e viteve 90’, ajo shprehet se situata në kufi edhe ia ka rikthyer emocionet e atyre viteve.


“Ajo pjesa në kufi për çfarëdo arsye që është bërë, ka qenë paksa e ekzagjeruar. Unë i takoj një gjenerate që është ballafaquar me policinë në forma të ndryshme dhe në këtë pikë jemi të kalitur. Më është kthyer ai emocioni i viteve ’90. Ky rrëfim për gjeneratat e reja këtu e edhe në Kosovë është i panjohur. Mendoj se mundësia për ta shpalosur kontekstin mund t’iu ndihmojë dy palëve për ta parë realitetin”, tregoi Eliza Hoxha për KultPlus.

Ajo tha se disa fotografi të ekspozitës lidhen me shtetin e ri të Kosovës se sa të gjithë së bashku kanë arritur të bëjnë për vendin. Po ashtu fotografitë janë një mundësi e mirë për të parë një tregim tjetër, i cili mungon në Beograd.

“Ky është edhe një far rrugëtimi personal i imi dhe i gjeneratës sime. Duke i parë këto gjëra mund të shihet e kaluara. Jo të gjithë serbët apo shqiptarët i kanë bërë keq njëri-tjetrit. Unë vazhdoj të besoj në shpirtin e madh të njerëzve nëpër botë pasi vetëm ata kanë mundur të bëjnë gjëra në të mirë të njerëzimit”, tregoi tutje Eliza Hoxha.

Muri i ngjyrosur në të bardha bënte që fotografitë e Hoxhës, rrethuar nga korniza me këtë ngjyrë të duken sikur janë të mishëruara me hapësirën. Vizitorët nuk ecën vetëm, Eliza i shoqëron në secilin hap kur ata ia kërkojnë. U sqaron secilën pamje e histori të fotografive. U tregon për secilin koncept i cili fshihet pas tyre. Më shumë se gjithçka këto fotografi janë ecje me të kaluarën e reflektim në të ardhmen. Ato janë pasqyrë në të cilën mund të shohësh fatin e Kosovës ndër vite. Aty gjenden rrugët plot protesta në vitet e 90’ta e rrugët më të zbrazura pas luftës. Një fëmijë teksa i zgjat dorën një ushtari. Fëmijë të tjerë teksa ngjitet në shtëpinë e djegur e pa kulm. Fëmijë pranë një ushtari, ngritin duart drejt kamerës e buzëqeshjen e kanë fort të shtrënguar. Duket sikur nuk janë shkëputur nga ditët që ua kanë mohuar fëmijërinë. Që krismat duhet t’i përjetonin vet, pa i imagjinuar.

Në mesin e vizitorëve të kësaj ekspozite ishte dhe Petr Janes i cili vështronte ngadalë të gjitha fotografitë. Në fotografitë e Eliza Hoxhës, ai ka gjetur komunikimin universal që mund të sjellë arti. Ai tha se këto fotografi e shpërfaqin gjithë Evropën.

“Ne në Çeki tash kemi protesta kundër qeverisë pasi kryeministri ka disa probleme me donacionet e Bashkimit Evropian. Në fotografi shoh të rinjtë e të tjerët edhe me kandila. Në Bratisllavë në fund të viteve 80’ kishte protesta të mëdha kundër komunizmit dhe kjo që shihet në foto është Evropa pothuajse kudo”, tha Janes për KultPlus.

“Mirëdita, dobar dan” për pesë vite si urë komunikimi e artit e kulturës së Kosovës me publikun e Beogradit

Ka pesë vite që Festivali “Mirëdita dobar dan” mbledhë emrat më të njohur të artit e kulturës në Kosovë dhe ua prezanton krijimtarinë e tyre në Beograd. Si frymëzim për themelimin e festivalit ka shërbyer Bekim Fehmiu, aktor shqiptar, kosovar, beogradas, jugosllav dhe botëror, simbol i së kaluarës së përbashkët, së bashku me të gjitha sfidat, arritjet dhe keqkuptimet.

Ky vit nisi krejt më ndryshe se vitet e tjera. Me kontroll të detajuar në kufi nga policët kufitar, e me barriera artistike. Me përcjellje nga policët në Beograd e me protesta pranë Qendrës për Dekontamin Kulturor, mes zërave të protestuesve jashtë, festivali ishte hapur edhe vitin e kaluar. Kushtrim Koliqi, regjisor dhe drejtor i Integra-s (njëra prej institucioneve që organizojnë festivalin) u shpreh për KultPlus se në aspektin e prezantimit artistik ndihet shumë i kënaqur me kualitetin dhe standardin artistik me të cilin është prezantuar arti kosovar, e po ashtu me interesimin e audiencës në Beograd, duke përfshirë edhe kritiken pozitive nga të pranishmit. Ndërsa për aspektin politik u shpreh se ndihet i brengosur që festivali nga viti në vit po ballafaqohet me reagime më radikale dhe me të ashpra, e duke qenë se ky është edicioni i pestë i festivalit kjo do të duhej të ishte e kundërta.

“Për çdo vit ky festival ka pasur kundërshtarë por këto dy vitet e fundit intensiteti dhe dinamika e këtyre reagimeve është rritur. Specifikë e këtij viti është që përveç protestave të qytetarëve të linjave radikale festivali është ballafaquar me kundërshtime, reagime, kërcënime dhe protesta nga partitë politike serbe dhe deputetë të parlamentit të Serbisë. Edhe më brengosës është fakti që këtë vit ky festival është penguar edhe nga policia e Serbisë me urdhër direkt të Ministrit të dikasterit përkatës. Kjo i bije që edhe sistemi politik dhe pushteti i atjeshëm mëtojnë ta pengojnë apo ta ndalojnë këtë festival”, u shpreh Koliqi.

Koliqi tutje shtoi se edhe pse ky festival ballafaqohet me shumë kundërshtarë të niveleve dhe profileve të ndryshme, përkundër asaj ata do të punojnë edhe më tutje me intensitetin e njëjtë për organizimin e festivalit pasi që besojnë fort në vlerat që ai mëton t’i përçoj.

“Ky festival përveç shkëmbimit kulturor ka synimet e qarta që shoqëritë tona t’i ballafaqojë me të kaluarën, të kërkojë përgjegjësi për të kaluarën, të kërkojë që të zbardhet dhe dokumentohet e kaluara, të nxisë debat dhe dialog shoqëror për të kaluarën dhe të tashmë dhe përfundimisht të promovojë standardet e të drejtave të njeriut të cilat janë thelbësore për një rajon më të qetë”, përfundoi Kushtrim Koliqi.

Sofija Todorović nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) tha se duke pasur parasysh atë që ka ndodhur në Serbi tri javë para se të fillonte festivali si paralajmërimet e radikalëve serb e gjërat e ngjashme, isha pak e frikësuar duke menduar se do të ketë prani të madhe të policisë dhe vizitorët nuk do të jenë në gjendje të hyjnë për të parë ngjarjet, megjithatë këtë vit festivali ka arritur numrin më të madh të vizitorëve. Todorovic tha se përkundër pengesave ndër vite, ky festival e arrin qëllimin e vet pasi që krijon lidhje midis njerëzve dhe kjo kalon përtej raportit shqiptaro-serb pasi që flet më shumë për njerëz që lirshëm mund të bisedojnë për gjëra të ndryshme.

“Të mërkurën kam parë se ka qenë plot njerëz pasi ata e dinë idenë e festivalit dhe besojnë në diçka të tillë. Ideja është që t’i bëjmë bashkë të rinjtë nga të dyja vendet. Vitin e kaluar kemi pasur protesta çdo ditë e kësaj radhe kishim vetëm një protestë të rrezikshme në ditën e parë. Ishte më e rrezikshme sesa vitin e kaluar por ishte vetëm një. Këtë vit policia në Beograd ishin shumë më bashkëpunëtorë se vitin e kaluar”, u shpreh Todrovic.

Festivali organizohet nga Integra (Kosovë) dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) në partneritet me Fondacionin Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), dhe Iniciativat Qytetare (Serbi)./ KultPlus.com

Mes protestave të radikalëve, Festivali “Mirëdita, dobar dan” hapi programin artistik (FOTO)

Gili Hoxhaj – Beograd

Me dy orë pritje në kufirin Kosovë-Serbi e pa tri fotografi, ekipi prej organizatorëve, artistëve, gazetareve e studentëve arritën në kryeqytetin serb për të hapur mbrëmjen e parë të edicionit të pestë të festivalit që prezanton kulturën e Kosovës në Serbi, Festivali “Mirëdita, dobar dan”, shkruan KultPlus.

Pas shkuarjes atje ekipi nën përcjellje të forcave policore u nis drejt Qendrës për Dekontaminim Kulturor në Beograd. Para se të afroheshin minutat e hapjes së festivalit, numri i policëve veçse shtohej, e zërat protestues tashmë dëgjoheshin. Me këngë nacionaliste, e valëvitje flamujsh, ata këndonin për Kosovën të cilën e quanin “tokë” të Serbisë. Përkrahës të Partisë Radikale Serbe e rrethuan Vojslav Sheshelin, i cili theksonte mohimin e shtetit të Kosovës. Protestuesit me fotografi të kufomave, fotografi të Hashim Thaçit e Ramush Haradinaj kishin zënë njërën anë të rrugës e në anën tjetër gjendej turma më e madhe të cilët kishin vënë maska e veshje doktorësh ndërsa mbanin pankartat me mbishkrimet “Sa organe duhet të na merren për të pasur shoqëri me terroristët” dhe “Politikisht korrekt me trafikimin e organeve”.

Organizatori i këtij festivali, Kushtrim Koliqi u shpreh i brengosur për këtë situatë derisa tha se çdo vit kishte shpresuar që situata politike dhe raportet mes dy vendeve do të jenë më të relaksuara kurse faktet e tregojnë të kundërtën dhe situata vetëm sa po përkeqësohet. Megjithatë ai tha se nuk do të ndalen pasi që besojnë se ky festival ka vlera fisnike.

“Viti i pestë po fillon me tensione që nuk i kemi pasur më herët. Ne nuk do të ndalemi, kjo është një rrugë që na takon neve, secili e ka punën e vet dhe ne kemi punën tonë”, u shpreh Koliqi gjatë hapjes së festivalit.


Sofija Todorović nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) u shpreh se ka qenë e vështirë të hapet ky festival tek që gjithçka ka qenë kundër kësaj ideje por u shpreh tejet e lumtur që kanë arritur kaq shumë njerëz.
Čedomir Jovanović, Anita Mitic e personalitet të tjera të njohura kanë mbushur plot Qendrën për Dekontaminim Kulturor në Beograd, aty ku u zhvillua hapja e Festivalit.

Një festival tanimë tradicional, ‘Mirëdita, dobar dan’ ka vite që prezanton artistët më të mirë nga Kosova për disa ditë të mbushura kulturë në Beogradin e Serbisë. Mbrëmë në hapësirën e brendshme të Qendrës u prezantuan karikaturat e artistëve nga Kosova e Serbia, të cilat portretizonin figurat politike të Serbisë e Kosovës në raport me dialogun që po zhvillohet. Aty u prezantuan punimet e Murat Ahmetit, Mentor Llapashtices dhe Predrag Koraksic Corax e realizuar në kuadër të projektit “Ura – Dialogu Civil Prishtinë-Beograd”.

Përfaqësuesja e projektit, Berna Caka nga Radio UrbanFm dhe INC- Rrjeti i Radiove Lokale u shpreh për KultPlus, se projekti i këtij viti flet për urat mes dy shteteve siç janë Kosova dhe Serbia.

“Në këtë mënyrë këta tre artistë kanë vendosur që ngjarjet reale t’i shprehin përmes karikaturave ato ngjarje që ndodhin në Kosovë dhe në Serbi, sidomos në politikë. Esenca ka qenë që të shprehen ngjarjet nga të dyja palët”, tregoi Caka për KultPlus.

Më pas salla e Qendrës për Dekontaminim Kulturor u mbush plot nga pjesëmarrësit e festivalit, të cilët u mblodhën për të parë filmin “Martesa”, me regji të Blerta Zeqirit, film ky që tashmë numëron disa çmime. Për më shumë se një orë të pranishmit ngulën sytë drejt ngjarjes së një dashurie në trekëndësh, e ngjarja ec para dhe gjatë martesës së Bekimit me Anitën, e cila nuk është në dijeni se Bekimi është ende në dashuri me shokun e tij më të mirë, Nolin. Ngjarja prekë kohën e luftës në Kosovë, atëherë kur dy të rinj, Bekimi dhe Noli jetojnë brenda një ndërtese, ku edhe fillojnë të ndjejnë shenjat e para të dashurisë për njëri-tjetrin. Shumë vite më pas, luftën më të madhe do ta kenë me barrierat e kësaj dashurie.
Festivali “Mirëdita, dobardan!” 2018 do të jetë prezent në lokacione të ndryshme në Beograd, dhe hyrja në të gjitha ngjarjet do të jetë, si në vitet e mëparshme, falas.

Si frymëzim për themelimin e festivalit ka shërbyer Bekim Fehmiu, aktor shqiptar, kosovar, beogradas, jugosllav dhe botëror, simbol i së kaluarës së përbashkët, së bashku me të gjitha sfidat, arritjet dhe keqkuptimet.

Festivali organizohet nga Integra (Kosovë) dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) në partneritet me Fondacionin Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), dhe Iniciativat Qytetare (Serbi)./ KultPlus.com