Gonxhja: Ekspozitë unike me ikonat shqiptare në Francë

Mbi 45 vepra ikonografike të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar do të udhëtojnë nga Korça drejt qytetit historik Chambery në Francë.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja deklaroi sot se “ekspozita unike do të zhvillohet në Muzeun e Arteve të Bukura në Chambéry, ku ikonat e përzgjedhura nga koleksioni i Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë do të prezantohen për publikun francez dhe ndërkombëtar”.

Gonxhja thekson se ky projekt është pjesë e bashkëpunimit kulturor mes Shqipërisë dhe Francës dhe do të përfshihet gjithashtu në Komitetin Shkencor Francez, duke thelluar shkëmbimin mes institucioneve muzeale të të dy vendeve.

Ai shton se ekspozita mund të konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të artit shqiptar, që afirmon Korçën si një qendër kyçe të artit mesjetar në Europën Juglindore.

Me një fond prej mbi 8200 objektesh muzeale, prej të cilave 6400 janë ikona, MKAM është muzeu me koleksionin më të madh të ikonave në botë, një thesar i rrallë i trashëgimisë kulturore shqiptare dhe ndërkombëtare.

Ekspozita do të jetë e hapur për publikun nga maji deri në tetor të vitit 2026. Pas Chambery ekspozita do të zhvendoset në një tjetër qytet francez deri në mars 2027./atsh/

Filo: Fondi i MKAM, unik edhe përtej kufijve të Shqipërisë

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar është një kryevepër e trashëgimisë sonë kulturore, unik për fondin që ka edhe përtej kufijve të Shqipërisë. Në fondet e këtij muzeu ruhet një numër i madh objektesh metalike, një pjesë prej të cilave janë të ekspozuara.

Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, publikoi në rrjetet sociale disa prej objekteve të fondit të MKAM-së, kryesisht objekte të karakterit fetar, ku dekorimi me detaje të shumta i bën edhe më të veçanta e me vlera.

Në MKAM gjenden plot objekte liturgjike si, kupa kungimi, kuti lipsanash, elementë të veshjeve ceremoniale fetare etj. Punimet, kryesisht artizanale, përfshijnë edhe armë apo objekte të jetës të përditshme.

Kryebashkiaku Filo i ka cilësuar këto objekte muzeale si dëshmi e një niveli të lartë artistik që arritën mjeshtrat shqiptarë ndër shekuj./atsh/KultPlus.com